Biorisia

Loer KUME
Prozator dhe eseist, autor i vëllimit LUX (2011)

Kalonte shtigjesh nëpër fshatra, njëri pas tjetrit.
Nxitonte, ashtu si hije, veshur me te zeza. Pardesyja e lëkurës së zezë, me jakë gëzofi, aspak sportive për atë shëtitje të vështirë, e mbulonte deri në fund të këmbëve. Vetëm maja e shpatës i dilte pak jashtë.
Fshatarët e rrallë udhëve të pluhurosura ndaleshin kur ai kalonte.
Kur mbërrinte pëshpërima vesh më vesh që një njeri i zi po ecte mes arave si fantaksje, dilnin nga shtëpitë ta shihnin.
Ecte e ecte me nxitim nga frika se mos i kthehej mendja ose e zinte ndonjë krizë abstinence. Pas ca orësh ecje, kur dielli nisi të kalonte zenithin, arriti në cep të pyllit të madh.
“Është vendi ideal. Një pyll pa anë e fund. Janë tërë pemët e mundshme që gjenden në Shqipëri. Shumë i dendur është. . . Jam çmendur gjë? Ç’pata? Si do kthehem prapa në tërë atë rrugë, tani që po bie nata? “
Mori celularin dhe nisi të formonte numrin e Gjokës, po menjëherë Genti tjetër brenda tij e përplasi në tokë telefonin dhe e shkeli me këmbë duke e krisur dhunshëm.
- Burri një mendje ka, jo njëqind, I tha vetes, Gentit të frikësuar.
E tendosi trupin dhe bëri përpara duke hedhur hapin e parë brenda pyllit.
- Një pyll si ky ka… çmendur vëllain tim!
Hijet e pemëve bëheshin të gjalla në errësirën e natës, të trazonin neuronet, të çorodisnin mendjen me kthetra haluçinante, të shtrëngonin zemrën derisa të dilnin sytë nga vendi, të merrej fryma, të ndalonte gjaku e mbeteshe në vend i ngrirë.
Pastaj, ndoshta shpirtrat e natës vinin, të zinin për flokësh e të zvarrisnin deri në pemën më të afërt, të gozhdonin në të, të fusnin duar e këmbë në drurin e saj, e të mbillnin…
- ‘Është kriza e mungesës më duket, shoqërohet me halucinacione e gjendje ankthi. Mjaft! Kafshoje pyllin Gent! E ha vetëm me një kafshatë! Tani do nisë gjithçka e re.”
Nxorri shpatën nga këllëfi i saj i thurur me fije të arta. E pa.
- “Ç’mund të bëjë kjo? Gjithçka. Edhe tani, këtu. Diçka që se ka bërë kurrë.”
E vringëlloi disa herë me fuqi në ajër, e iu vërsul pemëve. Godiste si i cmendur në të katër anët duke vrapuar kot së koti. Nga pas linte gjethe, degë, e deri dhe pemë të prera në mënyrë ideale nga tehu gati magjik. Derisa u lodh.
                                                                                                       
 ***
Eci për shumë orë. Aq, sa mundi të humbte rrugën, madje dhe sensin e orientimit.
Ktheu kokën pas. Errësirë. Gjithçka ishte tymëzuar prapa krahëve.
- Këtu, i tha vetes. U mendua një grimë, shkundi kokën e me vendosmëri hoqi pardesynë e zezë prej lëkure. E hodhi në tokë. Ashtu e bëri me pulovrën e zezë, golfin e hollë poshtë, këpucët, çorapet, pantallonat. Orën e rrallë, unazat, të familjes dhe një tjetër unazë, egjiptiane, të marrë dhuratë nga një magjistar i lashtë shkretëtire. I hodhi përdhe. U mendua pak, por e hoqi në fund dhe varësen me monedhën me kokën e Aleksandrit Të Madh stampuar. Nuk po vendoste dot;
- “ta le shpatën? Po ajo më jep forcën! Më duhet! Është kaq e bukur! E … e dashur! E fortë! Jo. Unë jam i fortë. As shpatën nuk e dua.”
Po thante ftohtit. Ishte mpirë i tëri.
- “Ç’po bëj? Mos po devij gjëndjen psiqike? Lajthitje?”
- Pusho ti qen!- I bërtiti vetes duke folur drejt pyllit.
Hoqi dhe të mbathurat e i hodhi mbi pirg. Mori nga xhepi i brëndshëm i pardesysë një faqore dhe një shkrepse. Spërkati me benzinë tërë rrobat. Ndezi një fije. E pa.
- ‘Zjarri është i bukur! I nxehtë! Djallëzor! Mund ti ve flakën tërë pyllit. I bukur!’
Mori frymë thellë. E fiku. Errësirë.
E përfshiu paniku.
- ‘Duhet zjarri! Duhet si drita e syve. Është errësirë!
Ndezi fijen tjetër. Imagjinoi mijra sy kafshësh a dreqërish që e ndiqnin nga errësira atë moment.
- “Tmerr! kjo heshtje do më vdesë! Le ti hajë flaka. Tani janë të papërdorshme me tërë atë benzinë.”
Me kujdes, mos fikej prapë shkrepësja, dorëdredhur, ia afroi lehtë pirgut të rrobave. Morën menjëherë.
- ‘Zjarri bubulak! Ky është miku im më i mirë.”
U ul në bisht.
- “Tani të ma rruani mirë e mirë!” pëshpëriti, pa ditur kujt i adresohej. Imagjinoi veten e tij si një pikë e kuqe rrethuar nga një botë errësire dhe shkretie të shurdhër, dhe u tmerrua.
- ‘Të paktën të kisha mbajtur shpatën e vjetër. Jo! Asgjë të gatshme. Të tëra do i arrij vetë, pa ndihmën e asgjësendi.
Dhe zjarri digjej.

 ***
Nuk dinte më ndarjen e kohës. Kishte pesë, tetë, njëzetë, dyqind ditë pa ngrenë.
Mishrat e gojës i ishin shndërruar në shollë. Shijen e hidhur të ujrave të ndenjura nuk e ndjente më. Ndjente dhëmbët që dukej sikur lëviznin disi. Krampe në tërë trupin, koka po plaste, trupi i ishte bërë me vraga nga të shtrirët lakuriq nëpër dhe e gurë, krej i mbuluar me baltë të tharë. Duhej të ishte ftohur po nuk ndiente temperaturë. Nuk ndiente më asgjë.
- ‘Mos ndoshta më vjen vdekja tani?’, bërtiti fort, e dëgjoi largët zërin e tij si fjollë tymi në fikje e sipër.
Asnjë ndjenjë, asnjë emocion, asnjë gjë nuk i ngjalli ajo ide. Asgjë. Nuk provonte më. Ishte nul.
U rrëzua në tokë. Kofsha e majtë iu shpua nga një ashkël, po ishte një dhimbje e largët, e lodhur, e mekur. Vinte nga një botë tjetër. Atë moment pa një… një diçka, një kafshë. Në sekondë i dha urdhër stomaku, mblodhi tërë energjitë dhe iu vërsul kafshëzës. Ajo u largua mjegullimthi. Ai iu vu pas. Pa pikë rëndësie ç’lloj qenie ishte.
- ‘Qoftë iriq. Me gjithë gjemba do ta llup!’
Vrapoi, ca hapa milimetrike, a ca kilometra nuk e kuptoi, u këput si thes në tokë. I rrodhi diçka nga goja. Gjak! Nuk kishte fuqi të lëvizte as gjuhën. Ndenji pak minuta ashtu (a pak orë).
- “Më erdhi fundi. Kështu është fundi?... ku është fundi? Do vonojë fundi? Fundi?”
Dhe, në një moment ngriti kokën.
Ishte rrëzuar midis dy pemëve.
- ‘Sa të çuditshme!’
Trungjet e trashë, degët, gjethet si çadra plazhi, nga ato çadrat që donte aq shumë kur ishte i vogël, Mund ti prekte me dorë të dyja njëkohësisht, aq afër ishin.
Bëri një stërmundim e zgjati duart sa ti cikte.
- “Ç’janë tëto? Pemë. Pemë? Joo! Shtylla. Shtylla porte. Ajo aty ështe porta. Për ku? Për në djall? Apo është fshehur një zot aty? Sikur të bëj një hap, do vdes? ku do shkoj?”
Në mendje i erdhën fytyra. Fytyra të vdekurish.
- ‘Kush janë këta?’
Po prekte trungjet e pemëve.
- “Po fytyrat? Ku ikën? Kush janë? Nënë! Baba! Luan! po vij! Me sa i mbante fyti i tharë ulëriti. Ulëriti dhe një herë. Dëgjoi si lakuriq nate tingujt që përplaseshin e jehonin. Ulërima iu kthye në goje.
Në çast, sikur ajo ulërimë të kishte shtypur një buton diku thellë brendisë, ia dha të qarit.
Qante e qante! Ndiente një lumë malli e vetmie. Ndiente nevojë për mëshirë. Për të qenë i falur.
Gjaku i hipi në kokë. Lotët rridhin faqeve, thyenin, çanin baltën e tharë të trupit, e kur bënë një kanal, arritën e lagën tokën. Tërë lotët e jetës së tij, u derdhën aty.
Qau pa ndaluar, me dënesë. Nguli thonjtë e tij në drurët. Diçka si rrëshirë i lagu gishtat.
Asgjë nuk po ndjente nga tërë ç’po bënte. Një moment, një tjetër fytyrë iu përplas kokës.
E dërrmoi. Ishte dikush që ai kishte shkelur. Shkelja ishte vepra e fundit.
‘Rrëmo Gent rrëmo!’
Pa që e kishte dashur. Dhe ndjeu vibrime. Ajo i vibronte. Shpirti i saj vibronte! Për të. E ndjeu të tërën, aq sa mund të shtrihej një shpirt. Ashtu si ndjehej një shpirt mijra kilometra larg.
Dikush e donte, e mëshironte, e urrente, e tmerronte, e ndjente!
Muskujt e fytyres iu shpinë. Një buzëqeshje. Një buzeqeshje lindi.
“Edhe unë dua”
Pastaj, fytyra e fytyra e goditën. Të tërë shpirtra. Shpirtra që komunikonin me të. Mijëra njerëez që njihte, donte, përbuzte, urrente, mëshironte, të tërë po e preknin. E përkëdhelnin, e godisnin.
“Hahahahahaha!” Shpërtheu në një të qeshur histerike. Një trumbë zogjsh u çuan nga pemët.
Ndjeu në duart e ngurta ti rridhte bollshëm lëngu i pemëve.
“Si ka mundësi pemët të dërrmohen aq shumë nga gishtat e mi sa të prodhojnë tërë këtë limfë a rrëshirë?”
Duart iu ngjitën me rrëshirën. U habit si arrinte të thithte forcën, e trupi të gjente nëpër cepat e tij më të humbur, akoma energji për tu ndjerë gjallë. Shqisat e trupit e të shpirtit iu zgjuan.
U shtri në dhe mbi shtrojën e gjetheve, e përqafoi pemët. Ndihej si fëmija pas gjirit të nënës.
Nuk po kuptonte si, po nga pemët që kishte prekur i vinte një ndjenjë e ëmbël. Edhe nga toka.
Po e ndjente më qartë.
- “Ç’është kjo? Gjithçka qënka paqe! Një paqe totale!”
Ngjeshi këmbët në dheun e pyllit e shtrëngoi sa të mundte pemët.
Pemët … i shtrënguan duart. Ngadalë, ëmbëlsia ia la vendin forcës. Një forcë rridhte nga ato dy drurë, nga ajo baltë, dhe përshkonte tërë trupin, edhe më thellë brenda.
Ndihej i lehtë. I qetë. I fortë. Një forcë po i pushtonte trupin. E përfshiu të tërin si një shkulm ere marramendesë. Mori frymë thellë. Tendosi mushkëritëe, pastaj muskujt në tërë fuqinë. Pemët po e puthnin!
Ndjente jetën. Të gjallën. Gjallonte fuqishëm brenda tij. Ishte si një qark i shkurtër midis pemëve, ajrit, tokës.
Një rrymë marramendëse, e pakonceptueshme energjie po e përshkonte.
- “Ahhh! Pemët po më ushqejnë. Toka po më mëkon. Ajri që thith… po fluturoj. Si?
Jetë! Qielli tundtet e shkundet! Dielli bekoi! Drita po më rrethon kudo. Dritë e ëmbël, e fortë! qenka një... një orgazëm e amplifikuar! Jo një; dy, tre, pesë, dhjetë, qindra, mijra, orgazma njëra pas tjetrës!
As paqja nuk egziston më! është diçka e lartë kjo. Po shoh! Shoh pemët, tokën, kafshët në pyll, tërë pyllin. Shoh diellin, qiellin blu, hënën. Shoh grimcat e pluhurit në ajër, dëgjoj erën që fërshëllen, frymëmarrjen time, frymëmarrjen e gjallesave rreth e qark, frymëmarrjen e pyllit. Dëgjoj qartë fare, si muzikë me volum të lartë zemrën që rreh, gjakun që përplaset në enë, shkarkesat elektrike në trurin tim, krahët e një fluture që përplasin vrunduj ajri, dëgjoj të folurën e milingonave, këmbët e tyre kur trokasin dheun. Dëgjoj…
Veshët më kapin mijra tinguj të padëgjuar që i njoh shumë mirë ç’janë.
Kuptoj shumë mirë këto kafshët që flasin me njëra-tjetrën, pemët që këndojnë me një gjuhë të panjohur të saponjohur. Dëgjoj deri zhurmën që bën rrezja e re e diellit që godet me njëfarë force tokën. Dëgjoj kakofoninë totale. Veshët më kapin tërë frekuencat egzistuese në univers. Sepse dëgjoj dhe frekuencat kozmike. Dhe... kuptoj.
Është një gjuhë e madhe. Gjuha universale. Tërë frekuencat janë një kaos fantastik i përkthyeshëm. Ndjehem i mbushur.
Gjithçka! Kjo është jashtë çdo kufiri të imagjinatës. Gjithçkaja e pafund dëgjohet prej meje!
Po ajo aty ç’është? Një grimcë pluhuri? Kristalet, që e përbëjnë? Mijëra fasha të errta kudo. Po i dalloj më mirë; viruse, baktere, mikrogjallesa. Lumenj mikrogjallesash.
Grimca kudo, mikrogjallesa në ajër, tokë, mbi mua vetë, brenda meje.
Ja Genti! Mëlçia e tij, mushkëritë me ajër, zemra, gjaku, limfa, qeliza, bërthama, mitokondritë, ADN, oksigjeni, karboni!
Drita e diellit, fotonet. Një pamje multidimensionale kaleidoskopike në të njëjtën kohë. Sytë e mi shohin gjithçka. Kudo. Njollat e diellit, njollat e zeza. Edhe pluhurin kozmik.
Gjithçkaja po shndërrohet në tërë ngjyrat që egzistojnë, duke zbërthyer spektrat e dritës. Të tëra njëkohësisht të dukshëm e të padukshëm.
Edhe hunda ime është kredhur në univers. Nuhas mirë, nga era e djersës, fekaleve, e ndyrësisë, e polenit të luleve, të ajrit të ngarkuar me qindra aroma që i njoh për herë të parë, erën e kafshëve, insekteve, pemëve, erën e dheut, tokës, e një bote të tërë që nuk pershkruhet dot me fjalë. Të një bote të zbërthyer!
Nëpër duar, këmbë, kokë, trup, lëkurë, tru kalojnë tërë dimensionet e tërë universeve duke më kandisur të ndjej qendrën!
Ndjenja e papërshkruar shtohet e shtohet derisa unë po shkrihem. E kuptoj. Asgjë nuk ka më
kuptim, ose të paktën kuptimet që njohin gjallesat normale.
Është një mprehje shqisash, një tendosje, një shpërthim, një shkrirje!
Uni im, njësia ime energjitike si trup e si shpirt është shpërbërë. Është kudo, dhe çdo gjë. Një vrimë e zezë që thith, e njëkohësisht një hapësirë e bardhë që shtyn gjithësinë. Një proton, e një planet.
Jam në rezonancë të plotë me universin. Gjithçka vibron, dhe unë vibroj me trup e shpirt e çdo element kimik të qenies sime. Me mijra botë! Me shtrëngimin e një mikrogrimce shkatërroj një univers. Mjafton një rrotullim elektroni, një shtytje molekule, një zhvendosje aminoacidi, një fryrje qelize, një tendosje muskuli, një sforcim i madh, për të bërë një un…

U këput në tokë. Genti.
Plot ngjarje e prisnin kur të hapte sytë.
2007 – 2010
* 'biorisia - bio + risi ose bio + rise(raiz angl.)