Historia përmes anekdotave

Lufta për emancipimin e gruas në Belgjikë shënoi një arritje mjaft të rëndësishme në vitin 1921, kur Maria Janson Spaak u zgjodh anëtare e Parlamentit. Pas vetëm disa vitesh, familja Spaak u mburr me një tjetër fitore politike: Paul Henri Spaak* pati nderin që, edhe ai, të zgjidhej anëtar i Parlamentit. Në këtë institucion të lartë politik, biri e nisi fjalimin e vet të parë me këto fjalë:
- Nënë, zonja dhe zotërinj...

* (1899 - 1972), lider i socialdemokracisë belge, disa herë kryeministër e ministër i Jashtëm, sekretar i përgjithshëm i NATO-s (1957 - 1961).

Në bazamentin e shtatores së Luigjit XV*, që u përurua më 2 qershor 1765, në Paris, një i panjohur shkroi:
"Sa e bukur kjo shtatore,
S'ke ç'i thua as pjedestalit!
Por virtytet janë përtokë,
Veset hipur majë kalit!"

* Mbret i Francës (1715 - 1774). Në kohën e sundimit të tij, kundërtitë në vend shënuan kulmin, aq sa thuhej se po i linte pasardhësit të vet, Luigjit XVI si trashëgim një revolucion.

Xhon Drajden *, i cili, në librin e vet "Annus mirabilis", përshkroi zjarrin e madh të Londrës, të vitit 1666, ishte martuar me Elisabet Hauard dhe merrej më shumë me librat se sa me gruan e vet të re. E shpërfillur dhe e mërzitur, kjo i tha një ditë:
- Do të parapëlqeja të isha libër, se ashtu mund të më kushtoje më tepër vëmendje!
- Atëhere, e dashur, do të duhej të bëheshe kalendar.
- Pse?
- Përvit do të ishe e re!

* John Dryden (1631 - 1700), poet, dramaturg dhe ati i kritikës letrare angleze, autor i librave "Ese mbi poezinë dramatike", "Mbretëresha e indianëve", "Gjithcka për dashurinë" etj.

Ndërsa femra fisnike Fabia Dolabela po u thoshte me tërë seriozitetin të pranishmëve në një banket se sapo kish mbushur tridhjetë vjet, Ciceroni* u fut në sallë. Me të dëgjuar gjithsa tha Fabia, ai u shpreh:
- Ju lutem ta besoni, sepse ka njëzet vjet që përsërit të njëjtën gjë me saktësi!

Në Universitetin "A.I. Kuza", të themeluar në vitin 1860 në qytetin rumun Jash, historiani me famë botërore, Nikolae Jorga, - që u vra më 1940 nga Garda e Hekurt, - po ngjitte shkallët drejt një amfiteatri, ndërkohë që A. C. Kuza (1857 - 1946), profesor i së Drejtës në atë universitet dhe idhtar i ideve të djathta, po zbriste. A. K. Kuza i thotë N. Jorgës:
- Si po të ecin punët, o mik?
- Si jo më mirë: unë ngjitem, kurse ti zbret!

Në fillimvitet '50 të shekullit të kaluar, në një restaurant një klient sheh portretin e Stalinit dhe i bën shënjë kamarierit dhe, kur ky i afrohet. i thotë nën zë, por me mllef:
- Ule poshtë atë mustaqelliun!
Kamarieri bën sikur nuk e dëgjon. Në atë cast, klienti e ngre zërin:
- Ule, pra, përse e zgjat?!
Ndërkaq, një sigurims e prek klientin në shpatull dhe i hakërrehet:
- Përse kruhesh, mor lanet?
- Uleni poshtë, more, se dua ta puth!

Në një muzeum, ciceroni u shpjegoi vizitorëve:
- Ky është një shtrat i famshëm. Në të kanë fjetur Gëtja, Napoleoni, Rosini, Balzaku...
- Bobo, sa shtrënguar paskan fjetur! - u shpreh njëri syresh.

Pas betejës së Aktiumit*, Oktaviani** kaloi në revistë robërit që mendonte t'i ekzekutonte. Ndërmjet tyre ndodhej edhe një armik i tërbuar i tij, me emrin Mitelius. I biri i këtij, që pat luftuar nën komandën e gjeneralit të Oktavianit, Markus Vipsanius Agrippa***, iu drejtua Oktavianit me këto fjalë:
- Im atë ka qenë armiku yt dhe e ka hak vdekjen. Por unë të kam shërbyer me besnikëri dhe meritoj një shpërblim. Dua të më lejosh të vdes në vend të tim eti.
Oktaviani e fali Miteliusin dhe nuk pranoi flijimin e të birit.

* Ngushticë në bregun perëndimor të Greqisë, ku më 2 shtator 31 para Krishtit ushtritë e Oktavianit fituan betejën me rivalin e tij, Antonin, i cili kishte mbështetjen edhe të mbretëreshës Kleopatra të Egjiptit.
** Oktavian Augusti, riorganizuesi i shtetit romak në trajtë Principate, i pari perandor romak ( 27 para Krishtit - 14 pas Krishtit), model realizmi, kthjelltësie mendore dhe baraspeshimi politik.
*** Aggripa Markus Vipsanius (63 - 12 para Krishtit), gjeneral dhe politikan romak, artizani i fitores së Aktiumit, nismëtar i shumë ndërtimeve në Romë (Panteoni, ujësjellësat, banjat termale etj).

Në vitin 1906 po diskutohej për formimin e një qeverie të re franceze. I ngarkuari me formimin e saj, G. Savrien, ftoi në shtëpi disa politikanë për konsultime, ndër të cilët edhe Zhorzh Klemanso-në (Georges Clemenceau)*. Aty u shërbye një bufe e ftohtë. Duke parë se ky i fundit nuk po merrte asgjë, mikpritësi e pyeti:
- Zotrote çfarë dëshiron, zoti Klemanso?
- Të brëndshmet, - iu përgjigj ai.
Të nesërmen, Klemanso bëri betimin si ministër i Brendshëm.

* Georges Clemenceau (1841 - 1929), politikan dhe gazetar francez, lider i Partisë Radikale, kryeministër (1906 - 1909; 1917 - 1920), kryetar i Konferencës së Paqes në Paris (1919 - 1920) dhe njëri prej artizanëve të Traktatit të Paqes të Versajës (1919).

Bibliotekari i mbretit francez Fransua I (François I)* ishte i njohur si erudit. Por, një ditë, dikush i bëri një pyetje, së cilës nuk qe në gjendje t'i përgjigjej.
- Por mbreti të paguan që të dish! - i tha me shpoti dikushi.
- Jo, - ia ktheu bibliotekari. - Mbreti më paguan për çka di. Po qe se do të më paguante për çka nuk di, atëhere nuk do t'i mjaftonin të gjitha pasuritë e Francës!

* François I (1515 - 1547). Zhvilloi luftra të vazhdueshme kundër Habsburgëve. Futi gjuhën frënge në aktet zyrtare, themeloi Kolegjin Francez (Collège de France), Shtypshkronjën Kombëtare dhe ndihmoi kulturën. Bleu nga Leonardo da Vinçi shumë tablo, ndër të cilat edhe të famshmen "Xhokonda". 

Një vjedhës u fut natën në dhomën ku Balzaku* po flinte, dhe zuri të gërmonte në sirtarët e tavolinës së shkrimit. Balzaku, që ishte ende zgjuar, priti sa priti dhe ia dha të qeshurës:
- Përse po qeshni, ç'ju hipi në kokë? - e pyeti vjedhësi.
- Po qesh, - ia ktheu Balzaku, pa e mbajtur gazin, - sepse më kot kërkoni në tavolinën time të punës florinj natën, kur unë nuk arrij t'i gjej dot as në mes të ditës!

* Honoré de Balzac (1799 - 1850), një nga romancierët më të mëdhenj francezë, i cili, me "Komedinë njerëzore" realizoi një "ikonë" të vërtetë të shoqërisë frënge dhe e vrulloi në mënyrë vendimtare ecurinë e e romanit në përgjithësi.

Historiani francez Fransua de Mezerua (François de Mezeroy)*, si shumë të tjerë, ushqente urrejtje të papërmbajtshme ndaj fajdexhinjve. Kur vdiq, krahas testamentit, në një kuti iu gjet një luigj** prej ari dhe shënimi: "Kam mbi tridhjetë vjet që e ruaj këtë luigj, për marrjen me qira të një dritareje në Sheshin Grenë (Place de Gréne), në ditën kur aty do të varet një fajdexhi".

* 1610 - 1683
** Monedhë frënge prej ari, me fytyrën e Luigjit XIII dhe të trashëgimtarëve të tij.

Spekulimet e veta astrologjike e shtynë Kampanelën (Campanella)* të besonte se eklipsi i diellit, që do të ndodhte më 1 qershor 1639, do t'i sillte fatkeqësi. Që ta parandalonte rrezikun, u mbyll në qelën që kish në manastirin Sën - Zhak dhe ndezi rreth vetes bimë aromatike me "virtyte magjike". Tymi i këtyre bimëve dhe erërat që lëshuan gjatë djegies, i shkaktuan vdekjen, së cilës i ndruhej.

* Tommaso Campanella (1568 - 1639), filozof italian, sulmet e të cilët kundër jezuitëve i sollën përndjekjet e Inkuizicionit, u dergj në burg, ku shkroi utopinë e famshme "Qyteza e diellit".

Perandori romak Karakala (Caracalla)*, pasi vrau të vëllanë, Geta, u orvat ta detyronte Papinianus-in** të përpilonte një fjalim, me anën e të cilit t'ia përligjte krimin. Por juristi i madh iu përgjigj:
- Madhëri, është më lehtë të bësh një vëllavrasje, se sa ta përligjësh atë dhe është një vëllavrasje e dytë të ndysh nderin e një të pafajshmi, fill pasi i ke rrëmbyer jetën.

* Caracalla Marcus Aurelius Antoninus, perandor romak (211 - 217 e.r.), vendosi një regjim autoritar e të egër, si rrallëkush. Në shkurt 211 vrau vëllanë e vet Geta, bashkë me 20.000 përkrahësit. Nxori "Kushtetutën Antoniniane", me të cilën iu jepte shtetësinë romake të gjithë njerëzve të lirë të perandorisë. U vra në vitin 217 me vendim të Makriniusit, magjistratit perandorak.
** Papinianus Aemilius (146 - 212 e.r.), jurist, njëri nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të së Drejtës Klasike Romake.

Gjatë një turneu, kompozitori dhe pianisti i famshëm Franc List (Franz Liszt)* e mbushi si më poshtë regjistrin e hotelit, ku banoi ato ditë:
Profesioni: muzikant dhe filozof.
Vendlindja: Parnas**.
Vendi nga vjen: pasiguria.
Vendi ku shkon: e vërteta.

* Franz (Ferenc) Liszt (1811 - 1886), pianist, kompozitor dhe pedagog hungarez, një nga novatorët më të mëdhenj në lëmin e harmonisë.
** Parnas - mal në Focida (Greqia e lashtë), që konsiderohej nga grekët si rezidenca e muzave dhe vendtakimi i hyjnive.

Shipio Afrikani*, i cili pat humbur njërin sy në betejën kundër kartagjenasve, vuri bast me një nga gjeneralët e vet, duke pretenduar se shihte më mirë se sa ky. 
- Fitova, - i tha në çast Shipio: shoh tek ti dy sy, ndërsa ti sheh tek unë vetëm një!

* Scipio Africanus Publius Cornelius (235 - 183 para Kriishtit), politikan dhe gjeneral romak, që korri në vitin 202 fitoren vendimtare mbi Hanibalin, në Zama, në territor afrikan.

G. A. Potemkin* priti për vizitë një ish-mësuesin e vet, tashmë në moshë të madhe.
- A nuk ke mundësi të më japësh një punë më të lehtë, ku të mos lodhem fare? - i tha ish-mësuesi.
- A ke menduar ndonjë nga këto lloj punësh? - e pyeti Potemkini.
- Nuk di ç' të të them... - ia ktheu ish-mësuesi.
- A e di ku ndodhet Sheshi Pjetri i Madh? - vazhdoi Potemkini.
- Që andej po vij! - vuri në dukje ish-mësuesi.
- Atje patjetër ta kanë zënë sytë edhe shtatoren e Pjetrit të Madh. Bukur! Do të shpërblehesh me 500 rubla në muaj po qe se çdo mëngjez do të kalosh andej për të parë se mos ia kanë vjedhur kalin. Punë më të lehtë se kjo nuk kemi.

* Grigori Aleksandroviç Potemkin (1739 - 1791), knjaz, burrë shteti, diplomat dhe ushtarak rus, komandant suprem i ushtrisë ruse në luftën kundër Perandorisë Otomane (1787 - 1791).

Një farë Vjene (Viennet), me prejardhje të dyshimtë, u emërua per (pair)* i Francës. Në një bisedë me La Roshëfuko (La Rochefoucauld)**, i tha këtij të fundit me mburrje:
- E di si më ndodhi? Me të zbritur nga karroca dhe me të vënë këmbën te pragu i shtëpisë, shërbëtori ma dha sihariqin. Në të vërtetë e prisja këtë gjë, se, siç dihet, unë zbres nga mbretërit e Aragonës***.
- Sikur the që zbrite nga karroca, - e bukosi filozofi.

* Pair - titull që mbahej nga vasalët e mëdhenj të mbretit, i cili u zhbë nga Revolucioni Frëng i 1789-ës dhe u rivendos përkohësisht në vitet 1814 - 1847.
** François de la Rochefoucauld (1613 - 1680), markez dhe njëherazi një nga moralistët më të mëdhenj francezë, që u shqua për mprehtësinë e vëzhgimit të karaktereve, sidomos në prozën aforistike ("Reflektime apo sentenca dhe maksima morale").
*** Mbretëri e vjetër në Juglindje të Spanjës, e themeluar qysh në shekullin XI.

Kur po vizitone muzeumin historik të një qyteti të madh amerikan, Mark Tuen (Mark Twain)* u ndal para një vitrine. Në fytyrën e tij shumëkush lexoi një shqetësim të thellë.
- Çfarë ju preku kaq shumë? - e pyeti ciceroni i muzeumit.
- Kjo shpatë, që e pat mbajtur Xhorxh Uashingtoni (George Washington) ynë i madh.**
- Por nga e ditki që i përket pikërisht atij?
- E njoh midis një mijë të tjerave, sepse e kam parë edhe në muzeume të tjera.

* Mark Twain (1835 - 1910), shkrimtar amerikan, që shkëlqeu në prozën humoristike, në satirën sociale dhe sidomos në saktësinë e vëzhgimeve ("Letrat e një kinezi", "Kandidat për guvernator", "Epoka e artë"). Ai është edhe autori i disa romaneve të famshme me zanafillë jetëshkrimin e vet ("Aventurat e Tom Sojerit", "Jeta në Misisipi", "Aventurat e Hekëlber Finit").
** George Washington (1732 - 1799), gjeneral dhe burrë shteti amerikan, komandant i ushtrisë amerikane në Luftën për Pavarësi (1775 - 1783), Presidenti i parë amerikan (1789 - 1797).

Kur po merrte dekoratën nga duart e mbretit të Francës, Henrikut IV*, fisniku përkatës iu drejtua mbretit, sipas protokollit, me fjalët:
- Domine, non sum dignus! (Zot, nuk jam i denjë!)
- E di, e di! - iu kthye mbreti, - Por m'u lut im nip!

* Henriku IV i Madh, mbret i Francës (1589 - 1610), u dha fund luftrave fetare me anën e "Ediktit të Nantës" (1598); fuqizoi monarkinë absolute, i ndihmuar njëherazi nga katolikët dhe nga hygenotët, dhe i dha shtysë zhvillimit ekonomik të vendit.
Përgatiti Kopi Kyçyku