Jackson Pollock, ose një vallzim jetë-vdekje (Jackson Pollock, sau un dans viaţă-moarte)

Enton PANARITI


Jackson Pollock është lindur në 28 Janar të vitit 1912 në Cody të Wyoming nga një familje me prejardhje skoceze. Pollock do të bëhej një nga piktorët më të pazakontë të artit botëror dhe do të kthehej në një nga legjendat e gjalla të artit modern gjatë shekullit të 20-te. Revista e mirënjohur “Time Magazine” do ta cilësonte si “Jack Derdhësi”. Me të drejtë: Pollock do ta drejtonte “derdhjen“ e rrjedhës së artit pamor në drejtim te qytetit të New York-t pikërisht atëhere kur Amerika e pas Luftës së Dytë botërore ishte tashmë një superfuqi e padiskutueshme në gjithçka, por linte për të dëshiruar në artet vizuale.
Në vitet ‘30 Pollock do ta gjente veten në qytetin e New Yorkut, i cili, në atë periudhë ende përtypte shijen e artit të avangardës franceze dhe asaj evropiane në përgjithësi. Pikërisht për këtë arsye ndihej e shihej një nervozizëm mes artistëve; kish ardhur koha për ta ulur peshoren në favor të qytetit që ndodhej më në perëndim se Parisi apo Londra dhe matane oqeanit. Në New York Pollock bëhet antar i Lidhjes Artistike të Studentëve dhe njihet me Thomas Benton, mësuesi i tij.
Nga Benton ai mori lëvizjet energjike, përthyerjet e vëllimeve, dhe i shkriu me admirimin e tij ndaj krijimtarisë së Miro, Pikaso, Orosko etj dhe me artin e “indianëve” (lëkurëkuqëve) të Amerikës.
Në këtë periudhë Pollock kryen kompozime të mbushura me shenja, vija, figura të përgjysmuara dhe kryesisht të rimarra nga mitologjia greke. Punimet përkatëse dëshmojnë se Pollock ishte në kërkim të një gjetjeje universale, mbarësore, të papërsëritshme, gjë që duket qartë edhe në titujt që përdorte, si: Man and Female [burre dhe grua] She-wolf [Ulkonja],The guardian of the secret [Rojet e sekretit] etj.
Perfshirja në Federal Art Project do t’i jepte Pollock-ut sigurinë financiare dhe njohje të reja me artiste të tjerë të kohës, si: Rothko, Gottlieb, Gorky, De Kooning. Secili më vete dhe të gjithë sëbashku do të bënin epokë në vitet e pasluftës.
“Burimi i pikturave të mia është parandërgjegjja”, do të shprehej Pollock. Vështirësitë me alkolin, gjendja e tij shpirtërore e ndjesore, si dhe ndeshjet e vazhdueshme në jetën e tij ishin gjithmonë shumë afër sipërfaqes. Ndoshta për këtë arsye, në pamundësi për të zgjedhur një mënyrë tjetër rigjetjeje të vetvetes, Pollock e kthen qënien e vet për ndihmë drejt psikanalizes. Rreth vitit 1937, një letër e shkruar prej tij në drejtim të John Graham i bën të dy miq për kokë. Graham e bind Pollockun e ri që t’i hyjë me themel analizës Jungiane, e cila jo vetëm do ta ndihmojë kundër alkoolit dhe rënieve shpirtërore, por do të ndikojë për mirë edhe në artin e tij, duke hapur portat e parandërgjegjes. I menjëhershëm dhe krejt i dukshëm ishte ndryshimi në artin e tij.
Në vitin 1943 Pollock do të realizonte një pikturë të titulluar “Mural”, në banesën e koleksionistes dhe mbështetëses së artit pamor Pegyy Gugenheim, në New York. Përmasat e telajos “Mural” mund të konsiderohen vigane. Nga ana tjetër, “Mural” ishte e para tablo në këto përmasa e një piktori amerikan.
Kur e shikon këtë tablo të stëremadhe, gjendesh i rrethuar nga trajta që zgjojnë në vetëdijë figurat e një turme njerëzish që janëvallëzim të plotë nga e majta në të djathtë.
Tabloja është pikturuar e shtrirë në dysheme. Format, ngjyrat, lëvizjet e penelit, vijat dhe çdo element tjetër përbërës janë gjithashtu në një vallëzim, por pa qendër fikse (rëndese).
Gjatë periudhës që mund ta quajmë “murale” Pollock vazhdon të eksperimentojë me materiale të ndryshme dhe gjithnjë e më shumë largohet nga peneli tradicional i artistit. Në vend të penelit, Pollock fillon të përdorë shkopinj, thika, shiringa të mbushura me ngjyra, kopsa, çelësa, kanaçe të mbushura me bojra, të cilat i derdhte mbi telajo – mjete këto që nuk mund t’i shkonin ende ndërmend asnjë bashkëkohësi te tij as edhe për t’I lidhur njëfarësoj me ndonjë vepër arti. “Mural” shënon për Pollock-un fillimin e asaj periudhe që do ta bënte përfundimisht të famshëm brenda dhe jashtë Amerikës, ndonëse jo të gjithë do kishin të njëjtin mendim për pikturen e tij me “derdhje”.
Teknika e derdhjes është një teknikë shumë çliruese. Kjo mënyrë të punuari e ndihmonte Pollock-un të ndjehej vetvetja.
Ai u shndërrua në njëfarë ëngjëlli çlirues i artit të pasluftes. Pikturat e tij, me teknikën e derdhjes, shkatërruan çdo nocion të ngrirë akademik mbi artin pamor.
Thyerja e nocioneve të mësipërme do t’i hapte rrugën një plejade artistësh, të cilët do ta kthenin përfundimisht New York-un në tempullin kryesor të artit vizual në botë.
Pollock-u nuk përsërit vetveten dhe nuk krijon formula mbi artin e tij. Secila tablo e tij është unike. Sipërfaqja e telajos është e ngjeshur dhe relievet që krijohen të kujtojnë hartat topografike brenda të cilave ngjyrat, vijat, rrjetat e vijave të dendura dhe të rralla, trajtat e ndryshme të ngjizura në të katër cepat e telajos bëjnë që ritmi i krijuar të mos jetë aspak monoton.
Pikturat e Pollock-ut janë një triumf i sublimes në art. Ato nuk të lenë të dyshosh mbi forcën dhe energjinë me të cilat autori ka arritur të kontrollojë ndjenjat e tij gjatë procesit të krijimit. Pollock-u ishte një mjeshtër i shkrirjes së stresit në energji, rrjedhojë e së ciilës janë tablotë e tij me derdhje, dhe derdhja në vetvete është një lloj krijimi.
Ajo që i bënë tablotë e Pollock-ut kryevepra artistike është “aftësia” e tyre për të krijuar rregull nga kaosi.
Miku i ngushtë i Pollock-ut, De Kooning, do ta përmblidhte krijimtarinë e Pollock-ut në shprehjen e famshme dhe emblematike: “Ai theu akullin”. Në fakt, Pollock-u do të hapte rrugën, duke bërë të mundur që piktura amerikane të konkuronte denjësisht me pikturën moderne evropiane.
Pollock-u ishte i pari artist amerikan, fama e të cilit i kaloi kufijtë e Amerikës. Ai ishte një Van Gogh amerikan, dhe vdekja e tij – një symbol.
E gjithë periudha zgjati pak vjet dhe mbas vitit 1955 demonët e vjetër në shpirtin e tij të trazuar u zgjuan sërish, kësaj here për ta mposhtur. Pija, depresioni dhe problemet e jetës vetjake, më në fund do t’i marrin jetën.
I dehur, shoqëruar nga dy femra të reja, njëra prej të cilave ishte e dashura e tij, hipur në një makinë të tipit Olldsmobile, me shpejtësi marramendëse, Pollock-u përplaset me një pemë jo shumë larg shtëpisë së tij dhe vdes në vend. Vdekja e tij me aksident në moshën 44-vjeçare përkrah së dashurës dhe mikeshës së saj, do të kthehej në simbol të jetës dhe vdekjes a la amerikane.
Jackson Pollock përdori një logjikë e mendësi të re ndaj çështjeve shpesh vendimtare, me të cilat u ndesh arti pamor në gjysmën e dytë të shekullit XX.
Boston, janar 2010