PËR TË QESHUR e PËR TË QARË / DE RÂS şi DE PLÂNS

Kopi Kyçyku

Atentatorët e kulturave të tjera

Kur isha gjimnazist, pata blerë një roman të përkthyer në shqip nga frëngjishtja dhe pësova befasinë e parë. “Ky na qënka ai shkrimtari i madh, që e mban tërë bota në gojë?” guxova të them i zhgënjyer, fill pasi e mbarova së lexuari romanin.
Vite më vonë, pasi e mësova frëngjishten, e lexova sërish romanin, këtë herë në origjinal, dhe pësova zhgënjimin e dytë. “Qënka vërtet shkrimtar i madh” pohova, si i zënë në faj, duke kuptuar se mëkatar ishte pikërisht përkthyesi - një traditore, jo traduttore! Meqënëse ky i fundit ishte bërë tashmë për “ndjeje Zot!”, pyetja ime vetvetiu tingëlloi si retorike: “Kur ishe gjallë, më mirë të ishe përpjekur të shkruaje diçka vetë, një tregim a një vjershë. Dhe ta çoje diku, në ndonjë redaksi, për ta botuar. Në rast se do t'i pëlqente redaktorit, mund t'i gjente ndonjë vend në gazetë a revistë! Por, nuk të lejohej, mor përkthyes, t'i bëje atentat kulturës së një populli tjetër!”
Ka edhe atentatorë, që shkojnë akoma më tej: nuk i deformojnë apo gjymtojnë vlerat kulturore të të tjerëve, por i përvehtësojnë ato, pa një pa dy!
Gjatë periudhave të ndryshme, por sidomos nën komunizëm, nuk kanë qënë të pakët ata që, pasi ktheheshin nga studimet jashtë shtetit, kanë përkthyer, a më saktë kanë riprodhuar, për të mos thënë kanë kopjuar, një morì materialesh të fushave përkatëse, për t'i paraqitur si të vetat, si origjinale. Kjo ka ndodhur më shpesh me gjuhët e ashtuquajtura “të vogla”, që nuk i dinë shumë njerëz. Por edhe “të mëdhatë” nuk janë anashkaluar. Kam parasysh këtu, ndër të tjerë, një estet e një gazetar.
I pari zhvati nga rusishtja aq shumë materiale, saqë “ndërtoi” me to “ngrehina” të tëra me libra të trashë “teorikë”.
I dyti, i dhënë pas humorit e satirës, veç të tjerash, u serviri shqiptarëve me bollëk fejtone e pamflete, të kopjuara nga rusishtja, me të cilat dikur sovjetikët fshikullonin “imperializmin”. Duke e zëvendësuar fjalën “imperializëm”, me “revizionizëm”, humoristi ynë i bëri sovjetikët të vetëfshikulloheshin me dorën e tyre!
Periudha e tranzicionit, përveç një morie “krijuesish”, që mbinë si kërpudhat pas shiut, -duke na i mbushur raftet me romane, novela, drama e vëllime poetike, të financuara nga ata vetë, - nxori edhe “kritikët” përkatës, që, si rregull, duhet t'ua ngrenë në qiell “vlerat”. Dhe, meqënëse, si çdo mall tjetër, edhe “veprat” e mësipërme, në shumicën dërrmuese të rasteve, “lëndën e parë” e kanë të importuar, edhe kritikët i duan të importit. Një i tillë, po i bën zullum të madh një gjuhe “të vogël”, në atdheun e së cilës jeton e punon prej shumë vitesh. Si për “veprat” letrare të tranzicionit, me vlera pò “tranzitore”, ashtu edhe për veprat e mirëfillta, ky “kritik” përdor të njëjtin kut dhe furnizohet nga e njëjta “depo”, ku janë stivuar vëllime të panumurta me shkrime kritike të të gjitha kohërave e rrymave. Gjen aty me tepri edhe hulumtime teorike, edhe artikuj e studime për autorë të veçantë. Për çdo autor shqiptar, “kritiku” për të cilin po flasim, ka gati një e më shumë “binjakë” të importit. Nuk i mbetet veçse t'ua veshë krijuesve bashkatdhetarë “kostumin” e huaj dhe gjithçka rrjedh si në vaj. Shyqyr që pjesa më e madhe e “viktimave” të plaçkitura janë në botën e përtejvarrit dhe nuk kanë mundësi ta padisin vjedhësin e “kostumit”.
Kur hedh në letër ndonjë “studim teorik”, “kritiku” i lartpërmendur e ka edhe më të lehtë, sepse, pas rreshtimit pikëpërpikë të asaj që kanë shkruar kritikët, rumunë ta themi, nuk i mbetet gjë tjetër përveçse shëmbujt ilustrues t'i huazojë nga dheu-mëmë.
Krejt njëlloj pat vepruar në kohë të komunizmit edhe një humorist, - Zoti ia faltë mëkatet!, - i cili, siç po shohim me habi e keqardhje, për dekada të tëra paska “vjelë” nga gjuha e vendit ku sot ndodhet “kritiku” i lartpërmendur, krejt gamën e gjinive humoristike e satirike, që nga vjersha e monologu e deri te skeçi e komedia dhe ka dyndur me to revista, shtëpi botuese, estrada e teatro anekënd Shqipërisë. Vetëm personazhet i pagëzonte me emra shqiptarë!
Që të kuptojmë se sa larg mund të shkojnë këto palo punë, besoj se do të mjaftonte përmendja e faktit të mëposhtëm. Vitin e kaluar, në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës Shqipe, në Prishtinë, njoha një franceze, që përkthente letërsi shqiptare në gjuhën e vet amtare. I thashë se kisha ndërmend të “rumunizoja” vëllimin e fundit të një poeti që jeton në Kosovë, por që ka prejardhje nga një trevë tjetër shqiptare. Francezja qeshi nën buzë me ironi dhe, vetëm pas këmbënguljes sime disi të tepruar, më sqaroi se s'kish ndërmend t'ua “rikthente” nga shqipja në frëngjisht bashkëkombësve të saj shumë nga poezitë, të cilat poetët e Francës i kishin krijuar me mund e talent.
Vjedhja gjithmonë është e dënueshme, por ka vjedhje e vjedhje. Ndryshe është të vjedhësh një bukë, si Zhan Valzhani, e ndryshe, madje krejt ndryshe, të vjedhësh shpirtin e tjetrit!
Nëqoftëse edhe kjo nuk u bën përshtypje atentatorëve të kulturave të tjera, është rasti t'u kujtojmë se me siguri, shpejt a vonë, vjen një ditë që zhvatjet e tyre dalin lakuriq.