ALARMI / ALARMA HAEMUS

Terror e terrorizëm
(Duke marrë shkas nga tragjedia e Gërdecit)

Kohë më kohë, stacionet televizive, me antena të mbjella anekënd globit, ndërpresin emisionet e zakonshme për të njoftuar një sulm të ri terrorist, më të shumtën e herës në zemër të Evropës, madje aty ku përgatitjet antiterror dhe teknologjia janë në nivele tepër të larta.Çdo njeri normal i dënon aktet terroriste, kudo që ndodhin, në vende të varfra apo të pasura. Sepse, në radhë të parë viktimat janë përgjithësisht të pafajshme dhe nuk kanë kurrfarë lidhjeje me ata që kryejnë veprimet makabre, e as me personat që janë në shënjestër të kriminelëve.
E pranojmë ose jo, e vërteta është se jemi të rrethuar nga llojlloj formash të terrorit, jetojmë në një botë të terrorit, të frikës, të tmerrit. Madje edhe masmediat sikur qënkan shpikur vetëm e vetëm për të na kumtuar pikërisht tmerr e frikë. Pothuajse nuk gjen asnjë buletin lajmesh që të mos përmbajë të paktën aksidente të rënda, të shoqëruara me humbje jetësh. Në filan qytet a fshat, iksi vrau ipsilonin, një i tretë u vetëvar… Banda mafjotësh, gjatë rrëmbimit të të hollave, pushkatuan aq e kaq punonjës banke. Vazhdohet me fatkeqësi natyrore (cunami, tornado, tërmete etj.), edhe këto të shoqëruara me viktima ose të paktën me dëme të mëdha materiale. Pasojnë fatkeqësitë e shkaktuara me ose pa dashje nga njerëzit: rrëzim avionësh, dalje trenash nga shinat, përfshirje nga flakët pallatesh a fabrikash… E shumë e shumë të tjera të këtij lloji. Të gjitha, pa përjashtim, na kallin frikën e tmerrin, edhe pse disa syresh e kanë zanafillën në faktorë që nuk varen prej nesh.
Të tjera forma „terrori” janë ato ekonomike, që na kumtohen si lajme, ose që i përjetojmë, pa ua pasur nevojën mjeteve të masmedias. Këtu futen rritja e çmimeve, frika se mos mbetemi pa punë në mes të katër rrugëve, pa mjete jetese. Varfëria, gjithashtu, është një formë e "terrorit", sepse të ngjall frikën e mospasjes mundësi për të blerë ilaçe etj. Mbase nuk e kuptojmë që edhe paqëndrueshmëria politike (sidomos kur zgjat shumë), përfton frikën e pasigurisë së të nesërmes. Le pastaj trajtat e „terrorit” social, duke filluar me familjen (kontradiktat ndërmjet pjesëtarëve të saj) dhe duke mbaruar me rrugën (fëmijët e braktisur, vjedhësit, bandat gjithfarësh)… Format e sapopërmendura të "terrorit", sidoqë na atakojnë drejtpërdrejt, janë gjithsesi më „të buta”. Më të rrezikshme janë ndikimet, në nivel individual ose në grup, mbi gjendjet shpirtërore, emocionale dhe mendore të njeriut. Kështu, bie fjala, një njeri mund të jetë tepër i zgjuar, por njëherazi gjithaq mizor; i arsyeshëm, por edhe i acarueshëm, aq sa ta humbë fare toruan. Të gjitha këto gjendje mund „të mbillen” tek njeriu përmes llojlloj idesh e mendësish. Qarkullon një literaturë e tërë me këtë temë. Por edhe filma „thriller”, apo më shqip „filma tmerri”.

Mund të shtrohej pyetja: përse njeriu nuk i përdor arritjet në lëmin e psikologjisë në dobi të tij, jo kundër vetvetes. Sepse hasim në qëndrime moskokëçarës ndaj dhunës e mizorisë që vërshon përmes ekranit të madh e të vogël. Nuk na falet që, në vend t'u themi ndal „krijimeve” të tilla, i „shijojmë” edhe vetë, madje u bëjmë edhe reklamë! Afishe të panumurta, të ngjitura në mure e xhame, njëlloj si librat me krime, përhapin agresivitet e tmerr. Nuk janë të rralla rastet kur stacionet televizive, shtetërore e sidomos private, transmetojnë pa kursim gjëra të këqia, të shëmtuara.
Lavdi Zotit, rreth nesh ka edhe shumë gjëra të bukura. Edhe filma, edhe libra, edhe emisione televizive, të cilat meritojnë gjithë vëmendjen tonë, sepse na mësojnë të jemi më të mirë në çdo drejtim. Pra, varet se çfarë zgjedhim. A mund të ndikojmë edhe tek të tjerët? Sigurisht që po. Ashtu sikurse bëhen kaq "përgatitje" për të na shkatërruar, mund të bëjmë edhe ne shumë "kundërpërgatitje" për ta dërrmuar të keqen e për të krijuar një botë më të bukur. Kultivimi dhe ngulitja tek njerëzit e gjërave të mira kërkon edukim të shëndetshëm dhe qëndrim korrekt ndaj jetës në kuptimin që dijenitë shkencore t'i përdorim në dobi të njerëzve. Për nevojën e qëndrimit të përgjegjshëm të shkencëtarëve, i pari ka tërhequr vëmendjen Zholio Kyri, kur foli për rrezikun e përdorimit të gabuar të arritjeve të shkencës.
Vetëm duke u përpjekur që aftësitë dhe veprimet tona do të vihen vetëm e vetëm në shërbim të së mirës, do të gjenden edhe zgjidhjet për shkuljen nga rrënjët të flagjelit të quajtur terrorizëm, dhe të të këqiave të tjera të kësaj bote: në radhë të parë rendja pangopësisht pas interesit të ngushtë vetjak, i cili nuk njeh as mëshirë e dhëmbsuri, as humanizëm e dashuri, përderisa nuk e ka për gjë të përfitojë mizorisht nga hallet e njerëzve, duke hedhur në kthetrat e vdekjes gra e fëmijë, sikurse ndodhi në Gërdecin e martirizuar.
Gjithçka varet prej nesh. Prej qëndrimit tonë, prej pjekurisë sonë, prej vullnetit tonë, prej shkallës së dëshirës sonë për ta ndryshuar botën në të cilën jetojmë, duke filluar nga vetvetja.


Vëzhguesi i Haemus-it

No comments: