ARTE

Bajram Sefaj



Një njeri, sa një qytet...


(Ri)botohet me rastin e dyvjetorit të vdekjes se piktorit Ibrahim Kodra. Vepra artistike e këtij piktori të madh shqiptar, për të cilin poeti francez, Paul Eluard, atëbotë kishte thënë: “Kodra është primitivi i një civilizimi të ri”, është e njohur dhe tejet e çmuar në të katër anët e botës.

Milano

Para se për piazza del Duomo, për piazza San Fidele, për piazza de la Scala, para se për Galleria Vittorio Emanuele i dytë, para se për katedralen vetë, apo për Teatro alla Scala… me një fjalë, para se për të gjitha sheshet, monumentet e kulturës dhe të historisë, me të cilat ky qytet është i pasur dhe i stolisur dendur, shekuj me radhë, me të shqiptuar të emrit të tij, në mendjen e çdo vizitori shqiptar, shfaqet pamja e piktorit tonë të çmuar e me famë botërore, Ibrahim Kodra. Në bredhjet e shpeshta dhe të kamotshme pas krijuesve shqiptarë, anëve të ndryshme të Evropës, jo një herë, kam përsëritur të vërtetën – se, një njeri shpesh bën, vlen, sa një qytet i tërë! Ashtu edhe është, njëmend. Ja dëshmia! Sa herë shqiptohet emri i qytetit italian Milano, aq herë në mendje të vjen piktori ynë, Ibrahim Kodra. Kështu është edhe me piktorët dhe krijuesit tanë të tjerë të shquar që, në rrjedhë vitesh, jetojnë e krijojnë jashtë trojeve të Atdheut. Po mos t’ishte Gjelosh Gjokaj, fare pak do të dinim për qytetin Ausburg të Gjermanisë, po mos t’ishte Viktor Eftimiu, Eqrem Çabej, Lazgush Poradeci, Aleksandër Drenova - Asdreni, po mos t’ishte Aleksandër Moisiu, po mos t’ishte Theofan Sotir Noli, Faik Konica e shumë e shumë krijues të tjerë dhe veprimtarë shqiptarë, sigurisht se shumë më pak do të dinim për, Parisin, për Bostonin, për Gracin, për Konstancën, për Luganon… e kështu më radhë. Ky pohim, ndoshta më se miri kasniset me këtë shembull. Kush do të kujtohej se në ç’vend dhe, a do të mund ta gjende fare në hartë qytezën e vogël, me emrin Raçibuzh, që gjendet në një cep provincial të Polonisë, po të mos jetonte e krijonte atje, piktori akademik shqiptar, Zyhdi Çakolli, nga Peja e kështu më radhë.
Kështu, akëcilit shqiptar, gati pa përjashtim, sa herë i jepet rasti të kalojë nëpër këtë qytet, dhe të qëndroje aty për kohë sa do të shkurtër, sa për një kafe, ose sa është ajo mes dy trenash, apo mes dy fluturimesh avioni, përpara se në Milano të Kodra, fitohet përshtypja se ishe të Kodra në Milano.

Dy jubiletë e një jete të madhe

Një ditë vere me vapë të vitit 1998, vërtetë në Milano nuk ishim për të vizituar këtë qytet të lashtë dhe, për kush e di të satën herë, t’i mrekullohemi bukurisë se tij përrallore, kur përnjëmend, është i pasur dhe i stolisur me aq shumë shtresa përlash e margaritarësh, në kuptimin historik, kulturor dhe artistik të fjalës. Në Milano, me fuqishëm se asnjëherë më parë, kësaj radhe, na grishnin, dy data jubilare, përnjëherë, të Ibrahim Kodrës. Ishte tetëdhjetëvjetori i lindjes tij dhe gjashtëdhjetë vjetori i jetës se pasur krijuese dhe artistike, të këtij piktori të madh shqiptar, në Itali. Dy data të mëdha, dy arsye madhore dhe, dy ftesa të pakapërcyeshme për të marrë rrugë, sado e gjatë dhe mundimshme qoftë ajo, te Kodra, në Milano. Ky rrugëtim bëhet me qëllim që jeta dhe karriera e bujshme e Kodrës, të shpalosën përmes shumë e shumë pyetjesh të sajuara me kujdes e respekt, në të cilat do të merren përgjigjet e gjalla të bardit shqiptar, të artit të pikturës, z. Kodra. Si shumë herë më parë, edhe kësaj radhe, nuk mund të fshihej krenaria kur, njëmend, në një djep të lashtë të pikturës, të arkitekturës, të letërsisë dhe të të gjitha gjinive të arteve, në përgjithësi, të arteve pamore në veçanti, të këtë arritur të hedh aq shumë shkëlqim emri dhe vepra artistike e një shqiptari, me origjinë nga një fshat, me emër të çuditshëm, Ishmi, që shtrihet, si të fshihet, mes kodrinash, të rrethinës së Durrësit, bregdetar. Meqë asaj ditë të nxehtë korriku, Kodrës i shkonim të pajisur me një kamerë televizive, natyrisht se pos pyetjeve të hartuara që më parë, kishim hedhur në letër një sinopsë, një skenar, (të quhet kështu kushtimisht) duke provuar të figurojnë në të, sa më shumë pamje e hijesa që do t’i shkonin përkrah fjalës se gjallë të piktorit. Paramendohej që meditacioni rreth temës – një njëri sa një qytet! - të ilustrohet me pamje sa më gjegjëse, sa më të gjëra, sa më të gjalla, si në kërkim, të qytetit të Milanos. Gjithnjë në lëvizje, si në gjurmim të beftë, rrugëve e shesheve të tij, për të ardhur te Piazza Lagosta, pranë godinës së pallatit, brenda atij pallati, për të trokitur në portën e apartamentit-studio, ku Ibrahim Kodra jeton e punon, këtu e gjashtëdhjetë e pesë vjet të shkuara. Skenari, pastaj, parashikonte edhe njëmijë e njëqind detaje e hijesa të tjera të këtij qyteti me traditë të lashtë kulturore dhe artistike. Me dëshirë do të xhirohej, jo vetëm çdo rrugë e rrugicë, por edhe çdo gur e dru, që ka çfarëdo lidhjeje me jetën dhe krijimtarinë e piktorit tonë, në këtë qytet. Para shumë të tjerash, synohej të xhirohej afresku i Kodrës në ballinën e jashtme të murit të restorantit «Brera da Franko», si ilustrim të kallëzimit, të një si anekdote, kur për katërmbëdhjetë vjet, tre muaj e njëzet ditë rresht, Kodra ishte ushqyer pa pagesë në atë restorant, duke ia marrë kështu, rekordin që e mbante, deri atëherë, piktori italian, ai me emrin Tintoreti. Për fat të keq, as muri, prandaj as freska e Kodrës, as restoranti vetë, nuk ekzistonin më. E gjallë dhe e freskët ngelte vetëm anekdota që kallëzohet edhe sot për këtë kontratë origjinale të pronarit të restorantit me piktorin e madh shqiptar, të ditëve të fillimit të ndërtimit të karrierës tij, kur nuk ishte në gjendje të lakmueshme materiale e financiare. Kaptinë në vete parashikohej xhirimi i Akademisë Brera. Akademi kjo, ku piktori ynë, krahas zënies së mësimeve e magjive të lojës se vijave dhe të ngjyerave, që do t’i çelin rrugë të shndritshme drejtë portave të mjegullta, atëbotë, të artit të pikturimit, mësonte edhe për artin e jetës, të dashurisë, të bohemisë e të tjera. Sinopsa parashihte edhe shumë e shumë xhirime e piketime, natyrisht, jo vetëm në Milano, sa do që është «metropol i artit modern», por edhe në Romë, ku Kodra kishte bërë ditët e para në Itali. Poashtu parashikohej zbritja në qytetin e «detit magjik», në Pozitano. Qytet ky, me të cilin piktori është i lidhur ngushtë, emotivisht dhe emocionalisht. Aq sa edhe për qytetin e Palermos ku, pothuaj se, çdo stinë vere, hap ekspozitë të vetën. Shumë prej këtyre ekspozitave, kritikët, studiuesit dhe njohësit e tjerë eminentë të arteve pamore, i përgëzuan dhe i vlerësuan si prezantime antologjike të mjeshtrit shqiptar të pikturës. Natyrisht se harku i synimeve për xhirime gjithandej, as për së afërmi nuk përfundonte me kaq. Kishte edhe shumë për t’u xhiruar e filmuar. Qyteti mesdhetar francez, Cannes, bie fjala, ku Kodra kishte takuar të madhin Pabllo Picasso dhe kishte ekspozuar bashkë me të dhe të tjerë. Pastaj qyteti i Romës, ku Kodra, në vitin l948, kishte takuar dhe ishte njohur me Picasso-n, me rastin e Kongresit të Paqes. Bashkë me këtë piktor Kodra kishte ekspozuar edhe në Spanje, në vitin 1954. Synoheshin sa më shumë xhirime ilustruese, jetëshkruese të duhura për pasurimin vizual të telekronikës kushtuar Kodrës dhe veprës se tij. Pa çare duhej zbritur në Paris, sa për të xhiruar ambientet, ku në vitin 1971 Kodrës i jepet medalja e artë ndërkombëtare e shkencës, artit dhe letrave të Akademisë Franceze. Por edhe galeritë e mjediset e tjera, ku Kodra ishte paraqitur me ekspozita të veta apo në grup me të tjerët. Në këtë shteg, si mund të anashkalohej Lugano, pa pamje e motive të xhiruara në këtë qytet mbi liqe, të cilin Kodra e do(nte) aq shumë, jo vetëm pse është i mrekullueshëm, jo vetëm pse është «qytet ideal» siç e quan(te) Kodra, por mbase, pse emri i këtij qyteti është ngushtë i lidhur me aktorin e famshëm shqiptar të artit teatror, Aleksandër Moisiun, ku edhe sot e kësaj dite, në afërsi të këtij qyteti, gjendet varri i mbretit të artit teatror, në përmasa botërore të gjysmës se parë të shekullit të kaluar. Natyrisht se, kompletimi i këtij dokumentari as që mund të paramendohej pa xhirimet e fshatit të lindjes se piktorit, Ishmit. Pa xhirimin e Durrësit, ku Kodra hedh në letër vijat e para të jetës dhe të karrierës si piktor, kur një italian ia bleu kavaletën e parë. Pa pamjet nga Tirana ku Kodra, pos tjerash, kishte ndjekur mësimet në Liceun artistik, ku kishte takuar skulptorin me famë, Odhise Paskalin, ku kishte bërë panotë e filmave që shfaqeshin në Tiranë, midis të tjerëve edhe atë në të cilin rolin kryesor e lozte aktorja më e famshme italiane e kohës, ajo me emrin Maria Denis, me të cilën e njoftoi gazetari i njohur shqiptar i kohës ai me mbiemrin Shundi. Nuk bëhej dot. pa Tiranën e kohës kur Kodra bëri edhe ilustrimin e kopertinës se romanit të njohur, «Sikur t’isha djalë» të Haki Stërmidhit, ku … mbolli kujtimet më të paharrueshme të fëmijërisë, djalërisë dhe të rinisë së tij të hershme. Të asaj Tirane kur në vitin e afërt 1996, me rastin e 78 vjetorit të lindjes në Shqipëri, i jepet titulli «Nderi i Kombit» Në këtë manifestim ishin të pranishëm dhe me prezencën e tyre e madhëronin këtë akt solemn, dy shkrimtarë të mëdhenj, ndër më të shquarit e shekullit të kaluar, Ismail Kadare, shqiptar, dhe Ernesto Sabato, argjentinas, me origjinë shqiptare. Në këtë kronikë sigurisht se duhej të hynin pamje nga ambientet e «pishave të Deçanit», ku Kodra, në vitet e shtatëdhjeta, kishte rastin që, në gjirin e Kolonisë tradicionale verore të artistëve dhe të krijuesve shqiptarë, në Deçan, t’i kalojë disa ditë bashkë me ta, për t’i njohur ata, më mirë e më thellë. Nga kjo njohje e përafërt Kodra do të përfitojë që, një ditë, të flas me kompetencë e të shkruaj me përkushtushmëri, mbi poezinë dhe artin e tyre. përgjithësisht, në një ese të tij të thukët. Apo ndoshta duhej marrë edhe imazhet e Prishtinës, ku Ibrahim Kodra, për herë të parë ekspozoi, në trojet shqiptare, pas aq shumë e shumë vjetësh në ekzil. E kështu me radhë. Ngjashëm me kasnisjen e kopertinës se romanit emblemë të letërsisë shqipe, «Sikur t’isha djalë», gjë kjo që kishte ndodhur në Tiranën e djalërisë se tij të hershme, gjatë qëndrimit në Prishtinë, Kodra kishte gjetur kohë, energji dhe motiv, për një kasnisje tjetër. Kësaj radhe jo vetëm të kopertinës por edhe të shumë faqeve të tjera (të brendshme) të një përmbledhje poezish për fëmijë, «Përrallat e vatrës», të poetit të shquar kosovar, Qerim Ujkani.

(Sa) shumë dashuritë e maestros Kodra!

Sa i takon pjesës foljore të dokumentarit, ambiciet ishin shumë më të mëdha. Synohej marrje dhe regjistrim i çdo fjale e mendimi të artistit. Natyrisht, e në rend të parë, ato mbi artin. Mbi poezinë. Mbi letërsinë, mbi filozofinë. Mbi filmin, teatrin, muzikën… Për t’i sistemuar sa më mirë e për të marrë përgjigje sa më kuptimplota, sa më gjegjëse dhe sa më shkoqitëse në këto pyetje vargmale, synohej që mjeshtri Kodra te vihet, midis shkrepave të disa dashurive më të mëdha në jetën e tij. Pyetje, pra, shtruar gjithnjë përmes dashurive. Nga dashuria ndaj femrës. Kësaj krijese misterioze kur, e para zgjon, e trazon këtë ndjenjë të thellë e plotë lëngatë, te njeriu. Aq më parë te artisti, kur, në të shumtën e rasteve, qëllon të ketë shpirt bohemi. Dashuria e dytë e Kodrës, ndoshta edhe më e madhe se e para, është piktura. Dihet. Dashuria ndaj muzikës. Kësaj pyetje apo kapitulli, sigurisht se do t’i printe loja e Kodrës në kitarë apo, qoftë edhe në ndonjë instrument tjetër muzikor. Për të dalur, kështu te mendimi i tij i shkoqitur, mbi artin e muzikës. Preferencat e deri të sajimi autorial, i veprës muzikore të tij. Asaj me titull «Zëri i kambanave», në la maxhor. E katërta dashuri e Kodrës, është poezia. Dëshmia më e mirë, për këtë pohim, janë vargjet e poezisë së tij me titull «Unë kërkoj». Lë të ndjekim bashkë vargjet e kësaj vjershe, plotë porosi filozofike.

Unë kërkoj

Djalosh kapedan
A s’më thua që nga vjen
Ti, se në luftë paske qenë
rrëfemë në e ke parë të dashurin tim?

Vogëlushja ime e mirë
Fytyrëbardhë si vetë dëbora
Unë që kthehem nga fushat e betejës
Të dashurin tënd s’e kam parë.

Vogëlushja ime e mirë
Që ngrys netët n’ato fusha,
S’mund të shihemi më,
Sepse i dashuri yt u vra.

Vogëlushja ime e mirë
Me sy të përlotur,
Në të shtyftë dashuria,
Mendoj se do të jem për ty.

Ah, djalosh kapedan,
Si vetë dëbora n’ato maja,
Nuk shkel zjarrin e zemrës sime,
Qofsh gjeneral.

Po, moj vogëlushe,
Që ngrys netët në ato fusha,
lotët terna sytë,
se jam unë i dashuri yt.

Dashuria ndaj sportit...

Dashuria ndaj sportit. Dihet mirë se Ibrahim Kodra, jo vetëm në rini, por gjatë gjithë jetës së tij të stuhishme, ishte një dashamirë i madh i sportit. Në rini ai, pos që shquhej si flakës i gjyles dhe çekiçit, ishte i dalluar edhe në sportin e notit. Ai vazhdoi, deri në ditët e pleqërisë së thellë, vallen me këtë dashuri! Dashuria ndaj vendlindjes, është e papërgjumur kurrë. Dashuri që nuk soset (shpenzohet) kurrë. Dihet, si për të gjithë e, veçmas për ata që digjen e piqen në shkretëtirën e mërgimit, edhe për piktorin tonë të shquar, dashuria ndaj vendlindjes ishte dhe mbeti dashuri që nuk shteret kurrë. Dashuria ndaj fshatit Ishëm, ku është lindë, para disa deceniesh. Dashuria ndaj Durrësit. Ndaj Tiranës… Dashuria ndaj Shqipërisë. Kur për asnjë çikë mbrapa nuk ngel dashuria ndaj Prishtinës, Prizrenit, Deçanit, Lubotenit plisëbardhë… Dashuria ndaj Kosovës, përgjithësisht. Ashtu siç është e madhe dashuria e tij ndaj trojeve shqiptare të arbëreshëve në Itali. Kur poaq e madhe është dashuria dhe malli i tij për Çamërinë dhe për trojet shqiptare në Serbi, në Mal të Zi e në Maqedoni. Megjithatë, maestro Kodra, nga ai mozaik trojesh shqiptare, megjithatë, pas aq shumë vjetësh në mërgim, të parën vizitoi Kosovën. Ndodhi kjo në verën e vitit 1968. Me atë rast, pos që, para artdashësve të Prishtinës, dhe përgjithësisht para publikut të gjerë të Kosovës, u paraqit me ekspozitë vetëm, kishte takime dhe kontakte, të ngrohta e vëllazërore, më piktorë, në rënd të parë, por edhe me shkrimtarë, me poetë, me gazetarë… dhe më njerëz të rëndomtë. Qytetarë të thjeshtë që gjakonin e dëshironin ta takojnë, të shohin, shijonë e përjetojnë artin e tij, të shfaqur në ekspozitë…Në këtë pyetje-konstatim, përgjigjen më të mirë të Kodrës e gjejmë, në librin e tij, me titull «Kujtime» të cilin, sikurse dihet, e nxori në dritë Shtëpia botuese «Onufri» e Tiranës. Ja fragmenti me titull : «Në Kosovë, mes Shqiptarëve» që e riprodhojmë, në tërësi ngase imponohet me origjinalitetin dhe spontanitetin e tij rrëfyes.

Në Kosovë, mes Shqiptarëve

«Më 1968 çela një ekspozitë në Prishtinë, në Kosovë. Për mua ish një ngjarje e paharruar – ish kthimi në Atdhe, po shprehem në mënyrë letrare – sepse gjer më atëherë nuk kisha pasur lidhje kulturore me shqiptarët e Ballkanit në përgjithësi, dhe në veçanti me ata që jetonin në (tash, ish) Jugosllavi. Kurrë nuk pandehja se mes shqiptarëve të Kosovës – Metohija, siç e quanin asokohe, ish ngritur një industri kulturore e përbërë nga gazetat, revistat, teatrot, shtëpitë botonjese. Mu dha rasti të piqem e të vlerësojë disa vjershëtorë, shkrimtarë, artistë dhe muzikantë. Gjithçka zuri fill me një shkrimtar që zbriste nga Zagreb, një farë Joja Ricov, që dëshironte t’i jepja një intervistë për të përjavshmen Telegraf e cila u kasnis më pas e shoqëruar me disa nga punimet e mia. Artikulli u këndua me interes nga Aleksandër Stipçeviq, i cili duhej të kish lidhje të vjetra gjaku me shqiptarët posa pat shkruar dy vëllime mbi artin e Ilirëve - që janë stërgjyshërit e shqiptarëve. Ai njoftoi disa profesorë të Universitetit të Kosovës, që pikërisht në ato vite po hidhte hapat e para. Kështu në studion time ia behu Nehat Islami drejtor i gazetës «Rilindja» të Prishtinës dhe pak kohë më pas me ftuan që të çel ekspozitën. Për mua ish sukses i madh, mjafton të shihje pritjen që më bëri jo vetëm shtypi në Kosovë por edhe në Beograd, siç ishin gazetat Politika, Lufta etj. Me prekëse ishte pritja që më bëri Bekim Fehmiu – aktori që mbuloi rolin e Uliksit – i ardhur nga Londra, pasi atje punonte një film, i cili mori pjesë në përurimin e ekspozitës. Ymer Shkreli në fletet e gazetës « Rilindja » të datës 8 gusht të vitit 1968 do të shkruante: »Megjithëse ekspozita e Ibrahim Kodrës u çel gjatë sezonit të verës, mundi të tërhiqte një numër të madh admiruesish të arteve figurative të Kosovës. Ekspozitën e vizituan 13.000 vetë. Një numër kaq i madh shikuesish nuk është parë në asnjë shfaqje tjetër në Prishtinë». Ekspozita u çel në hollin e Teatrit Popullor. Historia e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë – rreth dy milionë – mund të ketë vetëm një titull : »luftën për çlirim dhe për njohjen e krenarisë se tyre kombëtare». Këtë krenari, në krye turqit e më pas serbët e kanë shkelur pa prerë duke u përpjekur që të mbysin me pahir. Në letërsi kjo dëshirë quhet «domosdoshmëri e mallkuar» që haset në të gjitha shkrimet ose pothuaj të të gjithë autorët e çfarëdo vërse qofshin. Ka pasur edhe syresh që me cinizëm racial i kanë quajtur shqiptarët «njerëz me bisht». Vjershëtori Esad Mekuli, një nga kokat e letërsisë së re pas luftës së dytë botërore, shfren me zgjuarsi në një ndër poezitë e tij davanë e atij bishti tek shqiptarët : «është një tërkuzë me të cilën lidhin kizën në brez, që lipset për punë të lodhshme dhe mund ta shohësh paksa nëpër shalë. Është arkaja e vuajtjes por edhe e qëndresës». Në përshkrimin që këta vjershëtorë i bëjnë vuajtjes së njerëzve të atij populli ndeshemi me një ngarkesë të madhe emocionale. Një emocion i tillë shfaqet tek poezia e Enver Gjerçekut, pas të cilit njerëzit e letrave nuk mund t’i vendosë mbi nivelin e jetesës se një kombi të rrëgjuar nga uria, siç është Kosova. Përpjekja që bëhet për të gatuar çorbën në sofrën e një shtëpie – mundësisht në sofrën e vetë autorit, duke parë tërë autobiografinë që sundon në të gjithë veprën e tij – është kthyer në një rit, në venom që përsëritet paçka se qëllimi i saj objektivisht lë për të dëshiruar. Kështu, në qendër të poezisë shfaqet nëna që shtron «sofrën» (një tryezë e rrumbullakët një pëllëmbë nga toka) që grish vocërrakët të ulen, ndonëse s’ka gjësendi për të ngrënë. Me anë të shkrimtarëve kam arritur të njoh një krahinë tërheqëse që jetonin akoma së toku sipas natyrës «primitive» dhe kjo me pëlqen. Aty do të gjesh dhe sot e kësaj dite disa mënyra jetese që tashmë janë lënë prapa nga pjesa tjetër e Evropës. Ky përshkrim nuk lartëson vlerat, madje as i përdhos. Këtë kontradiktë e përjetojnë personazhet e romanit të famshëm «Heshtja e armëve» i Ramiz Kelmentit. Kosova dalëngadalë por pa u ndalur po i lë prapa këto kontradikta. Kultura e shqiptarëve të ish Jugosllavisë është mbushur me këto kontradikta, por identiteti kombëtar mbetet një urë lidhëse dhe bashkimi. Në katundet ku kohë më kohë mungon drita elektrike dhe nuk ka rrugë kryesore, njerëzia jeton çdo ditë lidhur me forma arti shumë të shpërndara, siç janë muzika dhe gojëdhënat Të mos e zëmë ngoje formën paraletrare e cila është kuvendimi, që rëndom merr ngjyra zakonore e të jashtëzakonshme. Ende ruaj në mendje një kujtim të ëmbël për ato vise të magjishme dhe për njerëzit që me mua u treguan shumë të dashur».

Të gjithë shkruan(m) për Kodrën

Ky s’ishte tjetër veçse një evokim rasti i mjeshtrit Kodra, thadruar në kujtesën e tij mbi Kosovën, artin dhe njerëzit e saj, ashtu siç i ka parë dhe i ka përjetuar, tash e më shumë se dyzet vjet më parë. S’do mend se, ndërkohë, në Kosovë gjithçka ka ndryshuar, në kuptimin e bardhë të fjalës. Në këtë pjesë të rrëfimit të vetë, mjeshtri Kodra, ndër të tjera përmend, emrat e vetëm dy gazetarëve shqiptarë nga Kosova, Nehat Islamin dhe Ymer Shkrelin që kanë shkruar për të dhe artin e tij. Kurse në librin monografik « Ibrahim Kodra – prezentazione di Carlo Bo», botim i vitit 1987, në regjistrin nga madje 252 autorë që me shkrimet e tyre e kanë bërë të gjallë e të njohur, në të katër anët e botës, veprimtarinë artistike të tij, midis të cilëve më i shquari është shkrimtari italian me famë botërore, Dino Buzzati, gjendet, më së pakut, edhe një njëzetësh autorësh shqiptarë, jo vetëm gazetarë e publicistë por edhe poetë e letrarë. Duke filluar nga Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Aliu, Teki Dervishi, Gani Hoxha, Sharr Hoxha, Nehat Islami, Vehbi Kikaj, Ernest Koliqi, Rashit Krasniqi, Musa R. Mehmeti, Demetrio Patituçi, Bajram Sefaj, Vehap Shita, Ymer Shkreli, Hilmi Thaçi, Hajro Ulqinaku, Ana Maria Patituçi, Abdulla Tafa, (që është autor i monografisë shumë të mirë me titull «Kodra një univers», botim i ARTE, Tiranë 1992) dhe Fiqiri Sejdiaj.

Jam i lirë dhe nuk kam frikë nga vdekja!

Nga një bisedë e këtij të fundit, botuar në të përditshmen e popullarizuar të Tiranës «Shekulli» të ditës se diel, 5 mars 2000, huazojmë, ad literam, vetëm dy prej tyre. Jo pse nuk ishim kujtuar t’ia shtronim vetë, por, nga frika mos janë delikate, intime, të rënda. Që prekin thellë në intimë, me paragjykim se edhe mund të lëndojnë sedrën e piktori të madh. Ja, dy pyetjet dhe përgjigjet e Kodrës në to. E para : »Si shpjegohet që nuk jeni martuar asnjëherë?».
Kodra : »Oh, tre herë desha të martohesha, besa, e tre herë, për fat, lavdi Zotit, shpëtova. Nuk u martova asnjëherë. Një herë, duke bërë dashuri, në rini, e dashura ime më thotë : »Oh, Ibrahim, me shtrëngo fort!». Dhe unë, kuptohet e shtrëngova. «Të lutëm më fort!» - me tha ajo përsëri. Dhe unë përsëri e shtrëngova diçka më fort. «Më fort, më fort, më fort!» -me thoshte ajo ndërsa me puthte pa pushim. Dhe unë e shtrëngova vërtetë fort, mirëpo, në atë kohë diçka kërciti si gjeth i thatë dhe të dashurës sime i qe thyer… një brinjë. Kur martohesh thyhen shumë gjëra. Largohesh nga miqtë, nga shokët dhe shoqet, nga të afërmit, nga njerëzit e tu që i do fort. Martohesh dhe çuditërisht mbetesh krejt vetëm. Kodra nuk mund të largohet nga shokët dhe shoqet. Kodra nuk mund të pranojë të mbetet vetëm. Gjatë jetës sime kam pasur plotë goca të reja. Kam shëtitur në Paris dhe Londër, në Romë dhe Milano, në Amerikë, kudo dhe ju me thoni të martohem ! Nuk është e mundur, kupton apo jo? Për këtë arsye nuk jam martuar. Shumë shokë me kanë thënë : ke bërë shumë mirë Ibrahin që nuk je martuar! Të tjerët më thonë të kundërtën. Unë vetë them se kam shpëtuar. Kam bërë mirë që s’u kam hyrë telasheve të martesës. Merreni me mend sot në Milano ka 754 mijë divorce, çka do të thotë se në katër familje një shkatërrohet. E kupton çdo të thotë kjo? Atëherë pse të martohesha? Që të ndahesha përsëri! Gruaja ka luftuar dhe lufton për të fituar lirinë e saj. OK! Po unë pse duhet të humbas lirinë time?! Sot punët e familjes kanë rënë shumë poshtë e unë këto gjëra s’i duroj. Kur shkova në Ishëm, shumë njerëz me pyesnin të habitur : « Si nuk je martuar, bre zotëri Ibrahim?». Ndërsa bisedonim këto gjëra, një grup fëmijësh kalojnë të gëzuar, gjithë vrap para nesh. Dikush me tha : »Zotëri Kodra, ju s’keni as fëmijë ». Atëherë unë e kundërshtova. « Kam. Ja, këta janë fëmijët e mi » (qanë).
Dhe pyetja e dytë : « A keni frikë nga vdekja?».
Kodra : «E çfarë frike të kem nga vdekja, kur njeriu vdes sapo lind. S’kam frikë. E kam thënë shpesh dhe kjo është filozofia ime. Jeta ime fillon sot. Edhe nesër do të jetë sot, edhe pasnesër do të jetë sot, vazhdimisht. Miqve, shokëve, gazetarëve, kritikëve e shumë të tjerëve që me kanë bërë të njëjtën pyetje, unë u jam përgjigjur : jeta ime fillon sot !

Rikthimi në Shqipëri

I kthehemi edhe për një çast librit «Kujtime» të Ibrahim Kodrës. Ndalemi pikërisht në faqen 68 të saj. Lexojmë tekstin me titull «Rikthimi në Shqipëri». Kodra aty thotë kështu : »Siç kam pasur rast të rrëfej, gjatë gjithë atyre viteve në Shqipëri kam ardhur vetëm dy herë. Më 1942 dhe më 1973. Por kanë qenë raste disi të veçanta : të parën herë erdha gjatë luftës, asokohe kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin e Italisë, dhe herën e dytë gjatë viteve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Pra, ishin çaste dhe periudha në të cilat nuk mund të qarkullohej lirisht. Po ndërkohë Historia ia ndërroi krejtësisht fytyrën Evropës sonë e më në fund kombi i vogël shqiptar arriti të fitonte demokracinë. Ka qenë, pra them, një kënaqësi e madhe, që në prill të vitit 1996 pranova ftesën e Presidentit Sali Berisha për të bërë një udhëtim njëjavor në Shqipëri. Dhe kështu nga data 20-27 prill të vitit 1996 kalova një javë në Shqipëri, plot ngarkesa, për të bërë një shëtitje të detyruar, të lodhshme po të kënaqshme i shoqëruar nga bashkëpunëtori dhe miku im Demetrio Patituçi. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë kur mora tok me dy shkrimtarë të mëdhenj siç ishin Ernesto Sabato dhe Ismail Kadaré, vlerësimin më të lartë të shtetit shqiptar : d.m.th. çmimin «Nderi i Kombit» me këto fjalë : »Ibrahim Kodra, gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij larg Atdheut denoncoi me guxim të madh diktaturën orelljane dhe natën e gjatë të komunizmit shqiptar. Për më tepër se dyzet vjet ai mbeti përkrahës i të vërtetës së gjeniut të lirë dhe krijues i popullit të tij në tokën mike, Italinë». Ato ditë m’u dha rasti të takoj një mikun tim të vjetër, shkrimtarin Ismail Kadaré, dhe të njihja një emër të madh të letërsisë botërore Ernesto Sabaton. Atë ditë nuk munguan edhe takimet zyrtare, ku arrita të njohja figurat më me peshë të inteligjencës shqiptare. Kam arritur të takoj edhe shokët e mi të lodrave, disa syresh janë bërë piktorë të njohur në Shqipëri. Një ngjarje tjetër që më gëzoi pa masë ish kremtimi i 78 vjetorit të lindjes sime, mbajtur nga Presidenti i Republikës në Galerinë Kombëtare të Arteve të Bukura. Midis artikujve të shumtë që munda të këndoj atyre ditëve me ka mbetur në mendje sidomos poezia që më kushtoi miku im vjershëtor, Visar Zhiti.

Në ditëlindjen e mjeshtrit

Qirinjtë e ditëlindjes tënde
digjen mes nesh…
Ç’flakë të bukur që solle
Dritë peizazhesh
Ku mbiemri yt
prej kodrash pafund
ngrihet i praruar,
aq i blertë…

Mjeshtër,
edhe peneli i mikut tënd, Pikasos,
pena e Elyarit e Kuazimodos,
e Kadarésë,
vijnë sonte
e befas bëhen qirinj
Shtojnë vitet për datëlindjet
e mençurisë
zërin e flakëve
të urtësisë.

*

Me këtë rast, - vazhdon rrëfimin Kodra, - me ndihmën e një helikopteri që më vunë në dispozicion autoritetet, munda të vizitoj mbarë Shqipërinë. Sigurisht mes shumë qyteteve, vizitova me mall edhe vendlindjen time, Ishmin, ku me habi e me interes vura re se nuk kish ndryshuar një qime që kur e lashë shtatëdhjetë vjet më parë. Them vizitova me interes po sa pashë fëmijë, gjë që tregonte se jeta ziente. Pata rast të shihja një fukarallëk të madh por edhe dëshirën për të ecur përpara dhe sidomos dëshirën e ethshme për të rrojtur sa më mirë. Më ka lënë mbresa pritja që më bënë a thua se isha kampion futbolli a një yll i këngës që shkonte me makinë përpara turmës dhe ajo brohoriste emrin tim. Por më shumë me ka lënë mbresa kuvendimi me pleqtë e katundit që u sollën me mua sikur të isha rritur mes tyre. E ndjeja se isha një prej tyre. Në fletët e para të këtij libri e kam përshkruar Ishmin si një zonë të rrallë e të magjishme. Këtë përshtypje pata edhe kur u ktheva me barrën e viteve mbi supe. Sytë e plakut e vërtetojnë më së miri atë pamje që mbaja mend që fëmijë. Nuk e gjeta më derën e madhe që të shpinte në oborrin e shtëpisë sime, e cila ngrihej mbi kodrën më të lartë të asaj zone. Pjesa tjetër kish mbetur po ajo. Aty ndodhesha dhe unë, si një zotëri që ka njohur frikën, lumturinë, makthin dhe bindjet e veta. Dhe duke sjellë në mendje një baladë të vjetër amerikane, kam mundur të ndjej brenda vetës një të vërtetë të pakundërshtueshme : ky dhé është imi, ky kaltërosh është qielli ynë, kjo jetë është imja.

Vuajtja që nxit gjeninë!

Tash vjen koha kur xhiruesi ynë i vyer, i ish Televizionit të Prishtinës, Lulëzim Shasivari, me syrin magjik të kamerës së tij, merr sa me shumë e sa më mirë piktura mbi pëlhurat e dimensioneve, teknikave dhe fazave e «epokave» të ndryshme, të mjeshtrit Kodra. Punime këto që paraqesin rrugën e piktorit tonë nëpër dallgët e rrymave, kubizmin, apstrakizmin, futurizmin e të tjera.
Pavarësisht se në regjistrin tonë kemi arritur të shënojmë titujt e madje 23 veprave të tij, pa kronologji datash kur ato janë krijuar dhe kanë zbritur nga kavaleta e maestros, duhet shpresuar se kamera e xhirimit bën punën e vet fisnike duke shpalosur, nëse jo tërë «atllasin tematik» të piktorit tonë, atëherë, së pakut një pjesë të mirë të tij. Sigurisht se edhe mbi pëlhurat e këtyre pikturave gjenden veprat që shënojnë ashtu të quajturën «periudhë e artë» të Kodrës por edhe bredhjet e tij, pas vijave e shprehjeve të reja, gjithnjë duke i mbetur besnik dorëshkrimit të tij autentik dhe origjinal. I gjithë ky thesar që rrjedh para vështrimit të teleshikuesit eventual të këtij dokumentari modest, të realizuar brenda vetëm dy ditësh me vapë sahariane, siç bënte në muajin korrik të vitit 1998 në Milano, është fryt i punës shumëvjeçare dhe titanike të Ibrahim Kodrës. Është fryt i flijimit, i vetmisë robinsoniade dhe e i «vuajtjes që nxitë gjeninë». «Ngjyrën time përfaqësuese e quajtën të kaltërtën. E kaltërta në të gjitha variacionet është deti magjik i vendlindjes» - thotë, ndër të tjera, ky krijues i madh shqiptar që, me të drejtë e quajtën edhe Everest i pikturës, në përmasa të gjëra. Ndoshta kjo kaltërsi dominuese në pikturën e tij e ka zanafillën apo mbase edhe prejardhjen nga dy burime. E para, ngase Kodra lindi buzë kaltërsisë se detit Adriatik shqiptar, por edhe nga shkaku se rruga e tij e parë drejtë një bote tjetër, ishte rruga e detit të parë : Durrësi, i Shqipërisë – Bari, i Italisë. Duke vështruar me mall, një nga këto sajesa përrallore, të bukurisë se ngjyerave dhe universit tematik dhe të porosive të urta që kumtojnë ato, apo një krejt tjetër, ajo me titullin «arshitetto» t.m. su tela 80x70, në thellësinë e pellgut të një nate plotë pikëllim, si i syrgjynosur që isha, diku nën kulmet e Parisit, duhet të kam hedhur në letër, këto vargje që po i riprodhoj pa përtesë!

