“Enciklopedi - Teatri dhe e kinematografia shqiptare” nga prof. dr. Josif Papagjoni

Aneta MALAJ


Një nga botimet serioze të kohës së fundit në studimet albanologjike dhe i vetmi në llojin e vet është edhe “Enciklopedi - Teatri dhe e kinematografia shqiptare” e studiuesit të njohur të teatrit, dramaturgjisë, kinematografisë dhe letërsisë prof. dr. Josif Papagjoni. Themi i vetmi në llojin e vet pasi ai nuk është konceptuar si një “Fjalës enciklopedik” me paraqitje thjesht të dhënash dhe fare pak me sintezat dhe abstragimet mbi teatrin dhe kinematografinë shqiptare, mbi komponentë të tyre, artistë, institucione, kahe apo vlera të veçanta. Është pikërisht prirja e dytë, tashmë zotëruese, ajo që i ka dhënë hapësirën dhe seriozitetin e një libri studimor. Sikurse pohon autori në hyrjen e “Enciklopedisë...”: “Në parapëlqimin tim vegon një tjetër udhë e qiell, duke u ofruar te lexuesi ndryshe, me një tjetër qasje, brenda profilit tim si kritik e studiues. Dhe lënda të ishte, pak a shumë, shteruese për gjithë hapësirën kombëtare - Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. - ndërsa, më kryesorja, zërat, artikujt, njësitë enciklopedike të zotëroheshin nga kahja sintetizuese mbi vlerat, veçantitë, stilin, profilin dhe anët mëvetësuese të këtij apo atij artisti, institucioni, lloji, gjinie e zhanri teatror e kinematografik, deri te mëtimi për përvijime sa më lakonike për vepra përfaqësuese (filma, drama, shfaqje teatrore, role, zgjidhje skenografike etj.).”
 Afërmendsh që libri ka karakter gjithëpërfshirës, por, sakaq, ai ruan me kujdes procesin selektiv e historik që kryhet vetiu brenda artit si të tillë dhe vlerave të shënuara në kohë duke ruajtur kështu një nivel përfaqësimi meritor. Shtrirja në historinë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare qysh në fillimet e tyre, sikundër kujdesi dhe vëmendja për të përzgjedhur që andej çka është më përfaqësuese dhe më e vlerësuar për kohën dhe vetë procesin krijues, duket se shënojnë edhe dy kahet zotëruese të studimit apo, thënë ndryshe, dy mëtimet e pohuara prej vetë autorit drejt arritjes së një ekuilibri të dobishëm në vlerësimin e dukurive dhe personaliteteve që përbëjnë përmbajtjen e tij.
“Enciklopedi -Teatri dhe e kinematografia shqiptare” përfshin mbi 800 zëra a njësi enciklopedike me një volum relativisht të madh prej 75 faqe tipografike apo 560 faqe germë e vogël, e ilustruar me mbi 1000 foto. Sikurse është shprehur vetë autori, janë aplikuar pesë kategorizime në hartimin e njësive enciklopedike: artikulli, zëri i madh, zëri i mesëm, zëri i vogël dhe zëri informativ. Hapësira shkrimore ka qenë mepatjetër një kut matës, por, sakaq, në sërenditjen e vlerave prej autorit kanë shërbyer po aq, në mos më tepër, edhe cilësimet estetike që ai ka bërë për shumëçka e shukmë. Kritere të tilla shkencore i kanë dhënë kësaj Enciklopedie mundësinë e shpërfaqjes dykahëshe: edhe si tërësi, edhe si veçanësi; edhe me nyje studimore në formë të sintetizuar për artet, periudhat zhvillimore, komponentët etj. (p.sh artikujt), edhe me sythe e njësi më të vogla, ku aksiologjia tanimë përfshin aspekte më të individualizuara dhe më identitare (p.sh zërat e mëdhenj a të mesëm që vlerësojnë këtë apo atë personalitet të artit, shoqëruar me komentet lakonike për këtë apo atë vepër konkrete).
Mbërritja në një studim të tillë me natyrë shteruese afërmendsh që nënkupton studime të tjera pararendëse të autorit, gjurmime dhe hulumtime të pandalura nëpër vite, pasi vetëm prej një tubimi të madh e të vazhdueshëm të të dhënave mundësohet, në rastin tonë, botimi i një libri të kësaj përmase e kësaj natyre. Josif Papagjoni me gjasë e ka parapërgatitur në rrjedhën e kohës botimin e Enciklopedisë me mbi 20 librat e tij të botuar tashmë mbi teatrin, dramaturgjinë dhe kinematografinë. Ai e ka ndjekur për mbi 40 vjet procesin krijues të artistëve shqiptarë, rritjen e tyre, sukseset, sikurse zhvillimet e institucioneve artistike. Në këtë kuptim puna e tij ka qenë sa e lehtë, aq edhe e vështirë. E lehtë, sepse një pjesë të madhe të procesit artistik studiuesi e ka përjetuar vetë nga afër duke vjelur syresh mbresat gjegjëse apo duke i shprehur ato në morinë e recensioneve, shënimeve dhe artikujve të botuar në kohë. E vështirë, sepse është dashur të skedohet një volum i jashtëzakonshëm të dhënash, vlerësimesh e qasjesh në shtypin e shkruar, në libra, në diskutimet krijuese a në promovime të ndryshme për shfaqje të veçanta, role, krijime, përbërës të arteve të kinematografisë dhe teatrit etj. Udha e tretë e hamendësuar ka qenë barabitja, krahasimi i burimeve bibliografike për të mbërritur në një prerje racionale dhe drejtpeshim të paqortueshëm. Interesi i studiuesit të njohur ka qenë, më së pari, paraqitja e personaliteteve më të shquara të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare në gjithë hapësirën tonë kombëtare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Nuk është e vështirë të dallohet ngulmimi për ravijëzimin e profilit të tyre krijues me tiparet dhe veçanësitë stilistike, me risitë dhe ndihmesat që ata kanë dhënë nëpërmjet veprave të tyre për zhvillimin e këtyre dy arteve tejet publike. Nga ana tjetër, sipas volumit shkrimor dhe peshës së çdo zëri enciklopedik, studiuesi ka bërë kujdes po aq edhe përsa i takon vlerësimeve mbi vepra kryesore që i përfaqësojnë këta personalitete (si drama, skenare, regji teatri dhe filmi, role, skenografi, xhirime etj.) me një gjuhë lakonike, të matur dhe serioze.
Një nga shqetësimet kryesore që ka çdo autor, i cili rreket e ndërmerr punë të tilla të vëllimshme e të mundimshme, besoj se është drejtpeshimi, ekuilibri për të dhënë vlerën e merituar aty ku dhe aq sa ajo me të vërtetë është e atilla. Pikërisht, krijimin e një hierarkie vlerash, e cila evidenton natyrshëm edhe kontributet e çdokujt artisti në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, studiuesi Josif Papagjoni mendoj se e ka realizuar mjaft mirë. Ndaj dhe bëhen të dallueshëm emra të tillë në dramaturgji si Kolë Jakova, Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Ethem Haxhiademi, Fadil Paçrami, Ruzhdi Pulaha, Fadil Kraja, Teki Dervishi, Ekrem Kryeziu, Beqir Musliu, Rexhep Qosja, Anton Pashku, Mehmet Kraja etj; në regjisurën e teatrit si Pirro Mani, Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Esat Oktrova, Gëzim Kame, Agim Qirjaqi, Muharrem Qena, Abdurrahman Shala, Fadil Hysaj etj., në regjisurën e kinematografisë si Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Pirro Milkani, Gëzim Erebara, Hysen Hakani, Kujtim Çashku, Saimir Kumbaro, Isa Qosja, Agim Sopi, Ibrahim Muça, Kristaq Mitro, Mevlan Shanaj, Gjergj Xhuvani, Artan Minarolli; skenaristë si Kiço Blushi, Nexhati Tafa, Teodor Laço, Roland Gjoza, Natasha Lako; në aktrim si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca, Margarita Xhepa, Ndriçim Xhepa, Istref Begolli, Shani Pallaska, Melihate Ajeti, Enver Petrovci, Refet Abazi, Katarina Josipi, Bajrush Mjaku, Sefedin Nuredini, Xhevat Limani etj; në skenografi si Agim Zajmi, Shaban Hysa, Hysen Devolli, Bashkim Ahmeti; operatorë të filmit si Ilia Terpini, Saim Kokona, Bujar Kokonozi, Pali Kuke etj.

Duke e ajgëtuar lëndën e përfshirë në “Enciklopedi...” vetiu vëren praninë e kudogjendshme të veprave të përzgjedhura nga dramaturgjia botërore. Përpos këtij kontakti, le ta quajmë të tërthortë, me vlerat, arritjet si dhe prirjet e teatrit botëror, në zhvillimin e teatrit shqiptar kanë ndihmuar për rritjen profesionale të trupave artistike edhe pjesëmarrja e artistëve të ftuar nga vendet e ndryshme të botës. Në vitet ’50 në Shqipëri erdhën regjisorët e ftuar nga Bashkimi Sovjetik, si: A. F. Dudin, A. I. Kriçko, J. Kriçko, V. Bortko, Zina Andri, N. V. Çefranova (kjo e fundit, pedagoge-këshilltare për mbarëvajtjen e procesit mësimor në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” e çelur më Tiranë më 1959). Ata vunë në skenë vepra të shquara të dramaturgjisë botërore, ndër to tragjeditë “Hamleti”, “Otello”, “Mbreti Lir” të Shekspirit, “Orët e Kremlinit” e N. Pogodinit, “Tragjedia optimiste” e Vishnjevskit, komeditë “Revizori” e N. Gogolit, “Morali i zonjës Dulska” e G. Zapolska etj. Nga përvoja e shkollës ruse këta regjisorë së toku me regjisorët shqiptarë të diplomuar në Moskë dhe në vendet e Lindjes, implementuan në teatrin shqiptar konceptet themelore teatrore të shkollës ruse, atë të “sverhzadaça dhe “svjerh-svjerhzadaça” (detyra kryesore dhe superdetyra regjisoriale). Në fillim të viteve ‘60 ardhja e regjisorëve të huaj (rusë dhe të vendeve të Lindjes) u ndërpre, për të rinisur pas viteve ’90 me disa regjisorë të ftuar nga Rumania, Greqia, Franca, Maqedonia, Italia, Austria, Gjermania. Ndryshe ishte situata në Kosovë, ku në Teatrin Popullor Krahinor të Prishtinës, për vetë kushtet e atjeshme, kanë qenë të pranishëm mjaft prej regjisorëve nga republikat e Federatës Jugosllave si Georgi Paro, Dejan Mijaq, Slobodanka Aleksiq, Lubisha Georgevski, Oliver Viktoroviq, Miloje Miloviq, Vladimir Milçin, Slobodan Umkovski etj., si dhe Pirro Mani nga Shqipëria (me Gjenerali i ushtrisë së vdekur në Teatrin Krahinor Popullor të Prishtinës në Kosovë), Kujtim Spahivogli (me komedinë Karnavalet e Korçës e S. Çomorës në Teatrin e Kombësive të Maqedonisë në Shkup), Xheremi Jang (Angli), Evgenia Radomislenski (BRSS) etj.
Në fillimet e kinematografisë shqiptare kanë dhënë ndihmesë kineastët italianë dhe më pas ata sovjetikë. Pas viteve ’90 kinematografia shqiptare u orientua drejt bashkëprodhimeve me kineastë dhe shtëpi filmike të huaja. E rëndësishme është të theksohet edhe pjesëmarrja në festivalet e shumta të teatrit dhe kinematografisë që zhvillohen në botë, çka i bën më të pranishme dhe më të natyrshme ato në rrjedhat dhe integrimet e sotme kulturore e artistike europiane e botërore.
Sikundër është e kuptueshme dhe siç pohon edhe studiuesi J. Papagjoni, teatri shqiptar u mbajt fort pas vlerave të jashtëzakonshme të dramaturgjisë botërore. Ajo shërbeu si një ushqim i freskët, por edhe si një katedër mësimdhënëse ku mësohej mjeshtëria dhe rritej cilësia. Në vitet ’50 dhe fillimin e viteve ’60, repertorin e mbizotëroi dramaturgjia sovjetike, pjesa më e madhe e së cilës ishte skematike, e politizuar, glorifikuese, patetike. Megjithatë, përtej shterpësisë ideore filozofike, utopive dhe miteve politike komuniste, kishte mes tyre edhe asish që operonin me struktura dramatike interesante, çka shënuan mirëfilli arritje të ndjeshme artistike në udhën e “pjekjes” së vetë teatrit shqiptar si të tillë. Ndër to vlen të përmenden p.sh: Makar Dubrava, Fundosja e skuadrës (O. Korneiçuk), Koha e rinisë së baballarëve (B. Gorbatov), Platon Kreçiot (A. K. Borneiçuk), Ivnadimi, Karakteri moskovit (V. Sofronov), Armiqtë (M. Gorki), Për ata që janë në det, Përmbysja (A. Llavrenjev), Tragjedia optimiste (A. Vishnjevski), Orët e Kremlinit dhe Njeriu me pushkë (N. Pogodin), Ljubov Jarovaja (N. Trenjev). Por ajo që i dha hapësirë dhe frymëmarrje teatrit shqiptar në krejt hapësirën kombëtare Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, ajo që ia ruajti statusin estetik dhe sharmin si teatër në rrjedhat poetike të shekullit, ishte veçanërisht dramaturgjia që vinte nga vendet e Europës Perëndimore. Mund të veçoheshin si më të spikaturat:
Në vitet ’50-’60: Revizori (N. Gogol), Hamleti, Otello, Gratë gazmore të Uindsorit, Shumë zhurmë për asgjë, (Shekspir), Tartufi, Borgjezi fisnik (Molier), Orët e Kremlinit (N. Pogodin), Intrigë e dashuri (F. Shiler), Zonja e bujtinës, Shërbëtori i dy zotërinjve (K. Goldon), Morali i zonjës Dulska (G. Zapolska), Dhelpra dhe rrushtë (G. Figueredo), Qeni i kopshtarit e Lope de Vegës, Xhaxha Vanja (A. P. Çehov), Shtëpia e Bernarda Albës (F.G.Lorka), Ndalesa e fundit e E. M. Remarkut, Histori Irkutase e Arbuzovit, Zekthi e I. Vojniç, Vajza pa prikë e N. Ostrovskit, Vdekja e Blanko Postnet e B. Shout, Një dashuri e tillë e Pavel Kohutit, Rrënjë të thella e Gou&Djuso.
Në vitet ’70-‘80: Arturo Ui (B. Breht), Monserati (Roble), Njeriu që pa vdekjen me sy, Prometeu (V. Eftimiu), Letër e humbur e J. L. Karaxhale, I sëmuri imagjinar e Molerit, Berberi i Seviljes e Bomarshes (Pierre-Agustin Caron De Beumarkais) , Nata e dymbëdhjetë, Romeo dhe Zhuljeta, Zbutja e kryeneçes, Dy zotërinj nga Verona (Shekspir), Vizita e inspektorit (Xh. Pristli), Valsi i Titanikut (T. Mushatesku), Vdekja e një komisioneri, Shtrigat e Salemit (A. Miler), Kush e vrau Kastinjin.
 Pas vitit 1991: Këngëtarja tullace, E ardhmja qëndron tek vezët, Leksioni (Eugene Ionesco), Magjia e madhe, Cilindri, Filomena Marturano (De Filipo), Duke pritur Godon, Ah Xho! (S. Beckett), Fernando Krafti më ka shkruar këtë letër (T. Dorst), Apologjia e vërtetë e Sokratit (K. Varnalis), Kopshti me dallëndyshe, Ah, veshkat e mia (B. Cikliropulos), Armiku i Popullit (H. Ibsen) Pulëbardha, Xhaxha Vanja (A. P. Çehov), Zoopark, Kush ka frikë nga Virgjinia Wolf (E. Ollbi), Valle vdekjeje (A. Strindberg), Portreti i Dorian Grejt (O. Wilde), Koprraci, Tartufi (Molier), Kapitulli i dytë e (N. Saimon), Për një fjalë goje (N. Sarrot), Pamje nga ura (A. Miler)), Trojanët (Euripidi), Vizita e damës plakë, Franku V (F. Durrenmat), Fishkëllimë në errësirë (T. Murphy), Gjashtë personazhe në kërkim të autorit (L. Pirandelo).
Në teatrot shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u mbërrit në nivele të merituara artistike me autorë dhe vepra të tilla si: Makbethi, Hamleti, Mbreti Lir, Otello (Shekspir), Duke pritur Godon (Samuel Beckett), Njeriu që pa vdekjen me sy, Fundi i botës (Viktor Eftimiut), Konfiteor (Slobodan Shnajder), Idjoti (F. Dostojevski) Ifigjenia në Aulidë, Medea, Bakantet (Euripidi), Prometeu i mbërthyer dhe Oresti (Eskili), Mbreti Edip (Sofokliu), Xhaxha Vanja, Dasma, Fejesa dhe Tri motrat (Çehovi), Revizori, Martesa (Gogol), Koprraci, Dredhitë e Skapenit, Tartufi, I sëmuri për mend, Shkolla e grave (Molier), Procesi (Franc Kafka), Dervishi dhe vdekja (Mesha Selimoviq), Shtëpia e Bernarda Albës (F. G. Lorka), Trëndafili tatuazh (Tenneesee Williams), Mësimi (Leksioni), Karriget (Ionesco), Audienca (Vaclav Havel), Stjuardesat e Mark Kamelot (1998), Hajnat nuk vijnë gjithmonë për të keq (Dario Fo) apo të tjera si Golgota, Procesi, Rrethimi dhe “Dr”.
Veprat që vinin nga autorët dhe dramaturgjia botërore i komunikonin spektatorit shqiptar vlerat më të qëndrueshme, si gjendje e përvoja të vyera humanitare, si mesazhe veprimi e ekzistence. Brenda kësaj kornize, janë gatuar në skenën e teatrit shqiptar edhe realizimet më të mira artistike si në konceptimet regjisoriale dhe në aktrim, ashtu edhe në zgjidhjet skenografike, kostumografi, koreografi.

Teksti i “Enciklopedi -Teatri dhe e kinematografia shqiptare” e J. Papagjonit përfshin një lëndë të pasur. Duket qartë kujdesi i autorit në hulumtimin e data-bases për çdo artist dhe, më tutje, për procese, dukuri, zhvillime të teatrit dhe kinematografisë mbarëkombëtare në rrafsh historik, çka reflektohet edhe nga volumi i madh dhe tejet i detajuar i burimeve bibliografike. Nga ana tjetër, në optikën vlerësuese të autorit kanë gjetur trajtime të posaçme, përmes një gjuhe lakonike të natyrës së sintezës, arritjet artistike të realizuara në gjini, zhanre, lloje, komponente dhe përbërës të mëvetshëm të të dy këtyre arteve: teatri dhe kinematografisë shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetkë. Në raste të tilla vëllimi shkrimor paraqitet më i gjerë, brenda parametrave të një artikulli enciklopedik, dhe gati-gati merr trajtën e një synopsis për punim monografik, sikurse vihet re në nëndarje të tilla si “Kinematografia”, “Teatri”, “Dramaturgjia”, “Filmi artistik”, “Skenografia”, “Realizmi socialist” etj. Vend të veçantë autori u ka kushtuar edhe historisë së institucioneve kryesore të teatrit dhe kinematografisë, përfshi tipare, vlera si dhe profilin e tyre të krijuar në rrjedhën e viteve, nga fillimet deri në ditët e sotme. Të bën përshtypje njohja dhe kujdesi në evidentimin e gjërave kryesore e përfaqësuese në veprimtarinë artistike të këtyre institucioneve; të bën përshtypje shfrytëzimi i burimeve të pasura bibliografike; më në fund, të bën përshtypje niveli i ngritur i trajtesave për çdo njësi lidhur me këto institucione. Bie fjala, njësi të tilla si “Teatri Kombëtar” (Shqipëri), “Teatri Kombëtar i Kosovës”, teatrot e Shkodrës, Korçës, Durrësit, Vlorës, Shkupit, Gjilanit, Gjakovës, estradat e Shkodrës, Tiranës, Durrësit ose Kinematografia në Shqipëri, Kinematografia në Kosovë, Kinostudio “Shqipëria e re”, “Filmi artistik”, “Filmi Dokumentar” etj., vijnë tek lexuesi jo vetëm në trajtë shterruese brenda hapësirës së mundshme të një artikulli enciklopedik, por bëjnë njëkohësisht edhe ravijëzime për atë çka e dallon këtë apo atë institucion teatror a kinematografik në optikën e artit dhe të krijimtarisë së realizuar në kohë. Më në fund, më duhet të them se kjo enciklopedi e parë dhe e plotë për teatrin dhe kinematografinë shqiptare (mbarëkombëtare) është një kontribut i vyer që e pasuron bibliotekën e mendimit kritik, shkencor dhe estetik mbi këto arte duke i ofruar lexuesit një hapësirë të gjerë njohjeje dhe vlerësimi.