Gjeopolitika, Shqipëria dhe bota islamike nën një këndvështrim aktual

Edval ZOTO



Tradicionalisht Shqipëria apo më mirë të thuhet trojet shqiptare në Ballkan kanë gëzuar një “tis” kompleks në hapsirën e asaj paqartësie e papërcaktueshmërie politike që ka karakterizuar Ballkanin si koncept gjeografiko-politik, që ndër mendimtarë e shkrimtarë kombëtarë më së shumti i është dhënë një kuptim gjeopolitik e ndër të tjerë jokombëtarë e më së shumti antikombëtarë i është dhënë një kuptim strategjik. Të gjitha këto kuptime gjithsesi janë motivuar nga të parët nga interesa shtet ose pushtetformuese ndërsa nga të dytët nga interesa thellësisht materialiste duke i lënë kështu përcaktimet të cunguara dhe ndonjëherë dhe vetë ato të mbivlerësuara ose të nënvleftësuara. Për këtë arsye nëse kërkohet të nxirret një përfundim mbi pritshmëritë dhe përparësitë e Shqipërisë në fushën e gjeopolitikës, për të mos rënë në “stokun” e teorive të sipërpërmendura por pa i nënvleftësuar ato, është e nevojshme të përcaktohen kufijtë dhe konceptet e analizës. Kjo për arsye se nëse kërkohet të studiohen me saktësi, sado jo-matematike, faktorë jo-matematikë si ato që lidhen me konceptin e gjeopolitikës, edhe kjo vetë koncept jo-matematik pavarësisht gjysmës gjeografike të tij, është e domosdoshme të përcaktohen “bashkësitë” e interesuara në “përllogaritje”.
Kështu fillimisht duhen përcaktuar konceptet themelore të trajtuara si koncepti “gjeopolitikë”, koncepti “Shqipëri”, koncepti “botë islamike” dhe më pas duhen formuluar me kthjelltësi faktorët dominues, faktorët ndikues faktorët ndërveprues, elementët e favorizuar, elementët e mohuar, dukuritë dhe tendencat. Fillimisht, pa hyrë në detaje, vetë gjeopolitika gëzon një farë shpërhapjeje kuptimore “entuziaste” dhe pikërisht një gjë e tillë duhen bërë përpjekje për ta evituar gjatë shqyrtimit të temës në fjalë. Gjithashtu po për vetë mungesën e kuptimit të unifikuar të saj çdo përfundim rezultant vetvetiu bëhet i diskutueshëm. Në thelb qëllimi i këtij studimi edhe të ngrejë debatin mbi këtë temë.

Gjeopolitika?! Cila gjeopolitikë?

Mendimi gjeopolitik lindi në përfundim të shekullit të XIX, kur gjeografë dhe mendimtarë të tjerë provuan të analizonin, kuptonin dhe shpjegonin ndryshimet dhe hapësirat shtetërore në botën e “fin de siecle”. Sipas Glassner[1] gjeopolitika merret kryesisht me studimin e shtetit në kontekstin gjeografik. Në këtë hark kohor kjo nevojë lindi si pasojë zhvillimit teknologjik dhe shkencës të cilat zgjeruan së tepërmi perspektivat mbi botën dhe sidomos pas konsolidimit të sistemit të shteteve moderne, në kulm të periudhës perandorake të fuqive evropiane, me daljen në skenë të dy fuqive jashtë-europiane si Japonia dhe SHBA por edhe nën presionin e rritjes demografike të shoqëruar me zvogëlimin e burimeve. Termi “gjeopolitikë” është përdorur për herë të parë nga përfaqësuesi njërës prej rrymave tradicionale të gjeopolitikës, asaj të teorisë organike të shtetit, Rudolf Kjellen[2], megjithëse i pari teoricien gjeopolitik ishte Fredrich Ratzel[3]. Sipas teorisë organike të shtetit të themeluar nga të sipërpërmendurit, shteti i parë domosdoshmërisht nën këndvështrimin determinist, qëndronte në qendër të vëmendjes dhe konsiderohej një organizëm i gjallë, të cilit Ratzel i njohu një hapsirë jetësore të domosdoshme që ndryshonte formë në varësi të elementit njeri në brendësi të shtetit dhe Kjellen i njohu organet, njëri prej të cilëve ishte dhe struktura fizike, që në gjuhën amtare të tij, merrte emrin “gjeopolitik”, gjeopolitikë. Nën këtë rryme dhe sipas pikëpamjeve të tyre, e sidomos ideve të Kjellen, pak vite me vonë, u formësua “Geopolitik” gjermane. Ishte Haushofer[4] ai që përthithi teoritë e para gjeopolitike, bëri kombinimet e duhura dhe duke i shtuar një dozë të mjaftueshme shovinizmi dhe misticizmi nacional socialist gjerman e ktheu në një manual për politikanët gjermanë[5]. Idetë e tij i propagandoi nëpërmjet themelimit në vitin 1924 të të përmuajshmes “Zeitschrift Fur Geopolitik” e duke krijuar kështu shumë ndjekës që e kthyen gjeopolitikën në një doktrinë ku u mbështet ekspansionizmi gjerman, që ashtu si ai edhe kjo “Geopolitik” u fundos me kapitullimin e Gjermanisë. Gjithsesi kësaj rryme i përkasin risitë në fushën e propagandimit të gjeopolitikës nëpërmjet shpërndarjes së hartave, vetë koncepti i propagandës, luftës psikologjike, asaj totale dhe përdorimit të fuqisë ajrore, pa mënjanuar rëndësinë që morën informacionet e përftuara nga gjeografia në fushatat ushtarake.
Rryma e dytë tradicionale në gjeopolitikë ishte gjeostrategjia sipas ndjekësve të së cilës, që janë më të shumtë se ndjekësit e rrymës së teorisë organike të shtetit, bota politike duhet parë në kompleks dhe sipas kontekstit global është e mundur të përcaktohen strategji ose politika. Kjo rrymë ka pasur një zhvillim në një farë mase të ndikuar fuqishëm nga faktori zhvillim industrial e shkencor. Kështu në epokën e fuqive detare Alfred Mahan zhvilloi teoritë e tij mbi domosdoshmërinë e zotërimit të detit dhe rrugëve detare, me zhvillimin e hekurudhave dhe zgjerimin e rrugëkalimeve tokësore Halford Mackinder[6] faktorizoi rëndësinë e hapsirës tokësore dhe të zotërimit të pjesës qendrore (heartland) të hapsirës aziatike. Ky i fundit u kundërshtua nga John Spykman i cili faktorizoi brezin anësor (rimland). Me zhvillimin e shkencës dhe me përhapjen e aviacionit Alexander de Seversky evidentoi rëndësinë e fuqisë ajrore, ndërsa në mes të Luftës së Ftohtë Saul B. Cohen, i ndikuar nga konteksti hartoi teorinë e zonave të influencës ku veçohet parashikimi i tij mbi shpërthimin e problemeve të trashëguara pas rënies së komunizmit në vendet e shtrira në brezat e përplasjes së zonave të influencës, në rastin e Shqipërisë, midis zonës së influencës së Europës Qendrore dhe asaj së Europës Lindore.
Pak vite më parë gjeostrategjik ishte pasuruar dhe me idetë e Lin Piao (1965) i cili shtjellonte botën si një qytet i rrethuar nga fshati, në të cilin do të triumfonte komunizmi, sipas modelit kinez. Një tjetër gjeostrateg do të shihte teorinë e tij të zbatuar në realitet, Arthur Radford, i cili ndikoi në zgjedhjen amerikane për të vepruar në Vietnamin e Jugut e më pas dhe në Nikaragua me teorinë e dominosë (1953). Ndërsa teoritë e Lin Piao janë shqyrtuar edhe në Shqipëri[7] dhe kundërshtuar, pas prishjes së marrëdhënieve sino-shqiptare, pikërisht me teza të kontekstualizuara, teoria e Radford-it ishte më tepër e kontekstualizuar me rajonin e Lindjes së Largët dhe me atë të Amerikës Qendrore dhe nuk mund të gjente zbatim në rajonin ballkanik të fortifikuar në gardhin e hekurt midis dy kampeve ideologjike.
Ndërsa në rrymën gjeostrategjike Shqipëria, si shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe më një ideologji sunduese për kohën, gjen të kontekstualizuar vetveten në raste të ndryshme, në rrymën e teorisë organike të shtetit, përjeton një dekontekstualizim nga pikëpamja shtetërore, kjo edhe pasi në mungesë të elementëve thelbësorë të kësaj teorie, shtetit si figurë qendrore, përhapjes gjeografike si element fuqie dhe kohëzgjatjes së këtyre të dyjave si mungesë e elementit kohë, dhe gjendet në pjesën përbërësë të atij “lebensraum-i” për shtete të tjera organike duke filluar nga Turqia e turqve të rinj, duke vijuar me Bullgarinë, Greqinë, Mbretërinë SKS, Malin e Zi, Francën, Anglinë, Austrohungarinë e së fundmi Italinë e Gjermaninë.
Por të mos kalojmë në rendin kohor përtej përfundimit të Luftës së Ftohtë pa bërë një përcaktim të gjeopolitikës në këtë periudhë kohore, pra nga lindja deri në këtë moment. Në përgjithësi në këtë periudhë e papërjashtimisht në harkun kohor të “Geopolitik” gjermane, gjeopolitika cilësohet si një shkencë. Duke iu referuar Haushofer-it, gjeopolitika është “një shkencë e re kombëtare e shtetit; një doktrinë e proceseve politike të mbështetura në determinizmin hapësinor dhe në themelet e gjera të gjeografisë sidomos gjeografisë politike”.
Por cilat ishin zhvillimet e gjeopolitikës pas viteve ’90? Gjithnjë e më pak gjeopolitika cilësohet si një shkencë dhe gjithnjë e më shumë forcohen pikëpamjet në një rrymë të re në mendimin gjeopolitik, atë të gjeopolitikës kritike. Në thelb shkolla e gjeopolitikës kritike[8] mbështetet në vështirësinë e materializimit të gjeopolitikës si shkencë. Një nga më të mëvonshmit që e ka quajtur gjeopolitikën shkencë, Chauprade[9] në përkufizimin e tij pavarësisht emërtimit të gjeopolitikës si shkencë e vendos theksin në analizën gjeopolitike më shumë se në vetë gjeopolitikën; “Gjeopolitika është shkenca e kuptimit dhe njohjes gjeopolitike të realitetit gjeopolitik si dhe të ardhmes së tyre duke analizuar profilet, figurat dhe shifrat gjeopolitike” duke shtuar se “është një shkencë e varur nga zhvillimet e kohës”. Gjithashtu thekson se “shtetet nuk janë realitetet e vetme gjeopolitike” duke i cënuar bazat e gjeopolitikës që nga lindja e saj.
Por kjo dukuri e cënimit të bazave të gjeopolitikës është e pashmangshme duke pasur parasysh zhvillimin linear dhe “objektiv” të saj. Gjeopolitika lindi si pasojë e ndryshimeve të mëdha të ndodhura kryesisht si pasojë e forcimit të shteteve, u zhvillua në formën e saj më të plotë, si shkencë, në kulmin e shpalljes së shtetit si faktor ndryshimi dhe domosdoshmërisht me ndryshimin e karakteristikave të shtetit do pësojë dhe gjeopolitika ndryshimet e saj në raport të drejtë. Kështu është mëse normale që zbehja e shtetit në aspektin e sovranitetit dhe në aspektin e pamundësisë së mbijetesës në “vetmi” dhe pamundësisë së zgjerimit gjeografik substancial, sipas nevojave të “lebensraum”, do të sjellë një zbehje të vazhdueshme të këndvështrimit shkencor të gjeopolitikës. Kështu në vazhdën e kësaj “zbehjeje shkencore” të gjeopolitikës lëvrues të këtij lëmi japin përkufizime të ndryshme rreth të cilave zhvillohet aktualisht mendimi gjeopolitik botëror. Cohen[10] e përcakton gjeopolitikën si “analizë e ndërveprimit midis faktorëve gjeografikë dhe perspektivave e proceseve politike” duke nënvizuar karakterin dinamik të saj nëpërmjet ndërveprimit. Lacoste[11] në të njëjtën linjë me Chaprade, përsa i përket anashkalimit të shtetit si subjekt gjeopolitik dhe Cohen, përsa i përket dinamizmit në përcaktimin gjeopolitik, thekson se “gjeopolitika është rivalitet midis fuqive që jo domosdoshmërisht janë shtete”. Elementin fuqi e njeh dhe Flint[12] që shprehet “gjeopolitika është lufta për kontrollimin e hapësirave dhe vendeve, e tërhequr nga fuqia që ky kontroll sjell; këto çështje janë sofistikuar së tepërmi dhe nuk janë më çështje të fuqisë së armatosur”. Ndër përfaqësuesit e gjeopolitikës kritike gjeopolitika përkufizohet në më të shumtën e rasteve si temë diskutimesh, vizion apo edhe si shpikje me karakter konspirativ. Kështu Ò Tuathail[13] e përcakton si “një diskutim mbi politikën botërore duke pasur parasysh konkurrencën midis shteteve dhe dimensionet gjeografike të fuqive”. Gjithashtu gjeopolitika sipas Ò Tuathail “merret me rreziqet dhe fuqinë në çështjet ndërkombëtare; është tërheqëse pasi shpjegon thjeshtësisht çështje të gjera; ka popullaritet pasi premton alternativa të së ardhmen në çështjet ndërkombëtare”. Nga ana tjetër Taylor[14] shprehet se “ gjeopolitika shfaqet si një term popullor për të përshkruar kundërshtitë globale në politikën ndërkombëtare” dhe “në të vërtetë është krijuar prej lobeve ushtarake dhe neo-konservative në mënyrë që gjeografia të ketë një trajtim të përhershëm sipas së cilës të rrotullohet mendimi strategjik”. Më të moderuar janë Criekemans[15], që e cilëson gjeopolitikën si “diçka midis gjeografisë politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, dhe Defarges[16] që më shpoti shprehet “Në çdo rast, çdo qytetërim, ka vizionin e tij mbi përfaqësimin në hapësirë”.
Sipas fjalorëve shkencorë të përditësuar gjeopolitika përcaktohet më me ftohtësi si tek Merriam Webster që e përcakton gjeopolitikën “një studim i influencës së faktorëve si gjeografia, ekonomia dhe demografia mbi politikën dhe sidomos politikën e jashtme të shtetit. Në Oxford Advanced Learner’s Dictionary of Current English, shkurtimisht përcaktohet se “gjeopolitika është politika e jashtme e një shteti e përcaktuar në bazë të pozicionit të tij gjeografik”.
Duke u nisur nga përcaktimet e mësipërme mund të përcaktojmë faktorët që ndikojnë në gjeopolitikë, tek objektet dhe subjektet e saj. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme dhe nuancave karakterit shkencor të gjeopolitikës së ditëve tona janë të shumtë faktorët të cilët nuk mund të anashkalohen por ata më me ndikim janë: faktorët që lidhen me politikën e jashtme të shteteve, si elementi thelbësor në funksion të së cilit është vetë gjeopolitika, faktorët që lidhen me gjeografinë dhe ato që lidhen me individin, si pjesë përbërëse e shtetit.
Ndoshta nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor me ato që përmendte Spykman[17] në vitin 1938 “Faktorët që ndikojnë politikat e shteteve janë të shumtë, të përhershëm e të përkohshëm, të dukshëm dhe të padukshëm; përfshihen përveç faktorit gjeografik dhe identiteti i popullsisë, struktura ekonomike e vendi, përbërja etnike e popullsisë, forma e qeverisjes si dhe paragjykimet dhe komplekset e ministrave të jashtëm”. Në të vërtetë ka ndryshuar thellësisht konteksti si në planin politik, qoftë dhe në atë gjeografik apo njerëzor, por edhe mënyra e qasjes ndaj gjeopolitikës. Tani ajo paraqitet më shumë si një model diskutimi dhe paraqitjeje e mundësive sipas studimeve sesa një teori që tregon si ndërthuret hapësira dhe politika[18]. Kjo qoftë edhe për faktin e mësymjes së faktorëve të rinj qoftë në cilësi qoftë në sasi, si: kultura, gjinia, sjellja njerëzore, ndryshimet klimatike, pabarazia sociale, rreziqet nga përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, gjenocidi, paqëndrueshmëria, brutaliteti, stabiliteti, globalizmi etj.
Çështja është se pikërisht kjo mësymje faktorësh ka pjesën e vet të ndikimit në procesin e shndërrimit të gjeopolitikës.


Shqipëria dhe përcaktime gjeopolitike

Nëse do të duhej t’i jepej një vend Shqipërisë në gjeopolitikë ky vend do të ishte shumë i vogël, kjo qoftë për arsye të kushteve gjeopolitike por edhe për shkak të natyrës pasive të saj në gjeopolitikë. Pasiviteti shqiptar në fushën e gjeopolitikës është induktuar qoftë prej faktorëve të jashtëm dhe qoftë prej faktorëve të brendshëm. Historia vjen në ndihmë për të mbrojtur një tezë të tillë. Ashtu siç përcakton dhe Hay[19] se “kuptimi më i mirë i gjeopolitikës realizohet kur ka një qasje historike, duke shqyrtuar zhvillimet në hark të gjerë kohor në vend të kapje së çastit fotografik”, duke e vendosur këtë përcaktim në kontekstin shqiptar është e qartë se Shqipëria në vetvete nuk ka luajtur rol gjeopolitik të rëndësishëm. Ashtu siç u parashtrua edhe më sipër, në përshkrimin e vijimësisë dhe kuptimit gjeopolitik rezulton se Shqipëria ka pasur mangësi sidomos në kushtin politik në gjeopolitikës por nuk duhet nënvleftësuar elementi gjeografik i saj dhe rëndësia e tij sidomos në periudhën e zhvillimit të gjeopolitikës tradicionale. Në një moment të dytë, sidomos në periudhën moderne dhe post-moderne Shqipëria ka fituar një rol politik por ka humbur rëndësinë gjeografike, kjo për arsye që do të shikohen në vijim. Duke mos u shkëputur nga qasja dhe rëndësia historike si dhe duke pasur parasysh duhet përcaktuar në radhë të parë se me cilët faktorë gjeopolitikë lidhet Shqipëria në vijimësinë historike. Në periudhën e fundit të shekullit të XIX dhe fillim-shekullit të XX faktori gjeopolitik që ka përfshirë Shqipërinë në gjeopolitikë ka qenë Perandoria Osmane, si përfaqësuese, gjeografikisht dhe politikisht, e Lindjes. Ky faktor ka pushuar së ekzistuari me rënien e Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht me shkëputjen politike të Shqipërisë, me shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit shqiptar. Në këtë moment Shqipëria gëzon një rëndësi gjeografike në vetvete dhe një rëndësi politike në pikëpamjen e interesave të shteteve perëndimore, që përfaqësojnë gjeografikisht dhe politikisht Perëndimin. Në gjysmën e dytë të gjysmëshekullit të XX Shqipëria kalon nën ndikimin e gjeopolitikës perëndimore duke u bërë fushë-lojë e lojtarëve të ndryshëm perëndimorë, veprimet e të cilëve kanë lënë shenja të mëdha edhe në konfigurimin e sotëm gjeopolitik modest të Shqipërisë. Atë rëndësi gjeopolitike që Shqipëria mori në gjysmën e parë të shekullit të XX do ta humbiste më fillimin e gjysmës së dytë të shekullit, e sidomos në periudhën e instalimit të regjimit komunist në vend. Duhet përmendur edhe fakti se gjatë kësaj periudhe ajo rëndësi u humb jo vetëm për shkaqe politike të bashkëlidhura me ideologjinë politike shqiptare por edhe për zbehjen e rëndësisë gjeografike të saj si pasojë e zhvillimit galopant të teknologjisë dhe industrisë dhe spostimit të qendrave të prodhimit apo të udhëkryqeve ekonomike, politike por edhe kulturore. Që nga lindja e gjeopolitikës Shqipëria ka pasur rëndësi të pjesshme në përputhje me kushtet gjeopolitike por edhe të kufizuara në aspektin kohor duke e shfaqur atë në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm në “çaste fotografike”. Edhe periudha e mësipërme nuk përbën përjashtim nga kjo dukuri. Për të analizuar Shqipërinë në këndvështrimin gjeopolitik aktual segmenti kohor i përcaktuar për këtë qëllim është ai që nis me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe që vijon deri në ditët e sotme. Faktorë të tjerë jashtë këtij segmenti kanë një vlerë historike por jo dhe aq gjeopolitike. Kjo qoftë për ndryshimin thelbësor të kontekstit por edhe për ndryshimin thelbësor të qasjes gjeopolitike. Për të bërë një analizë të tillë le të përqendrohemi në faktorët kryesor gjeopolitikë sipas qasjes gjeopolitike aktuale.
Faktorët e parë me rëndësi janë ato faktorë që lidhen me politikën e jashtme të subjekteve gjeopolitikë. Shqipëria për shkak të gëzimit të përcaktimit “shtet” është një subjekt gjeopolitik. Si një subjekt i të drejtës ndërkombëtare Shqipëria, një republikë parlamentare dhe demokratike, gëzon anëtarësinë në shumë organizata ndërkombëtare, pjesa më e madhe e të cilave ka një orientim perëndimor. Objektivi kryesor në politikën e jashtme të Shqipërisë është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe influenca e këtij organizimi ndërkombëtar është e padiskutueshme në zhvillimin e politikave në Shqipëri. Gjithashtu ndër të tjera Shqipëria është anëtare e një organizimi në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes me karakter gjeografik thelbësisht perëndimor. Duke u nisur nga këto të dhëna të njohura botërisht mund të përcaktohet se gjeopolitika shqiptare, në tërësinë dhe modestinë e saj në vetvete, dhe vlerën e shtuar të përfituar nga këto orientime të politikës së jashtme, është e orientuar nga Perëndimi, sidomos politikisht. Si pjesëmarrëse në organizata ndërkombëtare të tjera me një shtrirje të pjesëmarrësve të saj përtej hapësirës perëndimore Shqipëria është anëtare e OSBE, Organizatës së Bashkëpunimit Islamik e të tjera organizime të cilat kanë një impakt të parëndësishëm në orientimin e saj kryesor dhe kjo jo vetëm për arsye zgjedhjeje nga ana e Shqipërisë por edhe për shkak të mungesës karakterit detyrues në vendimmarrjen e këtyre organizatave, të cilat në më të shumtën e rasteve konsiderohen si forume diskutimi. Në aspektin e politikës së jashtme dhe bashkëpunimit dypalësh Shqipëria ka më shumë marrëdhënie me Italinë, Greqinë, Turqinë, Gjermaninë dhe SHBA. Me këto shtete ka marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi në fusha të ndryshme por sidomos ato ekonomike me të parat dhe kryesisht politike të fundit.
Për sa i përket faktorit gjeografik në përcaktimi gjeopolitik të një subjekti, Shqipëria si shtet shtrihet në rajonin e Europës Juglindore dhe ka një sipërfaqe gjeografike mesatarisht të vogël, me dalje në detin Mesdhe dhe terren kryesisht të thyer dhe malor. Vetë përcaktimi “Europë Juglindore” është një term gjeopolitik[20] i përdorur gjerësisht sidomos pas lindjes së Paktit të Stabilitetit në vitin 1999. Si pasojë e karakteristikave të relievit, infrastrukturës së dobët por edhe zhvillimeve në gjeografinë ekonomike Shqipëria nuk ka një pozicion gjeografik të favorshëm sidomos në planin ndërkombëtar. Mungesa e kapaciteteve portuale por edhe aeroportuale, si dhe infrastrukturës së dobët rrugore ka ndikuar në spostimin e qarkullimit të mallrave, shërbimeve dhe fuqisë punëtore larg hapësirës gjeografike shqiptare. Në planin e shfrytëzimit të burimeve ujore e energjitike Shqipëria është natyralisht e favorizuar por zhvillimi i ulët teknologjik dhe mungesa e projekteve serioze të shfrytëzimit të tyre nuk i jep vendit një pozitë të favorshme në këtë aspekt. Në planin e vendodhjes gjeografike Shqipëria gjendet në rrugëkalimet tradicionale Lindje-Perëndim[21] dhe në planin e vendodhjes gjeografiko-politike shtrihet në një rajon problematik dhe me sfida të mëdha në aspektin e sigurisë. Në këtë aspekt gjeografia e Shqipërisë përbën një element të favorshëm për trafiqet e ndryshme ilegale, por paraqet edhe interes ndërkombëtar në kuadrin e nevojës për stabilitet dhe forcim të ligjit. Në aspektin e burimeve ushqimore dhe të prodhimit vendas Shqipëria ka një nivel të ulët prodhimtarie dhe këtë e tregon raporti midis importeve dhe eksporteve.
Në përgjithësi, duke marrë parasysh karakteristikat e sipërpërmendura faktori gjeografik në gjeopolitikën e Shqipërisë, ndonëse për shkaqe natyrore paraqitet i favorshëm, nuk ka qenë dhe nuk është aktualisht favorizues.
Përsa i përket faktorëve gjeopolitikë që lidhen me individin si pjesë përbërëse të shtetit shqiptar duhen marrë parasysh një sërë elementësh me ndikim duke nisur nga identiteti kombëtar, kulturor, fetare shoqëror e deri tek ndryshorët demografikë. Në thelb identiteti shqiptar është produkt i shumë faktorëve që lidhen me historinë kombëtare dhe zhvillimet historiko-politike në vend. Pikërisht ky faktor paraqet një vështirësi më të lartë për tu identifikuar në krahasim me faktorët e sipërpërmendur. Mendimtarë dhe autorë të ndryshëm, vendas e të huaj janë përpjekur të shtjellojnë karakteristikat e identitetit shqiptar në rrjedhën e historisë. Ajo se çfarë vihet në dukje në një plan të përgjithshëm është veçantia e tij por edhe kompleksiteti që e kaakterizon. Zhelyazkova[22] përcakton se shqiptarët e sotëm gjenden përballë alternativave komplekse identiteti të prejardhura nga tradita, ndryshimet veri-jug, ndasitë politike, kuptimin e vlerave të Lindjes e Perëndimit, perceptimi ndaj “tjetrit” etj. Sipas saj maturimi dhe konsolidimi i identitetit shqiptar akoma nuk ka ndodhur në Ballkan. Një gjë të tillë është pohuar edhe dekada më parë. Përcaktime sentimentale dhe të bëra jo me aq qetësi shpirtërore apo me diplomaci “shkencore” lexohen edhe tek “Kujtimet” e Eqerem Bej Vlorës[23]. Ai shprehet se “Shqiptari ka prapa një traditë mijëravjeçare kapadaillëku dhe dhune; populli nuk u këndon mendjelartëve, shpirtmirëve, zemërdhembshurve, por mburr hakmarrësin, trimin, të pamëshirshmin, të dhunshmin dhe intrigantin” dhe vijon me “natyra e shqiptarit nuk e duron as disiplinën mendore, as atë fizike, po as rregullin” dhe serish “Shqiptari e ka për natyrë që ta rritë me sa mund rëndësinë e vet, ai nuk e duron dot përditësinë, normalitetin, ai nuk kënaqet kurrë me të parriturën, por synon prorë të paarritshmen. Përkorësia për të nuk është virtyt, por mungesë vetëdije. Kush e quan veten dikush, duhet t’i imponohet të tjerëve, duhet të mbahet rëndë, të shquhet për sjellje autoritare, por njëherësh atëroro-patriarkale. T’u këndoftë kënga në të gjallë! Ky është urimi më i mirë që mund t’i bëjë një lab tjetrit”. Eqerem Bej Vlora përpiqet të shpjegojë kundërtitë e natyrës dhe identitetit shqiptar me gjeografinë dhe shkruan “Malet e Shqipërisë janë gëlqerorë dhe mbartin në vetvete zymtësinë e natyrës karstike. Veçoria e peisazhit shqiptar qëndron në fqinjësinë e kundërtive, të cilat e bëjnë vendin t’i ngjajë një skenari kulimash teatrale të ndryshme e fantastike. Mos vallë karakteri i shqiptarëve, tërë kundërshti, shpjegohet me natyrën që i rrethon këta njerëz?” Një mendim të tillë mbi kundërtitë në identitetin shqiptar kanë dhe diplomatë të ndryshëm të kohës së tij. D’Estournelles de Constant, senator francez i shprehet se “shpirti shqiptar është një përzierje poshtërsie dhe fisnikërie”. Vetë fisniku i Vlorajve e mbështet këtë thënie duke shtuar “Te fshatari dhe bariu më i humbur mund të fshihet heroi apo zemërlepuri, fisniku apo batakçiu”.
Paqartësia dhe tensioni karakterizojnë edhe botëkuptimin e shqiptarit në aspektin e patriotizmit, si aspekt thelbësor i identitetit kombëtar[24]. Në këtë aspekt në mungesë të sondazheve specifike, të cilat realizohen shpeshherë në vende të tjera, për sa i përket Shqipërisë mund të bëhen vetëm supozime empirike. Ajo se çka mund të thuhet pa mëdyshje është se Shqipëria gëzon karakteristikat e një vendi perëndimor dhe zhvillimet në aspektin e patriotizmit kanë respektuar përgjithësisht karakteristikat e sipërpërmendura. Duhet marrë parasysh fakti që orientimi i patriotizmit si dukuri në Shqipëri, ndryshon nga orientimi i patriotizmit për sa i përket kombit shqiptar, kjo për faktin e mirënjohur se kombi shqiptar është copëtuar dhe ka jetuar nën organizime të ndryshme shtetërore që për një kohë të gjatë nuk kanë pasur karakteristika apo kërkesa të njëjta. Përderisa shteti është një konsumator natyral i qasjeve patriotike, ekzistenca në shtete të ndryshme të kombit shqiptar ka bërë që edhe qasjet e tyre ndaj patriotizmit të ndryshojnë kryesisht në intensitet dhe në raportin nacionalist/humanist. Për sa i përket nivelit shtetëror, Shqipëria ka konstitucionalizuar patriotizmin kombëtar (duke u mbështetur në përmbajtjen e preambulës dhe të nenit 8 të Kushtetutës), fakt i rëndësishëm dhe që e dallon nga shumë vende të tjera perëndimore dhe që ndikon edhe në veprimtarinë shtetërore të saj.
Në nivelin politik, sipas modelit perëndimor, patriotizmi haset simbolikisht në dokumentet themelorë të partive kryesore në vend ndërsa në oratorinë politike publike, shpeshherë patriotizmi është shfrytëzuar për arritjen e objektivave politikë. Ky i fundit është një fakt i cili rëndon opinionin publik, patriotizmi i të cilit prej më shumë se dy dekadash ka pësuar “goditjet” globaliste të shoqëruara me doza të forta paqëndrueshmërie politike edhe në planin kombëtar gjithë-shqiptar. Për këtë arsye, gjithmonë duke u nisur nga arsyetime empirike, publiku shqiptar është i drejtuar drejt një patriotizmi pasiv dhe të verbër, si pasojë e keqpërdorimit politik të patriotizmit, të pasigurisë të ushqyer nga konfliktet ballkanike, mungesa e koherencës në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan, mungesa e komunikimit për një kohë të gjatë dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut në shumë raste.
Po kështu edhe në aspektin fetar, shqiptarët nuk janë dalluar për erudizëm të veçantë. Këtë aspekt do e shohim më tej por gjithsesi duhet përmendur se fenë shqiptarët e kanë konsideruar si diçka të jashtme në identitetin e tyre. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” do të ishte shprehja më e përdorur në këtë aspekt që nga Rilindja e deri tek deklaratat e kreut aktual të shtetit shqiptar. Por duke gjykuar karakterin delikat dhe paqartësinë ndaj vlerave dhe kuptimeve një angazhim fetar i jashtëm do të mund të bënte një ndryshim të fortë në këtë aspekt. Për sa i përket shifrave që qarkullojnë aktualisht për përkatësinë fetare ato paraqesin fiktivitet për arsye se pasqyrojnë të dhëna jo të përftuara nëpërmjet sondazheve zyrtare.
Në përgjithësi identiteti shqiptar mund të ketë një rol jo pak të vogël në faktorin gjeopolitik human duke pasur parasysh rrethimin shtetëror të Shqipërisë nga popullsi me identitet gati të njëtrajtshëm[25].
Një element tjetër i faktorit human një gjeopolitikën e Shqipërisë është përbërja demografike. Në këtë aspekt duke gjykuar problemet globale në fushën demografike Shqipëria paraqitet gjeopolitikisht në gjendje të favorshme. Me një koeficient lindshmërie tek femrat 2.1 dhe me një rritje natyrore vjetore mbi 20 mijë individë[26], renditet e para në Europë. Gjithashtu shpërndarja e popullsisë sipas grupmoshave jep një moshë mesatare prej 29 vitesh dhe një përqindje të lartë të popullsisë në moshë të re (65%) duke favorizuar zhvillimin kombëtar jo vetëm në aspektin demografik por edhe atë ekonomik[27].
Një element tjetër i rëndësishëm i faktorit human në gjeopolitikën shqiptare është elementi prezencës së komuniteteve shqiptare që jetojnë jashtë vendit. Këto komunitete dhe anëtarët e tyre, që sidomos në Itali e Greqi përbëjnë një numër jo të vogël mund të luajnë një rol të rëndësishëm në afirmimin e objektivave shtetërore e kombëtare të Shqipërisë. Impakti ekonomik dhe kulturor i tyre është i rëndësishëm jo vetëm për shtetin shqiptar por edhe për shtetet ku ato janë vendosur, këtu vlen për tu përmendur roli i komunitetit shqiptar në SHBA që është më i organizuari politikisht dhe me një histori rreth 100 vjeçare.
Si përfundim faktori human në përcaktimin e gjeopolitikës shqiptare luan një rol të rëndësishëm dhe deri diku premtues megjithëse është thelbësore përpunimi i mëtejshëm i tij në favor të zhvillimit të mëtejshëm të shtetit dhe afirmimit të politikave të tij.

Bota islamike, nevoja për një përcaktim gjeopolitik

Së pari është e nevojshme të identifikohet gjeopolitikisht ajo çfarë quhet rëndom “botë islamike” pasi në këndvështrime të ndryshme politike ajo merr konfigurime jo të njëjta gjeografike. Në këndvështrimin gjeografik bota islamike shtrihet në kufijtë e shteteve që kanë një popullsi në shumicë numerike myslimane dhe në këtë bëjnë pjesë rreth 39 shtete në botë, ku përfshihen dhe shtete të Europës Juglindore. Në këndvështrimin politik bota islamike përbëhet nga vendet që fillojnë nga Maroku dhe në drejtimin perëndim-lindje deri në Pakistan, të cilat janë vende të lidhura politikisht dhe ekonomikisht si dhe ndajnë të njëjtat probleme tradicionale dhe strategjike. Kjo botë islamike, në emërtimin gjeopolitik haset edhe në formën “Lindje e Mesme e zgjeruar”[28]. Në këtë vijë mendimi edhe vetë islami merr një kuptim dikotomik, njërin si fe monoteiste me një numër të madh ndjekësish në rang botëror dhe tjetrin si fenomen politik ndërkombëtar. Kuptimi i dytë shoqërohet me shumë elementë përbërës me natyrë dikotomike si përshembull ndasitë politike midis rrymave suni dhe shia, midis islamit të moderuar dhe atij radikal, atij modern dhe tradicional, atij proamerikan apo antiamerikan si de atij pro-perëndimor dhe anti perëndimor. Një analizë më e hollësisht është e mundur duke zvogëluar sferën e ekspertizës dhe duke u përqëndruar në elementët më me influencë sipas rasteve studimore.

Gjeopolitika e marrëdhënieve Shqipëri–Botë islamike, midis sigurisë sociale dhe sigurisë ndërkombëta-re

Ashtu siç u parashtrua më sipër për të përcaktuar gjeopolitikën e luajtur nga bota islamike, si përcaktim gjeopolitik, është e nevojshme të kufizohet sfera e kërkimit dhe studimit të elementëve të këtij ndërveprimi. Për sa i përket marrëdhënieve Shqipëri- botë islamike në aspektin gjeopolitik janë disa faktorët që paraqesin vëmendje duke u përqendruar në situatën aktuale por edhe duke bërë një prognozë të shkurtër mbi zhvillimet më të reja në botën islame. Së pari, faktori më me influencë gjeopolitike që katapultohet nga bota islame në drejtimin e Shqipërisë është gjeopolitika e Turqisë. Së dyti është tendenca në rritje e ushtrimit të presionit me baza fetare dhe me mënyra financiare mbi islamin tradicional shqiptar nga ana e elementëve më konservatorë dhe shpeshherë radikalë të prejardhur nga vende të ndryshme të botës islamike. Së treti një faktor me rëndësi në këtë aspekt është afërsia gjeografike me zonat e destabilizuara të botës islame e cila krijon premisa për pasoja në aspektin e sigurisë jo vetëm në planin kombëtar por edhe në atë rajonal e më gjerë.
Le të shqyrtojmë faktorin e parë, pra rolin e gjeopolitikës së Turqisë si element i botës islamike, në Shqipëri. Si fillim duhet theksuar se Turqia nuk është një faktor i ri gjeopolitik në Shqipëri, ndryshe nga dy faktorët e tjerë të sipërpërmendur. Turqia e sotme përveç afërsisë gjeografike me Shqipërinë gëzon në kujtesë edhe pesë dekada dominim në trojet shqiptare gjatë të cilave individi shqiptar ka ndryshuar, i detyruar por edhe me dëshirë, sipas rastit, në mënyrë të pashmangshme identitetin e tij dhe aktualisht çdo tentativë komunikimi turko-shqiptar nuk do të përbënte vështirësi të mëdha. Në planin fetar pikërisht periudha e dominimit turk në trojet shqiptare ka bërë të mundur ndryshimin e fizionomisë fetare të shqiptarëve në favor të islamizmit. Me rënien e perandorisë turke e deri në fillim të viteve ’90 Turqia dhe Shqipëria kishin pasur shumë pak mundësi për të ndikuar qoftë edhe në mënyrë të njëanshme tek njëra-tjetra. Pas rënies së perdes së hekurt dhe demokratizimit politik të Ballkanit, e shoqëruar kjo dhe me zhvillimin ekonomiko-tregtar të Turqisë, ajo filloi të hartonte politika me impakt rajonal, që vitet e fundit e kanë përforcuar karakterin gjeopolitik të tyre. Rithemelimi i gjeopolitikës turke e shfaqur në aktivizimin e politikës së jashtme me karakteristika të reja ka nisur pas marrjes së statutit kandidat në procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE[29]. Aktualisht Turqia ruan një prani të qëndrueshme dhe të dukshme politike por edhe ushtarake në Ballkan, ndërsa në rastin e Shqipërisë duhet të veçohen marrëveshjet e bashkëpunimit ushtarak dhe marrëdhëniet e ngushta politike. Në aspektin gjeopolitik Turqia është e vetëdijshme për rolin e saj në aspektet e sigurisë, në aspektet e kulturës fetare, ku qëndron si një formë “jastëku” midis popullsisë më kulturë të shekullarizuar islame dhe popullsisë me kulturë konservatore e radikale islame të Lindjes së Mesme, në aspektin e shtrirjes gjeografike në rrugëkalimet strategjike, në aspektin e sigurisë energjetike si dhe në aspektin e përfaqësimit politik me autoritet në Europën politike të zërit të vendeve të ndryshme të botës islamike. Nën dritën e këtyre fakteve Turqia ka disa objektiva në nivel ballkanik dhe si rrjedhim edhe në Shqipëri. Së pari të ushtrojë një rol të fuqishëm në planin politik, kulturor dhe fetar. Ushtrimi i rolit politik realizohet nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve ekonomike, ushtarake dhe ekonomike. Në aspektin kulturor e fetar ushtron rolin e saj nëpërmjet një organizmave shtetërore për çështjet fetare duke promovuar kulturën turke por edhe duke ofruar bursa studimi për studentë në shkollat e universitetet turke.
Po kështu në këtë aspekt është vënë re aktivizimi i debatit mbi rolin gjeopolitik të Turqisë sipas karakteristikave gjeopolitike të Perandorisë otomane. Në aspektin e opinionit publik vihen re tentativa për reformimin e perceptimit të rolit të Perandorisë otomane përgjatë dominimit shekullor në Ballkan e sidomos në trojet shqiptare[30]. Kjo rrymë është emërtuar neo-otomanizëm. Përkrahësit e neo-otomanizmit tentojnë të zbusin efekteve negative dhe të mbivlerësojnë efektet pozitive të dominimit osman pesëshekullor në trevat shqiptare, që lidhen kryesisht me rolin drejtues të shqiptarëve dhe pranimin paqësor të dominimit otoman. Në një analizë të tijën Misha[31] ku kritikon tendencat e reja në politikën e jashtme turke perifrazon Faik Konicën që në vitin 1903 do të shprehej duke e cilësuar “gomarllëk” mbrojtjen e një teze të tillë.
Por angazhimi gjeopolitik turk në Shqipëri, në të gjitha planet është i mjaftueshëm për të ndikuar në favorin e tij në opinionin publik. Mjafton të përmendet aktiviteti i Lëvizjes Gulen, e drejtuar nga Fetullah Gulen dhe kalimi nëpër bankat e shkollave të financuara nga kjo lëvizje të rreth 7000 studenteve si dhe angazhimit të rreth 700 mësuesve në to, për të kuptuar shkallën e angazhimit turk në Shqipëri.

Faktori i dytë me ndikim në gjeopolitikën ndërmjet Shqipërisë dhe botës islame është tendenca në rritje e ushtrimit të presionit me baza fetare dhe me mënyra financiare mbi islamin tradicional shqiptar nga ana e elementëve konservatorë dhe shpeshherë radikalë të prejardhur nga vende të ndryshme të botës islamike. Pa filluar shqyrtimin e këtij faktori duhet njohur qasjet shqiptare ndaj fesë islame. Feja në përgjithësi dhe feja islame në veçanti janë përhapur me ngadalësi në Shqipëri dhe nuk kanë pasur një rol themelor në afirmimin e identitetit shqiptar. Në ndryshim nga vende të tjera ku është përhapur feja islame ndjenjat kombëtare të cilat luajtën rolin e kompaktësuesit social deri në momentin e lëvizjeve shtet-formuese nuk u zhvilluan përreth fesë por përreth gjuhës[32]. Islami në Shqipëri filloi të përqafohej gjerësisht në shekullin e XVII kur Shqipëria gjendej nën sundimin turk dhe vijoi të ndiqej pa ndonjë devotshmëri të theksuar deri në rënien e Perandorisë Otomane. Në periudhën e monarkisë shqiptare filloi dhe de-islamizimi i Shqipërisë[33]. Ndërkohë në periudhën komuniste Shqipëria bëhet shteti i parë ateist në botë duke shkatërruar godinat fetare, pushkatuar klerikët që kundërshtuan këtë vendim dhe simbolet fetare u shpallen të jashtëligjshme duke ndikuar kështu më tej në shpërbërjen e identitetit fetar ndër shqiptarë. Pas rënies së regjimit komunist Shqipëria hapet serish ndaj fesë dhe në 23 nëntor 1990 në Tiranë mbahet falja e parë myslimane publike pas dy dekadash. Sipas statistikave të ndryshme rezulton se 75 % e shqiptarëve i përket besimit mysliman, nga të cilët 85% të rrymës Hanafi dhe 15% të rrymës Bektashiane. Këto shifra janë më shumë të mediatizuara sesa të verifikuara. Statistika të reja priten të dalin në fillim të vitit 2012 pas realizimit të censusit të popullsisë por edhe ato duhen parë në mënyrë kritike pasi debati për përfshirjen e pyetjeve mbi përkatësinë fetare kaloi jo me pak tension në opinionin publik shqiptar gjë që mund të pasqyrohet dhe në rezultatet e censusit e kështu dhe në saktësinë e tyre. Për të nisur analizën e ndikimit islamik të jashtëm me qëllim politik dhe me frymë radikale dhe konservatore duhen patur parasysh disa karakteristika të islamizmit “politik” në Shqipëri:
Së pari, islamizmi në Shqipëri është pjesë e trashëgimisë otomane[34] dhe shprehitë politike të tij nuk gjejnë përkrahje tek elitat politike shqiptare të cilat janë të orientuara politikisht drejt Perëndimit. Iseni (2009) shkruan se “intelektualët shqiptarë kanë tendencë të minimizojnë dinamikat historike të influencuara nga Lindja”. Ndërsa shqiptarët në përgjithësi, sipas një ankete[35] të realizuar nga një agjensi shtetërore amerikane, rreth 88% e tyre shprehet se e ndjen veten më të afërt me Perëndimin sesa me Lindjen. Vetëm 8% prej tyre shprehet se e ndjen veten pjesë të bashkësisë islamike botërore.
Së dyti, islamizmi shqiptar është një faktor me karakter “kombëtar” në rajon. Megjithë praninë e fesë islame në kombet e tjera ballkanike nuk ka lëvizje të karakterit rajonal të frymëzuara në fenë islame.
Së treti, islamizmi në Shqipëri zhvillohet në një shoqëri të shekullarizuar, pa një traditë të theksuar fetare dhe me një edukim ateist për një kohë të gjatë. Gjithashtu, islamizmi shqiptar është zhvilluar nën frymën sufiste, e cila lejon përdorimin e ndërgjegjes individuale për aspekte të patrajtuara në tekstet tradicionale fetare islame. Përpjekja e vetme për përfaqësimin në politikën aktive shqiptare të një partie me frymë islamiste[36] ka qenë në fillimvitet ’90 dhe që atëherë nuk ka pasur tentativa të tjera të këtij lloji.
Nën dritën e këtyre karakteristikave Shqipëria nga njëra anë paraqet një mburojë natyrale që i garanton njëfarë stabiliteti në aspektin fetar por nga ana tjetër paraqitet si një terren pjellor për mbjelljen e ideve fundamentaliste nga elementë të jashtëm. Këta elementë, që shpesh herë vijnë nga zona gjeografike të mirëpërcaktuara në “hartën” e islamit fundamentalist, si Arabi Saudite, vendet e gjirit persik etj., duke kritikuar demoralizimin e myslimanëve shqiptarë, demoralizim i cili konsiston në largimin dhe mosrespektimin e normave të islamit të vërtetë, kërkojnë të ndalohet demokratizimi i shoqërisë dhe të realizohet bashkimi i pushtetit qendror shtetëror me pushtetin fetar[37]. Idetë fundamentaliste dhe ekstremiste në Shqipëri përcillen prej emisarëve të jashtëm, të dërguar me këtë qëllim ose prej studentëve fetarë të kthyer nga shkollat islamike në vendet e qeverisura me frymën fundamentaliste islamike. Duhet theksuar se këto ide janë të huaja për islamin tradicional shqiptar dhe gjithashtu janë kundërshtuar publikisht edhe nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, si autoritet përfaqësues kombëtar i komunitetin mysliman në Shqipëri. Gjithashtu edhe në aspektin e ndërhyrjes së aktorëve me këto ide në
Presioni fundamentalist dhe radikal islamik në Shqipëri ushtrohet kryesisht tek besimtarët myslimanë të identifikuar publikisht si të tillë. Nuk është vënë re asnjë tentativë apo të paktën të jetë bërë publik ndonjë rast kur “pre” e presionit fundamentalist të jenë bërë qytetarë të zakonshëm. Ky presion ushtrohet kryesisht me anën e mjeteve financiare, përderisa një pjesë e madhe e popullsisë në Shqipëri jeton në varfëri, dhe kushti ekonomik krijon premisa për kompromis edhe me tendenca jashtë ndërgjegjes personale. Kohlman[38] shkruan se “shoqatat islamike në Ballkan, inkurajojnë qytetarët të zbatojnë detyrimet fetare si të lenë mjekër, të shkurtojnë pantallonat, të veshin vello, të marrin pjesë në mësime fetare etj”. Nga ana tjetër ai vë në dukje se institucionet fetare islamike në Ballkan varen ekonomikisht nga shtete islamike, të cilat financojnë aktivitetet e tyre. Kjo përbën dhe një premisë për kthimin e këtyre organizatave në “kukulla” për realizimin e objektivave politikë të financuesve.
Në këtë aspekt duhet përmendur fakti se në planin publik nuk janë kryer analiza apo studime për këto fenomene, të cilat bëhen shpesh pjesë e retorikës politike sidomos në aspektin e luftës kundër terrorizmit por jo në aspektin e gjeopolitikës apo gjeostrategjisë. Kështu pjesa më e madhe e të dhënave mbi këto aktivitete jepet nga raportime në media ose nga institute studimore.
Në Ballkan, me shpërthimin e konflikteve në rajon, kanë nisur të veprojnë grupe “salafiste” dhe “vahabiste” të cilat janë përhapur duke shfrytëzuar maskimin e organizatave humanitare, fondet e të cilave jepeshin nga vendet e Gjirit persik. Këto grupe kanë si objektiv zhvillimin e doktrinave politike radikale islame, të kontrollojnë jetën shpirtërore të popullsisë, të politizojnë islamin dhe të inkurajojnë mungesën e tolerancës kundrejt shekullarizimit të shoqërisë, tolerancës dhe pluralizmit fetar, karakteristika këto të ambientit shqiptar. Po kështu në hapësirën shqiptare këto grupe synojnë zbehjen e marrëdhënieve ndërshqiptare duke rritur shkëmbimet ndërmyslimane. Gjithsesi duhet përmendur fakti se grupet neo-salafiste kanë një përhapje më të përmbajtur në Shqipëri në krahasim me ato në vendet e tjera në rajon. Në Shqipëri këto grupe luajnë rolin e tyre kryesisht nëpërmjet dy formave kryesore: financimit në aktivitete me frymë islame, si duke financuar përkthimin e librave doktrinorë islamikë, shpërndarjen falas të këtyre teksteve, ndërtimin dhe rikonstruktimin e xhamive, pagesën e besimtarëve të “dalluar” dhe më aktivë në përhapjen e ideve salafiste etj. dhe financimit të institucioneve të dijes dhe edukimit, si duke shpërndarë bursa për studentë e klerikë shqiptarë për studime fetare në universitetet saudite (kryesisht në Medinë), hapjen e shkollave fetare dhe indoktrinimin e tyre.
Edhe Kohlman[39] shkruan se “Ballkani është përdorur dhe përdoret si “vendpushim” i eksponentëve të Al Qaedës, prandaj dhe interesat e perëndimorëve nuk janë sulmuar asnjëherë në Ballkan, pavarësisht thjeshtësisë në realizmin e këtyre sulmeve duke pasur parasysh situatën e sigurisë, për të mos prishur “rehatinë” me reprezalje që do të pasonin sulmet”. Ndërsa Bourgarel[40] shkruan “Raportime të ndryshme në media mbi transferime armësh, xhihadistësh dhe kampeve të trajnimit për elementë të armatosur me prirje radikale islamike, sidomos në Bosnjë dhe Shqipëri kanë ngritur shqetësime në Europë mbi radikalizmin e vendeve ballkanike. E ardhmja e këtyre vendeve në këtë perspektivë është ende e paqartë.” Në të njëjtën linjë janë Richter dhe Reljic[41] “Me anë të fuqisë financiare dhe influencës kulturore disa vende myslimane dhe Arabia Saudite po përpiqen të ndryshojnë karakteristikat politike, kulturore dhe fetare në Shqipëri, me qëllim krijimin e një terreni pjellor për islamin politik në rajon”.
Të gjitha këto aspekte lidhen edhe me faktorët gjeografikë dhe afërsinë gjeografike me rajonet thellësisht të islamizuara si dhe me vendosjen e Shqipërisë në kufirin midis Perëndimit dhe Lindjes. Rajoni i Ballkanit, ku bën pjesë dhe Shqipëria, por edhe vetë Shqipëria në veçanti paraqet një terren të favorshëm për kapërcimin e barrierave kufitare të vendeve perëndimore dhe këtë e tregojnë herë pas herë raportimet e organeve të policisë kufitare të cilat ndalojnë shtetas të ardhur nga rajone të destabilizuara të botës islamike të cilët kërkojnë të kalojnë ilegalisht nëpërmjet Shqipërisë në vendet perëndimore. Migrimi[42] nga vendet e botës islame është një çështje që lidhet me sigurinë pasi krijohen premisa për përçimin e fundamentalizmit islamik në vend por edhe në vendet perëndimore. Afërsia gjeografike dhe prezenca e masave kompakte të besimtarëve të fesë islame në Shqipëri nuk është një faktor favorizues në këtë aspekt. Gjithashtu afërsia gjeografike me rajonet problematike në fushën e sigurisë ndërkombëtare si paraqet një faktor rreziku për veprime terroriste[43].

Në vend të përfundimeve - Çështje në perspektivën gjeopolitike të Shqipërisë në kuadrin “islamik”

Në planin gjeopolitik, duke u nisur nga zhvillimet e kohës por edhe pragmatizmi politik, Shqipëria duhet të ripozicionojë qëndrimin e saj kundrejt nismave politike me natyrë islamike të cilat po verifikohen aktualisht në territorin e saj apo më gjerë por edhe që mund të veprojnë në një të ardhme të shpejtë. Çështja e parë me të cilën duhet të përballet Shqipëria është konceptimi i politikave për ruajtjen e trashëgimisë islame tradicionale shqiptare. Fundamentalizmi, radikalizmi, terrorizmi islamik të radhë të parë duhet konceptuar si një element që destabilizon dhe cënon sigurinë sociale në Shqipëri prandaj dhe duhet një rol i fuqishëm i shtetit shqiptar në vetvete për të përballuar dhe mënjanuar këto rreziqe. Përsa i përket sigurisë ndërkombëtare dhe ndikimit në të të faktorit islamik përmes Shqipërisë kjo është një çështje në të cilën Shqipëria e humb vetvetiu ekskluzivitetin për arsye se këto çështje janë në fokus të organizmave ndërkombëtare dhe kombëtare të shteteve të tjera që ndihen më të rrezikuara nga ky faktor. Gjithashtu duhet kuptuar se ruajtja e sigurisë sociale në këtë aspekt duhet të jetë një nismë afatgjatë pasi siç shprehet Abiva[44] “do të duhen disa dekada për të re-islamizuar shqiptarët”.
Çështja e dytë me interes gjeopolitik për Shqipërinë është menaxhimi i faktorit islamik në kuadrin e angazhimit në BE. Islami tashmë për BE nuk është më një çështje e jashtme por një çështje e brendshme[45] duke parë prezencë të madhe të diasporave të zgjeruara në territorin e tij. Myslimanët në Europë ndajnë të njëjtin besim por nuk formojnë një komunitet ndërshtetëror për shkak të ndryshimeve të vendit të origjinës, praktikave fetare dhe përkatësisë politike. Nuk është për t’u përjashtuar që në të ardhmen të krijohet një përfaqësim pan-europian mysliman që do të përfaqësonte diasporat myslimane në Europën perëndimore dhe myslimanët në Europën juglindore në organizmat evropiane. Një motor i mundshëm i këtij organizimi do të ishte Turqia, që do të fitonte një rol shumë të madh në këtë aspekt nëse do të pranohej në BE si anëtare me të drejta të plota[46]. Por një rol të rëndësishëm mund të luante dhe Shqipëria në këtë aspekt, duke garantuar eksperiencë të gjerë në planin e bashkëjetesës fetare por edhe përfaqësimit të interesave dhe edukimin për bashkëjetesë demokratike dhe paqësore të komuniteteve. Një rol në këtë organizim ose në këtë aspekt do të ishte shumë herë më pragmatik dhe më i vlefshëm për Shqipërinë sesa prezenca në Organizatën e Vendeve Islamike, në të cilën Shqipëria bën pjesë që nga viti 1992 por pa ndonjë rol e interes të veçantë.
Çështja e tretë me interes në këtë aspekt do të ishte analizimi i prognozave të ndryshme mbi zhvillimet pas “pranverës arabe”. Duke u nisur nga afërsia gjeografike me këto rajone por edhe me përkimin e këtyre rajoneve me zonën e interesit të organizatave të sigurisë në të cilat tashmë bën pjesë edhe Shqipëria (NATO) është e nevojshme ndjekja e këtyre zhvillimeve dhe marrja e masave për skenarë të ndryshëm që mund të influencojnë edhe politikat e brendshme e të jashtme të Shqipërisë. Siç shkruan Friedman[47] “Revolucioni arab do të dështojë në tentativën për të transformuar botën islame ose qoftë edhe vetëm botën arabe. Por do të mbjellë farën që do të lulëzojë në dekadat e ardhshme. Fara është demokratike, por jo domosdoshmërisht liberale. Demokracitë që do të lindin do të jenë islame me regjime që do i ngjajnë kulturës vendase, pra dhe ato me karakter islamik” situata paraqitet jo e favorshme në planin gjeopolitik për Shqipërinë në këtë aspekt.

Në përfundim duhet theksuar se është më se e nevojshme shqyrtimi me kujdes i faktorëve me ndikim në planin e marrëdhënieve Shqipëri - Botë islamike me qëllim njohjen e skenarëve gjeopolitikë por edhe pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në to.

Bibliografi e papërfshirë në referenca

Kohlman, Evan “Al Qaidas’s Jihad in Europe, the afgan-bosnian network” Berg, Oxford 2004.
Schwartz, Stephen “The Arab Betrayal of Balkan Islam”, The Middle East Quarterly, vol. IX, n° 2 (Spring 2002), pp. 43-52.

Dhjetor, 2011




[1] Martin Ira Glassner “Manuale di geografia politica” FrancoAngeli, Milano 2007, f. 192-193
[2] Rudolf Kjellen “Staten som Lifsform” 1916
[3] Fredrick Ratzel “Politische geografie” 1896
[4] Karl Ernst Haushofer, ushtarak, gjeograf dhe gjeopolitikan gjerman (1869-1946).
[5] Këto teori patën sukses edhe në Japoni deri në kapitullimin e saj.
[6] Sir Halford Mackinder, “Geographical Pivot of History,” Geographical Journal, Vol. 23, No. 4 (Prill 1904), f. 421–444.

[7] Enver Hoxha do të quante një “mbivlerësim i fshatarësisë nga ana e Mao-s” pasi suksesi i maoizmit është mbështetur në kontekstin kinez. Shih: Hoxha, Enver “Imperializmi dhe revolucioni”, 8 Nëntori, Tiranë, 1978, f. 387.
[8] Përfaqësohet nga G. O Tuathail, J. Hyndman, M. Foucault, J. Derrida, F. MacDonald, J. Agnew, S. Dolby, E. Gilbert, V. Mamadouh etj.
[9] Gjithashtu njeh si faktorë me ndikim në gjeopolitikë historinë e shoqërive njerëzore, historinë e shteteve, globalizimin, politikën e jashtme, sjelljen ndërkombëtare të shteteve. Shih: Chauprade, Aymeric "Introduction à l'analyse géopolitique", Ellipses, 1999.

[10] Cohen, Saul Bernard, "Geopolitics of the World System", Rowman and Littlefield, 2003.
[11] Lacoste, Yves, "Géopolitique: la longue histoire d'aujourd'hui", Larousse, 2006.
[12] Flint, Colin "Introduction to Geopolitics", Routledge, London 2006
[13] Ó Tuathail, G., S. Dalby, and P. Routledge, eds. 2006. The Geopolitics Reader. London: Routledge.
[14] Taylor, Peter J., "Political Geography", Longman, Third Edition, 1993
[15] Criekemans, David "Geopolitiek - 'Geografisch geweten van de buitenlandse politiek?", Garant, 2007.
[16] Moreau Defarges, Philippe , "Introduction à la Géopolitique", Seuil, 2005
[17] Spykman, Nicholas J., “Geography and Foreign Policy I”, nw "American Political Science Review", Nr. 1, February 1938, f. 28-50
[18] Jones, Laura; Sage, Daniel “New directions in critical geopolitics: an introduction” Geojournal 2010
[19] Hay, William Anthony “Geopolitics of Europe” Orbis, 2003
[20] Boynovic, Ana; Udovic, Bostjan “The Balkans role as a part of the Mediterranean region: political-historical contextualization and economic aspects” Center of International Relations Ljubjana, 2006.
[21] Shih: Nura, Artur “Geopolitics against the Albanian territories of Balkan” e-book, 2001
[22] Zhelyazkova, Antonina “Albanian identities” IMIR, Sofia 2000
[23] Eqerem bej Vlora “Kujtime 1885-1925” IDK, Tiranë, f. 17, 43, 123, 290, 274, 349, 386
[24] Zoto, Edval “Patriotizmi sot” Gazeta Shqip, 12 Nëntor 2011.
[25] Meksi, Aleksandër “Probleme aktuale të ccështjes shqiptare” Gjeopolitika shqiptare, on-line, Gusht 2011
[26] Shifrat të marra nga INSTAT 2008.
[27] Bialasiewicz, Luiza “The death of the West: Samuel Huntington, Oriana Fallaci and a new moral geopolitics of birth and bodies” Geopolitics Nr. 11, 2006, f. 701-724
[28] Anceschi, Luca; Camilleri, Joseph; Petito, Fabio “Europe, the US and the Islamic World: conceptualisin a triangular relationship” International Politics Nr.46, 2009
[29] Akçakoca, Amanda “Turkish Foreign Policy – Between East and West?” EPC Policy Brief, Brussels 2009
[30] Shih fjalimin e A. Davutoglu “Një Ballkan otoman në shekullin e 21” Sarajevë, Janar 2010.
[31] Misha, Pirro “Neo-otomanizmi dhe Shqipëria” Revista Mapo, 23.02.2010
[32] Iseni, Bashkim “National Identity, Islam and politics in the Balkan” Institute of Interntional Policy Studies, University of Lausanne, 2009
[33] Abiva, Hussein “Islam in Albania” The message international, 1991
[34] Cit. Iseni, 2009
[35] Graziani, Tiberio “Il patto atlantico nella geopolitica USA per l’egemonia globale” Eurasia Nr.1, 2009
[36] Partia Bashkimi Demokratik Islamik paraqiti kërkesë për t’u regjistruar si forcë politike në vitin 1993 dhe kjo e drejtë iu mohua nga autoritetet përkatëse pasi binte ndesh me karakterin laik të shtetit shqiptar.
[37] Rama, Bashkim “Faktori shqiptar dhe siguria rajonale” Geer 2011, Tiranë, faqe 75-76
[38] Vepër e cituar Kohlman, Evan (2004)
[39] Vepër e cituar Kohlman, Evan (2004)
[40] Bourgarel, Xavier “The role of Balkan myslims in building a European Islam” EPC Issue Paper No.43 2005, Brussels
[41] Richter, Solveig; Reljic, Dusan “Credibility and compliance: The EU’s CFSP risks forfeiting its leverage in the Western Balkans” Stiftung Wissenschaft und Politik, 2008
[42] Biçhi, Federica “European Foreign Policy – Between East and west?” EPC Policy Brief 2009, Brussels
[43] Vepër e cituar. Rama, Bashkim (2011) Faqe 75
[44] Vepër e cituar. Abiva, Hussein (1991)
[45] Kohët e fundit zhvillohet debat mbi termin “islami evropian – european islam” Për pikëpamjet pro përdorimit të këtij termi shih: Jorgen NIELSEN, Towards a European Islam, Basingstoke: Macmillan (1999); Olivier ROY, Vers un islam européen, Paris: Esprit (1999). Për pikëpamjet kundër përdorimit të këtij termi shih: Alain ROUSSILLON, “‘Islam d’Europe’ or ‘Musulmans européens’: reconduire l’exception musulmane?”, Cahiers d’étude sur la Méditerranée orientale et le monde turco-iranien, n° 34 (July 2002), pp. 331-338.  
[46] Vepër e cituar. Bourgarel, Xavier (2005)
[47] Friedman, George “Revolution and the muslim world” Geopolitical Weekly, 23 Feb 2011