LIBRARIUM

Botimet Haemus dhe veprimtari
Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus
të Bukureshtit

Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus, e krijuar në kryeqytetin e Rumanisë dy vjet më parë, tregon vëmendje të posaçme për popullarizimin e vlerave tona mbarëkombëtare, sidhe të popujve të tjerë të rajonit e më gjerë, nëpërmjet botimeve të ndryshme. Kjo realizohet nga dy hallka të Shoqërisë së lartpërmendur: Shtëpia Botuese Librarium Haemus dhe Revista Evropiane Haemus (e përtremuajshme, me 200 faqe), e cila në Panairin e 9-të të Librit në Prishtinë, në maj të 2007-ës, u nderua me „Mirënjohje” me motivacionin „për afirmimin e letërsisë shqipe në botë”.
Përmendim veçmas faktin që në fund të vitit 2006, dy numura të revistës Haemus i janë kushtuar tërësisht Kosovës - traditave, zakoneve, virtyteve, krijimtarisë letraro-artistike dhe shkencore, luftrave të paprera kundër pushtuesve shovinistë, për liri e pavarësi, vlerësimeve të personaliteteve të shquara kombëtare dhe të huaja për Kosovën etj. Mjaft nga këto materiale u përgatitën në rumanisht, çka gjeti jehonë të fuqishme në lexuesit e kësaj gjuhe, si në Rumani, ashtu edhe në diasporë. Në letrat e mesazhet e dërguara në redaksi, shumë prej tyre kanë shfaqur kënaqësinë që, përmes dokumenteve shkencore të mirëfillta, të paraqitura e të zbërthyera shkencërisht me argumente në faqet e revistës Haemus, iu dha mundësia t’i njohin në dritë të vërtetë zhvillimet e sotme në Kosovë dhe sidomos historinë e lashtë të Kosovës e të banorëve të saj - pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve.
Ndërkaq, Shtëpia Botuese Librarium Haemus ka vënë në qarkullim një numur të kënaqshëm veprash të fushave të ndryshme, ndër të cilat: romanin „Trashëgimtari i oligarkut” të autorit azerbaixhanas Çingis Abdullajev (përkthyer në shqip nga Anesti Qirinxhi); romanet e Ardian-Christian Kyçykut „Home” dhe „Puthmë skelet” (të dy në shqip); antologjinë „Bukuria që vret” (në rumanisht), me krijime të zgjedhura të tetë nga prozatorët klasikë shqiptarë (vëllimi i parë); antologjinë e poezisë rumune (në shqip), me 185 autorë; librin „Toka shqiptare” (në rumanisht), të autorit Abdullah Zeneli, me mbresa nga qëndrimi në Korçë i vëllezërve kosovarë, në muajt e vështirë të 1999-ës; vëllimin „Anija e gjumit” (në rumanisht), të Arian Lekës, me mbi 100 poezi; vëllimin poetik „Libri që nuk mbyllet” (në rumanisht) të Ali Podrimjes, me 93 poezi; monografinë „Gjurmët e një arkitekti” (në rumanisht), të Koço Mihos, kushtuar arkitektit të shquar evropian Kristo Sotiri; romanin „Parisi kot” (në rumanisht) të Bajram Sefajt; dramën „Xhordano Bruno” (në rumanisht) të shkrimtarit italian Antonio Frattasio; vëllimin poetik „Klithma e orës” (në rumanisht, shqip e italisht) të Mihaela Patrashkut, me 130 poezi; vëllimin poetik „Qarkuar me dashuri” (në shqip) të autorit turk Xhemal Sefa, me rreth 100 poezi; librin-intervistë „Një pamje e Tokës së Shenjtë” (në rumanisht), të ambasadores së Izraelit në Bukuresht Rodika Radian-Gordon mbi marrëdhëniet tradicionale shqiptaro-hebraike gjatë shekujve; librin-dialog „Ligji në tranzicion” (në italisht), të juristëve V. Babiuk e V. Popa, të gjitha të përkthyera në gjuhët përkatëse nga Kopi Kyçyku, sidhe monografitë origjinale të këtij të fundit (në rumanisht): „Historia e Shqipërisë” (ribotim, botimi i parë Editura Corint), „Historia e Maqedonisë” (ribotim, botimi i parë Editura Corint), „Algjeria - e shkuara dhe e tashmja”, „Historia e shkurtër e Azerbaixhanit”, „Ataturkizmi dhe Turqia në Mijëvjetshin e Tretë” (ribotim, botimi i parë Editura Adam), „Zinxhiri i anktheve” (në shqip) etj. Janë në shtyp vëllimi „Gjahtarët e kuajve të detit„ (në rumanisht) i Petraq Risto, me mbi 100 poezi dhe vëllimi „Simfonia e erës” (në rumanisht) i Martin Cukallës, me mbi 100 poezi. Në një të ardhme të afërt, do të botohen dy vëllime të tjera poetikë, me autor Anton Çefën e Hiqmet Meçajn, të gjithë të përkthyer nga Kopi Kyçyku. Gjithashtu, ky i fundit është duke shkruar (në shqip e në rumanisht) një monografi kushtuar atdhetarit e intelektualit të shquar bullgar Hristo Botev (1848-1876), i njohur për veprimtarinë e gjithanshme në dobi të emancipimit të popujve të Ballkanit.
Në promovimin e të gjitha botimeve të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, krahas antarëve të saj, kanë marrë pjesë edhe personalitete të kulturës e të shkencës rumune, të organizatave ndërkombëtare dhe të ambasadave të huaja të akredituara në Bukuresht, gjë që i ka dhënë shkas evokimit të lidhjeve tradicionale të kombit tonë me kombet e tjerë. Një gjë e tillë ka qënë edhe më e spikatur sa herë që revista Haemus u ka kushtuar nga një numur të posaçëm kulturave të vendeve të tjera: Italisë, Turqisë, Rumanisë, Zvicrës, Greqisë, Izraelit, Kinës etj.
Në një të ardhme jo të largët pritet të shohin dritën e botimit (në rumanisht) vëllime të poetëve shqiptarë: Hiqmet Meçaj, Pano Taçi, Anton Çefa, Mustafë Xhemaili e Jorgo Bllaci, ndërsa në shqip vëllimet e poetëve rumunë Marin Soresku, Vasile Taraceanu dhe Klaudia Voikulesku.
Më tej do të vazhdohet me përkthimin e botimin (në rumanisht) të vëllimit të dytë të antologjisë „Bukuria që vret”, me krijime të zgjedhura të prozatorëve: Jakov Xoxa, Dhimitër Xhuvani, Kasëm Trebeshina, Musine Kokalari, Bilal Xhaferri, Koço Kosta, Elvira Dones, Riat Ajazaj, Zija Çela, Faik Ballanca etj; të një vëllimi (në rumanisht) me materiale që lidhen me faljen e gjaqeve dhe me tolerancën fetare dhe etnike të shqiptarëve në Kosovë, sidhe të një monografie të studiuesit Nos Xhuvani kushtuar klerikut atdhetar Visarion Xhuvani, gjithashtu në rumanisht.
Duke qënë se thelbin e statutit dhe të programit të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, e përbën shqiptarizmi, është parashikuar që idetë, opinionet dhe propozimet e mjaft antarëve dhe antarëve të saj të nderit, - personalitete shqiptare dhe evropiane, - për probleme që lidhen me thellimin, përmirësimin dhe diversifikimin e mjeteve dhe mënyrave të njohjes sa më mirë nga bota të historisë, kulturës dhe vlerave qytetëruese shqiptare, të botohen në vazhdimësi në faqet e revistës Haemus, por edhe në trajtë broshurash apo librash në gjuhë të ndryshme. Si ilustrim, mund të përmendim intervistën e gjerë që na ka dhënë antari i nderit i Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, nunci apostolik i Selisë së Shenjtë, dekani i Trupit Diplomatik të akredituar në Bukuresht, Jean-Claude Périsset, i cili tani së fundi është transferuar në të njëjtën detyrë në Berlin. Vlerësimet e larta dhe simpatia e çiltër për kombin tonë, të shfaqura nga ky klerik e dijetar i dalluar, janë përfshirë në numurat e tanishëm të Haemus-it.
Paralelisht, Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus vazhdon punën për qëmtimin dhe sistemimin e materialeve të pasura arkivore, që lidhen me Koloninë Shqiptare të Rumanisë, çka do të shërbejë si bazënisje për hartimin dhe botimin e një historie korrekte dhe gjithëpërfshirëse të saj. Këtu kemi parasysh jo vetëm veprimtarinë e dendur e të shumanshme të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në të mirë të çështjes mbarëshqiptare, - hartim alfabetesh të shqipes, botime revistash, gazetash e librash, shfaqje artistike me theks atdhetar, kërkesa drejtuar organizmave ndërkombëtare në mbrojtje të trojeve shqiptare, - përfshi organizimin në kryeqytetin rumun të mbledhjes historike të 12/25 nëntorit 1912, të kryesuar nga Ismail Qemali, ku u hartua dhe u miratua platforma e Shpalljes së Pavarësisë së Atdheut, por edhe ndihmesën e vyer që Kolonia Shqiptare e Rumanisë ka dhënë, përmes personaliteteve të saj të shquara dhe mbajtjes së lidhjeve me simotrat e saj në Bullgari, Turqi, Egjipt, Itali, SHBA e, në radhë të parë me atdhetarët e luftëtarët në trevat shqiptare, për njësimin e platformës dhe bashkërendimin, në kohezion të plotë, të përpjekjeve për ruajtjen e tërësisë territoriale, gjuhës, traditave dhe kulturës kombëtare.
Disa figurave madhore, si Dora d’Istria (Elena Gjika), Naum Veqilharxhi, Nikolla Naço, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Jani Vreto, Lasgush Poradeci, Asdren, Vangjush Mio, Kristaq Antoniu etj, që kanë luajtur rol tepër aktiv në etapa të ndryshme të ekzistencës së Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, do t’u kushtohen kapituj më vete. Të tillë do t’i rezervohen edhe ndikimit të fuqishëm që patën në radhët e shqiptarëve të kudondodhur librat e vëllezërve Sami e Naim Frashëri, të botuara në Rumani, sidhe veprimtarisë së zhvilluar nga Ismail Qemali gjatë kohës që ishte valí në Konstancë. Natyrisht, vend të posaçëm do të zerë edhe gjendja e tanishme e (ish) Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, sidhe rrahja e mendimeve për ripërtëritjen e saj, duke e nxjerrë një herë e mirë nga amullia dhe pasiviteti.