BIS REPETITIA PLACENT

Jehona e një dialogu shqiptaro-izraelit

E përjavshmja „Realitatea Evreiasca” (Realiteti Hebraik”), organi qëndror i Bashkësive të Hebrenjve të Rumanisë, në numurin e saj të fundit (22 shtator 2007), në rubrikën „Meridiane”, botoi artikullin e B. Mehr, me titull: „Portreti i një ambasadori në dialog me miq shqiptarë”, në të cilin thuhet: Kohët e fundit, Shtëpia Botuese „Librarium Haemus” botoi vëllimin „Një pamje e Vendit të Shenjtë”, në të cilin riprodhohet intervista që Shkëlqesia e Saj dr. Rodika Radian-Gordon, ambasadore e Shtetit të Izraelit në Bukuresht deri në korrik 2007, i ka dhënë revistës evropiane Haemus”. Iniciativa i përket Shoqërisë Kulturore Shqiptare. Kopertina e librit është ilustruar me punimin Arka e Noes të artistit izraelit Edward Ben Avram, ndërsa motoja është një citat nga Psalmi 132, i cili bën thirrje për bashkim dhe dashuri.
Në hyrje, presidenti i Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, Kopi Kyçyku, evokon miqësinë dhe admirimin e tij për poetin Robert Shvarc, përkthyes në shqip, folkloristin Amos Dojaka, inxhineirin Marko Menahem, mjekun kirurg Mantho Mathatia, profesorin Abraham Behar, president i Shoqatës së Miqësisë Francë-Shqipëri, gazetarin nga Turqia Sami Kohen, etnologun Istvan Schütz, hebre nga Hungaria, specialist në historinë e shqiptarëve, pa harruar të ndjerin akademik Nikolae Kazhal, i cili i pat dhënë revistës „Haemus” një intervistë qysh në vitin 1999.
Autori i parathënies kujton edhe profesorin Janku Fisher, avokatin Julian Sorin, të ndjerin Rabin i Parë Ernest Nojman, muzikologun Josif Sava, profesorin Paul Kornea, dr. Liviu Rotman, presidentin e tanishëm të Federatës së Bashkësive të Hebrenjve të Rumanisë (F.C.E.R)., dr. Aurel Vainer, përkthyesin Dan Shafran nga Suedia, gazetaren Luçiana Fridmann etj.
Revista „Haemus” u ka kushtuar në çdo nianaumur të saj faqe të veçanta disa personaliteteve hebraike të botës.
Në këtë vëllim, dr. Rodika Radian-Gordon u përgjigjet një sërë pyetjesh që lidhen me biografinë e Shkëlqesisë së Saj, duke filluar me vitet e para të fëminisë në Rumani, pararendësit e të afërmit. Stërgjyshi i saj nga nëna u vra duke luftuar për Bashkimin e Kombit, më 1918. Prindërit e saj kaluan nëpër vitet e terrorit të Holokaustit, por pa u deportuar. Zonja Rodika Radian-Gordon ka studuiar për biologji dhe biokimi, duke marrë doktoratën pas një stazhi në Universitetin e Oslos dhe në Universitetin Hebraik të Jerusalemit (në Shkollën e Mjekësisë). Si diplomate, ajo e ka kuptuar se parimi objektiv është mbështetja, me rrugën e dialogut, e së drejtës për të ekzistuar, e legjitimitetit të Shtetit të Izraelit. Qeveritë edhe mund të kritikohen, ama Izraeli është një shtet të cilit nuk mund t’i vihen në diskutim të drejtat që gëzojnë të gjitha shtetet e tjera të botës. Këtë nuk e kuptojnë fondamentalistët islamikë. Mohimi i Holokaustit është një nga veçoritë e antisemitizmit.
Në vazhdim, Shkëlqesia e Saj ka folur për lidhjet e Diasporës hebraike me Izraelin, për personalitetin e Rabinit të Madh Menachem Hacohen, për themelvënësit e Shtetit të Izraelit, për arritjet e tij në ekonomi, në shkencë, në fushën sociale; për marrëdhëniet me vendet arabe, me vendet e tjera të botës, me Vatikanin, me O.K.B.-në; për perspektivat e paqes në Lindjen e Afërme.
Në mbyllje janë trajtuar disa nga interferencat historike hebreo-shqiptare, si, bie fjala: strehimi i Sabetay Zvi në Shqipëri (shekulli XVII), ekzistenca e emblemës së Yllit të Davidit (Maghen David) në flamurin luftarak të heroit shqiptar Skënderbej (shekulli XV), lidhjet miqësore të mbretit Zog I me hebrenjtë dhe ndihmesa që ai dha për emigrimin e Albert Ajnshtajnit në SH.B.A etj. Një intervistë interesante, me të cilën Shkëlqesia e Saj dr. Rodika Radian-Gordon ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme.

No comments: