URA LIDHËSE / PUNŢI DE LEGĂTURĂ

Dionis Qirzidhi
Nikos Engonopulos – miku i harruar i Shqipërisë
Esse


Himn lavdimtar për gratë që dashurojmë
Dans les peuples vraiment libres, les femmes sont libres et adorées.

Saint-Just
gratë që dashurojmë janë si shegët
vijnë e na gjejnë
netëve
kur bie shi
me gjinjtë e tyre na shfuqizojnë vetminë
na depërtojnë thellë brenda flokëve tanë
dhe i zbukurojnë
si lotë
si bregdete të shndritshme
si shegë

gratë që dashurojmë janë mjelma
parqet e tyre
rrojnë vetëm brenda zemrës sonë
pendët e tyre
janë flatrat e engjëjve
shtatoret e tyre janë kurmi ynë
vargjet e bukura të pemëve janë vetë ato
ngritur në majë të këmbëve të tyre
të lehta
na afrohen
dhe duket sikur na puthin
në sy
mjelmat

gratë që dashurojmë janë liqene
në kallamishtet e tyre
buzët tona të flakta fishkëllejnë
zogjtë tanë të bukur notojnë nëpër ujërat e tyre
dhe pastaj
si fluturojnë
i pasqyrojnë
krenare siç janë
liqenet
dhe brigjeve të tyre janë lirat e bardha
që muzika e tyre mbyt brenda nesh
hidhërimet
dhe si na e përfshijnë qenien
gëzimi
kthjelltësia
gratë që dashurojmë janë
liqene

gratë që dashurojmë janë si flamujt
valëviten mes erërave të dëshirës
leshrat e tyre të gjata
ndriçojnë
netëve
mes pëllëmbëve të ngrohta mbajnë
jetën tonë
barqet i kanë të buta
kubeja qiellore
dyert tona
dritaret tona
janë flotat
yjet tanë vazhdimisht jetojnë pranë tyre
ngjyrat i kanë
fjalë dashurie
buzët i
kanë
si diell e hënë
dhe veç pëlhurë e tyre na shkon si savan
më së mbari:
gratë që dashurojmë janë si flamujt.

gratë që dashurojmë janë si pyjet
çdo pemë e tyre është dhe një kumt dëshire
tek mes këso pyjesh
na endshin
hapat tanë
dhe humbshim
është pikërisht
atëherë

kur gjejmë veten tonë
dhe rrojmë
dhe pse së largu dëgjojmë të vijnë furtunat
ose na i sjell
suferina
muzikat dhe zhurmat
e festës
ose fyejt e rrezikut
asgjë - natyrisht - nuk mund të na trembë
tek na është mburojë e sigurtë
gjethimi i dendur
meqë gratë që dashurojmë janë si pyjet

gratë që dashurojmë janë si limane
(qëllim i vetëm
pikëmbërritje
e anijeve tona të bukura)
sytë e tyre
janë dallgëthyeset
supet e tyre janë fari
i gëzimit
kofshët e tyre
një sërë amforash në mol
këmbët e tyre
faret
tanë
të dhimbsur
përmalluesit i quajnë Katerina -
janë valët e tyre
ledhatime të shkëlqyera
sirenat që nuk na gënjejnë
veç
rrugën
na kallëzojnë
miqësisht -
drejt limaneve: gratë që dashurojmë

gratë që dashurojmë kanë thelb hyjnor
dhe kur në gji shtrënguar
i mbajmë
ne bëhemi njësh me zotat
rrimë në këmbë si kulla të egra
asgjë nuk ka më të fortë të na trandë
me duart e tyre të bardha
ato
mbërthehen rreth nesh
dhe vijnë gjithë popujt
e kombet
për të na u lutur
e britur
të pavdekshëm
ndër shekuj
emrin tonë
sepse gratë që dashurojmë
e tejçojnë
dhe ndër ne
këtë thelb
të tyre
hyjnor

(Nga libri «Poezi», Niko Engonopulos, Vëll. II, ff. 142-146)

Përkthyer nga ARISTOTEL SPIRO

Niko Engonopulos, I dashuruar me Shqipërinë

Shpesh kam pyetur veten: Përse në krijimtarinë e Engonopulos, frymëzimin e tij e ka të sendërsuar tek Elbasani? Përse ky qytet motërzohet në kalvarin e krijimtarisë me frikën dhe ankthin e vdekjes e mandej si kumtar prej sajesave të fantazisë qyteti vetëçliron ngrohtësi ndjenjësore e metamorfozet në Thagmë (Mrekulli)?

Atje, në Elbasan
ku shtëpitë janë të krijuara prej zjarreve
dhe banorët jetojnë mes flakëve
digjen vazhdimisht
dhe rilindin përherë
nga hiri i tyre
identike
me zogun feniks.


Përse, në rrokopujën e lëmshit të kujtesës korelacionet poetike tek Engonopulos, Shqipëria si lejmotiv përsëriten e përsëriten e sublimohet tek krijimatria e tij duke vetëçliruar dritë mendimi?

-Po çfarë ke që gozhdohesh që në mëngjes?
-Oh, asgjë… asgjë. Flisja me Homerin
-Me Homerin, poetin?
-Po, me Homerin poetin, dhe me një Homer tjetër nga Voskopoja, që jetonte gjithë jetën lart në pemët, si zog, e që ishte i njohur si “njeri i urës” nga fqinjët që banojnë pranë liqenit.

Engonopulos, kur shkruan me fantazinë e tij suraliste për Homerin e Voskopojës që jetonte mbi pemë si zogjtë, epërsia e demiurgut qëndron përmbi harrimin e vdekjen. Na kujton se Voskopoja ka qënë Akademi; aty janë afresket e David Selenicës; më poshtë janë varret e gdhëndura në shkëmb në Selcën e poshtme. Ç’mitër kohe, ç’epsh gatiti shpërfilltas një lulëzim të ri në mes dhimbjesh, duke vringëllirë daltën në shkëmb?
Vetëm dalta, me tingëllim të shurdhët, dhe emri Mekos, u gdhëndën në sarkofagun e ngurtë nga një dorë skalitësi ilir…
Në sokakët e Elbasanit, poeti nuk mbart me vete mohimin e vdekjes dhe as është “vetë ai mohimi i vdekjes”. Në imazhin surrealist të tij nuk shtiret se vdekja është gjoja mohim, lojë apo simbol.
“Sokakët në Elbasan janë të paimagjinueshme të ngushta, dhe nga çdo anë ngrihen mure të zhveshura, tepër të larta, që thuajse, arrijnë afër qiellit. As deriçkë nuk sheh syri gjëkundi, dhe sigurisht as ndonjë degë peme që t’i kalojë”
Pushteti i frikës ishte identik me pushtetin surrealist të peizazhit, e gjithë qenia fërgëllonte nga tmerri e ankthi. Pa kuptuar ato hidhnin rrjetat e tyre për të kapur në kurth viktimën. Para vështrimit të trembur e mureve të zhveshur, që vetiu mund të shkaktojnë panik, ndjen nostalgji për “qetësinë shpirtërore që mbretëron në zemrën e tij” dhe për “këngët nga koha e feminise” që i këndon “nëpër dhëmbë”

“Pa pritur një ankth që nuk mund të shprehet pllakosi ligështoi zemrën time. Njerëzit nuk kishin sy! I kisha vënë re me kujdes: më shqetësonte vështrimi i tyre! Frika më ndaloi, më gozhdoi, për një fare kohe, për shumë kohë, atje, krejt i palëvizshëm, pa bërë zë. Kur munda disi të lëviz, të vrapoj, e më në fund të kuptoj, pashë me tmerr, ndërsa i ndiqja nga pas, se ata sa ktheheshin tek qoshja, më humbisnin si ëndrra… Humbisnin, që të rishfaqeshin në qoshen tjetër, nga ishin nisur të patundur në rrugën e tyre...
Nuk ekzistonte më asnjë dyshim. Një mashtrim i padëgjuar luhej në kurizin tim. Kuptova se pa e ditur, kisha rënë viktimë e një kurthi të tmerrshëm… E u ula në shesh dhe qava, qava hidhur.”

Poezia rilind nga pavdeksia e poetëve, sepse vdekja ka muzikën në mes, është si pezmatimi i trurit, meningjiti, ashtu si në psikonalizën e fantazmave.
“Shqiptarogreku i famshëm… Mrekullia e Elbasanit!” - i drejtohet poetit, miku i tij Andreas Empirikos.
Një nga të afërmit i thotë poetit: Po më çudit: Nga ku deri ku je Arvanit dhe Kostandinopolit?!
Mes buzëqeshjes duke picëruar sytë, ai i përgjigjet: Do që të thuash se jam pakëz Kozmopolit?
Pas shumë vitesh bashkëbiseduesi e kujton këtë dialog dhe thotë: Nikua me të gjithë kuptimin e fjalës atë nënkuptonte me krenari: Kosmopolit.
Poetin mund ta supozojmë me origjinë arvanitase. Nëse vëzhgojmë pemën gjaneologjike të tij, gjejmë: Babai i Niko Engonopulos, Panajoti është me orgjinë nga Hidhra i vendosur në Kostandinopol, që prej shekullit XVII-të. I jati i të ëmës, Nikolla ishte nga Himara, i cili i flet për të bëmat e Gjergj Kastriot-Skënderbeut. E jëma, Enerieta nga ishulli i Hidrës, bijë e Penellopit, një nga të 14 vajzat e Dhimitër-Frederik Shmit, gjerman që mbreti Othon e mori si kryemjeshtër për Kopështin e Mbretërisë. Enerieta, e ëma e poetit, vajzërin e kaloi në lagjen poshtë Akropolit,që në atë kohë popullohej nga banorët shqipëfolës, ndaj dhe e emëruan lagjia e Plakave, Pllaka e sotme.
Nikos Engonopulos pasi mbaroi gjimnazin në Athinë, vazhdon liceun në Paris. Në kujtimet e shkruara nga vet ai, shënon:
“Burimi im poetik ishte Haxhi Shereti, oborrtari i Ali Pashës. E zbulova rastësisht në një nga bibliotekat e xhaxhait tim në Paris…
Kur e lexova mbeta pagojë. E kini lexuar? Është Alipashiada ku Haxhi-Shereti e nis poemën e tij në këtë mënyrë:

Ëndrrat, shpirti më thërrasin, t’u rrëfej, t’u them ca fjalë
Ndaj ia nisa radhë të shkruaj për këdo që është gjallë
Mora letën edhe pendën, thellë dëshira më vëlon
Ah, kjo zemër më ka dhimbje, shpirti brënda më kullon…


Më imagjinoni, të ushqyer me parimet evropiane të durimit se çfarë përshtypje më bëri! Se dua të them, në vitet e shkollës në Paris ai më pati mrekulluar e thyer nga që më shfaqte të vërtetën e përjetshme. Kur lexova Alipashiadën thashë ajo është Art poetica greke. E largon dhe përzë llogjikën e ftohtë, mbështetet në mungesën e logjikës, na fton të zbulojmë dashurinë edhe fantastiken. E ç’është logjika? Sot jemi e nuk jemi. E vetmja arsye është llogjika që nesër nuk do të egzistojmë. “Dhe më errësohet dynjaja e shpesh budallepsem,” thotë Haxhi-Shereti. Të gjitha të tjerat janë parallogjizma. Akuzojnë surealizmin se nuk ka lidhje me jetën, dhe se është i pakuptueshëm. Po jeta është e kuptueshme? A s’është edhe kjo parallogjizëm?”
Në një shënim tjetër ai thotë:
“Të mëdhenjtë e mi: Solomon, Holderlin, Bodler, Haxhi-Sherreti, Malarme… dhe gjithë francezët që “ditën t’i japin çastit përjetësi”, siç thoshte Gëte. Të gjithë ata ma zbukuran qiellin tim të natës e ma bënë natën ditë. Surealizmin e kisha përbrenda që kur linda… Por, isha i lumtur që njoha artistët e mëdhenj surealistë si Empirikon, De Kirikon dhe mësuesin tim Paul Klee...”
Siç shihet nga më të mëdhenjt që kanë ndikuar në krijimtarinë e tij është dhe poeti shqiptar Haxhi-Sherreti, oborrtar i Ali Pashës.
Ky sensibilitet psikoshpirtëror, me një tipologji të investiguesit të shpirtërave, iu bë më ndjellëse kur shkon në luftë në trojet shqiptare.
Ai është ushtar në rreshtat e para të luftës. Imazhin e luftës e përshkruan përsëri në mënyrë surealiste: “Më dërguan në “vijën e zjarrit” që me përdhunë më mbajtën atje deri në fund të luftës; aty ku më qarkonin kufomat… dhe ushtarët loznin biz.”
“Pas luftimeve të përgjakëshme më 13 prill 1941, - shkruan në kujtimet e tija, - u zura rrob nga gjermanët, të cilët mandej më çuan në “kampet e punës”, ku arratisem e udhëtoj me këmbë nëpër gjithë Greqinë, derisa rikthehem përsëri tek i njëjti vend.
Empiriko me strehoi në shtëpin e tij në Athinë. Ai karakterizohej nga virtyti i mirësisë së natyrëshme, nga pasioni për psikonalizën, poezinë, artin dhe të bukurën, si dhe maninë për pullat e postës… Empiriko u dha strehë shumë të përndjekurve në vitet e frikëshme të pushtimit. Gjithçka i detyrohet atij: mendja dhe zemra ime! ”
Në pyllin e këngës të Engonopulos është si jeta ashtu dhe vdekja e poetit.
Në vitet e pushtimit, 1942-43, me imazhet e luftës, pranë fantazmës së heroit mitik Tezeut, bëjnë fole, tek frymëzimi i tij, dy figura, Odise Andruci dhe Simon Bolivari. Figura e të dytit plotësohet nga fantazia e poetit me imazhe surealiste, duke lozur e gërshetuar herë se ishte nga Bolivia, edhe ndërkohë ishte kudo, vërvitesh maleve nga Hidra e gjer në Meksikë. Një luftëtarë i lirisë, i bukur si grek, që sillej qiejve si Apolloni... Ndërsa i pari është hero real, i njohur i Pavarësisë, arvanitasi nga Hidra, Odise Andruci, e siç e vlerëson poeti “një nga figurat dominante të historisë njerëzore”. Liria kërkon virtyt dhe guxim” - ky është mesazhi i poetit i përcjellë nëpër kohëra.
Andreas Empirikos e vlerëson i pari poemën e mikut të tij, dhe i thotë në mënyrë patetike: “Nikos Engonopulos! Shkëmb i ashpër i Elbasanit dhe dantellë e butë gjelbëroshe e Bosfori, të përshëndes shqiptarçe, me dorën time të djathtë përmbi zemër, dhe pëllëmbën time të ngrohtë të shtrirë paralelisht në cilëndo tokë që shkel… Shqiptarogreku i famshëm... Mrekullia e Elbasanit!”
Psikoanalisti Empirikos, ka dhe ai peripecitë e tij në luftën civile (1946-1949), ku Niko pati dezertuar, për të mos marrë pjesë në atë luftë vëllavrasëse, ku Greqia në vend të korrte frytet e fitores, u ndodh edhe njëherë tjetër në vorbullën e përçarjes. Miku i tij, Empirikos, si bir armatori, kapet nga forcat e EAM-it, të cilat marrin vendim për ta pushkatuar. Ai mundi që të arratisej dhe të emigrojë në Francë.
Me pasionet e tij të furishme, njeh në Zyrih të Zvicrës, studenten bukuroshe nga Përmeti, Vivika Zisi dhe zbulon tek ajo Beatriçen, të cilën do ta hymnizonte.
Julia Kristeva, semiologe dhe psikanaliste bullgare, që jeton sot në Paris, e ka si shembull në historitë e dashurisë për “këta aventurierë të psikizmit që quhen shkrimtarë, që shkojnë në fund të natës, aty ku dashuritë tona nuk guxojnë të rrezikohen.”
Miltos Sahturis, një nga poetët e mëdhenj grekë, shkruan për Engonopulon se ai është ndër më të diturit. Elitis shkruan: “Askush s’e njeh më mirë se ai poezinë franceze.”
Poezia lirike e Engonopulos është vizionare, me fjalë që sheh, përcepton imazhe, ngjyra krijon një gjendje habie e mahnitje. Elitisi, Empirikos, Engonopulos duke qenë në epiqendrën e sublimimit të surealizmit në Paris, krijuan poezinë-pikturë dhe pikturën-poezi me mjetet specifike shprehëse. Gjoksi i bukur i gruas si një tablo. Zemra e poetit është si pylli në mesnatë, sa herë humbet, përmes shiut ndjen fëshfërimat e fustanit që fsheh trupat e ngrohta që shfaqen e trembin vetëtimat. Jeta i zë besë vijave të fatit në pëllëmbët e dashura, se femra është muzikë: lira, kitara, flauti, nga ku gurgullon gëzimi, sepse edhe me sy ato i zbusin dallgët. Në imazhin surrealist janë Bella Donna, Zonja Artemis, është bukuria metafizike e skulpturave të Antikitetit, natyra, drita e çastit sublim ku secila prej femrave ka pranë një vegël muzikore. Nëse i bashkon veglat muzikore në poezitë dhe në pikturat e Engonopulos, bëhet një orkestër e madhe ku himnizohet gruaja.
“Me surrealizmin e vet Piktori dhe Poeti synoi që t’i afrohej asaj të vërtete që mohoi t’ia shpjegonte Krishti Pilatit” - shkruan kritika për të. Miltos Sahturis, një nga poetët e mëdhenj grekë, shkruan për Engonopulos se ai është ndër më të diturit. Elitis na dëshmon se: “Askush s’e njeh më mirë se ai poezinë franceze.”
Niko Engonopulos shkruan: “Në Greqi surrealizmi u prit në mënyrë skandaloze. Bota nuk ishte përgatitur. Zakonisht shkollat e reja artistike vijnë pas shumë vitesh kur ato nisin të harrohen. Unë me Empirikon jemi bashkëkohës të kahjes me Evropën dhe Francën.”
Po përse në imazhin e tij surealist, Elbasani është si një tablo “Natyrë morte”?
Qesharak, e quajtën, por ai ishte një tip si Hamleti, një shpirt që kishte lindur për të bërë mirë dhe që në jetë mundi ta shikonte të keqen në tërë poshtërsitë e saj. Ai, si Hamleti, me qetësi, dukej sikur u thoshte:

Quamë çfarëdo instrumenti që të duash,
mund të më gërvishtësh, po muzikë s’mund të nxjerrësh prej meje.

“Jam fanatik vetëm kundër fanatizmit” - thoshte Engonopulos; ishte i pari që solli në artet figurative surrealizmin në Greqi e që natyrisht u përshëndet nga idhtarët e kësaj shkolle, e veçanërisht nga Elitis, Empirikos, Parthenis, Gacis, që kishin kulturë franceze, ndërsa u prit nga peshqit me gjak të ftohtë në mënyrë fyese. Shtypi dhe kritika lundronte në ato kohëra në ujërat e turbullta të ekzaltimit nacionalist.
Surrealizmi rizgjoi interesin tek mitet në aspektin e interpretimit psikonalitik të tyre. Duke krijuar të ashtuquajturën “mitin vetjak”, e tërheq dhe e bën për vete ideja e Fatit si mister, me një thellësi tragjike, ndodhet shpesh në kërkim të një mitologjie të re që të ishte e aftë të përshkruajë metamorfozën e pafundme të qenies. Engonopulos ishte i vetmi surrealist grek, i cili kishte në bazën e piramidës së krijimtarisë figurative mitologjinë. Ai nuk kërkoi “rikthim tek rrënjët”, as nuk e soditi me nostalgji të kaluarën e largët.
Ai kompozon dhe rikompozon gjithë jetën artistike, figurën homocentrike të Orfeut. Me bukurinë mahnitëse të kësaj figure sa mitike e njerëzore, aq poetike e plastike, ai harmonizon artin e poezisë dhe të muzikës, ndërthur fuqinë e perëndishme me dobësitë njerëzore. Këto të fundit e bëjnë Orfeun që të bjerë “viktimë” i paaftësisë për t’i kapërcyer ato.
Orfeu, i biri i Apollonit, një nga dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, dhe Kaliopit, një nga të nëntë muzat, që frymëzonte poezinë epike dhe elegjike, i binte Lirës, këtij instrumenti kordofon, të trashëguar nga i jati dhe e ëma, nga shtatë tela i shtoi dhe dy, aq sa ishin muzat. Me këngët e tij qetësonte kafshët, vinte në gjumë dragoin e Halkidës, pemët përkulnin degët nga vinte melodia, gurët lëviznin, zogjtë e shoqëronin me cicërima, dallgët qetësoheshin e peshqit dilnin në breg të dëgjonin. Orfeu dashuroi dhe u martua me nimfën Euridika, e cila një ditë, për t’u shpëtuar ndjekjeve të bariut Ariste, e pickon gjarpëri dhe vdes. Orfeu me lejen e Zeusit, zbret në Botën e Përtejme, që të mund ta rikthente në tokë Euridikën. Ai arriti të mallëngjejë me këngët e lirës së tij mahnitëse Hadin dhe qenin Cerber, dhe me forcën e artit mundi ta rimarrë të dashurën, porse kushti i Hadit ishte që të mos e shihte hijen e Euridikës sa ishte nën tokë. Orfeu s’mundi të duronte pa e parë gruan; e ktheu kokën, duke mos mbajtur premtimin. Euridika e rifituar nga magjia artit zhduket përgjithmonë në Botën e Përtejme, nga absurdi fluid i ngutjes.
Me bukurinë mahnitëse kjo figure mitike sa njerëzore aq dhe poetike e plastike, frymëzon e sensibilizon breza të tërë krijuesish.
Engonopulos, duke dashur të nxjerrë mitin ashtu si zemrën nga misteri i saj, e kompozoi katërmbëdhjetë herë Orfeun, në variante nga më të ndryshme, ku tri herë e ka bashkë me Euridikën.
Me 78 tablotë surrealiste të krijuara me motive nga mitologjia, ai merr pjesë në Venecia, në ekspozitën “Aspetti del Surrealismo” së bashku me Max Ernst, Hans Arp dhe Juan Miro.
Nikos Engonopulos hedh shënimet e tij për poezinë “Shtëmbëza”:
“Sot do të them përshtypjet e udhëtimit nga Shqipëria. Dhe, mbi të gjitha do të deklaroj se nuk ka asgjë më të lehtë e më të thjeshtë sesa të shkosh në atë vend. Por, duhet të largohesh, për këtë qëllim, në festën e Shën-Janit, në verë. Vetëm atëherë, me t’u ngysur, plot nostalgji për peizazhet e largëta, duke kapërcyer zjarret, mund të gjendesh tek çfarëdo qyteti që dëshiron.
Unë, një ditë e vetmisë së pikëlluar, një ditë ku kisha jetuar larg zogjve, kapërceva me terror zjarret që ishin ndezur në një nga lagjet e çfarëdoshme të Athinës, me Shqipërinë, dëshirën e zjarrtë të shpirtit, thellë në zemrën time. Kapërceva një herë, kapërceva dy herë. Asgjë. Të tretën herë u gjenda befas në Elbasan...”
Si piktor ai portretizoi dy herë Skënderbeun, që konsiderohen me portretin e Mërkur Buas e të Kavafisit, si kryevepra.Për të tilla personalitete përdoren zakonisht metafora fisnike: ura të afrimit të kulturave, kasnecë të miqësisë midis popujve. Të tilla metafora, që janë veçanërisht të çmuara sot në Ballkan, Nikos Engonopulos, “shqiptaro-greku i famshëm”, i meriton plotësisht.

No comments: