Prani shqiptare dhe evropiane


Në numurin e majit 2009 të revistës prestigjioze "Ballkani dhe Evropa" (faqja 27, rubrika "Biblioteka ballkanike"), prozatori, diplomati dhe intelektuali i shquar Euxhen Urikariu, për vite me radhë kryetar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Rumanisë, ka botuar shkrimin: "Prani shqiptare dhe evropiane", në të cilin thuhet:


"Prej 11 vjetësh del në Bukuresht një revistë kulturore e jashtëzakonshme, e quajtur "HAEMUS", praktikisht revistë dygjuhëshe, në rumanisht e në shqip, që botohet nga Shoqëria Kulturore Shqiptare Haemus. Drejtuesit dhe botuesit e saj janë Kopi dhe Ardian Kyçyku, at e bir, dy intelektualë të klasit të lartë, i pari një polihistorian modern, turkolog, shkrimtar, historian dhe filolog i shquar, ndërsa i dyti, Ardiani, një prozator tejet i talentuar dygjuhësh, një emër me rëndësi të dorës së parë në të dyja letërsitë - rumune dhe shqiptare. Revista "Haemus" kompleton në vite lidhjet e kulturës shqiptare me Rumaninë, praninë kulturore shqiptare në vendin tonë dhe këtë e bën në një mënyrë të re, me përmasë evropiane, çka pasqyrohet edhe në programin e revistës. Prania e të dy këtyre intelektualëve shqiptarë në jetën kulturore rumune është e dukshme dhe dobiprurëse nëpërmjet librave që shkruajnë në rumanisht, nëpërmjet përkthimeve nga letërsia rumune në shqip dhe anasjelltas, përmes botimit me përpjekje të mëdha të kësaj reviste dhe, pa dyshim, falë pjesëmarrjes dhe pranisë konstante në skenën kulturore publike të Rumanisë. Në momentin e tanishëm marrëdhëniet kulturore rumuno-shqiptare dominohen nga këta dy personalitete që kanë ardhur për të kompletuar imazhin e Shqipërisë shpirtërore, e cila deri më sot është ilustruar vetëm me përkthimet nga veprat e romancierit Ismail Kadare. Prania kulturore shqiptare në Rumani ka një traditë të gjatë që shkon paralelisht me manifestimet e fuqishme social-politike të shqiptarëve në Trevat Rumune që janë zhvilluar sidomos pas vdekjes së legjendarit Skënderbej, kur ndodhi një emigrim i stërmadh i shqiptarëve, si në Perëndim, në provincat Bazilikata e Pulja, të Italisë, që ruajnë deri më sot etnicitetin e këtyre emigrantëve, ashtu edhe në Lindje, deri përtej Danubit. Si sundimtarë apo si funksionarë e lartë, si luftëtarë besnikë apo si nëpunës, shqiptarët kanë marrë pjesë në shkrimin e historisë në këto treva. Ndërsa majën kulturore të tyre sigurisht e përbën Viktor Eftimiu, shkrimtar rumun, i cili asnjëherë nuk e mohoi prejardhjen shqiptare, përkundrazi, e përmendte me shpirt e gjallëri. Emigrantët politikë dhe kulturorë shqiptarë, ashtu si ata bullgarë, kanë gjetur në Rumaninë moderne strehë dhe përkrahje. Përndryshe, edhe sot kolonia shqiptare, e njohur nga shteti rumun si njëra nga pakicat me përfaqësues në Parlament, është plot energji dhe ndodhet në një proces të thellë të rigjetjes së vetvetes. Por, sikurse shkruan Ardian Kyçyku në numurin 4-5-6 të 2008-2009, për nder të dhjetëvjetorit të ekzistencës së revistës, edhe shqiptarët e Rumanisë janë po aq të molepsur nga sëmundja e Ballkanit, njëlloj si krejt gadishulli. Është një sëmundje e cila çon në përçarje e në bjerrje. Këto janë fjalë të hidhura, por të vërteta dhe nuk lidhen vetëm me fatin e kulturës shqiptare. Duke jetuar në Rumani, duke shkruar në shqip e në rumanisht, Ardian Kyçyku është një vëzhgues i vëmendshëm i dukurive të përbashkëta të rajonit tonë dhe zotëron një vizion gjithëpërfshirës evropian. Përndryshe, këtë e demonstron plotësisht edhe revista. Ky numur i trefishtë i saj, që ka dalë në dritë tani së fundi, përmban përkthime nga letërsia rumune (Iolanda Malamen, Nikolae Breban, Nikita Stanesku), dialogje me Vasile Andrun dhe me Iolanda Malamen, sidhe artikuj kushtuar kulturës rumune. Një grupim masiv poezish, që u përkasin autorëve që u përkasin "pakicave të dyfishta" - shqiptarë, bullgarë, kroatë, hebrenj, gjermanë, grekë, italianë, maqedonas, hungarezë, romë, rusë lipovenë, sërbë, sllovakë, turq, tartarë, ukrainas, grupim që përmban emra të rëndësishëm të letërsive të lartpërmendura, jep një përfytyrim kaleidoskopik dhe njëherazi realist të asaj që quhet Evropa Juglindore, që nga përzjerja deri në bashkëjetesë. Po të shtojmë temat historike të mirëfillta apo sintezat kulturore që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe Rumaninë, po të marrim në konsideratë edhe këndvështrimet e disa autorëve shqiptarë apo rumunë ndaj konfuzioneve dhe mëdyshjeve të tranzicionit, kuptojmë se "Haemus" nuk është vetëm një koleksion i bukur tekstesh, por është një pikëpamje e shprehur qartë dhe fuqishëm. Është një pikëpamje mbi rrugët e pjesëmarrjes reale të kulturave "të vogla" në dialogun evropian të vlerave shpirtërore. Pa pikë dyshimi, revista "Haemus" ka ardhur të ndreqë një nga gabimet e mëdha të interesit kulturor rumun. Ndoshta nuk është vetëm gabimi i rumunëve, mbase ekziston edhe në hapësira të tjera kulturore të fqinjëve të afërt. Është fjala për njohjen e drejtpërdrejtë të kulturës së popujve të kësaj fqinjësie. Dihet pak, tepër pak nga ato që ndodhin, në kuptimin kulturor të fjalës, për fqinjët tanë. Gjendemi në një padije, mendoj të ndërsjellë, të të afërmve, që pengon jo vetëm respektin reciprok, por edhe zgjidhjen e disa çështjeve që lidhen drejpërdrejt me ne, siç është ajo e pranisë së rumunfolësve në shtetet fqinj, nevojat e tyre kulturore, mbështetja që duhet të gëzojnë nga ana e Rumanisë.


Rumanisht në: www.balcanii.ro