*

sy të zgurdulluar
duar të prera
si në cung
një gisht i këputur
një dritore e thyer
ngjyera të trazuara
deri në shqetësim
mund të gjesh aty ndonjë muzicient
me kitarë të braktisur
me tela të këputur
jehun e një kënge
një këlthitje të thellë
për një trohë ajër të pastër
për një grimës qielli e dielli
për një ditë pa shi
për një gram liri
(B. Sefaj)

Poeti per Kodra!

Krahas Visar Zhitit janë edhe shumë e shumë poetë të tjerë të huaj de shqiptarë, këta të dytët nga të gjitha trojet tona, që në raste e shkase të ndryshme, të impresionuar nga vepra dhe personaliteti i tij, Kodrës i kushtuan poezi të goditura dhe të nivelit të lartë artistike. Ishte ide fisnike dhe projekt i qëlluar i mikut dhe bashkëpunëtorit të Kodrës, zotëri Demetrio Patituçi, kur kishte vendosur që gjithë ato poezi që i kushtoheshin piktorit, kudo që të jenë shfaqur, t’i mbledh e t’i botojë në një libër. Dhe, vëllimi me poezi me titull Poeti per Kodra (con illustrazioni di Ibrahim Kodra), Poetët për Kodrën (me ilustrimet e Ibrahim Kodrës), nën përkujdesjen e Francesco Fusca dhe në botim të Grafosud, ka parë dritën e botimit dhe, shpresojmë se ka gjete lexuesin e vetë gjithandej. Prandaj, mbase nuk është e arsyeshme të flitet më gjatë për këtë vëllim me poezi që autorë të huaj dhe shqiptarë ia kushtojnë maestros Kodra, pos të shënojmë (edhe njëherë) emrat e autorëve ashtu siç janë radhiturën këtë libër të përgatitur mrekullisht në pikëpamje teknike, grafike dhe estetike në përgjithësi. Sajuesi, Francesco Fusca, kolonën e poezive të përmbledhura në këtë vëllim, e hapë me poezinë e vetë Ibrahim Kodrës, atë me titull Unë kërkoj që piktori e shkroi në vitin 1981, për të vazhduar me thënien e njohur të poetit francez Paul Eluard.” Kodra est le primitiv d’une nouvelle civilisation”. Fill pastaj vjen poema e sajuesit të këtij libri, Francesco Fusca, I pari mall (Il primo amore) në shqip e italisht. A Kodra dhe Ibrahim Kodra (Pittore della primavera), janë dy poema, që të dyja në italisht, të poetit Giuseppe Martucci. Me, Poashtu dy poema në gjuhën italiane, Le quattro stagioni dhe Guardava il poeta L’Albania, veprën e Kodrës e nderon, tjetri poet italian, ai me emrin Carlo Franza. Me nga një poezi paraqitën Franco Esposito, Per Kodra (“Microprovincia” per gli ottant’anni dell’amico Ibrahim Kodra), Vorea Ujko, Davanti alla pictura di Ibrahim Kodra, Adalberto Cuzzi, Libetà dhe A kodra, Sarina Aletta, Incontro galassie di colomb, Fiorenza Valenti, Dedicat al Maestro Ibrahin Kodra, Vittorio Catalani, La vela di Allah (A Ibrahim Kodra), Visar Zhiti, Nel giorno del compleanno del maestro, Fedro Fiori, me dy poezi:Kodra (Al querido Ibrahim con el afecto de nuestra antgua amistad) dhe Kodra (Al cro Ibrahim con affetto della nostra antika amicizia), Agim Doçi, Dedikuar shqiptarit të madh Ibrahim Kodra (shqip dhe italisht), Sara Roversi, A Ibrahim, Zef Kakoca alias Pino Cacozza, Mjeshtrit (Al maestro) Ibrahim, Andrea Carretta, Com’tè lungo il tempo, Sylë Mujaj, Simboli (Diktorit të njohur Ibrahim Kodra) në shqip dhe italisht, Beppe Novali, Arte senza confini (Al maestro Ibrahim Kodra), Giuseppe Caracausi, Ibrahim Kodra, Vicenzo Buonassisi, Come i grandi artisti, Gaetano Blaiotta, A Ibrahim Kodra, Paloma, Para Ibrahim Kodra (spanjisht) dhe Per Ibrahim Kdra (italisht), Bajram Sefaj, Kodra (Arshitetto” t. M. Su tela cm 80x70), shqip e italisht, Jenny de Bert, Per Ibrahim, Angelo Gaccione, Il sole dhe Krimer, Placata disperazione (A Ibrahim Kodra).

Biseda (kurrë) e papërfunduar, me mjeshtrin!

Kohëzgjatja (hapësira) e (pa)paraparë e këtij reportazhi ngushtohet dhe vjen çasti kur duhet të bie sipari i tij (i saj) simbolik. E, në anën tjetër sikur, duarthatë e të pikëlluar, ndahemi nga ky piktor i madh dhe studioja e tij, nga kjo uzinë ku kanë lindur, janë formësuar dhe janë finalizuar me mijëra e mijëra piktura të dala nga duart e vyera të artistit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra. Duhet ikur, gjithnjë me ndjenjën e hidhur të dështimit dhe përgjegjësisë se, pranë këtij kolosi nuk është bërë asgjë, madje as çereku i asaj që meriton karriera e tij e pasur. Ikim me shijen e pezmit se kanë ngelur të hapura shumë tema të aq shumë idesh e synimesh, të pa çelura fare. Siç janë, bie fjala, të dhënat mbi ato dhjetëra e dhjetëra, ekspozita vetëm dhe në grup, organizuar dhe realizuar në të ketër anët e botës. Pak ose hiç, është thënë e përfolur në këtë reportazh, mbi numrin e madh të çmimeve, medaljeve e të tjera çmime më të cilat u nderua opusi krijues gjigantesk i këtij piktori. Krejt në prag të ndarjes shënuam se Ibrahim Kodra është qytetar nderi i dhjetë qyteteve, se veprat e tij ndodhën në muzeume e galeri si dhe në koleksione private në të katër krahët e meridianëve, duke filluar nga Shqipëria e vendlindjes, nga Prishtina e Kosovës, Italia, Zvicra, Gjermania, Belgjika, Greqia, Australia, Brezili, Argjentina, Danimarka, Franca, Britania e Madhe, SHBA-të e tjera. Posaçërisht merakosese ishte e vërteta që nuk u arrit të shënohet: veprat e cilëve autorë me famë botërore, Ibrahim Kodra i ka pronë në koleksionin e vetë dhe anasjelltas, cilët piktorë me famë botërore, bashkëkohanikë të tij, pasurojnë koleksionet e tyre me veprat e Kodrës. Ikim me merakun pa e parë bibliotekën e tij, pa mësuar se cilin libër letrar e ka lexuar së fundi, cilin film artistik, shfaqje teatrore, apo koncert muzikor ka ndjekur, ditëve më të reja… Por, të gjitha këto mbyllen më të vërtetën se bisedat me krijues të mëdhenj, sikurse është Ibrahim Kodra, nuk kanë të sosur kurrë. Ato mund të jenë vetëm fragmentare, kurse përpjekjes për të zënë tërësinë e tyre nuk do t’i mjaftonin as kopertinat e librave, aq më pak, reportazhet dhe emisionet televizive, qofshin ato me shumë minuta. Kështu është vërtetë, jo vetëm një vegim ngushëllues i imi si autor modest, që është ndër qindra të tjerë, të po aq autorëve dhe studiove televizive nga shumë qendra të kompanish dhe agjencish të njohura, nga qytete të ndryshme të botës, kushtuar Ibrahim Kodrës dhe veprës së tij madhështore. Le të jetë prandaj kjo vetëm një sprovë e imtë, e shënimit të këtyre dy jubileve të tij përnjëherësh: tetëdhjetë vjetorit të lindjes dhe të gjashtëdhjetë vjetorit të krijimtarisë se tij të frytshme artistike.

(Në bredhje e sipër rrugëve plotë vapë në Milano-n e muajit korrik, pikërisht në çastin kur bisedohej për ngjyerat e preferuara dhe të furnizimit me to, Kodra i moshuar, ngriti nga toka një gjeth që iu gjend përpara. Tha: Ja ngjyra më mirë në botë. Të gjitha të tjerat, janë tjera!).


***



“Ngjyra është muzikë”



Bisedë me piktorin Enton Panariti
Boston SHBA


Revista Haemus: I dashur Enton Panariti. Mund të thuhet se në rastin tënd dhe të krijimtarisë sate gjenden hollësi dhe thelbe nga fati i shumë krijuesve shqiptarë me banim jashtë trojeve. U largove nga Shqipëria në fund të mijëvjetshit të shkuar, në një kohë kur ikja nuk shihej më si pafuqi për të ndenjur, por as si një shpëtim i sigurtë. Si e sheh sot atë periudhë? Çfarë ndryshoi në jetën tënde dhe a do të kishe vijuar të krijoje njëlloj edhe po të mos kishe njohur mërgimin?

Enton Panariti: Periudhën në fjalë jemi mësuar ta quajmë tranzicion. Për fat të keq, pas dy dekadash, një pjesë prej nesh është e bindur se do të zgjatë edhe 30 vjet të tjerë. Mes këtij tranzicioni unë pata fatin të largohem në drejtimin e duhur, në kohën e duhur. E konsideroj krijimin si pjesë të përditshme të jetës sime. Krijimtaria ime u dendësua njëheresh me mbarimin e Akademisë së Arteve dhe u rrit cilësisht ndërmjet viteve ’97 dhe ’99. Gjatë kësaj kohe, hapa një ekspozitë vetjake dhe përfaqësova Shqipërinë në Bienalen e të Rinjve të Evropës në Romë.

Revista Haemus: Do të ishte me vend të flisje sado përmbledhtas për familjen nga rrjedh, për fatin e të parëve të tu, të prindërve dhe të shkollimit. Si duket Tirana e viteve ’70-’80 nga sytë e tu? A rigjehet ajo, ose copëza të saj, në tablotë që ti vetë i ndjen si më të arriturat?

Enton Panariti: Vitet ’80 janë të rëndësishme për shqiptarët në përgjithësi dhe për rininë e asaj kohe në veçanti. Është shkruar shumë rreth këtyre viteve në Evropë dhe analizat janë shtjelluar kryesisht mbi detaje politike, shoqërore, artistike e kulturore, por jo aq sa duhet në lidhje me Shqipërinë. A del kjo në punët e mia? Nuk e di. Por jam i sigurt që gjurmët e asaj kohe gjenden brenda meje.

Revista Haemus: Të ka ndihmuar hapësira e quajtur atdhe që të përshtatesh më lehtë me hapësirën e premtuar, apo malli ka qënë një vuajtje nga ato që më fort të përshtatin duke të mbajtur ngujuar brenda një bote shenjash të paprekura? Të ka shkuar ndonjëherë ndërmend kthimi pasi u binde se i ke zhvendosur rrënjët në Amerikë?

Enton Panariti: Mund të them se lashë shumë miq dhe pata fatin të gjej miq të tjerë, ndonëse më të pakët në numër, por mjaft të rëndësishëm në thelb. Malli luajti te unë rolin e parzmores, që është prej hekuri dhe e rëndë, por gjithaq e domosdoshme kur beteja është e ashpër. Sa për kthimin... kthehem në Shqipëri çdo vit.

Revista Haemus: Përshkove një kalvar të vërtetë derisa fitove të drejtën për të studiuar në Shkollën e Lartë të Arteve. Ndodhte shpesh që individë pa kurrfarë dhuntish (talente që premtonin, që kishin prurje etj) pushtonin shkollat e larta vetëm falë prejardhjes biologjike a fisnore. Mendësia jonë qe stërvitur të besonte se ai që nuk fiton s’ka miq, ose s’ka talent. Gjithsesi, ishte një përmasë e të qënit fatkeq, ose i pafat. Çfarë ndodhi me krijimtarinë tënde gjatë atyre viteve të stërgjatë që, më në fund, të hapën rrugën jo vetëm drejt shkollës, por edhe drejt një mënyre të pikturuari që tani shquhet e vlerësohet lart?

Enton Panariti: Ishte një periudhë e ngarkuar me shumë pengesa të natyrës burokratike, mirpo ato pengesa thjesht më shtonin durimin dhe këmbënguljen. Pikturoja dhe vizatoja portrete dhe figura njerëzish, sepse të atilla ishin kërkesat e kohës për pranim në Akademinë e Arteve. Jam i bindur që ato punime më kanë shërbyer shumë në vitet e mëvonshëm.

Revista Haemus: Cilët nga emrat e njohur të kohës njohe nga afër? Cilët kanë qënë e mbase janë ende mjeshtrat (bashkudhëtarët) e tu?

Enton Panariti: Nga piktorët shqiptarë, pakashumë të gjithë, por do të veçoja G. Lekën, E. Ramën, K. Zoraqin, B. Ahmetin, të cilët kanë qënë edhe pedagogët e mi në kohëra të ndryshme.

Revista Haemus: Si rrjedh një ditë e zakonshme e Panaritit në Mërgim – duke përftuar si të tillë edhe hapësirën ku vetiu mbijeton artisti, pra jo thjesht mërgimin gjeografik apo historik?

Enton Panariti: Ditën time këtu nuk do ta ndaja e ta prisja në copëza të parapëlqyera, megjithëse të tilla ka, por dielli lind e perëndon në të njëjtin drejtim, si kudo. Krijimtaria është pjesa më e rëndësishme e ditës sime dhe në këto vite e kam pasur të bollshme.

Revista Haemus: A je në lidhje me artistë të tjerë që jetojnë në diasporë? Cila është marrëdhënia jote e tanishme me Shqipërinë? Gjatë vizitës më të freskët në Tiranë, a gjete gjurmë të fëminisë e të rinisë së hershme, apo t’u desh, si jo pak të tjerëve, ta rikrijoje në mend e në ngjyra Tiranën ku ndihesh vetvetja?

Enton Panariti: Mbaj lidhje me miq me të cilët kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe me të tjerë që nuk ndodhen këtu. Marrëdhënia me Shqipërinë është komplekse dhe prirem t’i shikoj gjërat në mënyrë sa më pozitive. Gjurmë të rinisë së kahershme nuk para gjen kollaj dhe unë nuk lodhem t’i kërkoj. Kam bërë paqe me Tiranën e sotme. Ndonëse bisedimet për këtë paqe kanë zgjatur mjaft dhe janë zhvilluar nën rrezikun e prishjes së marrëdhënieve (qesh). Mbrëmjet dhe mëngjeset e Tiranës më kanë pëlqyer gjithmonë dhe vazhdoj t’ia shijoj edhe tani, për sa kohë ndodhem atje. Kurse ngjyrat mund t’ia vendos sipas dëshirës - kam vënë re se deri tani Tirana nuk është ankuar.

Revista Haemus: Çfarë nuk di një gjimnazist i talentuar për Perëndimin?

Enton Panariti: Që po ta ndjekë diellin në perëndim, ai nuk do të perëndojë kurrë.

Revista Haemus: Një vizatimi tashmë të famshëm të Constantin Brâncuş-it, titulluar “C’est moi”, iu vërsulën hulumtuesit dhe zhbiruesit, që arritën gjer atje sa të shihnin në një shënjë mbase mistike projektin e një kozmodromi. A mendon se idetë e pikturës së sotme duhet të prekin thellësi kaq të pakontrollueshme tek shikuesit? Apo piktura vërtet mund t’ia dalë mbanë të ringjallë pjesë nga jeta e dikurshme dhe e përkorë e secilit shpirt? A është piktura një nga përmasat e rëndësishme të ruajtjes së kujtesës?

Enton Panariti: Kritika ndonjëherë hulumton aq thellë, sa arrin në përfundime të cilat artisti nuk i ka pasur kurrë në mend. Piktura është ndjenjë dhe ndjenja kthehet në ngjyrë njëkohësisht me hapjen e matematikës së ngjyrave, ku gërshetimet janë të pafundme. Artisti është përgjithësisht i pajisur me sy të brendshëm dhe sy të jashtëm. Palët e syve, më saktë: këta dy vështrime janë në komunikim të përhershëm, por mendoj se e brendshmja shndrron të jashtmen, jo e kundërta.

Revista Haemus: Këto kohë more pjesë me disa punime në një ekspozitë në Galerinë “Agora” të Nju Jorkut. Çfarë mendon se i shquan punimet e tua nga ato të mërgimtarëve të tjerë dhe nga ato të vendësve? Si e sheh në këto kushte atë “kryeveprën” që u prin punimeve të tjera dhe të cilën ende nuk e ke përkthyer në vija e ngjyra?

Enton Panariti: Ajo që i pëlqeu kuratores së Agora-s ishte ndjeshmëria e punëve që paraqita. E ngjyrave dhe e përftimit kompozicional. Ngjyrën dhe kompozimin i vlerësoj si elementët më të rëndësishëm në pikturë. Kur ngjyra është në vendin e vet, gjithçka merr jetë. Ngjyra është dritë, formë dhe vëllim, detaj dhe e përgjithshme, harmoni dhe, në fund, por më e rëndësishmja: ngjyra është muzikë. Sa i përket kryeveprës, ajo ka zënë pritë në horizont dhe të josh ta kapësh, megjithëse largohet hap pas hapi. Mirpo dëshira për ta bërë tënden është e madhe dhe në përgjithësi nuk i lodh artistët.

Revista Haemus: Çfarë mendon se mund të bëjë kultura e sotme shqiptare që krijimet e piktorëve tanë të mos vlerësohen a nënçmohen në varësi të zonës gjeo-historike nga e cila vijmë?

Enton Panariti: Kultura përfshin një hapësirë tejet të gjerë zakonesh dhe karakteresh të një kombi a grupi njerëzor. Do të përqëndrohem tek artet figurative. Mendoj se kemi piktorë e skulptorë që nuk bien më poshtë se ata që sot cilësohen si “të mëdhenj” në botë. Rëndom artistët i kanë duart të zëna me shumë gjëra, prandaj janë (ose jo) institucionet artistike shtetërore ato që mund të luajnë një rol të dorë së parë në përfshirjen e artistëve në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. Lidhur me zonën gjeo-historike, nuk mendoj që përbën problem. Ka mjaft artistë të njohur nga kjo zonë, në të gjitha fushat e artit. Njerëzit të vlerësojnë aq sa vlerëson ti veten.

Revista Haemus: Mund të na flasësh për një pikturë, libër, njeri, apo ngjarje që beson se i ka dhënë tjetër drejtim jetës sate? Mund të jenë edhe të gjitha bashkë, secila nga pak...

Enton Panariti: Është një morí emrash që mund të përmend nga artet figurative, letërsia dhe muzika. Da Vinçi, Rafaeli, Pikaso, Kandinski, Rodeni, Mailloli, Polloku, De Kooningu, R. B. Kitaj, A. Jones, Cvajgu, Markezi, Moxarti, Bethoveni, Stravinski dhe shumë të tjerë, që kanë ndikuar në mënyra dhe kohëra të ndryshme mbi mua dhe punën time. Ngjarje është zhvendosja nga Tirana në Boston.

Revista Haemus: Ke ndonjë fjalë, ose parabolë, që mendon se duhet ta zbërthejë çdo i ri që synon t’i përkushtohet pikturës?

Enton Panariti: Pasion, Seriozitet, Ekuilibër, Besim - janë të domosdoshme për gjithë jetën; e mira do të ishte ta filloje me to.

Revista Haemus: Çfarë vizatove, apo pikturove gjatë kohës kur u jepje përgjigje këtyre pyetjeve?

Enton Panariti: Një tablo në vaj, që do të ekspozohet në Nju Jork gjatë marsit të ardhshëm.


Shtypi amerikan për krijimtarinë e Enton Panaritit:

Working with voracious spontaneity, Enton Panariti blurs the boundaries between Abstraction and Figuration in luminous depictions of scenic serenity. He engages the striking power of primary colors as the abstract background behind each work. The colors unfold like a spring bouquet of flowers and, combined with an expert observation of natural light, bring into focus a simple form from nature—a willow, an elm, a seascape at dusk.Panariti offers a personal and deeply emotive take on the very scenes that move him to paint in the first place. He creates visible strokes, gestural lines and frenetic brushwork that convey the intensity of his process. That you can see the hand of the artist, feel the act of creation, makes each work seem intimate, on the verge of being self-revelatory. Perhaps it is the contrast between the personal and the universal that make the works feel completely human—approachable yet capable of profundity and always hinting at the internal”.

No comments: