KRITIKË / CRITICĂ

Mustafë Xhemaili

Shikim ndryshe i gjërave të rëndomta
Arian Leka: Strabizëm, poezi, botoi IDEART, Tiranë, 2004

Arian Leka është njëri ndër poetët më të shquar të brezit të ri të krijuesve tanë. Nga vitit 1994 kur ai u paraqit me librin me tregime, me titull Ky vend i qetë ku s’ndodhë asgjë, ai tërhoqi vëmendjen e lexuesit dhe kritikës, e cila e vlerësoi duke theksuar se ky poet “mendon dhe ndjen gjuhësisht” (Xh. Spahiu) ose “Poezia e tij është më e spikatura e llojit që thyen kanone, një poésie pure në të gjitha nivelet e saj...” (A. Tufa). Ai deri tash botoi 10 libra të zhanreve të ndryshme.


Syshtrembër

Libri me poezi Strabizëm, është një eksperiment poetik, i kryer me vetëdije nga autori, i cili shpreh prirje për shkrimin e poezisë ndryshe. Pra, ka prirje të “thyej kanone”, madje që nga titulli, Strabizëm, fjalë e marrë nga terminologjia e biologjisë (anatomisë), e cila do të thotë sy i (të) gemtë, syshtrembër. Një fjalë e gjetur bukur që në përdorimin e A. Lekës, shndërrohet në metaforë të fuqishme. Ajo krijohet si një rrënjë, për të cilën autori do të kapet fort gjatë gjithë shtrimit të lëndës poetike.
Pra strabizëm do të thotë të shikosh në dy e më shumë plane me dioptri të ndryshme, të shikosh gemtë gjërat e rëndomta, të shikosh jo si të tjerët botën e brendshme të njeriut, të shikosh dhe trajtosh ndryshe ndjenjën poetike, njeriun dhe raportet e tij me natyrën dhe vetveten. Edhe më gjerë: strabizëm që lind shtrembër (ndryshe) diçka nga natyra. Në këtë rast nga natyra njerëzore, nga ndjenja dhe gjuha. Autori thotë: “Kur të keni sy në vend të syve, duar në vend të duarve, këmbë në vend të këmbëve dhe figurave në vend të figurave. Atëherë do të hyni në Mbretëri”. Pra, vetëm atëherë do të keni sy e të shikoni drejtë e të hyni në Mbretërinë e poezisë, në Mbretërinë e gjuhës. Por cila është të shikuarit drejtë!? A është e vërtetë dhe e drejtë se shikimi ndryshe i gjërave të rëndomta, syshtrembëri, sygemti, (e ky a është sykeq, symirë apo sylig!) tregon peshoren e vlerës artistike, apo kjo është vetëm një mënyrë e të shprehurit poetik!?
Kjo nuk i intereson A. Lekës. Ai krijon poezinë sipas mënyrës strabiste duke qëmtuar me sukses brenda botës së pasur shpirtërore të unit të vet. Dhe, mbi këtë botë e vë, si një emblemë të dukshme, metaforën, mbështetjen kryesore të tij: “Çamëria është farë e fjetur në bark” (“Plakat çame”, f. 42) “Shtëpia na vjellë që në orën gjashtë” (“Shtëpia” f. 67), metaforë e cila të kujton metaforën e famshme E hodhi shtëpinë nga dritarja.



Natyra. Fantastikja

Një prirje tjetër e A. Lekës, është edhe përshkrimi i natyrës me përmasat e fantastikës dhe në mënyrë surrealiste, për shembull siç bëjnë syrealistët në pikturë. Poeti Leka shprehet:“Dhe toka/ Toka që i lindi te dy/ Shpirtin dhe kurmin/ vështron atë bijë të martuar 7 qiej larg/ Kopilen që dora s’e kap”/ (“Shajni”, f. 61).
Me një sukses të habitshëm ai ka mundësi të transformoj gjithçka në mënyrën e vet dhe konceptin e tij për fantastikën: sendet e përditshmërisë, mjegullat mbi det, erën e fushës, ndjenjën e dashurisë: “Kush vjen e mbytet në sytë e tu/ kur unë jam larg/ dhe krahët s’më ndihmojnë të kthehem?/ (“Glisàdo”, f. 17).
Mund të thuhet se ky poet është ndër të rrallët që përdorë në plane të gjera, por edhe deri në imtësi, elementët e natyrës, duke i futur në funksionin të drejtpërdrejt të poezisë e pastaj ta “detyrojë” atë, të flasë e komunikoj sa më hapur me recipientin.



Poezi e mbushur me erë deti

Ky poet është i vetëdijshëm se krijon me një përmasë të re. Vendlindja e tij është Durrësi, edhe më saktë deti, si djep i kaltër, ku poeti ka hyrë thellë në valët e tij të buta të egra, të tmerrshme, në valët me krahë fantastikë. Deti e ka pushtuar të tërin, prandaj ai është i zënë peng dhe “Vetëm hesht/ hesht e mos thirr/ se ka plot/ tokedet/ ujedritë/ bukekripë për të dy/ gazelot/ jetemort/ shtrateafsh”/ (poezia “Peng” f. 60. Prandaj ai detit, vendlindjes së tij, i thur gjërat më të bukura, gjëra të cilat i kthen mbrapsht, pra në mënyrë strabiste – ndryshe nga sa është mësuar t’i dëgjoj, të lexoj e t’i mësojë. Ai poezinë e tij e mbushë me erë deti, me mjegulla e vela të bardhë dhe kaltëri ere, apo “re të zezë fsheh sytë koka” (f. 28). Një vend të dukshëm zënë pozitë në të cilat u këndon peshkatarëve, poezi të realizuara me nivel të lartë artistik: Lëndë ndërtimi, Dhjata e peshkatarit, Dhjata e pashkatarit-tingëllim e thyer-variant, peshkatarë të cilët lënë të vetmin testament për brezat:”Rremin ju lë si masë njeriu mbi tokë!”(f. 77)


Lexim së brendshmi i tekstit

A. Leka në poezinë e përmbledhjes Strabizëm, sjellë tekste të shumta dhe të dendura. Struktura e ndërtimit të vargjeve është heteregjone por në pjesën më të madhe e fortë dhe e qëndrueshme. Ai poezinë e ndërton kryesisht me varg të bardhë (të lirë), por herë-herë përdorë edhe rimën e brendshme siç bën te poezitë: Dhjata e peshkatarit, Trokitje në mur; apo edhe përmes sonetit si ato Trioletë tingëllimash: burgu, mendja, ëndrra; ose edhe përmes skicave poetike siç janë Shqisa dhe Tre muaj në det: mars, prill, maj, por ai thur edhe madrigale për lumin Drin.
Tashmë na del hapur detyrimi që tekstet poetike të A. Lekës të lexohen së brendshmi. Për shembull poezitë Dalja nga jeta, Mirazh mbi kodrën në pranverë, Fytyrë kantiku, Madrigal në 5 zëra për lumin Drin, Puzle me letra, Figura (antipoemë) etj.
Nuk mund të thuhet krejt sigurt se eksperimentet e këtij poeti, në mënyrë të veçantë siç bënë te poezitë Puzle me letra (f.30) dhe Figura (f.48), janë eksperiment krejt i suksesshëm. Në këto dy poezi mbretëron një kaos i qëllimtë i fjalëve dhe një përleshje e vërtetë e vargjeve. Mund të them se këto dy poezi janë dy shporta të mbushura me fjalë e vargje, që lexuesi mund t’i marrë si të dojë dhe ... a të dojë. Madje edhe po të dojë t’i marrë, ai mund t’i lë në gjysmë dhe mos tt’i lexoj fare! E rëndësishme, sikur duket, poeti provokon qëllimshëm durimin e lexuesit: “Emra foljor njërrokësh/ varrosur si ilirët në fjalor/ Me kokën nga Lindja dhe thembrat nga Perëndimi/ Letra rozë/ regjur në sherbet e në bozë/ Ku gjuaj lirika tingujsh...”/, vargje të cilat mbështeten më shumë në një ritëm muzikaliteti; ose përmes lojës së fjalëve dhe germave:“rrjedhin thembrave të kokës/ dhe është kaq rrumpallë/ kjo pamje, pikërisht kjo/ kur trajtat nga trupi i njëra-tjetrës dalin/ si germa Q del prej germës O.”/ duke aluduar edhe në aktin seksual.



Gjuha dhe poetizimi i gjithçkaje

Një element dallues i poezisë së A. Lekës, është gjuha dhe përdorimi i saj. Përmes gjuhës ai arrin që të shpreh furishëm ndjenjat, perceptimet e tij mbi gjërat, fenomenet. Poezia del si një lojë e bukur fjalësh përmes figurshmërisë, e pasur me gjetje dhe të përdorur kurdoherë me qëllim dhe në vendin e duhur. Gjuha e përdorur me mjeshtri dhe korrektësi deri në përulje, ka bërë që poezia e A. Lekës të lexohet me lehtësi, përkundër vështirësive që paraqet herë-herë depërtimi brenda tekstit. Gjuha, dhe përdorimi i saj nga ky poet, del në planin e parë si mbështetje për hulumtimin brenda vetes dhe gjësendeve të vdekura në pamjen e parë, gjëra që e sundojnë përditshmërinë e jetës mbi valët e çmendura të detit fantastik, të vendlindjes së poetit, çerdhes ujore e të dallgëzuar të poezive të tij. Metafora, në të cilën ky autor mbështet fuqishëm, është e ndërtuar pikërisht nga aftësia dhe fuqia e gjuhës së përdorur.
A. Leka është i gatshëm të poetizoj çdo gjë. Dhe këtë e arrin me sukses, që nga gjërat më të thjeshta që i shikon në sipërfaqe e deri te ato ndërlikimit ndjenjore që ka bota e njeriut. Në dukje të parë këto paraqiten fare të rëndomta, por duke lexuar tekstin që shprehet përmes gjuhës, shihet një poetizim që ky autor i sjellë letërsisë se re shqipe si alternativë të suksesshme.
Një punë të dukshme, A. Leka, në librin poetik Strabizëm e bënë edhe në futjen e fjalëve të rralla e më të rralla të gjuhës siç janë tejqyrë, që hynë në funksion të pamjes (syrit, shikimit larg), mirakandë, kalambure, zhvoshku, pjalm, kokëla, gurlum, këmbac, munxë, bunacë, vagulli, etj., ndërsa përdor me sukses edhe disa fjalë kompozita si fatpadalë, ermonte, tektullë etj.
Botuar në “Zëri”, Prishtinë, 2 qershor 2007



Dhurata Hamzai

Poezia e Podrimjes, shqisa dëshmitare

Duke qëndruar një çast për të lexuar disa poezi të Ali Podrimjes, të cilat tashmë gjenden në botime të reja dhe të hershme të vëllimeve të tij poetike, befas vë re një dukuri tjetër nga ato që janë thënë me të drejtë prej zërit të kritikës. Përveçse lëndë poetike, poezia e Podrimjes ka regëtimën e rrëqethjen gati inkoshiente të një shqise si të përtejme, sidoqoftë është shqisë që prek, lëndon dhe dhemb. Nëse na jepet rasti të përzgjedhim mes poezive që i ka shkruar dëgjon nga ai (lexon) se:
Nën dritë pishe të malit tim
e shkruaj librin
tek lexoj yjet para se të shuhen
në katakombet e errëta të kujtesës
”.
Poezitë e Podrimjes përherë i ngjajnë një lumi që lëshohet me vrull shtatit e rrjedhës pa e ditur se ku do të ndalë, ku do të kthejë e ku do të përfundojë. Kjo mënyrë të shkruari e ruan edhe të freskët krijimtarinë e tij, sikur rrjedha e lumit që s’bëhet dot moçal. Nga kjo mënyrë të qeni si poet, ndodh që lexuesit shqiptar ia ngatërrojnë shpesh Podrimjes moshën. Disa nga ata që i dinë vetëm emrin nga librat dhe nuk e kanë takuar asnjëherë mendojnë se ka qenë këtu e 20 vjet më parë plak, e disa mendojnë se është sot ndoshta edhe 20 vjet më i ri. Ky ngatërrim imazhi me moshën ose fizikun e poetit, saqë kur nuk e kishin parë disa e mendonin se pikërisht ai ishte një burrë shumë shtatlartë..! Kjo e fundit ka ndodhur aq shpesh, saqë dyshoj se nuk mund të shpjegohet kjo gjasë me dukuri tjetër veç me të ndjerit pranë të poetit si njeri, si frymë, si zë, mandej ka qenë i pranishëm me pushtetin e fjalës. Po përfytyrimi mbi shtalartësinë e madhe të poetit mundet të ketë ndodhur edhe pse në vargjet e tij duket sikur fati i atdheut e kombit është ashtëzuar në të. Madje në të gjitha poezinë e tij atdheu (jo vetem Kosova, por mbarë trojet shqiptare) është i pranishëm njëjtësisht me lindjen dhe pritjevdekjen e poetit:
Vendi im quhej Dardani pastaj
ia ndërruan ardhacakët
Në ngadhnjimin tim unë besoj
.”

Sa herë që kujtesa e poetit bredh dlirësisht në prej jetën historike të të parëve tanë (shqiptarëve), nuk mundet të mos qaset një dëshirim prej burri që i del zot kombit, një kumtesë ose një fjalë urtësie që gjithsesi më mënyrë paqësore do t’i dali zot. Shih:

Me zotëra vë bisedë në horizont
që rrëshqet
Përfytyroj paranoikët dhe gjurmët
kah Maja

Identiteti i Evropës si të lexohet
në porta të hekurta kur trokasin
e më zgjojnë krrokamët e zogjve
parahistorikë

Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj
(Poezia “Dëshmi” A.Podrimja)

Kështu thotë burri i urtë Ali Podrimja..! Për të shquar shqisën e tij poetike si dëshmi të pamohueshme ka vargje të Podrimjes që të bëjnë të vuash bashkë me poetin a ndoshta të qash nëse e di përse është fjala...si në vargjet:


Librin mbi të qenit e shkruaj
në shkretëtirën gllabëruese
ku guri pikon gjak dhe e uroj
për fuqinë që ma fal


Ku guri pikon gjak dhe ti uron për fuqinë që ta fal, është një përjetim ndoshta nga më surealët, nga ata që të rrëqethin mishtë. Prekja e poetit bëhet dhimbja jote. Kemi këtu një nga ato poetikat që kanë krijuar simbiozën e bashkëvuajtjes së individit sikur kombi i tij vuan. Jemi këtu mëdyshas në hapësirën frymore të lejuar për poetin dhe krijimin dhe rezonancën ose më saktë hapësirën frymore të lejuar për lexuesin dhe ndjesitë e tij. Vargu i Podrimjes kullon si një bashkëbisedim që nuk t’i rronit veshët, por e tërheq edhe shpirtin edhe zemrën të dëgjoj. Shih në vargjet e poezisë së Podrimjes “Hiena”:
Dekën ia pashë
Ia dëgjova gjamën
Mbi dhè hiena
Na i ha fëmijët më
?”
Poezitë e Ali Podrimjes janë në gjendje të krijojnë një shfaqje të plotë të dramave të mëdha, duke ligjëruar në situata poetike hiperrealiste lakuar nga ndjesi gati paranormale, që ligjërojnë shqisën e dëshmisë më të plotë të një poeti që nuk di të jetë ndryshe, përveç atdheu i tij, ose miti i atdheut-shqiptari model. Muzat e poetit janë autoktone. Ai di të bisedojë me to si në një zgjëndër ndërsa fantazisë së tij pa frikë i faniten të gjalla muzat e Drinit, muzat e Mortjes, etj. Edhe shtriganitë epike janë pasuri e metaforës dhe simbolikës së Podrimjes aq sa në shumë raste vjen i plotë perceptimi i gjarpërit dhe lotit. Tek poezia “Mortja i harroi”, Podrimja e fillon bashëndrrën e tij me këto fjalë:

Pse nuk plaken shqiptarët
Më pyeti një mikeshë e veriut

Tek i bija Fyellit në breg të Drinit

Mortja diku i harroi zonjë
Se koha u shndërrua në guri


Duket se pesha e rëndë e fatit të Kosovës, e gjithë shqiptarisë është bërë barrë e epërme në poezinë e Podrimjes, por jo makth, por as ndjesi që kalon pa u lënduar, pa u prekur. Megjithatë poeti i përulet atij dëshirimi metaforik me ndjesi të mirë, pasi kalon nga dhembja njëherë ku guri pikon gjak dhe mandej uron për fuqinë që i fal. Në një poezi që i ka kushtuar Aleksandër Zotos ai i thotë: “Do vdesim
në mënyrë ilire

Duke puthur
TokëDiell

Do i marrim me vete
edhe vrasësit

Fundi i lojës
Zgjimi i perëndive
”.


Jemi aktualisht në bashkëbisedim me poezitë e Ali Podrimjes që nuk ndal rrjedhën prej afër 50 vjetësh krijimtari. Ai gjithmonë shkruan. Nëse duam e lexojmë një poezi dhe jo pak turbullohemi prej asaj që na kumton. E ndjejmë që nga ky çast se kohë më vonë, më shumë se fantazmat e historisë, do ta na duhet ta ndjejmë gjallë ekzistencën tonë prej kësaj poezie, një shqise pothuaj dëshmitare. Ai, Podrimja do ta ketë lënë shpirtin në poezitë e tij, bashkë me truallin ku jeton dhe për ne që e lexojmë në kohë pas kohe tërë sy e veshë. Për ata që bashkëbisedojmë me poezinë e tij ka një kumtesë të tillë në formë dedikimi:
Putha pikën e gjakut
Mes Qiellit e Tokës
Më mbuloi drita hyjnore
Guri ia lëviz, rrënja
Frymon atDheu, paska Zot
”. Këtë poezi Podrimja ia kushton poetit Visar Zhiti, jo aq si poet, por si një gëzim takimi me të pse gjuha gjen gjuhën e kuptimit mes shqiptarëve, gjithaq ua dedikon edhe lexuesve të poezisë së tij plot dhimba dhe hare.

II.

Ali Podrimja - Poezi

Dëshmi

Librin mbi të qenit e shkruaj
në shkretëtirën gllabëruese
ku guri pikon gjak dhe e uroj
për fuqinë që ma fal

Vendi im quhej Dardani pastaj
ia ndërruan ardhacakët
Në ngadhnjimin tim unë besoj

Nën dritë pishe të malit tim
e shkruaj librin
tek lexoj yjet para se të shuhen
në katakombet e errëta të kujtesës

Me zotëra vë bisedë në horizont
që rrëshqet
Përfytyroj paranoikët dhe gjurmët
kah Maja

Identiteti i Evropës si të lexohet
në porta të hekurta kur trokasin
e më zgjojnë krrokamët e zogjve
parahistorikë

Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj
(Ulpianë, 1987)



Në shtëpinë e Martin Camajt
Erikës, bashkëshortes së Poetit

Gjithçkafës i vinte era Dukagjin
Dranja dhe Temali aty
Oda e burrave me qilima Peje
Në ballë të oxhakut Lahuta
Nga lëkura e Buallit të Drinisë
Dorë e një artisti anonim
Që e kishte qitur belaja në Evropë
Mungonte vetëm i zoti i shtëpisë
Kishte dalë
për pak kohë
Ta kërkojë tëMadhin se ishte vonuar
Në kreshta të Krujës
Fluturimi i shkabës ku ngrin
E fillon
Ëndrra dimërore
(Lenggris, 16.5.1992)



Hiena

Dekën ia pashë
Ia dëgjova gjamën
Mbi dhè hiena
Na i ha fëmijët më?
(1990)



Fundi i lojës
Aleksandër Zotos


Do vdesim
në mënyrë ilire

Duke puthur
TokeDiell

Do i marrim me vete
edhe vrasësit

Fundi i lojës
Zgjimi i perëndive
(1991)


Mortja i harroi

Pse nuk plaken shqiptarët
Më pyeti një mikeshë e veriut

Tek i bija Fyellit në breg të Drinit

Mortja diku i harroi zonjë
Se koha u shndërrua në guri

Të më harronte edhe mua
Ofshani Hijerënda nga Evropa

Lotin ia pashë në sy të shkruar
Në pasqyrë kur e pa gjarprin e viteve

Drini ma kish rrëmbyer Fyellin
(1990)


Prizreni
Visar Zhitit


Putha pikën e gjakut
Mes Qiellit e Tokës
Më mbuloi drita hyjnore
Guri ia lëviz, rrënja
Frymon atDheu, paska Zot
(Prizren, 10.06.2008)

No comments: