SCRIPTA MANENT

Anton Çefa
Sistemi poetik i Lasgushit në një monografi
(Mbi veprën e dr. Anastas Kapuranit “The Myth of Lasgush”)


Në vitin 1978, studiuesi e kritiku letrar Sabri Hamiti, në një përmbledhje të tijen të poezive të Lasgushit me titullin simbolik “Vdekja e Nositit”, pajisur me një studim analitik, shkruante: “Poezinë e Lasgushit e ka përcjellë kritika letrare shqipe edhe në kohën kur është botuar nëpër revista e publikime të ndryshme, edhe mbas daljes në libra të veçantë. Mirëpo, edhe sot në shqip nuk kemi një shkrim monografik mbi veprën poetike të tij.” Kjo gjendje ka vazhduar deri në ditët e sotme. Si për çudi të këtij fakti, për poezinë e Lasgushit – këtë poet që i përket jo vetëm letërsisë shqipe por edhe asaj botërore – kemi në dorë të parën monografi dhe këtë në gjuhë të huaj: “The Myth of Lasgush”, vepër analitike me vlera të mëdha shkencore, e studiuesit Anastas Kapurani, botuar në Upfront Publishing LTD, United Kingdom, në v. 2004.
Është i gjatë vargu i punimeve studimore për poezinë e Lasgushit. Ai fillon me Çabejn, (artikull i vitit 1929), dhe vijon me Nonda Bulkën (në një shkrim panoramik për letërsinë e kohës), Skënder Luarasin (një artikull gjithashtu panoramik, me titull “Letërsia moderne në Shqipëri”, në gjuhën serbo-kroate), Mitrush Kutelin, Kristë Malokin. Myzafer Xhaxhiun, Vehbi Balën, Rexhep Qosjen, Sabri Hamitin dhe Frida Idrizin. Ismail Kadare, në “Ftesë në studio” e ka çekur poezinë e Lasgushit dhe ka dhënë disa të dhëna me interes për jetën e tij në kohën e diktaturës. (Nuk jam plotësisht në dijeni nëse është bërë ndonjë studim i tillë nga v. ’90 e këndej).
Rexhep Ismaili në mbasthënien e librit të tij “Poezia e Mihail Eminescu-t”, duke kritikuar studiuesit e metodës krahasimtare, që kanë bërë fjalë për ndikimet e Eminescu-t tek poezia e Lasgushit dhe duke argumentuar faktin që “epërsia e Lasgushit ndaj Eminescu-t është e dukshme, ka shtruar problemin shumë të rëndësishëm që “kur flasim e shkruajmë për poezinë është mirë të nisemi përherë nga teksti konkret, të bëjmë interpretimin e tij dhe interpretimin e figurave poetike e nocioneve, për të gjetur verifikimin e tyre një herë brenda sistemit poetik të autorit, e pasi të bëjmë këtë punë të kërkohen lidhje e përgjasime.” (Për këtë paragraf dhe të mësipërmin, shih: Sabri Hamiti: “Lasgush Poradeci – Vdekja e Nositit”, f. 46).
Meqë poeti ynë i madh ka krijuar një sistem poetik krejtë të veçantë, në të gjitha elementet përbërëse të tij, studimet serioze që janë bërë, në një mënyrë a në një tjetër, dashur a padashur, e kanë vënë në dukje këtë dukuri tejet rëndësore për veprën e Lasgushit. Me vetëdije e me një saktësi shkencore, këtë e ka realizuar studiuesi Sabri Hamiti.

* * *

Në “The Myth of Lasgush” (një vepër e vëllimshme me 306 faqe), Kapurani, në përpjekjet e tij të mundimshme për zbulimin, ndërtimin dhe funksionimin e sistemit poetik lasgushian, na ka dhënë me një origjinalitet të theksuar mekanizmin aq të sofistikuar të këtij sistemi. Monografia ka këtë strukturë: “Në kërkim të një miti”, “Kur miti ka lindur”, “Gjuha që flet miti”, “Brenda dhe jashtë shtëpisë së yjeve të Lasgushit”, “Poezi të përkthyera”. Në fund janë dhënë disa shënime për Poetin dhe referncat.
