CÆLESTIS ARCUS



Anna Kamieńska

(1920-1986)

***

Pas mundit të poetit
mbetën veç vargjet e tij
si dhe gishtat e një shpute të lashtë
mbi një piedestal të shkretë.
Duke gjykuar nga thonjtë e gishtave
i madh I ka qënë trupi prej mermeri.
Duke gjykuar nga vargjet –
nga rrënojat e ngrehinës –
e rëndë ka qënë
puna
daltimi në gur
më e tejdukshme se ajri.
Më pak jetëgjatë se ideja.

 

Tymoteusz Karpowicz

(1921-2005)

Gjumi i lapsit

kur lapsi zhvishet
për të fjetur
pa të drejtë apeli vendos
të flerë thellë e mbyllur
ndihmohet përndryshe
nga këmbëngulja e vet e lindur
nga të gjitha duart e kësaj bote
dora e lapsit në palcë
thyhet, por nuk përkulet
kurrë nuk ëndërron
dallgë a gërsheta
ëndërron veç ushtarë gatitu
dhe qivure
Ajo që fshihet në laps
është e thjeshtë
çka fshihet jashtë
është e koklavitur
natën e mirë

Tadeusz Różewicz

(1921)

Shtatore

Shtatoret tona
Kanë kuptim të dyfishtë
Dhe trajtën e ca gropave
monumentet tona
kanë trajtën e
lotit
shtatoret tona
janë ngjizur
nën tokë
shtatoret tona
janë si tymi

 

Anna Pogonowska

(1922-2005)

Thonë disa se në epokën e atomit

Disa thonë se në epokën e atomit
Besimi në Zot është i tejkaluar –
Në çfarë të besoj atëhere? Në pushtetin
E Ferrit që drejton botën?

 

Wislawa Szymborska

(1923)

Zeroja shkruhet vetë


Na ishte se ç’na ishte. U shpik zeroja.
në një vend të pasigurtë. Nën një yll
dhe në një ditë siduket të perënduar. Mes datave
mbi të cilat dikush betohet. Pa numura
as të diskutueshëm të paktën. Pa lënë
nën zeron e vet as një mendim të artë
për jetën që është e tillë. As legjenda
se dikur pranë trëndafilit të thyer
zeroja shkroi diçka dhe i mblodhi në një buqetë.
Kur po vdiste iku në shkretëtirë
mbi një gamile me njëqind gunga. Dhe fjeti
nën hijen e pemës së lavduar. Do të zgjohet
pasi gjithçka të jetë numuruar tashmë
deri tek një fije pluhuri. Ç’njeri !
Krisja mes realitetit dhe shpikjes
i shpëtoi vëmendjes sonë. E qëndrueshme
ndaj çdo fati. Hedh prej saj
çdo figurë që i jepet.
Qetësia është rritur mbi të, pa i lënë
ndonjë gërvishtje në zë.
Mungesa ka veshur fytyrën e horizontit.
Zeroja shkruhet vetë.

 

Zbigniew Herbert

(1924-1998)

Guri

Një krijesë e përkryer
është guri
i barabartë me veten
rojë në kufijtë e vet
është i tëri
me kuptime të gurëzuar
aroma e tij nuk të kujton asgjë
nga asgjë nuk trembet
dhe s’ka pretendime të mëdha
e ngrohta dhe e ftohta e tij
janë ashtu siç duhet
plot dinjitet
ndjej një kafshim ndërgjegjeje
kur e mbaj në dorë
e kurmi i tij fisnik
përndan një ngrohtësi të rreme
Gurët nuk mund të zbuten
derisa të vdesin e të na shohin
me sy shkëlqimtarë e shumë të qetë.

 

Ruszard Kapuscinski

(1932-2009)

Kur ik Poeti

Mbase para vdekjes
shkoi tek rafti
ku qenë radhitur vëllimet e tij
që ngjanin si ca fije bari
në tërësinë e bibliotekës
shihej që të korrat ishin
të parëndësishme
për një sy të ngutur
ishin bash të padukshme
por çka lanë pas
një jetë mundimesh
fqinjët e Spinozës
gdhendësit e diamanteve
(nga Haga, Amsterdami)
a mund të mblidhej vallë
në grushtin e një fëmije?

No comments: