Veçori të shkrimit muzikor bizantin në dorëshkrimet ekfonetike të AQSH-së

Holta SINA
Docente, Muzikologe, pedagoge në U. A.

Fjalë kyçe

Shkrim muzikor bizantin, periudha ekfonetike, paleobizantine, mediobizantine, kukuzeliane, krisantine, Hoeg, dorëshkrime bizantine, kodikë, fondi, AQSH, perikope ungjijsh, pergamenë, fletë, shekuj, liturgji bizantine, Tzetzes, stil recitativ, Tardo, Jan Kukuzeli,  neuma bizantine, kaligrafia, shenjëzim, shtim neumash, katërungjill (tetravangjel), okseja, vareja, apostrofi, sinemba, kathisti, kremasti, teleja, paraklitiqia, sirmantiqia, okseja e dyfishte, vareja e dyfishte, kentimata, hipokrisis, apeso ekso, apostrofoi, Pantiru, alphabet muzikor bizantin, prozodia, thekset, theksi akut, theksi grav, kombinime te çiftëzuara, çiftëzim, S. Shupo, Kodiku i Purpurt i Beratit, Beratinus-1, Sh. Sinani, kodiku i Beratit, kodiku i Vlorës, përmasat, teksti, kolona e tekstit, karakter mnemoteknik, kironomik, diastematik, recitativ, sistem muzikor, quasi parlando, quasi cantanto, parlando rubato, recto tono, ekfonesis, ekfonos, tonikë, njëshkolonë, dy kolona, fragmentarizuar, gërmëmadh (maiuscule), gërmëvogël (minuscule), titujt, grisje, hollim, vrima, lagështira, prerje, zbehje, çngjyrosje, valëzuara, brejtje, shqitje, recto,verso, Mateu, Marku, Luka, Joani (Gjoni), fashikuj, kanonet e Eusebit, rreshta, rrumbullakosur, bishta të shurtër, bishta të gjatë, luhatje, lakuara, lakueshmëri, rrumbullakosur, joungjillore, minej gjithëvjetor, sistemi modal, fragmente, greqishte e vjetër, ngjyrë, bojë, kafe, e kuqe, blu, e zezë, vishnje, e thellë shkrues (kodikografë), shenjëzues, shenjëzime, duar, tabela, mbivendosje (palimpsest), shtresa, shkronja nisëore, i lexueshëm, shënimet, anash, në mes, sipër, poshtë, në fund, mbyllje finale, fraza, fjali.


1. Pak histori mbi periodizimin e shkrimit muzikor bizantin dhe karakteristika te shkrimit muzikor ekfonetik në dorëshkrimet liturgjike bizantine

Në historinë e muzikës bizantine, njihen pesë etapa (periudha) në të cilat ka kaluar muzika kishtare e ritit orthodhoks, etapa të cilat tashmë janë të njohura dhe të aprovuara në parim nga studiuesit evropianë e më gjerë por, me dasi te shumta për kohëzgjatjen dhe për karakteristika të vecanta të seciles prej tyre. Këto ndarje apo mendime “ndryshe” të studiuesve, sidomos për kohëzgjatjen e këtyre periudhave, justifikohen me faktin se nuk ka një kufi ndarës të menjëhershëm, mes njerës apo tjetrës etapë kohore, pasi sistemi pararendës i shenjëzimit muzikor vijon të “bashkëjetojë” për njëfarë kohe edhe në periudhën pasardhëse pra, njëkohshëm me sistemin tjetër më të avancuar. 
Periudha e parë është periudha e të kënduarit ekfonetik, si dhe e shkrimit që u ngrit mbi këtë bazë ekfonetike, qe perfshin shekujt ~ IV-XV[1]. Pas kësaj etape të parë dhe tepër të rëndësishme për ngritjen e një sistemi shenjash, ose siç njihen me termin neuma, vijojnë katër periudhat e tjera në të cilat zhvillohet muzika dhe shkrimi bizantin e, konkretisht, periudha e dytë – paleobizantine (~ IX-XIII) periudha e tretë – mediobizantine (~XII-XV) periudha e katërt – kukuzeliane (~XIV-XIX) dhe periudha e pestë – krisantine (çereku i  parë i  shek. XIX).
Në këtë kontekst, periudha ekfonetike është dhe periudha me një vlerë të shtuar historike e dokumentare, pasi është pikënisja nga mori udhën dhe “rrugëtoi” shkrimi e këndimi bizantin në shekuj. 
Me termin ekfonetik nënkuptohet ai sistem i shenjave - neumave, me të cilin shkruhet melodia dhe këndohen perikopetë e ungjijve. Në kuptimin etimologjik, termi ekfonetik do të thotë “Lexim me zë të lartë”, term i perdorur nga dijetari grek Tzetzes [2], ndërsa bizantologu i njohur Tardo bën një shpjegim pak më të ndryshëm, kur pohon se “ekfonesis quhet lutja apo mbyllja e lutjes” të cilën prifti e thotë me zë të lartë dhe të moduluar lehtë d.m.th.ekfonos”[3]. Në këtë kontekst, njësërë studiuesish e pohojnë se ndryshe ky shkrim është quajtur edhe shkrimi i të kënduarit recitativ, pasi në këtë periudhë, meloditë bizantine ekfonetike, ndërtoheshin mbi një karakter të theksuar recitativ, gjë që rridhte nga mënyra e leximit dhe njëkohësisht e këndimit të teksteve liturgjike, ku melodite ishin quasi parlando[4]. Interpretimi në këtë mënyrë i tekstit letrar, qëndron në kufirin midis tekstit të folur dhe melodisë së kënduar.
Muzikalisht ky stil ka dy forma:
e para është një formë recitative e pastër (recto tono), në të cilën teksti liturgjik këndohet
mbi një tingull të vetëm, ku ritmi rrjedh nga ritmi i fjalës dhe ai i prozodisë;
e dyta: recitative i pastër (recto tono) shoqërohet me lëvizje të vogla melodike dhe zhvillohet quasi cantanto. Karakteri i ketij recitativi është solemn dhe deklamues si dhe me nuanca të theksuara retorizmi. Për karakterin e tij gati parlando, por dhe për mënyrën e lirë të interpretimit (ndalesat gjatë leximit dhe këndimit liturgjik) ritmi i kësaj melodie deklamuese është parlando rubato.   
Për ta qartësuar më tepër këtë aspekt, trajta ritmike e stilit recitativ nuk është e përcaktuar mirë, pasi nuk ka strukturë ritmike të përcaktuar (dhe aq më tepër, përcaktime të lëvizjes, tempit ose metrit, të cilat saktësohen vetëm në periudhën e pestë krisantine). Por, këndimi realizohet, siç e pohuam më sipër, duke kombinuar ritmin e fjalës me atë prozodik.
Shkrimi muzikor ekfonetik është mbështetur tek thekset gramatikore të gjuhës greke, konkretisht, tek theksi akut - okseja ( / ) dhe theksi grav - vareja ( \ ), ndërsa apostrofi
( > ) është i përbashkët për të dy sistemet, si atë muzikor dhe atë prozodik.
Këto janë dhe 3 nga 9 shenjat e thjeshta te shkrimit ekfonetik, ku së bashku me 6 shenjat e përbëra, e çojnë në 15 numrin e neumave të kësaj periudhe (shih në fund të punimit: tabela nr. 1 kuptimore e neumave ekfonetike). Pavarësisht grupimeve të studiuesve dhe qëndrimeve të ndryshme që ata mbajnë në lidhje me kuptimin muzikor të shenjave, S. Shupo në librin e tij Muzika bizantine, Shkrimi muzikor dhe sistemi modal, arrin në konkluzionin se “që të gjithë studiuesit bien dakord për një gjë: këto shenja nuk kanë karakter diastematik, pra nuk tregojnë lëvizje intervalore. Ato tregojnë tinguj me lartësi pak a shumë të fiksuara në raport me një tingull referencë (tingullin bazë, tonikën)”[5]. Vecohet vetëm njëra prej shenjave që ka karakter diastematik (vjen nga fjala greke dhiasmos që do të thotë interval) dhe është apostrofi, që tregon një sekundë zbritëse nga tingulli bazë, pra është i përcaktuar kuptimi i tij intervalor.Vlerat intonative të tingujve të tjerë përcaktohen duke marrë si referencë tingullin bazë nisëtor - kathistin, i përcaktuar me tingullin do; dhe telenë - si shenjë finale – tonikë. Por, siç pohon S. Shupo tek libri i tij i cituar më sipër, “ky përfundim është arritur duke studiuar pozicionin e shenjave në raport me rrokjet e fjalës dhe pjesët e fjalisë…”[6]
Ky shkrim, në këtë periudhë, është në hapat e parë të tij, prandaj dhe haset shumë më i thjeshtë nga pikëpamja e kombinacioneve të shenjave-neumave në perikopetë e ungjijve, (shenjat ekfonetike përdoren gjithmonë të ciftëzuara përmes mënyrave të ndryshme të kombinacioneve shenjë me shenjë) sesa në periudhat e mëvonëshme kur numri i tyre rritet deri në absurditet (u shtuan edhe shenjat kironomike - art i të drejtuarit të korit me gjeste) prandaj ishte tepër e nevojshme reforma që mban emrin e Jan Kukuzelit (në periudhën e katërt).
Neumat ekfonetike zakonisht shkruhen me ngjyrë të kuqe, por hasen edhe neuma me ngjyrë vishnje si dhe me ngjyrë blu apo të zezë (si tek kodikët e periudhës ekfonetike në AQSH). Neumat vendosen sipër (okseja, vareja, kremasti, paraklitiqia, sirmantiqia, okseja e dyfishtë, vareja e dyfishtë) duke treguar ngritje të intonacionit; poshtë (apostrofi, kathisti) tregojnë ulje të intonacionit por edhe anash (në mes) fjalëve (hipokrisis) ose në mbarim (kentimata) apo në fund (mbyllje finale) të frazave e fjalive të tekstit liturgjik (teleja). Ato shkruhen përgjatë tekstit me qëllim që ti kujtojnë psalltëve melodinë që do të shoqërojë tekstin (pra ka karakter mnemoteknik - kujtesor) dhe, siç përkufizon studiuesi rumun Pantiru “të theksojë vendet e ndryshme të pjesëve të shkruara dhe të tregojë mënyrën e modulimit sipas rëndësisë dhe vendit të tyrë”[7].  
Për transkriptimin e shenjëzimit ekfonetik në pentagram, përdoren vlerat e notave 1/8 për një neumë të thjeshtë, 1/4 për neumën fundore - tonikën (telenë) si dhe grupetet me vlerat përbërëse 1/16 dhe 1/32 (për sirmantiqinë - shenjë ornamentale); ndërsa tek neumat e dyfishta, dyfishohet vlera sipas kuptimit të tyre.  
Paraqitja grafike e neumave muzikore është e veçantë dhe specifike për secilën shenjë, pavarësisht mënyrës kaligrafike të shkrimit e cila varion. Operohet përmes vijave të pjerrëta me kulm të anuar me thep apo të lakuar, lart apo poshtë, të thjeshta apo të dyfishta; zig-zageve dyshe apo treshe vertikale dhe tri pikave horizontale të shenjave të përbëra; pikës ose kryqit (për tonikën) që shkruhet dhe me ngjyrë ari si shenjë finale. Kaligrafia ndryshon jo vetem nga një dorëshkrim në tjetrin por, edhe brenda të njëjtit dorëshkrim, p.sh, kur kanë marrë pjesë dy ose tre shkrues, stili kaligrafik i tyre është i ndryshëm. Ky kalim nga njëri shkrues në tjetrin konsiston në dy vecori shumë të rëndësishme për studimin e neumave të periudhave të ndryshme si dhe në përcaktimin sa më të afërt ose sa më të saktë të ndryshimeve brenda një periudhe por, edhe nga periudha në periudhë: e para kur mbi shkrimin ekzistues ka mbivendosje (palimpsest) dhe e dyta kur ka shtim neumash në vazhdim (në të njejtën faqe ose në faqe të tjera), të cilat përcaktohen nga ndryshimi kaligrafik dhe (në disa raste) i ngjyrës. Këto karakteristika tregojnë për një evoluim të këtyre shenjave dhe përsosjen e tyre nga njëri shekull në tjetrin (shih në fund të punimit: tabela nr. 2 e ndryshimeve kaligrafike, mbështetur tek tabela e L. Tardos, op., cit., tabela II, por e pasuruar më tej me forma kaligrafike të neumave të gjetura në të tjerë kodikë).

2. Fondi i dorëshkrimeve muzikore në AQSH

Të gjitha këto që u parashtruan më sipër, janë karaktristika që gjenden të pasqyruara edhe në dorëshkrimet e muzikes bizantine, konkretisht në dorëshkrimet ekfonetike që gjenden në AQSH. Këto dorëshkrime, janë pjesë e fondit të dorëshkrimeve ose kodikëve (tekste liturgjike me neuma bizantine) që disponon Arkivi Qëndror i Shtetit Shqiptar në fondin me numër 488 (më parë njihej si fondi 888). Gjithsej janë 18 kodikë të periudhave të ndryshme të shkrimit muzikor bizantin (duke përfshirë edhe Kodikun e Purpurt të Beratit,“Beratinus-1” shek. VI, në të cilin, së fundmi, janë gjetur neuma bizantine në fletët 145, 111,156 (ku tek kjo e fundit, neumat janë tepër arkaike të periudhës ekfonetike) sipas S. Shupo tek botimi “Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor në Shqipëri” Neumat ekfonetike në Kodikun e Purpurt, Shek. VI [8] si dhe 2 fragmente kodikësh me neuma ekfonetike, përkatësisht kodiku i Beratit nr. 2 dhe kodiku i Voskopojës nr. 5, nga 17 fragmentet e kodikëve të AQSH-së) për të cilët janë dhënë të dhëna me interes në studimin monografik të Sh. Sinanit: Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e botës”[9].
Kodikët e AQSH-së që kanë neuma ekfonetike sipas numrit rendor të AQSH-së janë:

1. Kodiku i Purpurt i Beratit  nr.   1   shek.    VI                   dy ungjijsh
2. Kodiku i Beratit                    nr.   3   shek.    IX                    perikope ungjijsh
3. Kodiku i Vlorës                     nr.   7    shek.   XI                    perikope ungjijsh
4. Kodiku i Beratit                    nr.   8    shek.   XI                    perikope ungjijsh
5. Kodiku i Beratit                    nr. 15    shek.   XII-XIII          katërungjill
6. Kodiku i Beratit                    nr. 16    shek.   XIII                 perikope ungjijsh              
7. Kodiku i Beratit                    nr. 21    shek.   XII  (1181)   perikope  ungjijsh
8. Kodiku i Beratit                    nr. 26    shek.   XIV                 katërungjll
9. Kodiku i Beratit                    nr. 89    shek.   XIV                 perikope ungjijsh

Do të ndalemi, në objektin tonë të shqyrtimit, tek 8 kodikët ekfonetikë, duke filluar nga kodiku i Beratit nr. 3 (pa u ndalur tek Beratinus-1, për të cilin tashmë ekziston botimi i S. Shupos, dhe as tek 2 fragmentet). Këta kodikë ekfonetikë i perkasin periudhës së shekujve IX-XIV dhe janë dorëshkrime biblike (ungjillore). Te dhëna të plota përshkrimore (pasaportat e tyre) janë tashmë të botuara në “Kodikët e Shqipërisë” [10] si dhe tek botimi i Sh. Sinanit, i përmendur më sipër (Kreu II, f. 79 e vijim).

3. Te dhënat dhe vecoritë e shkrimit muzikor ekfonetik në këto dorëshkrime *

Kodiku i Beratit nr. 3. shek. IX. Perikope ungjijsh në pergamenë, 145 fletë.
Përmasat: 28 x 18 cm.

Ky kodik ështe një perikope ungjish e fragmentarizuar.
Teksti liturgjik është në dy kolona për fletë, i shkruar në greqishten e vjetër.
Shkrimi i tekstit është gërmëmadh dhe bën pjesë në familjen e ungjijve gërmëmëdhenj (maiuscule), po ashtu edhe shkrimi muzikor ekfonetik, duke i’u përshtatur atij të tekstit. Ngjyra e shkrimit të tekstit është kafe, ndërsa titujt janë me ngjyrë kafe në të kuqe.
Kodiku ka pësuar shumë dëmtime: vihen re ngrënie, hollim, vrima, grisje të pergamenës, çngjyrosje te shkrimit si dhe janë zhdukur shkronja të tekstit (bashkë me to edhe neuma). Fletët paraqiten të valëzuara, për shkak të lagështirës. 
Në këte kodik, përdoren këto shenja ekfonetike sipas daljes së tyre për herë të parë në tekst:
kathisti, okseja, teleja, vareja, paraklitiqia, apostrofi, okseja dyfishtë, vareja dyfishtë, kentimata (me tre, por nganjëhere edhe me dy pika horizontale) hipokrisis, sirmantiqia dhe kremasti.Vihen re luhatje të shkrimit p.sh: në fletën 18 shkrimi është më i hollë e më i dendur, kurse në fletën 20 është si në fillim; në fletën 23 përsëri bëhet i dendur, kurse në fletën 109 është përseri si në fillim. Luhatje të tilla ka edhe në mes të fletëve të tjera të tekstit. Njëkohësisht me kaligrafinë e tekstit ndryshon edhe ai ekfonetik, ku disa shenja bëhen më të lakuara (rrumbullakosura në këndet) siç janë okseja, apostrofi e kremasti, ndërsa kathisti bëhet më i mprehtë, me një kaligrafi me cepa, duke e humbur lakueshmërinë e fillimit.

Kodiku i Vlorës nr. 7. shek. XI. Perikope ungjijsh në pergamenë, 287 fletë.
Përmasat: 27 x 22.3 cm.

Kodiku përmban perikope ungjijsh, fragmente relativisht të plota.
Teksti liturgjik është në dy kolona për fletë, me 21 rreshta, në greqishten e vjeter.
Bën pjesë në familjen e ungjijve gërmëvegjël (minuscule), shkruar me ngjyrë kafe (një pjesë e tij është prej ari) kurse shkrimi muzikor ekfonetik është me ngjyrë të kuqe.
Kodiku ka pësuar dëmtime të tilla si brejtje nga insektet, zbehje të tekstit, grisje, prerje, shqitje, të cilat janë prezente në fletë të ndryshme të tij. Në këtë kodik neumat muzikore ekfonetike janë shkruar sipër, poshtë dhe në mes të pjesëve të tekstit si p.sh, hipokrisis, e cila është një neumë vertikale që vendin e saj e ka më shumë në mes dhe më rralle anash kolonës së tekstit.
Në disa fletë shkrimi me ngjyrë të kuqe nuk është shumë i dallueshëm pasi mendohet se shkruesi ka përdorur të njëjtën penë si për tekstin ashtu edhe për neumat ekfonetike, por e ka ngjyer në dy bojra të ndryshme. Kjo vihet re që në pjesën e parë të ungjillit, tek disa prej gërmave të teksit ku ngjyra e kuqe është më e dallueshme se ngjyra kafe.
Kaligrafia e neumave muzikore është më e lakuar (më e rrumbullakosur) me bishta më të shkurtër dhe ka ngjashmeri me kaligrafinë e kodikut të Beratit nr. 8, të cilin do ta shqyrtojmë në vijim. Konkretisht, kjo ngjashmëri bie në sy në fletët 43 dhe 184.
Diferencohen vetëm në kombinimet e ndryshme të neumave ekfonetike. Një arsye e ngjashmërise kaligrafike me kodikun e Beratit nr. 8 mund të jetë, pasi të dy kodikët konkludohet se janë shkruar në të njëjtin shekull. 
Ndërsa studiuesi Sh. Sinani pohon, përmes te dhënave, një tjetër fakt se në listën e kodikëve të Fondit 488 të AQSH-së si dhe në “Katalogun….” e Th. Popës vlerësohet si kodik i gjetur në Berat dhe ka ngjashmëri me kodikun e 4-t dhe të 5-të të Beratit[11] që janë kodikë të shek. X (kjo në lidhje me tekstin liturgjik).

Kodiku i Beratit nr. 8. shek. XI. Perikope ungjijsh në pergamenë, 348 fletë.                                                                                                                                             
Përmasat: 26.4 x 21.4 cm (përmasat e fletës së brendshme)

Kodiku përmban fragmente të ungjijve sipas Mateut, Lukës dhe Markut. Ka, gjithashtu, dhe minej gjithëvjetor (nga shtatori në gusht).
Teksti liturgjik i këtij kodiku është në dy kolona, gërmëvogël, dhe vihet re ndryshim kaligrafik gjatë fletëve të tij, duke dëshmuar se është shkruar nga dy-tre duar, gjë që e dëshmon nga ana tjetër edhe numri i ndryshëm i rreshtave të kolonave (sipas shkruesve, kodikografëve). Ngjyra shkrimit të tekstit është me ngjyrë kafe të çelët deri në faqen 43, kafe të errët deri në fletën 182 dhe kafe të errët në të zezë si dhe të shkruar më imët, përkatësisht në fletët 288-292.
Në përgjithësi gjendja fizike e kodikut është e mirë, por me mungesë të dy fletëve të para, të cilat nuk ekzistojnë (janë grisur), kështu që kodiku fillon ne fletën numër 3.
Shkrimi muzikor ekfonetik në këtë kodik, përgjithësisht është i rrumbullakosur, por stili kaligrafik është i shkujdesur. Kjo kaligrafi vihet re deri në fletën 10, ku shkrimi me bojë të kuqe është i trashur dhe shumë i shkujdesur, supozohet se ështe dhe pjesa e shkruesit (shenjëzuesit) të parë, më e herëshmja. Deri në fletën 43 ky shkrim bëhet më i rrumbullakosur dhe me bishta më të shkurtër, ndërsa neumat vijojnë të jenë shkruar trashë me ngjyrë të kuqe. Deri në faqen 184 shkrimi ekfonetik bëhet vishnje i thellë dhe neumat e perdorura në këtë fletë janë: okseja, sirmantiqia, teleja, apostrofi, kathisti, të cilat e ndryshojnë kaligrafinë e tyre duke u zmadhuar në formë.
Përdoren të gjitha shenjat ekfonetike dhe ka shtim neumash, gjë që vihet re nga ndryshimi i stilit kaligrafik dhe i ngjyrës në vijim (bojës së shkrimit). 

Kodiku i Beratit nr. 21. shek. XII (1181). Perikope ungjijsh në pergamenë, 41 fletë.
Përmasat: 21.6 x 15.3 cm.

Ky kodik është perikope ungjijsh, por përmban ungjijtë sipas Joanit (Gjonit) dhe Lukës. Teksti liturgjik i këtij kodiku është njëshkolonë me 20 rreshta, gërmëvogël.
Grafia është e tipit të vonë, në ngjyrë kafe të errët. Me interes është fakti se ka një datim në fletën 37, ku shkruhet se viti kur është shkruar kodiku është 1181 dhe saktësohet edhe emri i shruesit të kodikut: “U shkrua me dorën e diakon Joanikit” (dhjakut Gjon).
Të gjitha fletët e kodikut janë errësuar në anët e tyre, por në pjesën më të madhe, kodiku është i lexueshëm megjithë dëmet e shkaktuara nga lagështira; fleta e parë (recto) është e palexueshme ndërsa (verso) mund të lexohet, po kështu dhe fletët e fundit janë të dëmtuara; ka dhe pak grisje që vihen re në fletën 1 dhe atë 35.
Në këtë kodik vihet re përdorimi i të gjitha neumave në mënyrë të dendur, të shpeshtë. Konstatohet fakti se ka neuma të shtuara më vonë. Kështu p. sh., në vend të pikës kafe tek teleja është shtuar sipër kryqi me ngjyrë të kuqe (palimpsest). Kjo vihet re edhe në tekst, ku shkronjat nisëtore me ngjyrë kafe më pas janë shkruar me ngjyrë të kuqe. Kaligrafia e shkrimit ekfonetik është më e avancuar, pasi është shkruar me bishta më të shkurtër dhe forma të lakuara, sidomos në fletën 16 (r) ku kaligrafia bëhet më e bukur dhe shkrimi më i hollë se në fillim, ndërsa në fletën 16 (v) shkrimi është i ngjashëm me atë të fillimit. Luhatje të tjera kaligrafike vihen re edhe në fletët e tjera të tekstit liturgjik. Teleja përdoret në formën e saj tradicionale, e shenjuar me kryq, ndërsa paraklitiqia (si shenja që për nga paraqitja kaligrafike varion më shumë) edhe këtu përdoret në dy forma. Neuma hipokrisis paraqitet me dy dhe jo me tre apostrofa (që është dhe përdorimi më i shpeshtë).

Kodiku i Beratit nr.15 shek. XII-XIII. Katërungjill në pergamenë, 356 fletë. **
Përmasat: 21 x 16 .5 cm.

Ky kodik është katërungjill (tetravangjel). Renditja e tyre është sipas rradhës kanonike. Ungjilli sipas Mateut fillon në fletën 9, pasi fletët e para përmbajnë 10 kanonet e Eusebit (tabelat, të shkruara me bojë të kuqe dhe të zbukuruara). Titujt janë shkruar me ar të tretur.
Teksti i këtij kodiku është i shkruar njëshkolonë me 17 rradhë mesatarisht, gërmëvogël, ndërsa grafia është e tipit të vonë, por kaligrafike e me vlera estetike, në ngjyrë kafe të errët. Komentet anësore e ndjekin kodikun gjatë gjithë tekstit liturgjik dhe janë me një grafi të imët, me ngjyrë të kuqe. Megjithë errësimin e fletëve 1 dhe 2, si dhe fletës 256, kodiku është i lexueshëm. 
Shkrimi ekfonetik është me ngjyrë të kuqe (ashtu siç janë dhe komentet e tekstit) dhe nuk ka ngjashmëri kaligrafike me kodikët paraardhës të Beratit (nr. 3 dhe nr. 8), pasi shkrimi është më i imët (edhe në këtë drejtim ka ngjashmëri me kaligrafinë e komenteve të tekstit) dhe me bishtat e gjatë, kurse neumat: kremasti, paraklitiqia dhe apostrofi, që janë më të rrumbullakosura. Në fletën 9 ka dhe shenjëzime (thekse) me bojë të zezë, gjë që haset dhe në fletë të tjera në vijim.
Neumat që përdoren janë: okseja, kremasti, kathisti, teleja, apostrofi, sirmantiqia, vareja e dyfishtë, okseja e dyfishtë, kentimata, hipokrisis (me 3 apostrofa) dhe paraklitiqia (që varion më shumë në paraqitjen kaligrafike: tre trajta kaligrafike).

Kodiku i Beratit nr. 16. shek.  XIII. Perikope ungjijsh në pergamenë, 161 fletë. **
Përmasat: 27.4 x 18.8 cm.                

Kodiku përmban vetëm fragmente të ungjillit sipas Joanit (Gjonit). Ka, gjithashtu, dhe shkrime joungjillore.
Teksti liturgjik i këtij kodiku është njëshkolonë, me 12-13 rradhë për fletë.
Grafia është e tipit të vonë, në ngjyrë kafe të errët, ndërsa thekset e prozodisë dhe shenjëzimi ekfonetik janë me ngjyrë të kuqe dhe blu, ngjyra që përdoren dhe në titujt e gërmën e parë të tekstit.
Gjendja fizike e kodikut është relativisht e mire, është i lexueshëm (duke e krahasuar me dëmtimet që kanë pësuar kodikt e tjerë) por, të gjitha fletët janë të valëzura nga lagështira.
Në këtë kodik vihet re se ka pasurim neumash, pasi perdoren ngjyrat kafe, blu dhe të kuqe për shkrimin e tyre.
Konkretisht, vihet re se ka fletë të shkruara vetem me neuma me ngjyrë blu (p.sh. fletët 57-58) ose fletë të tjera vetëm me neuma me ngjyrë të kuqe (p.sh. fletët 65-134) por edhe kombinime shkrimesh blu me të kuqe si psh tek neuma hipokrisis e përbërë nga dy apostrof (vertikalisht) ku i pari është me ngjyrë blu dhe i dyti me ngjyrë të kuqe.
Gjithashtu, ka pjesë të shkruara edhe me ngjyrë kafe dhe, vihet re, se kjo ka qënë shtresa e parë e shkrimit, ndërsa neumat ekfonetike me ngjyrë të kuqe janë shtuar sipër si p.sh. tek teleja ne fletën 84, pika ekzistuese e shtresës së parë ka qenë me ngjyrë kafe ndërsa kryqi i kuq sipër saj është shtuar më vonë.
Vecohet, këtu, sidomos neuma hipokrisis me katër apostrof, ku shkrimi i kuq është mbi kafin origjinal. Kjo karakteristikë haset dhe ne fletë të tjera të kodikut.
Ky fakt paraqet shumë interes, pasi gjykohet se kodiku ka kaluar në duar të ndryshme, duke u pasuruar me neuma të cilat janë shtuar nga psaltër të tjerë.Tek ky kodik bie në sy përdorimi i shpeshtë i neumës hipokrisis me 2, 3 dhe 4 apostrof, ku i vecantë është përdorimi i këtij të fundit pasi në këtë formë, nuk haset në kodikët e tjerë.Vihet re, tek kjo shenjë, kombinimi i ngjyrave kafe, të kuqe dhe blu, të cilat sjellin edhe ndryshimin e shenjës në disa raste nga 2 në 3 apo 4 apostrof në përbërje të saj. Pra, vihet re se mbi shtresën kafe të neumave ekzistuese është theksuar më vonë, sipër tyre, me ngjyrë të kuqe ose blu.
__________________________
** Shih në fund të punimit: tabela nr. 3, neumat ekfonetike të fillimit të hymnit të parë të kodikut të Beratit nr.15 dhe 16, kopjuar me dore nga H. Sina. Shih, gjithashtu, bashkangjitur, edhe foto të origjinalit, përkatësisht të fillimit të hymnit të parë të kodikëve 15 dhe 16, marrë nga AQSH.

Nga shqyrtimi nga afër i ketij kodiku mendoj se, përderisa që në fillim të tekstit është përdorur ngjyra e kuqe dhe blu (tek kreu dhe shkronja nisëtore) ndoshta edhe neumat si të kuqe dhe blu (duke përajshtuar në këtë rast ato me ngjyrë kafe, që së bashku me thekset e prozodisë, janë shkruar në të njëjtën kohë nga shkruesi i tekstit) janë shkruar afër në kohë me njëra – tjetrën. Kjo dëshmohet, për mendimin tim, edhe nga kaligrafia e afërt në stil mes neumave të shenjuara me të kuqe dhe atyre me blu (janë të rrumbullakosura dhe relativisht me bishta të gjatë). Ndryshon, ndoshta, vetëm dora e shkruesit të neumave me ngjyrë të kuqe (mendoj se është i pari në rradhë) nga dora e shkruesit të neumave me ngjyrë blu, që siç e pohuam më sipër, ka fletë me neuma të kombinuara me ngjyrë të kuqe dhe blu, ku përsëri mendoj se e kuqja është e para në rradhë dhe janë shtuar më pas edhe neumat me ngjyrë blu ( kjo vihet re në ndonjë rast edhe tek thekset e prozodisë, ku mbi theksin e kuq është vijëzuar anash me blu) duke e pasuruar më tepër shkrimin ekfonetik të këtij kodiku.  
Shpesh neumat ekfonetike vendosen të çrregullta, duke mos i përfillur rregullat e çiftëzimit. Kjo”shpërfillje” mund të ketë te bëjë me faktin se në harkun kohor të shek. XIII - XIV fillon dhe (zbehja) rënia e këtij shkrimi. Vijon të përdoret gjithmonë e më rrallë, deri në shek. e XV, kohë kur ai nuk përdoret më. Duhet të kemi parasysh që në këta shekuj lindin dhe zhvillohen tre etapat e tjera të shkrimit muzikor liturgjik bizantin, pra, bashkjetojnë në të njëjtën kohë tre tipologji shkrimi muzikor dhe, pikërisht, në shek. e XV, fillon edhe një etapë tjetër, etapa e katërt e shkrimit kukuzelian (reformues).

Kodiku i Beratit nr. 26. shek. XIV. Katërungjill në pergamenë, 186 fletë.
Përmasat: 18 x 14 cm.

Ky kodik është katërungjill (tetravangjel) por përmban edhe perikope (përveç ungjillit sipas Mateut).
Teksti liturgjik është njëshkolonë, me 19 rreshta, gërmëvogël.
Grafia e tij është e tipit të vonë dhe e shkruar me ngjyrë kafe në të kuqe, ndërsa shkrimi ekfonetik është me ngjyrë të kuqe (por, nganjëherë, edhe si teksti).
Kaligrafia e shkrimit është shumë e imët, shkronjat janë të vogla dhe të pjerrëta djathtas, pra shkronjat nuk janë të rrumbullakosura (si tek kodiku i Beratit nr. 21, ku shkronjat janë shkruar drejtë, jo me anime pjerrëtas, dhe janë më të rrumbullakosura). Duket se shkruesi ka shkruar shpejt (këtë e tregon edhe stili i shkrimit, ku shkronjat janë më të lidhura me njëra tjetrën, gjë që tregon se shkruesi nuk i ka kushtuar vëmendje të veçantë kaligrafisë). Edhe formati i kodikut është më i vogel se kodikët e tjerë ekfonetikë, gjë që kushtëzon si shkrimin prozodik (por edhe atë ekfonetik) i cili, siç e pohuam më sipër, është i vogël dhe i imët.  
Shënimet e ndjekin tekstin, si me ngjyrë të kuqe por edhe me ngjyrën e tekstit.
Kodiku ka pësuar shumë dëmtime, si grisje, brejtje nga mola, shkëputje të fletëve nga lidhja, por më tepër dëmtimet janë shkaktuar nga lagështira, e cila pasi është tharë, i ka rrudhosur fletët dhe i ka shtrembëruar. Nga lagështira ka dhe zbehje, fshirje apo zhdukje të shkronjave dhe rreshtave. Fleta e parë mungon (është vetëm një copë e vogël e grisur) dhe kodiku vijon me fletën e dytë, pra mungon fillimi i tekstit (i ungjillit).
Në këtë kodik përdoren këto neuma të shkrimit muzikor ekfonetik: teleja, apostrofi, kathisti, vareja e dyfishtë, okseja e dyfishtë, sirmantiqia, kentimata, paraklitiqia, okseja dhe vareja. Më shpesh përdoret sirmantiqia, e cila dominon mbi shenjat e tjera. Duke qënë një shenjë ornamentuese (që paraqitet me një grup tingujsh) dëshmon për një    pasuri më të madhe ornamentale në krahasim me kodikët paraardhës.

Kodiku i Beratit nr. 89. shek. XIV. Perikope ungjijsh në pergamenë, 52 fletë.
Përmasat: 25.5 x 21 cm.

Ky kodik është perikope ungjijsh, ku titujt dhe nisëtoret janë shkruar me ar të tretur. Teksti është shkruar në dy kolona, me 20-21 rreshta për kolonë. 
Grafia është tepër e vonë nga pikëpamja kaligrafike dhe me ngjyrë kafe. Vihet re në disa fletë një “ndërhyrje” e mëvonëshme e një shkruesi, i cili ka dashur të “restauroje” me bojë të zezë ndonjë shkronjë apo fjalë të tekstit (por edhe me ndonjë shënim të vogël ndërmjet dy kolonave) por kjo është realizuar në shumë pak raste. Shkrimi muzikor ekfonetik është në ngjyrë të kuqe si në vishnje.
Kodiku ka humbur shumë perikope. Edhe disa prej perikopeve që janë gjetur, nuk janë të plota, pra ky kodik është i fragmentuar dhe përbëhet nga disa fashikuj të shkëputur, por që janë sistemuar në AQSH. Numri i vogël i fletëve të këtij kodiku, vetëm 52, është një dëshmi tjetër e këtij fakti.    
Që në fillim kodiku është i dëmtuar rëndë; fleta e parë është shumë e dëmtuar, cepi i kolonës së parë majtas - në fund është i fshirë nga lagështira, ndërsa kolona e djathtë është shumë e dëmtuar (grafia e palexueshme fare në pjesën më të madhe të saj, por disa neuma me ngjyrë të kuqe janë pak të dallueshme, ndërsa në fund të kësaj kolone, shkrimi bëhet pak i lexueshëm).
Përdoren gjithësej 12 shenja; mungojnë vareja dhe sinemba ndërsa apeso ekso krijohet me çiftëzim.
Shkrimi muzikor ekfonetik është i rrumbullakosur dhe me bishta të shkurtër. Edhe tek ky kodik, më shpesh nga neumat përdoret sirmantiqia, ndërsa paraklitiqia është shenja që varion më tepër në trajtën kaligrafike (përmes katër formave të ndryshme).

***

Në dorëshkrimet bizantine të periudhës ekfonetike që disponon AQSH, përdoren përgjithësisht të gjitha neumat e tabelës së shenjave ekfonetike, të cilat janë të shenjëzuara sipër, poshtë, anash dhe në fund të tekstit liturgjik, i cili shkruhet në përgjithësi me bojë kafe. Për neumat ekfonetike është përdorur më tepër ngjyra e kuqe, por vihet re dhe përdorimi i ngjyrës kafe (të tekstit) vishnje e blu dhe më pak asaj të zezë. Shkrimi ekfonetik është ai që varion (ndryshon) më shpesh (në varësi ose jo të tekstit liturgjik) në këta kodikë bizantinë, gjë që dëshmon për pjesëmarrjen e më shumë se një shkruesi në të njëjtin dorëshkrim - dy deri në tre shkrues (kodikografë) si për tekstin liturgjik dhe, nga ana tjetër, vihen re duar të ndryshme shkruesish (shenjëzuesish) për shenjëzimin ekfonetik - neumat (si p.sh. tek kodiku i Beratit nr. 8, i Beratit nr. 16 dhe i Beratit nr. 21). Kjo vihet re edhe përmes ndryshimit të bojës (ngjyrës) me të cilën shkruesit (shenjëzuesit) e tjerë kanë vijuar të shenjëzojnë neumat, në rastet kur duket qartë dhe ndryshimi kaligrafik i tyre. Por, shkrimi ndryshon edhe kur ai shkruhet me të njëjtën ngjyrë (p.sh. tek kodiku i Beratit nr. 8, ku shkrimi muzikor ekfonetik vijon të shkruhet me ngjyrë të kuqe por ndryshon kaligrafikisht në fletë të tjera). Pra, duke hasur ndryshime kaligrafike në fletët në vijim, dëshmohet se këto dorëshkrime janë pasuruar me neuma nga shkrues të ndryshëm (mendohet edhe në kohë të ndryshme, duke ditur që kjo është dhe periudha më e gjatë e shkrimit muzikor bizantin që rrok gati 9 shekuj, duke pasur parasysh kodikët e AQSH-së). Në këtë kontekst, ka raste që shkrimi ekfonetik është shkruar mbi atë ekzistuesin (palimpsest) ku mbi shtresën kafe ka shkrim ekfonetik sipër me të kuqe (p.sh. tek kodiku i Beratit nr. 21, ku mbi pikën e telesë me ngjyrë kafe është shkruar sipër me ngjyrë të kuqe) si dhe vihet re shtim neumash (me ngjyrë dhe kaligrafi tjetër) brenda një kodiku (p.sh. në kodikun e Beratit nr. 16 ka fletë, ku neumat janë shkruar me ngjyrë të kuqe, po kështu ka fletë ku neumat janë me ngjyrë blu si dhe kombinime neumash të shkruara  me të kuqe dhe blu në fletë të tjera).
Pra, si ndryshimet e shkrimit muzikor ekfonetik brenda të njëjtit kodik, ashtu edhe nga njëri kodik në tjetrin, dëshmojnë për evoluimin e këtyre shenjave, kombinacionet e reja që krijohen dhe, mbi të gjitha për përsosjen e alfabetit muzikor bizantin nga njëri shekull në tjetrin. E vecanta e këtij shkrimi muzikor, si fondament i shkrimit muzikor bizantin të të katër periudhave vijuese, është bashkekzistenca në të njëjtën kohë edhe me shkrimet e periudhave të tjera që lindën në shekujt më pas si ajo paleobizantine, mediobizantine, dhe në fillimet e saj, kukuzeliane, pasi shkrimi ekfonetik vijon të përdoret edhe në këta shekuj.   
Këto, dhe të tjera vecori të shkrimit muzikor bizantin, si p.sh. përdorimi i ciftëzuar i neumave në kodikët ekfonetikë të AQSH-së, marrëdhëniet tekst-melodi në këta kodikë, por dhe transkriptimi e analiza e krahasuar, do të jenë në fokus të punimeve të tjera në vijim.      
Dorëshkrimet bizantine të periudhës ekfonetike, së bashku me dorëshkrimet e tjera bizantine që disponon AQSH, janë dëshmi e traditës së herëshme që krijoi arti psaltik në Shqipëri. Ato, erdhën deri në ditet tona si një vlerë e padiskutueshme dhe e rëndësishme dokumentare e historike e artit dhe kulturës bizantine në vendin tonë por, dhe si pjesë integrale e art-kulturës ballkanike, evropiane e me gjerë. 

Résumé

Shkrimi muzikor bizantin kalon në pesë etapa periodizimi, duke nisur (sipas të dhënave studimore) që prej shek. VI e deri në çerekun e parë të shek. XIX. Periudha ekfonetike është etapa e parë dhe fondamentale e shkrimit muzikor bizantin. Në këtë periudhë lindën dhe shenjat ose neumat e para (gjithsej 15) të cilat krijojnë sistemin më të hershëm të këtij shkrimi. Ky shkrim bizantin është ngritur mbi të kënduarin ekfonetik (quasi parlando) ose të kënduarin recitativ të psaltërve. Këto shenja janë prejardhur nga thekset e gjuhës greke, respektivisht nga theksi akut (okseja) dhe theksi grav (vareja), ndërsa apostrofi është një shenjë (neumë) e përbashkët si për sistemin muzikor dhe atë prozodik. Apostrofi është e vetmja shenjë që ka kuptim diastematik (intervalor) të përcaktuar (sekundë zbritëse nga tingulli bazë). Paraqitja grafike e neumave është specifike per secilën prej tyre. Duke qënë se dorëshkrimet (kodikët) bizantine kanë kaluar nga një shkrues (shenjëzues) në tjetrin, neumat muzikore ndryshojnë kaligrafikisht. Kalimi në duar të ndryshme i këtyre dorëshkrimeve, i kanë pasuruar ato (dorëshkrimet) me neuma të shtuara, duke krijuar në këtë mënyrë më shumë kombinacione, të cilat dëshmojnë për një proçes evolutiv të këtij sistemi muzikor bizantin në shekuj.
Në Shqipëri ruhen dorëshkrime të periudhave të ndryshme muzikore, të cilat janë pjesë e fondit të AQSH (Fondi 488). Gjithësej janë 18 kodikë të periudhave të ndryshme. Nga këta, 9 janë kodikë me shkrim muzikor ekfonetik dhe 2 janë fragmente kodikësh, ku janë gjetur neuma muzikore ekfonetike. Ky fond dorëshkrimesh muzikore, hapet me Kodikun e Purpurt të Beratit, “Beratinus-1” të shek. VI, tek i cili janë gjetur neuma ekfonetike në 3 fletë (sipas studiuesit S. Shupo, por edhe nga shqyrtimi i kodikut personalisht).Të dhënat dhe veçoritë e shkrimit muzikor të kodikëve të Beratit nr. 3, Vlorës nr. 7, Beratit nr. 8, 15, 16, 21, 26 dhe 89 japin një panoramë të qartë e të plotë të perdorimit të këtyre shenjave, kombinimeve të ciftëzuara të tyre në mënyra të ndryshme, po ashtu edhe mbivendosjeve, shtimeve të neumave, të cilat dallohen përmes ndryshimeve të ngjyrës me të cilën janë shkruar ( kafe, të kuqe, blu, të zezë) si dhe paraqitjes kaligrafike të tyre (kodikët e Beratit nr. 8, 16, 21).Veçohet, në këtë rradhë kodikësh ekfonetikë, kodiku i Beratit nr.16, tek i cili vihen re qartë karakteristikat e sipërpërmendura, duke e pozicionuar këtë kodik si më të spikaturin e kësaj periudhe.
Informacioni përmbledhës i këtij artikulli, synon të hedh dritë dhe “të fshijë pluhurin e shekujve” mbi kodikët ekfonetikë të fondit arkival që disponon AQSH si dhe, përmes tyre, të japë të dhëna konkrete  mbi sistemin e parë të shenjëzimit (sistemin e shkrimit të neumave) dhe mënyën e të kënduarit të muzikës së kishës bizantine të kësaj periudhe në Shqipëri. 

Burime të tjera të shfrytëzuara

1.       Engberg, G. Greec Ekphonetic Neumes and Masoretic Accents, Studies in Eastern Chant, Vol. I, Oxford University Press, 1966.
2.        Gaisser, H. Le systeme musical de l’ Eglise grecque d’apres la tradition, Roma, 1901.
3.        Giulianu, V. Melodica bizantina, Editura muzicala, Bucuresti, 1981.
4.        Hoeg, C. La theorie de la musique Byzantine, Revue des Etudes grecques, 1922.
5.        Krisanthi i Maditit. Theoretikon mega tis musiqis eklesiastiqis, Trieste, 1832.
6.        Lazarov, S. Istoria da notnoto pismo, Sofia, 1965.
7.        Petresco, P. J. D. Etudes de Paléografie musicale Byzantine, Bucuresti, 1967.
8.        Psakos. Parasimantiqi tis vizantinis muziqis, Athine, 1917.
9.        Revell, E. J. Hebrew Accents and Greek Ekphonetic Neumes, Studies in Eastern Chant, vol IV, Oxford U. P, 1978.
10.     Riemann, H. Neue beitrage zur Lousung der Probleme der byzantinischen Notenschrift, Lipsia, 1915.
11.     Thibaut, J. B. Etude de la musique byzantine, Le chant Ekphonetique B. Z. VIII, 1899.
12.     Tiby, O. La musica bizantina, Frat. Bocca Edit., Milano, 1938.
13.     Thillyard, H. J. W. Handbook of the Middle Byzantine Notation, MMB, Subsidia I, Fasc I, Copenhagen, 1935. 
14.      Wellesz, E. Byzantinische music, Breslau, 1927.


[1] Hoeg, C. La notation ekphonetique, Copenhague, MMB Subsida, Levin Munskgaard, Ejuar Munskgaard, 1935, f. 103-109.
[2]  Tzetzes, J. I epikoisis tis parasimantiqis ton Vizantinon, Parnassos 9/ 1885, f. 441.
[3] Tardo, L. L’antica melurgia bizantina, Grottaferrata, 1938, f. 48.
[4] Wellesz, E. A Histori of the Bysantinischen Music and bibliography, Oxford, 1961,
f. 249.
[5] Shupo, S. Muzika bizantine. Shkrimi muzikor dhe sistemi modal, Tiranë, Shtëpia botuese “Libri universitar”, 1997, f. 8-9.
[6] Ibid., f. 10.
[7] Pantiru, G. Notatia musicii bizantine, Bucuresti, Editura muzicala, 1982, f. 39.
[8] Shupo, S.  Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor bizantin në Shqipëri: Neumet ekfonetike në Codex Graecus Purpureus Beratinus, Shek. VI. Documentatin and communication Center for Regional Music, Mvsica Albanica, Studime dhe dokumente IV, Tiranë, Asmus, 2008, f. 11.
[9] Sinani, Sh. Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e botës”, Studim monografik, Tiranë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, 2010, f. 190-191.
[10] Popa, Th. Katalogu i kodikëve mesjetarë të Shqipërisë, dorëshkrim i botuar në “Kodikët e Shqipërisë”, botim i Unesco-s dhe i  DPA-së, Tiranë, 2003, f. 87 e vijim.
* Renditja është bërë sipas shekujve për efekt analitik.
[11] Sinani, Sh. op. cit., f. 104.