Hallkat që përbëjnë zinxhirin e sistemit poetik tek ”Miti i Lasgushit” a nocionet – figura (signs), që e përbejnë atë janë: ylli, liqeni, dashuria, vdekja, dhimbja, fjala, përjetësia, natyra, pluhuri yjor dhe zalli i brigjeve të liqenit. Secila prej këtyre nocioneve-figura ruan identitetin e vet simbolik, por në një kërkim të pandërprerë, duke pasur një uri përvëluese për dritën e së panjohurës, ato pasurohen me shtresa të reja kuptimore-figurative, më të larta e më të përsosura, dhe lëvizin drejt njohjeve të reja, duke e çuar sistemin poetik drejt një përimtimi gjithnjë e më të përkryer, që rritet në formën e një spiraleje.
Kryehallka e këtij zingjiri është Ylli. Ai shënon gurin e themelit të poetikës lasgushiane, që duke u bërë vatra kryesore e “kuzhinës së kuptimit”, (sipas Roland Barthes), d. m. th. magjja ku gatuhet brumi poetik, të ofron shtegun e parë dhe më të rëndësishmin në studimin e metodës krijuese të poetit.
Për Lasgushin, krijimi poetik është hyjnor. Ai vjen tek krijuesi në krahët e një ylli të zjarrtë:


Sbret një yll prej lartësie,
Një të ndritur shkrepëtime
Posi flakë e posi hije
Ajo rynë në zemër time
.

Drita dhe energia e yllit, çka dëshmojnë njohje dhe përjetësi, “fjalës së palosur i hapin kindin e një pale”, poeti frymëzohet dhe ajo që ai krijon është “një këngë gjaku”: “Ndjej në gjit një këngë gjaku”.
Për Kapuranin, poezia lasgushiane – kënga e gjakut - karakterizohet nga dimensioni i saj universal. Si energji mitike që nuk është kurrë në pushim, por në një kërkim të përhershëm për ide e forma të reja, ajo shtyn përpara në mënyrë organike udhëtimin prej Sizifi të vetëtransformimit deri sa arrin në transhendencë. Ajo është “dritë njohjeje” dhe “drirë përjetësie”. Kështu kënga e gjakut, “materia poetica” që krijon poeti ynë i madh; është një energji e tipit të ri, aparati struktural që ftillon dhe organizon me mjeshtëri këtë shndërrim të pazakontë të energjisë, është një “triadic matrix,” që konsiston në Dhimbjen, Yllin, Dashurinë.
Veçoria kryesore e strukturës poetike të Lasgushit qëndron në faktin se infrastruktura e poetit është një përzierje e veçantë e dritës dhe errësirës, ajo të drejton nga hapësirat qiellore në abiset e errëta. Shkëlqimi poetik vezullon në “jetë e vdekje përqafuar”.
Me sistemin e tij poetik, Lasgushi ka shtjelluar me një poetikë të lartë e origjinale edhe një filozofi vetanake, duke u futur në hulli ontologjike,siç është gjeneza e yjeve. Është dashuria, një etje e pashtershme e saj, që i mban gjallë yjet, të cilët “prej mosgjëje zunë fill / plot me jetë e mall të valë.”
Në një kapitull të veçantë, shqyrtohet “Gjuha që flet Miti”. Autori ka theksuar që gjuha e Lasgushit karakterizohet nga një origjinalitet i përtejmë, që e dallon nga të gjithë poetët tanë, dhe ka dhënë me aftësi natyrën e kësaj gjuhe. Fjalën lasgushiane, ai e krahason me një kupë kristali, që merr dhe reflekton dritë e heshtje vazhdimisht. Çka endet në karpetin e kuptimësisë është një mozaik shumëngjyrësh, një pejsazh fijesh të zjarrta të thurura me imtësi e delikatesë në flakën e tyre të një heshtjeje që digjet. Fjala, “nocion e figure”, formohet si “shape eterne brenda shapelessness”.
Gjithë lava Sausurreane e kuptimësisë ka një krater të vetin të pashoq, nga i cili shpërthen herë pas here për të ardhur tek ne. E gdhendur prej një dore mjeshtri, fjala lasgushiane, kjo “fshehtësirë e ndezur në fill prej shkrepëtime” është më e mira dhe e më e bukura fjalë që është krijuar ndonjëherë në poezinë shqipe. Kësaj veçorie të stilit komunikues të Lasgushiti i shtohet një tjetër veçori: aventurat befasuese që sendërton poeti me fjalën e tij, që për autorin përbën “një nga teknikat e komunikimt të pashpikura ndonjëherë”. Spikasin në gjuhën poetike të Lasgushit emërtimi i “ndjenjave bipolare”, siç i ka qujtur vetë Poeti në studimin e tij “Poezi et coetera”, dhe që nuk janë vetëm ndjenja, po edhe dukuri të jetës, natyrës dhe kozmosit.
Duke zbuluar sistemin poetik të Lasgushit, autori ka përimtësuar me mendjemprehtwsi edhe në shtresat e pafiksuara të tekstit artistik, duke “lexuar” në “vendet e zbrazëta” të këtij teksti, siç i ka emërtuar esteti W. Iser.
Rëndësore, veç zbërthimit origjinal të sistemit poetik lasgushian, është vlerësimi shumë i lartë në rrafsh shoqëror i kësaj poezie për kohën që është shkruar, d. m. th. kryesisht për vitet ‘20 të vendit tonë, dhe për kohërat tona të mëvonshme a, siç e ka thënë autori, brenda mitit të sistemit poetik të tij, “Lasgushi krijoi një mit të ri, mitin e përjetshëm të gruas dhe të dashurisë për të”; çka për gjendjen shoqërore të vendit tonë, në kohën kur shkruante, “Lasgushi u vu në rolin e pionierit, . . . e drejtoi atdheun në rrugën e gjatë e të mundimshme të emancipimit e të prosperitetit”, të një mendësie qytetëruese dhe të çlirimit shpirtëror.
Në kapitullin e fundit “Jashtë dhe brenda shtëpisë së yjeve të Lasgushit”, autori na ka dhënë mitin e jetës dhe, më tej, mitin e përjetësisë së tij; ai ka treguar se me qëndrimin e tij dinjitoz gjatë dekadave të diktaturës, poeti i ka dhënë popullit të vet mësimin tejet fisnik të kundërvënies ndaj saj. “Martirizimi i tij – shkruan autori – është një mit në vetvete…Ai ka një armë vdekjeprurëse: mitin e heshtjes së tij”.
Në “The Myth of Lasgush”, termi “mit” është përdorur nga autori në disa shtresa kuptimore. Përveç kuptimit kryesor, d. m. th. “rrugës tek shtëpia e poetit”, termi është përdorur dhe për vetë jetën e poetit, siç e çekëm në paragrafin pararendës. Në një rast tjetër është thënë: “Poeti krijoi një mit të ri: mitin e gruas dhe të dashurisë së saj”, etj.
I rrëmbyeR nga lënda poetike që shqyrton, i mrekulluar nga miti lasgushian, stili i Kapuranit në parashtrimin e ideve, situatave poetike, interpretimin e strukturave tekstore, gjuhës dhe elemnteve tjera të poezisë lasgushiane, karakterizohet jo vetëm nga thellësia e mendimit, mprehtësia, por edhe nga hijeshia; stili i autorit është edhe ai poetik dhe i ekzaltuar, shpesh mjaft i sofistikuar.
Referncat teorike lidhen me emra autoritetesh të njohura boterisht në fushën e filozofisë, estetikës, gjuhësisë, kritikës letrare, poezisë si: Roland Barthes, Ferdinand De Saussure, Jacques Derrida, Martin Heidegger, Terence Hawks, Jacques Lacan, F. O. Mathiessen, Pablo Neruda, Friedrich Nietzsche. Ndërsa për trajtimin me konkretësi të mitit, autori ka vlerësuar Eqrem Çabejn dhe Ismail Kadarenë.
Studiuesi i parë i poezisë së Poradecit, Çabej, në v. 1929 e ka cilësuar Lasgushin si poet “të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës”. Me monografinë “The Myth of Lasgush” të dr. Kapuranit, është bërë hapi i parë shumë i rëndësishëm drejt jetësimit të mendimit profetik të studiuesit tonë të madh. Vlerën studimit ia shton përkthimi nga ana e autorit i njëzet e pesë poezive të poetit, në të cilat autori ka bërë përpjekje për ta ruajtur jo vetëm idenë, por edhe mekanizmat teknike të poezive.


Bahtie Gërbeshi Zylfiu[1]
Gratë në muzikë

Kuptohet se është e pamundur që të japim një pasqyrë të plotë historike e kronologjike të kontributit të grave në fushën e muzikës, mirëpo, hulumtimi i kontributit të grave në këtë fushë, jep të kuptojmë se në disa vende, deri diku, është bërë përpjekje për të ndriçuar kontributin e grave në muzikë. Në anën tjëtër, shumë vende të tjera ende janë shumë larg ndriçimit të kontributi të tyre në këtë fushë.
Edhe pse muzika ka pasur vend të rëndësishëm në jetën e popujve të vjetër, si dhe përkundër faktit që shumë legjenda janë bartur në letërsinë e përgjithshme të Greqisë antike, është vështirë të vlerësohet drejt roli dhe vendi që kanë zënë gratë në muzikën e asaj kohe. Një vlerësim i drejtë është i pamundur për shkak të mungesës të të dhënave të dokumentuara.
Në këto vështirësi has muzikologu i cili hulumton të kaluarën me qëllim që të zbuloj çka kanë arritur gratë në muzikë. Çdo hulumtues i cili ka provuar të zbuloj më shumë për botën e grave në këtë fushë, ose së paku për të dëshmuar praninë e grave në muzikë, ka pasur problem për shkak të mungesës së fakteve historike. Kështu, disa studiues mendojnë se gjurmët e grave në muzikë qëllimisht janë fshirë dhe janë anashkaluar, ose janë harruar për hatër të historisë mashkullore, të cilën e kanë shkruar meshkujt për meshkuj.
Pierre Mesnard[2] ka shkruar se është i lumtur ai historian i cili beson që di të ndriçoj rrjedhat e periudhave ku secila prej tyre i përgjigjet një aspekti të caktuar të civilizimit, derisa shpirti i secilës është i mishëruar me një varg personash të shquar dhe me kryeveprat e tyre të cilat, bashkarisht paraqesin të gjitha vlerat e epokës së tyre[3]. Ne mund të themi se duhet të jetë i lumtur ai hulumtues i cili sadopak do të ndihmonte në ndriçimin e kontributit të grave në muzikë gjatë periudhave më të hershme të historisë.

* * *

Prej shkrimeve autentike historike, pllakave të varreve, vazove të punuara dhe gurëve të gdhendur nga Egjipti i vjetër e dimë se rreth vitit 2563 Iti ka qenë këngëtare, Hekenu harfiste e Meyet-Nit e Hatshepsut artiste të këngës që poashtu ka qenë edhe mbretëresha Nefretiti. Gjithashtu, Emrat Isis dhe Nephthys, të cilat sigurisht kanë qenë këngëtare dhe valltare, janë të përmendura në këto shkrime. Ato artiste të këngës kryesisht kanë jetuar jo larg nga qyteti Tebe, mjedisit kulturor të Egjiptit të vjetër dhe qytetit të ardhshëm kryesor të Nilit, qytetit që e ka adhuruar mbreti Akhenaten.
Asgjë nuk dihet për artisten e muzikës Sammuramat. Gjithashtu, mundemi vetëm të supozojmë për izraeliten Deborah, e cila ka kënduar për famën e Izraelit në një këngë të njohur, prej së cilës ka mbetur vetëm një pjesë, edhe ajo, kuptohet, anonime, e për të cilën akademikët ende shkruajnë punime shkencore.
Disa pjesë të poezive të Corinninos dhe Safos tregojnë mjaft për suksesin e tyre si poete, por asgjë nuk flitet për muzikën e tyre edhe pse Corinna dhe Safo kanë qenë artiste muzikante të jashtëzakonshme në mesin e bashkëkohanikëve të tyre.
Po ashtu nuk ka gjurmë të Lais dhe Megalostratis, edhe pse të dyjat janë të njohura për kontributin e tyre në muzikë. Nuk mund të vërtetohet se kjo është për arsye se veprat e tyre janë shkatërruar qëlllimisht, për arsye se ato kanë qenë femra sepse nuk ka gjurmë as të muzikës të zhvilluar nga meshkujt në të njëjtën periudhë.
Në anën tjetër, është befasuese që aq shumë shkrimtarë grekë kanë lavdëruar jo vetëm bukurinë fizike të hetereve të cilat janë marrë me muzikë (bukurinë që ishte aq e rëndësishme në Greqinë antike) por edhe diturinë, dhe famën e tyre. Ata dhe shumica e filozofëve didaktik kanë shkruar për jetën e hetereve duke ngatërruar mitin me realitetin.
Athenaeus numron gati 3000 hetere, të cilat janë marrë me muzikë dhe kanë jetuar në Korinth. Ndoshta shifra është tepruar, por jep të dhëna të përafërta për numrin e hetereve, prej të cilave gati të gjitha kanë qenë artiste këngëtare që kanë jetuar në dy qytetet më të mëdha, Athinë e Korinth.
Të gjithë artistët këngëtarë është dashur që të arrijnë shumë dituri dhe të ushtrojnë pandërpre. Grekët kanë bërë muzikë tërë ditën. Ata kanë bërë muzikë për zotërat dhe trimat-heronjtë e tyre, muzikë për dashurinë dhe bukurinë si dhe himne që lavdëronin fitoren. Me qenë hetere ka qenë ndoshta vetëm një prej mënyrave të vetme që gratë me prejardhje të varfër, ose edhe robëreshat, të bëjnë atë që më së shumti kanë dëshiruar- të merren me muzikë.
Në periudhën klasike njihen edhe një lloj tjetër i artisteve këngëtare dhe vallëtareve që shoqëronin njerëzit gjatë udhëtimeve të tyre. Ato kanë qenë të ngjashme me këngëtaret bashkëkohore të orkestrit, sepse janë marrë për ahengje e manifestime të ndryshme, ose kanë bërë muzikë nëpër salonet e atëherëshme. Dy instrumente, të cilat femrat i kanë dashur më së shumti, kanë qenë lyra dhe aulosi. Fjala bashkëkohore “flautë” rrjedhë prej përkthimit të fjalës greke “aulos”, edhe pse aulos në të vërtetë ishte një lloj i obosë.
Ekziston edhe një e dhënë që tregon se aulosi ishte nga instrumentet e preferuara për femrat. Në pllakën përbri të ashtuquajturit trekëmbësh i Ludovisit, është një figurë e cila tregon lindjen e Afroditës. Aty është paraqitur vajza lakuriq e cila rri ulur me këmbë të kryquara dhe luan në aulos të dyfisht. Të gjitha këto shembuj nga periudha klasike tregojnë për rolin dhe domethënien e hetereve të cilat kanë qenë artiste të muzikës.
Ekzistojnë dëshmi të shkruara se në shekullin e IV nuk ka pasur mjaft instrumentaliste as këngëtare që të plotësojnë kërkesat e publikut. Kështu që këngëtareve iu është rritur çmimi i shërbimeve. Lidhur me këtë Robert Flaceliere[4] jep të dhëna se astinomët (shefat e policisë) kanë qenë të detyruar që të kujdesen që artistet këngëtare të mos marrin shumë më të madhe se që lejohet me maksimumin që e lejon ligji, dy drahm për një natë. Nëse ka pasur kërkesa të shumta për të njejtën këngëtare, atëherë është bërë tërheqja e shortit për shërbimet e saj.
Historinë e vërtetë të muzikës e ka shkruar në periudhën e Hadrijanëve, Denus of Halicarnassus i Riu, dhe është përbërë prej 56 librash. Botimi i shkurtuar i Rufusos në pesë libra të kësaj vepre, i ka shërbyer Plutarkut (Pseudo-Plutarku) si bazë për veprën e tij “De Musica” përpjekje e parë që të shkruhet historia serioze e muzikës. Mirëpo, edhe në veprën “De Musica” protagonistët mitologjik paraqiten krah për krah me personat e vërtetë.
Kjo vepër e paçmuar ofron shumë pak të dhëna për muzikën e grave, e cila konsiderohet më shumë si mitologji dhe estetikë e Homerit të nderuar, se sa art me anë të të cilit gratë kanë mundur të shprehen lirshëm.
Historia e parë e njohur për gratë e shquara të Greqisë klasike, e veçanërisht për muzikantet e asaj periudhe, nuk është paraqitur e kompletuar deri në 11 komeditë e Aristofanit[5]. Mikja e Pindarit, Korinna, ka qenë partnere në gara dhe pesë herë ka korrur fitore. Një nga gratë më të shquara të Greqisë klasike, Lais, ka qenë këngëtare, poete dhe filozofe, qytetare e Korinthit. Korinthasit i kanë ngritur tempull dhe kanë bërë medaljone me fytyrën e saj. Për Laisin thuhet se ka qenë këngëtare, por nuk ka gjurmë të këngëve të saj, Leontium, këngëtare, poete dhe filozofe ka qenë mike dhe nxënëse e Epikurit. Për Safon thuhet se ka marrë shpërblim prej Alcaeusit, sepse ka qenë këngëtare më e mirë se sa ky që ka qenë poet.
Përshkrimi i kurtizaneve si “mbretëresha të mbretërve” (kryesisht për arsye se nga mbretërit kanë mundur të marrin krejt çka kanë dashur) të Aristofanit nga Bizanti qartë tregon se sa pak profesione i kanë nxitur këngëtaret në Greqinë klasike. Si grua e lirë, kurtizanja ka pasur mundësi të perfeksionoj edukimin e saj dhe, sipas kësaj, të bëhet më tërheqëse, duke mësuar muzikën. Është konstatur se shumica e grave duhet të jetojnë duke u përkujdesur për fëmijë, e kursesi ato nuk janë nxitur që të edukoheshin.
Historia zyrtare e këngëtarëve të epokës klasike ka përfunduar me Plutarkun, sepse më tepër se 1000 vjet nuk ka pasur asnjë të dhënë në të cilën do të bazohej ndonjë kronologji.
Artistet e muzikës e kanë humbur pozitën e tyre shoqërore në Romë, sepse mbretërit romakë nuk e kanë vlerësuar lartë as muzikën e as gruan.
Në periudhën e pushtimeve barbare dhe në fillim të mesjetës muzika nuk e ka rifituar statusin e saj.
Mirëpo, muzika përsëri e ka arritur ate, në periudhën e sundimit të Gergurit të Madh në fillim të shek. VII. Gjatë sundimit të tij, muzika u bë pjesë përbërëse e ceremonive fetare. Mirëpo, vetëm burrat dhe djemtë kanë guxuar të këndojnë liturgji. Në periudhën kur kanë sunduar priftërinjtë kishtarë, e veçanërisht shën Pavle, për gratë ka qenë e ndaluar që të këndojnë, vallëzojnë ose të luajnë në instrumente. Duke shkruar për edukimin e femrave, shën Jeronimi ka porositur: “nëse ndonjë grua është përcaktuar për jetën fetare, bindeni të mos përdorë kozmetikë, as të mos bart stoli, as të mos luajnë në asnjë instrument muzikor; por nxiteni që të këndoj psalme dhe himne”.
Në perëndim, sipas Meri Franko-Lao “krishterimi edhe më tepër i ka kontribuar gati në tërësi përjashtimit të gruas nga muzika”. Ato nuk kanë pasur të drejt të marrin pjesë në asnjë ceremoni kishtare dhe nuk ka qenë e pazakonshme që t`iu ndalohej të luajnë në ndonjë instrument muzikor.
Përkundër porosive të klerikëve fetarë, muzika i ka tërhequr sikurse burrat po ashtu edhe gratë e mesjetës. Muzika e vështruar si shkencë, së bashku me arkitekturën përbënte artin e madh evropian. Për zhvillimin e muzikës, edhe gjatë kësaj periudhe një rol vendimtar kanë luajtur veglat muzikore: organo, lahuta, lira gjermane, harpa, tromba dhe më pas klavinçeli dhe padyshim, zëri njerëzor kishte rol të veçantë.[6]

Gratë janë paraqitur në shek XIII në veprat e trubadurëve. Kërkuesi bashkëkohor duhet të hulumtoj me seriozitet esencën e biografive të meshkujve që të ketë rast që të zbuloj edhe të dhëna, sado të pakta qofshin ato, për ndonjë “trobairitz”, të cilën e kanë dashur, ose, të cilës i kanë lakmuar, ose me të cilën kanë konkuruar në “trobar clus”, “ hartuar artistikisht” stilin hermetik, i cili i ka shënuar më së miri këngëtaret provansale.
Qysh në vitin 1888 Oscar Schultz – Gora[7] e ka botuar monografinë e tij me titullin: ”Di provenzalischen dichterinnen” (Këngëtaret provansale), edhe pse kjo vepër për gratë trubadure ka mbetur, për fat të keq, e papërfunduar.
Në disa nga rreshtat e para të hyrjes në “Femmes Troubadurs”, Meg Bogin shkroi: “Sa prej nesh kurrë nuk kanë dëgjuar për trubadurët, poetët-këngëtarë të mesjetës, nga Franca Jugore? E sa prej nesh, përfshirë ekspertët, e dinë që kanë ekzistuar gratë trubadure të cilat kanë shkruar muzikë në të njejtën kohë dhe në të njejtin vend?”.
Meg Bogin tregon se si e ka pasur vështirë që “të zbuloj të gjitha të dhënat ekzistuese për gratë trubadure”. Ajo shkroi “Me qëllim që të tjerëve t’ua kursej tërë punën e depozituar në çdo hulumtim, ua ofroj këtu të gjitha të dhënat me gjithë detajet e shkëlqyera”.
Në kohën e trubadurëve asgjë nuk ka mbetur nga manastiret të cilat kryesisht i kanë themeluar gratë, të cilat u kanë lënë gjeneratave të ardhshme bukur shumë muzikë. Krejt është zhdukur në errësirën e asaj kohe dhe janë të nevojshme kërkime të pafundshme që të grumbullohen bile disa pjesë të të dhënave. Hulumtimet e mëtutjeshme të muzikës në manastire do të ishin shumë me rëndësi për shkak se shumica e murgeshave ishin këngëtare. Në manastire kultivohej muzika fetare. Dy murgesha të cilat kanë kontribuar më së shumti në këtë lloj muzike janë Hrosëitha Gandersheim dhe Hildegarde von Bingen.
Otto Ebel, në parathënien e tij në fjalorin “Dictionnaire bibliographique des femmes compositeurs de musique”, lidhur me kontributin e grave në muzikë shtron pyetjen: “çfarë kanë bërë gratë për muzikën”?. Përgjigjja është: gratë, në sferën e muzikës kanë qenë shumë më të frytshme se sa që dihet. Është e pazakontë që edhe vetë muzikologët i befason ky fakt sikur të dilnin përnjëherë Pompejtë e rinj nga harresa e thellë.
Marcel-Jean Vilosque shkroi: “Të kujtosh vendin e grave në botën e muzikës, do të thotë të mendosh për aspektet shoqërore dhe kualitative të muzikës; pastaj të befasohesh që ai art për një kohë aq të gjatë është vështruar gati ekskluzivisht si domen mashkullor, dhe, pas kërkimeve të hollësishme, të sqarohen kundërthënie të panumërta të cilat rrumbullakësojnë historinë e grave që kanë dëshiruar të jenë këngëtare”.
Në hyrje të veprës “Ëomen in Music”, Carol Neuls-Bates shkroi: “Edhe pse gratë gjithmonë janë marrë me muzikë, për to kanë egzistuar kufizime dhe rregulla, historikisht janë nxitur në mënyrë amatere por jo në punë profesionale”.
Shkencëtari i njohur John Stuart Mill në veprën e tij “The subjediction of Ëomen”, e ka mbrojtur mendimin që gratë mund të jenë gjeniale në muzikë. Lidhur me këtë ai shkroi: “në aspektin e komponimit të muzikës, për shembull, gratë pa dyshim janë të afta po aq sa janë meshkujt”
Në shek. XVII janë paraqitur bibliografitë e para për këngëtarët, e gati të gjitha ato i kanë shkruar meshkujt; kanë qenë më tepër paraqitje anegdoteske se sa raport për të arriturat muzikore të femrave, këngëtareve dhe instrumentalisteve.

Biographie universelle des musiciens (Bibliografia e përgjithshme e muzikantëve) dhe Bibliographie generale de la musique (Bibliografia e përgjithshme e muzikës), që janë paraqitur midis viteve 1831-1844, kanë qenë punimet e para që kanë ofruar histori të përgjithshme të muzikës, më tepër me pikëpamje artistike se sa anekdoteske; i kanë paraqitur gratë si muzikante të vërteta, të barabarta me meshkujt.
Të dy librat i ka përgaditur belgu François Joseph Fetis[8], dhe ato, edhe pse me shumë gabime, dëshmojnë për një qasje të tij të paanshme ndaj muzikës, pa dallime gjinore.
Historia e parë muzikore daton prej vitit 1801. Është vepër e një grupi autorësh. Titullohet : “The Oxford History of Music”.
Prej vitit 1830 e këndej është shkruar më tepër për gratë e shquara në sfera të ndryshme si edhe në muzikë. Në vitin 1904, Otto Ebel[9] ka botuar veprën “ Biographisch-Bibliographisches Quellenlexicon der Musiker und Musikgelehrten”, të cilën e ka përgatitur për botim R. Eitner.[10]
Gjithashtu me rëndësi është edhe vepra e muzikologut amerikan H. S. Drinker, “Music and Women: the Story of Women in their Relation to Music”,e botuar në vitin 1948. Në këtë vepër janë përfshirë gratë muzikante të të gjitha civilizimeve.
Sot ekzistojnë botime të konsiderueshme që flasin për kontributin e grave në muzikë. Për historinë e grave në muzikë shkroi A. Cohen në “International Encyclopedia of Women Composers”, në vitin 1981, e më vonë edhe “Discography of Women Composers”, në vitin 1983. Amerikanja Carol Neuls-Bates e botoi veprën “Women in Music” e cila është vepër me rëndësi të veçantë etj.
Në fund përkujtojmë edhe një herë citatin e John Stuart Millit i cili tregon qartë se duhet bërë edhe shume pune e hulumtime për tu ditur që gratë vërtetë kanë kontribuar në muzikë. Shumë gra kompozitore kanë qenë të suksesshme në shkrimin dhe redaktimin e literaturës muzikore në kohën kur ato kanë jetuar por ato u harruan pas vdekjes së tyre. Prandaj, për ndriçimin e kontributit të tyre duhet bërë hulumtime në vazhdimësi.

[1] E lindur nė vitin 1967, nė Prishtinė. Shkollėn fillore, tė mesme, studimet e rregullta si dhe ato pasuniversitare i ka bėrė nė Prishtinė. Ka magjistruar nė vitin 1998, kurse mė 2003, nė Fakultetin Filozofik, dega e Historisė, ka mbrojtur tezėn e doktoratės me titull: “Elena Gjika (Dora D’Istria) – jeta dhe vepra”. Hulumtimet shkencore kryesisht i ka bėrė nė Bukuresht, Tiranė, Prishtinė, Zagreb, Zarė, Sarajevė etj. Pas pėrfundimit tė studimeve ka punuar si gazetare, pastaj si mėsimdhėnėse nė gjimnazin Eqrem Çabej nė Prishtinė. Prej fillimit tė vitit 2000 punon nė Bibliotekėn Kombėtare dhe Universitare tė Kosovės. Gjithashtu ėshtė ligjėruese nė Fakultetin e Edukimit. Ka botuar një sërë punimesh (Gruaja e shėndoshė – familja e shėndoshė, Sektet islame, fetė e pėrziera, Laskarina Bubulina – symbol i trimėrisė dhe i sakrificės, Doktor Ibrahim Temo – figurė e ndritur e kombit shqiptar, Fatin tragjik Selfixhe Broja e kishte tė pėrcaktuar nga diktatura, Musine Kokalari – krijuese dhe intelektuale e pamposhtur, Elena Gjika (Dora d’Istria) figurė madhore e Rilindjes Kombėtare Shqiptare, Tradicionalja apo biblioteka digjitale, Dr. Muhamed Mufaku, Shqiptarėt nė botėn arabe në revista shkencore dhe në të përditshme si Itifak, Bota Sot, Studime Orientale, Koha Ditore etj)
[2] Pierre Mesnard, Existe-t-il une philosophie baroque, në : Actes de Journees internationals d’etude du baroque de Montauban, Francë, 1965, f. 37.
[3] Ives Bessiers dhe Petricia Niedzëiecki, Women in music, në: Women of Europe, - Comission of the European Community, 1985.
[4] http://en.wikipedia.org/wiki/Robert_Flaceli%C3%A8re
[5] Aristofani është komediografi më i madh i Greqisë. Është lindur në Athinë kah viti 445 p.e.r. Shkroi 44 komedi prej të cilave njihen 11. Njëra prej tyre titullohet: “Gratë në parlament”. Meqenëse burrat nuk ishin të aftë për të drejtuar jetën e vendit, udhëheqjen në parlament e marrin gratë. Ato bëjnë reforma të cilat kishin për qëllim zhdukjen e dallimeve sociale dhe të ndihmonin të varfërit.
[6] JACKUES Le Goff, Mesjeta në zanafillat e identitetit evropian, f.102.
[7] O. Schultz-Gora, Die provenzalischen Dichterinnen, Leipzig, 1888.
[8] F. J. Fetis, muzikolog belg (1784-1871).
[9] http://www.archive.org/details/universallibrary.
[10] R. Eitner, Biographisch-bibliographisches Quellenlexicon der Musiker und Musikgelehrten, libri 10, Leipzig, 1900-1904.