RADU GYR (1905-1975): 2 poezi

Udhëtime

Sumatra, Java, Mozambik, Haliç,

sa endje e gjatë nëpër dete

ëndërruar në kolltuk, me vete,

me direkun e ngulur në hiç...


Duke lundruar mbi një oqean dallgëngritur,

sa herë nuk kam pushtuar

mrekulli drejt të cilave kam shkuar

dhe vise në të cilat nuk kam mbërritur.


Mbi një trirremshe verore

gjith jemi kthyer, gjith kemi shkuar,

me yjet mbi direkë rreshtuar,

me ballin në kupën qiellore ...


S'kemi lundruar veçse në ëndrra të tjera,

s'kemi ankoruar veçse në nostalgji,

dhe, ja, ç'gërvishtje na dhembin tani,

dhe velat, shih, sa janë të çjerra!


Dhe po në kolltuk mburoja kemi vënë

që vetëm në shpirt kanë vezulluar,

dhe të ndezur me shpata ajri të kulluar,

jemi nisur të zjarrur për aventura në hënë.


Mes fantazmash dhe mendimesh pa fund,

kam bërë nga kolltuku beteja të shkëlqyera,

duke shpartalluar me supet e zbërthyera

kala që s'kanë qënë kurkund...


Të mundur, por s'kemi rënë aspak,

të cfilitur, por s'kemi humbur beteja ndonjëherë,

askund s'jemi përgjakur në baltra si të tjerë,

dhe jemi vetëm plagë prusheflak...


Me vela të ndukura jemi tërhequr ngapak

në gjirin e plagëve të brendshme,

megjithatë, ç'parfume të këndshme,

ende na paskan mbetur në gjak!


Madje dhe tani në mendje më gjumiten

luftra të hershme apo udhëtime,

më të ëmbla në hije dhe në shajnime

se sa ato që kam përjetuar e më veniten.


Në gjoks me spektrat e tyre të thatë,

-Suez, Azore, Mozambik, Haliç-

vdesim me këtë sublimin hiç

bri sobës sonë të ftohtë, të ngratë...


Atij që më sajoi trishtimin

Atij që më sajoi këtë trishtim e maraz

mos i jep, o Zot, litarin katil.

Atij që ma nguli shtizën nga pas,

bëji një shtrat të freskët, në tërfil.


Ai që më dha me kova vrer,

le të rrojë si një mbret.

Kush më dha burg, cfilitje, qeder,

qoftë, o Zot, i bekuar përjet'.


Por atij që mbolli tek unë neveri

dhe ndoht e për gjithçka përçmim,

mos iu ndafshin krimbat mizëri

e nepërka në fis i bëftë folé n'amëshim.


Shqipëroi Kopi Kyçyku

No comments: