Shqipëria kujton. 1944-1991 – një antologji proze (Albania îşi aduce aminte. 1944-1991) – o antologie a prozei albaneze pregătită de Dr. Ardian Klosi

Parathënie


Të hartosh një antologji të autorëve shqiptarë pas lufte është një punë e vështirë. Të tregosh Shqipërinë e viteve 1944-1991 nëpërmjet letërsisë është një punë edhe më e vështirë. Ndërsa të tregosh me forcën e fjalës atë që ndodhi në Shqipëri nga mbarimi i Luftës së dytë botërore e deri në përmbysjen e vitit 1991 është, sado e vështirë, punë e mundshme dhe e domosdoshme.

Këndej del edhe kuptimi i kësaj antologjie që botohet në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Ajo nuk synon të japë ndonjë kanun autorësh; nga ana tjetër as nuk mëton të rrëfejë në mënyrë dokumentare atë që ndodhi në Shqipëri nën diktaturë në fundvitet ’40 e pastaj përgjatë viteve ’50-’80 e deri në ’91. Jo, kjo është një grackë ku bien zakonisht botimet e nxituara letrare, në mënyrë të ngjashme si tekstet për historinë e kohëve të fundit, ku autorët shqiptarë po tregohen të pazot për të treguar historinë më të re të Shqi­përi­së.

Libri që keni në duar është një reflektim për Shqipërinë nën diktaturë përmes fjalës së mençur e të vërtetë. Ky është ndoshta përcaktimi më i mirë që, shpresojmë, do t’ia ruajë vlerat ndër vite. Pjesa më e madhe e teksteve janë shkruar pas vitit 1990, pra kur pushoi së ekzistuari censura: kështu ndodh te 22 autorë nga 28 që ka gjithsej kjo antologji.

Sikur të ishte marrë kriter vetëm përfaqësimi i shkrimtarëve që treguan gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit zotësi të veçantë në prozën e shkurtër, atëherë do të kishim një antologji tregimi dhe jo më një rrëfim për atë që ndodhi në Shqipëri gjatë periudhës në fjalë, pra një kanun letrarësh të ngritur mbi kriterin estetik. Në të kundërt, pasqyrimi dokumentar i Gulagut komunist shqiptar do të mblidhte së bashku një mori autorësh - sepse të shumtë ishin ata që vu­aj­tën në burgjet dhe fshatrat e internimit të diktaturës dhe një pjesë e mirë dinë të rrëfejnë, - dhe atëherë libri del praktikisht pa kufij, siç dhe ka ndodhur. Pa mohuar vlerën e botimeve të tilla, theksojmë dhe një herë që kriter kryesor në hartimin e këtij libri kemi patur reflektimin për erën komuniste në Shqipëri, nga autorë që nuk kanë shkruar në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme, pra sot të kundërtën e asaj që thanë dje. Kriter tjetër i rëndësishëm – forca e fjalës. Veç kësaj një pjesë e mirë e rrëfimeve ndodhin jo në mjedise që ishin të Gulagut komunist. Prandaj do të gjeni në libër edhe tregime për dashurinë e për vdekjen, për fëmininë e rininë e parë, në përgjithësi situata ekzistenciale të individit që reflekton.

Nëse ka një tematikë të përbashkët për gjithë tekstet e paraqitura këtu, ajo është: liria e munguar: qoftë kur dëgjon për torturat e tmerrshme nga kaluan Zef Pllumi, Petro Marko, Arshi Pipa, Simon Jubani, Maks Velo dhe gjithë bashkë­vuajtësit e tyre, qoftë kur lexon meditimet e grave të mbër­thyera mes sëmundjes dhe fakteqësisë së familjarëve të tyre, si te Bedi Pipa e Drita Çomo, qoftë kur futesh në metaforat filozofike të Kasëm Trebeshinës apo Astrit Delvinës, qoftë te të rinjtë bjerraditas të Teodor Kekos dhe figurat groteske të Ylljet Aliçkës a Ardian Vehbiut, etja për lirinë dhe për dinjitetin e mohuar është e pranishme kudo.

Kjo mund të sjellë në diskutime të llojit: po pse vetëm të shtypur ishim nën diktaturë, pse nuk patëm bukë, nuk krijuam familje, nuk shkuam në shkolla, nuk ndërtuam hidrocentrale, nuk patëm fundja edhe disa libra të mirë që na ushqyen shpirtin? etj. etj. Të gjitha janë të vërteta ndaj dhe një pjesë e njerëzve shqiptarë, sidomos breza më të moshuar, jetojnë, në mes anarkisë së sotme të vlerave, korrupsionit ekonomik dhe moral, shkatërrimit të mjedisit etj., edhe sot e kësaj dite nostalgjinë e asaj kohe.

Por Muri i Berlinit u rrëzua në nëntor 1989; edhe muri izolues i shqiptarëve ra në vitet 1990-1991. Ne kemi për detyrë të tregojmë se si e pse u rrëzua ky mur, nga optika e shkrimtarit. Dhe shkaku kryesor që e rrëzoi, edhe tek ne, ishte liria e ndrydhur dhe dinjiteti i nëpërkëmbur njerëzor. Në qoftë se mungesën e bukës, të hidrocentraleve, të shumë librave mund ta durosh e ndoshta edhe të vdesësh i lumtur, mungesën e lirisë dhe poshtërimin nuk e duron dot. Kjo është në thelb dhe historia kryesore që tregon ky libër.

Veç kësaj historie, kjo antologji tregon edhe një histori letrare, edhe pse letërsia fiksionale dhe kanuni i prozatorëve ishte në plan të dytë. Në të vërtetë pjesa më e madhe e teksteve janë prozë dokumentare, më pak se gjysma e autorëve përfaqësohen me një histori „të shpikur“ (Trebeshina, Camaj, Delvina, Gina, Aliçka etj.). Por ndeshim një larmi autorësh dhe stilesh që na ka befasuar edhe ne vetë si përzgjedhës të teksteve. Do të gjeni në këtë libër prozën që heq kufijtë kohorë, si te Trebeshina, rrëfimin e drejtëpërdrejtë, objektivizues e rrëqethës të një Fatos Lubonje, kronikat po aq tronditëse të Arshi Pipës e Petro Markos, përroin e ndërgjegjes dhe tensionin e brendshëm psikologjik te Delvina e Gina, lirizmin e Camajt, Brahushës, Laperit, ironinë e hidhur të Maks Velos dhe Lekë Tasit etj. etj. Edhe nga një botim i tillë në themel tematik, kupton se letërsia shqiptare e pasluftës rishkruhet e ka për t’u rishkruar sërish.

Shumë herë është hapur debati i disidencës te ne: ka patur apo s’ka patur disidentë Shqipëria. Sikur të marrësh si etalon të disidentit shkrimtarin që merrte çmimin Nobel ose Pulitzer në Perëndim, në kohën që rrinte në vendin e vet të kampit lindor duke kritikuar qeverinë e duke dhënë inte­r­vista për Le Monde, ky etalon në Shqipëri vërtet nuk ka ekzistuar. Shkrimtari disident te ne ose është vrarë a burgosur qysh në të ri, ose është detyruar ta lërë përgjithmonë atë profesion të rrezikshëm. Kur lexon në këtë libër shumicën e autorëve të viteve ’40, ’50, ’60, kupton se sa i kotë dhe hipokrit është debati ynë për disidencën. Natyrisht që qe e pamundur në Shqipërinë e rrethuar me tela me gjemba dhe të ruajtur në çdo pëllëmbë nga sigurimsat, që të shpërndaje samizdat, të thërrisje gazetarë perëndimorë e t’i nxirrje në Perëndim dorëshkrimet kundra. Ajo që duhet diskutuar vërtet është: Kush foli e kush nuk foli dot me publikun e vet? Cilët ishin ata djem e vajza të talentuara që do ta kishin lulëzuar letërsinë shqipe të pasluftës sikur të kishin botuar të lirë? Përgjigjen do ta gjeni në këtë libër. Aty do të habiteni që nuk e njihnit as Bedi Pipën e as Astrit Delvinën, as Drita Çomon e as Shpëtim Ginën. Shpëtim Gina e humbi jetën, ndoshta i vrarë pre Sigurimit, 23-vjeçar. Tregimi i botuar këtu për herë të parë është një nga prozat e shumta që i la dorëshkrim, për mos folur për dramat e tij filozofike, shpesh të pazbërthyeshme. Po të kujtojmë që qysh prej vitit 1945 më rëndë nga të gjithë u godit elita intelektuale dhe fetare e vendit, e kupton se gjithë pasqyra e mëvonshme e hierarkive letrare është një deformim i vlerave të mirëfillta shpirtërore që prodhoheshin në këtë vend, edhe pse në kushte ekstreme, më së shumti pa folur dot me lexuesin.

Pak fjalë për brezin më të ri të shkrimtarëve që përfaqësohen në këtë libër. Zgjedhja ishte e vështirë dhe e pranojmë që patjetër do na kenë shpëtuar nga vëmendja tekste të mira për vitet 80, në përgjithësi zhbirime të asaj që ndodhi me Shqipërinë në epokën komuniste. Megjithatë mendojmë se tekstet e pjesës së fundit pasqyrojnë mirë përmbylljen e pashmangshme të asaj që mësojmë nga tekstet e para të kësaj antologjie: në krye ishte tragjedia, siç e gjej­më në tekstet e Petro Markos apo Arshi Pipës, në fund do të vinte doemos karikatura tragjikomike.

Ndonjë emër shumë i njohur i letrave shqipe nuk është përfaqësuar në këtë libër, pasi thjesht s’na u dha mu­ndë­­sia t’i botonim tekstet që kishim zgjedhur prej tyre.

Në pikëpamje gjuhësore kemi ruajtur kriterin filologjik, domethënë nuk kemi ndërhyrë për korrigjime drejtshkrimore as tek autorët që shkruajnë në gegnisht, as tek autorët më të vjetër ose që e kanë lënë veprën e tyre në dorëshkrim. Janë ndrequr vetëm gabime evidente.

Pa punën e koleges Elsa Demo, me njohjen e saj të gjith­anshme të letërsisë shqipe, për mua do të kishte qenë e pamundur përgatitja e kësaj antologjie, ndaj i detyrohem këtu një falënderim të veçantë.

Së fundi falënderojmë për mbështetjen e këtij botimi Ins­titutin Goethe që në vitet e fundit, edhe nëpërmjet Shoqatës kulturore „Robert Schwartz“, e ka sjellë më pranë kulturën gjermane në Shqipëri, por edhe anasjelltas kulturën shqiptare në Gjermani. Kjo merr sot, në 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, një kuptim të veçantë.

Dr. Ardian Klosi

Tiranë, tetor 2009

No comments: