AB HONORES


Hiqmet Meçaj

Ali Asllani – poet i Dashurisë

Duhej të isha rreth dhjetë vjeç kur dëgjova për herë të parë emrin e tij. Ja se si ndodhi: dajua i babait tim, Xhemil Veli Duka nga Vranishti i Vlorës, drejtor i shkollës së atij fshati, zbriste në qytet një herë në muaj për të marrë pagën e tij dhe të mësuesve të tjerë. Atë natë flinte tek ne, jo vetëm se qyteti nuk kishte hotele, por edhe se i hahej muhabeti me tim atë. Një herë, duke më parë që po shkruaja detyrat, u afrua, i pëlqeu kaligrafia ime, më mburri shumë. Së shpejti e kuptova përse e bëri këtë. Nxorri nga xhepi një fletore të trashë me shkrim të kuptueshëm dhe m’u lut t’ia kopjoja brenda një muaji. Gjithë atë muaj kopjova me kujdes vjershat e dajos së babait tim, që më pëlqyen shumë. Ishin këngë trimërie për heronj të ndryshëm, sidomos të Luftës së Vlorës, por edhe vjersha dashurie. Disa vargje i mësova përmendësh. Më duhet të them se, nën ndikimin e tyre, bëra edhe unë një vjershë për maçokun tim të kuq, që ishte hajdut i madh dhe na e vrau gjitoni Kadri së bashku me gruan e tij Bejeko. Kur erdhi dajo Xhemili herën tjetër, e vështrova me më tepër respekt, i recitova disa nga vargjet që mbaja mend, i recitova gjithë krenari edhe kryeveprën time të parë. Ai qeshi me gjithë shpirt dhe tha: “Unë shkruaj për heronjtë e vërtetë, ti bën hero maçokun” dhe filloi të më ligjërojë për patriotizmin. Unë i thashë se ai është poet i madh, më i madhi i të gjithëve dhe do të përpiqesha t’i ngjaja. Dajo Xhemili u vrenjt dhe më tha: “Poet i madh është Ali Asllani. Unë jam një rapsod dhe vetëm kaq”.
Kërkova të lexoja poezi nga Ali Asllani, por nuk gjeta. Duhet të pohoj se fillova të frekuentoj bibliotekën në moshë fare të vogël për hir të tij. Ishte viti 1954. Gjithë letërsinë e re shqiptare, e vetmja që lejohej atëherë, e lexova brenda një jave, por Ali Asllanin do ta lexoja të cunguar vite më vonë. Përse? Një poet dashurie aq i veçantë, himnizuesi i Vlorës, i vendit, damkosësi i satrapëve dhe tradhtarëve, përse ndalohej? Përse cungohej?
Kur miku im, piktori Koço Zhezha, në vitin 1987, do të mbronte diplomën në letërsi, i rekomandova Ali Asllanin dhe ai, duke marrë leje për të gërmuar në arkiv, vuri re se sa poet i fuqishëm ishte, më falënderoi që ia rekomandova dhe kërkoi të bëhesha udhëheqës i diplomës së tij. Kreva një detyrë dhe një merak të vjetër ndaj Poetit.
Por një punë të plotë e të thelluar ka bërë Dr. Bardhosh Gaçe, me grumbullimin dhe botimin e plotë të veprës së tij në dyvëllimshin “Vidi-vidi pëllumbeshë”.
Me kënaqësi zgjodha disa nga kulmet e krijimtarisë së tij që i rrinë kurorë poezisë shqipe të asaj periudhe, ku shkëlqyen emra aq të veçantë si Çajupi, Asdreni, Mjeda, Lasgushi, Fishta, Fan Noli, Migjeni.
Hiqmet Meçaj, janar 2005

Ali Asllani u lind në Vajzë të Vlorës më 1882, ku që në moshë të re mbeti jetim. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin "Zosimea" në 1898-1902. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në 1908 zevëndësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga antërët e shquar të Klubit "Bashkimi". Për mbështetjen që i dha Ismail Qemalit filloi të¨persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës. Më 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Asqekii, Ellgen dhe Bokser të vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarsisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës e të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri në 22 janar 1914. Mëp pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekan i Ballshit. Pas largimit të Princi Vidit shkoi disa kohën në Itali e u kthue sërish ku administrata lokale e cakoti sekretar të përgjithshëm (10.11.1915 - 1.1.1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por meqënëse kundërshtoi pushtimin u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 - 5 nëntor 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvëndës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "sekretar i parë" dhe "i ngarkuar me punë". Në vitet 1930 -1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua antar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. Ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën "Hanko - Halla" në 1942. Pak vite para vdekjes mundën të botohen disa libra të tij dhe iu lidh një pension i vogël. Ndër librat e botuar në vitet 1960 - 66 përmendim: "Vidi - vidi pëllumbeshë" (1960), "Shqipëria kryezonjë" (1961), "Vajzat dhe dallëndyshet" (1964), "Kur merr zjarr rrufeja" (1966) dhe pas vdekjes iu botua në 1973 "Poezia shqipe". Eshtë autori i këngës së njohur "Vlora, Vlora" , “Hakërrim”, etj... Pas viteve 90 iu botuan disa libra si "Poezi të zgjedhura" në 1996, dhe "Vidi, vidi pëllumbeshë" në 1999. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Ali Asllani

Poezi

Pyeta valët vogëlushe

Pyeta valët vogëlushe;
mu si krahët e një gushe
përmbi supe nga një shkumë,
kush më pak e kush më shumë,
venë e vinë e shkojnë e shkasën
dhe përhera për ty flasën.

Valëza, o valëza,
farë e fis me vashëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Ruaje zot nga erë e huaj!

Pyeta zoga, pyeta zogj,
pyeta zemrën që m’u dogj,
pyeta lulet nëpër baça,
nëpër baça, që un’ plaça,
muaj e vitra po të pres,
vidi-vidi pëllumbeshë!

Vidi-vidi zogëza,
farë e fis me zojëza,
ku e keni shoqen tuaj?
Një minutë e gjat’ një muaj!

Vidi-vidi pëllumbeshë!
për ty qaj e për ty qeshë,
për ty qesha; gjithë jeta
me gjith’ lule, me gjith’ fleta,
u bë fli për ata sy;
çdo gëzim ta fala ty!

E çdo brengë e mbajta vetë.
Tash afroi e thënë e shkretë,
dhe un’ s’di ku jam, ku vete,
rroj për ty e vdes për vete!


Vlora



Andej Qaf’ e Topit hedhur si sorkadhe
këtej Guzbabaja, një urat’ e madhe,
mu në mes të tyre shtrihet një qytet
shtëpi e shqiponjës për eternitet;
Vlora tungjatjeta, vendi i mrekullive,
maten me Sazanin degat e ullinjve!

Shëtita Evropën, shëtita Azinë,
gje’ te moll’ e kuqe vajta gjer në Kinë,
sa tutje më tutje, sa lark e më shumë,
dhe atje ku piqej buka mu në kumë;

Deri prapa diellit, në tingli majmun,
dhe atje ku zoti quhej Firaun!
Tobe ja rabi! fryhemi gjynah,
kapërceva qiellin si një zok me krah!

Kapërceva dete mbushur me inxhira,
kapërceva male gurë xhevahira,
gjithë më gostitën, gjithë i gostita,
sa më velesitën, sa u velesita!

Ç’do që desha pata, qumësht dallandyshe,
sa të hanin gjithë, gjyshe dhe stërgjyshe;
dhe me re të bardha dhashë edhe mora,
hazinera gjeta, kur më hante dora!
dhe me re të bardha mora edhe dhashë,
po si Vlorën time një qytet nuk pashë!

Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër,
ditën e kam dritë, natën e kam ëndërr...
çdo or’ e minutë ty të kam në gojë,
mbase të zë lemza, kur un’ të kujtojë!
Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!

Aty n’ata rrethe, aty n’ato rrëza
çdo zonj’ e zonjushe matet me thëllëza!
Aty shpirti dridhet, aty zemra hidhet,
aty rreth e rrotull lozën gugulidhet;
dhe për her’ të parë po në atë vënd
një zogëz, një... hajde, më rrëmbeu mënd!

Vlora im’ e bukur, Vlora im’ e lirë,
vetëm ty të dua dhe një gun’ të dhirë!
E kudo që isha e kudo që jamte
këng’ në buz’ të kishja, lot në sy të kamte!


Mbi qepallë më trokit

Mu këtu,
ku ormisi1 zëmrën zoti.
Aty kam një guguftu,
që e koj me pika loti.

Natën vjen e bënet dritë,
bënet drit e bënet yll,
mbi qepallë më trokitë,
s’më lë syrin që ta mbyll.

Ditën bënet vetëtimë
e me krisma e me bujë,
shkrep në mes të shpirtit tim
dhe më prish, më bën rrëmujë.

Iki larg e ngrihem lart
kaloj drit’ e kaloj hije,
pastaj zë e flas përçart
dhe në këmb’ të saja bije.

E kudo që ajo vete
më tërheq si hije pas,
zot, o zot që s’jam në vete,
e humbas, humbas, humbas...

Dhe buças si val’ mbi zallë,
kur buçet e kur dremit,
ajo vjen përher’ vërdallë
mbi qepallë më trokit.

1.ormisi- zbukuroi, stolisi



Vetëm jeta s’mund të matet

Dhe ajo që m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, më la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, ç’ështe kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e më ndrit e më tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thone lindi me kemishe, per ate qe paska fate’
meqe une te dua ty, paskam lindur me kemish’
s’di, i mjeri ç’eshte kemisha, vetem ish ashtu si ish
midis mishit dhe kemishes futej dor’ e zoteris’ sate

Thone paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyrira, vargje vargje me kumrira
s’di, i ziu, c’eshte hyria, por hyrirat me te mira
s’mund te ken’, t’u befsha une, ate zjarr te zemres sate

Paska vende gji-ergjende e pallate me shtat’ pate
ku ka defe, ku ka qejfe,
ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’esht’ kaçupi, me pelqen më teper kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mekate

Dy te tretat e nje kohe, te nje shekulli qe vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetem jeta s’mund te matet
vec me ditet qe kalova, ne prani te zotris’ sate


Do t'i shtrydh të dy sytë

Un' jam un', saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un' e nisa e stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash' hije, nëpër hije er' e shije
i dhash' shije poezie, gjith' fuqit' e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ar' e diellit me tallaze, ar' e hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije...

Po u bë ajo që s'bënej, si, pra, zemra do duroj',
syri lotin ta qëndisë, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un'saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj' në gji të huaj?

Un' e nisa i stolisa me ç'i jep e s'i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz' e gushë ja qëndisa
buz' e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash' lotin, kryepajën time pajë
i dhash' lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj'
i dhash' vjershën time valë, dy herë valë tri her' zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr'
këng' e marr' e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t'i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!


Hakërrim

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetem titilli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!... Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, neser silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!
1942.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar edhe në Gazeta e Athinës", shkurt 2005)