një tingull prej vitesh nxihet / un sunet de ani se-ntunecă

Kopi KYÇYKU



Mbi litar

Mund të ec mbi litar pa frikë,
Megjithse nuk jam pehlivan,
Por duhet të sqaroj një pikë:
Ç'njeri është ai që litarin ma mban.


Ka raste

Ka raste që, kur gdhihem, fryn, bie shi,
Por ndjehem, për çudi, fort i gëzuar;
Ka raste kur ndrit dielli bukuri,
Por shpirtin e kam tejet të trishtuar.

Ka raste kur një mik tamam armik
Më duket, e qarkoj plot me dyshim;
Ka raste kur i ligu më ngjan mik,
Dhe gati jam t'i jap një ngjatjetim.

Ka raste kur dhe punën nuk e dua,
Megjithse e çmoj lart, me adhurim;
Kur sherrit i them "lepe" dhe kur mua
Më erren sytë dhe s'kam më as gjykim.

Ka raste kur një dasmë më ndjell zi,
Dhe vdekjen e shijoj si lehtësim;
Lajthitje, brenda trurit - penalltì?
A ka, vallë, për të gjitha një shpjegim? 
18 maj, 2011, në të gdhirë.

Distikët e liqenit


Ai që për të fjetur, shtrat ka zgjedhur tokën,
S'ka frikë se përmbyset kur rrotullon trupin apo kokën.

Më thirre, bir?
(Duke  “u njësuar” me baladën e murosjes dhe me një poezi rumune)

E linin kokën femrat për mua,
Mes tyre ndjehesha si trim azgan,
Një ditë nuk di si m'u kujtua,
Balada e murosjes në Ballkan.

- Kësaj, mendova, i thonë punë!
Përse traditën mos e rizgjoj?
Kështu do le gjurma dhe unë,
Qysh sot kështjellë do të ndërtoj! -

I thirra femrat një e nga një,
E tyrja listë ish fort e gjatë,
Me alfabet: a, bë, cë, dë...
Një muaj prita, ditë edhe natë.

Kush vinte e para do të kish fatin
Si gur themeli shpejt të renditej,
Ta nxirrte sisën jashtë, për evlatin:
Qumësht t'i jepte gjersa të rritej.

Por, nga të gjitha, që ditn' e parë,
Veç një më erdhi dhe duke qarë:
- Më thirre, bir? Ke ndonjë hall?
Ish nëna ime - lot edhe mall!

Përjetë gjallë...

Shkel mbi guriçka,
Më tej mbi rërë,
Lagem në gjolin
E thellë, të gjerë;

Vështroj nga malet
Me sy nga qielli,
Që rrezellijnë
Nën dritë dielli;

Pyes: "Jofrymorët
Jan' përjet' gjallë,
Apo gjallesat,
Tok me ne, vallë?"

Motiv "i peshkuar" në treva vllahe...

E fsheha dashurinë...

E fsheha dashurinë
në gjethet e vjeshtës - stinë,
në drithërimën e muzgut të skuqur fare,
në ca pika shiu udhëtare,
e groposa dalngadal'
në të trëndafilit petal,
e vara tek një ëndërr të bukur, të parrëfyer,
që shëtiste nën hënë duke fishkëllyer,
bëra çmos ta shndrroja në yll,
e hodha sa hap sy e mbyll
në detin që turfullonte, ngrinte çuka
mes dëborave e struka,
i dhashë një të shtyrë i dëshpëruar
drejt cepit të ëndrrës së zhgjëndrruar
dhe kryqetërthor e shtriva
mbi shinat e trenit që arriva...
Por nuk dha shpirt nga kaq mundime!
Mbeti gjallë në zemrën time,
ajo, dashuria trime,
e pamposhtura intime.
Më në fund, emrin dikur
ia skalita në një gur,
ia gërvishta me thonjtë që m'u coptuan,
me cfilitje, me mall, me mendimet që buruan
dhe sakaq, pasionin tim,
si ngushëllim,
e bëra kryq mbi varrin tim.

Qysh në mëngjez...

Nëse kam dalë në buzliqen,
Doje ta dish qysh në mëngjez,
Dikur kjo pyetje ish si refren
Prej melodie që zemrat ndez.

Por sot më dyndi porsi tufani,
Që gjithçka ftoh me akull, borë,
Amani, njerëz, zi të më mbani,
Mbi mua vdekja ka vënë dorë!

Dhe po më sillet me butësi,
Më shoqëron gjer në liqen,
E ka nuhatur: në t'ujtin gji
Përjetë të rri fort më pëlqen.
ora 8.38

Udha...

Asnjëherë nuk e kam parë me të njëjtin sy,
udhën që më njeh qyshse bëra "xa" në jetë.
U çapita mbi të, kapur për dore në fëmini,
në rininë e hershme me vrap e përndeza, si trim me fletë;
eca pa e vënë re, kur zura të piqem me të vërtetë,
në moshë të thyer pyes veten shpesh e më shpesh:
Përse nuk zgjodha tjetër udhë më të lehtë?
Mendime që ma bëjnë kokën përshesh,
Që më bëjnë të qaj, por dhe të qesh!

Tartufët e tranzicionit  

Teksa endem poshtë e lart,
Njoh plot njerëz të pështirë,
Që me dhelpëri dhe "art",
Ia kalojnë fare mirë.

 Miqësia e vërtetë,
Eshtë vlera më e rrallë,
Por që bëhet pre e lehtë
Për këta Tartufë me pallë.

Buzëqeshja që, si lule,
Shpesh s'u shqitet nga fytyra,
Qënka ferrë gjembangule,
Më e tmerrshmja, më e ndyra.

S'ka Tartufi shok, koleg,
Shoqja është send pa shpirt,
Eshtë mall, që del në treg,
Dhe shërben thjesht sa për flirt!

Prona, pra, quhen për ta,
Jo veç trojet e banesat,
Por dhe shpirtrat e gjithçka,
Dinë të fikin ëndrrat, shpresat.

Besëprerë, faqesterrë,
S'njohin nder e as kanune,
Mbijnë e rriten porsi ferrë,
Pjella djalli, monstra dhune.

Përsëritje historie,
Jo në Francë, por n'Arbëri,
Ç' lulëzim hipokrizie,
Vetë Molieri ndjen zili!

Se Tartufët tan' tinzarë,
Hanë dhe përmbysin kupën,
Por dhe s'ngopen duke parë
Jo veç gruan, por dhe çupën!

Për prindët...

Më kapi prapë malli i pashuar,
Për dy të shtrenjtët prindët e mi,
Mbrëmë në ëndërr i kam takuar,
U thashë: "Do vini, apo të vi!"

Për prindët qënkan tri dashuri:
E para: ndihi sa ke fuqi!
E dyta: kurrë mos i pezmosh!
E, mbi të gjitha: fort t'i durosh!

Veten e pashë sot në pasqyrë,
Një lot i nxehtë më përvëloi,
M'u end ngadalë nëpër fytyrë,
Një zë në vesh ëmbël jehoi:

- O bir, mos qaj porsi fëmi,
Se na dhemb zemra, kur të shikojmë,
Ndonjë gabim bëre dhe ti,
Por ne, si prindër, shpejt e harrojmë!

Këtu, ku jemi, në dhe të zi,
Zotin e lusim: mos na vish kurrë!
Të rrosh i lumtur e pa kufi,
Për ne mos qaj, se tash je burrë!

Me pushkën time...

Më ftove buzëqeshur në shtëpi,
Kur hyra, me besim pushkën e vara,
Aty ku vare rrobat edhe ti,
Më pas krahpërkrah ecëm përpara.

Kur flija, pushkën time e grabite,
(Me plumba plot e mbaj atë gjithnjë),
Më vure në shënjestër, më cfilite,
U ndje rënkimi im, ti s'bëre zë.

Largohu, pra!

Ngaqë të dashkam me shpirt kaq shumë,
Nuk të dëbokam nga zemra dot,
Drejt gjolit tënd i imi lumë
Nuk vjen me ujë, por veç me lot.

Më rrjedh në gjumë, rrjedh kur jam zgjuar,
Me afsh të prushtë, më përvëlon,
Largohu, pra, moj e uruar,
Cfilitja ime kaq të shijon?!

Si një sëmundje që s'ka shërim,
Më ke mbërthyer gjersa të vdes,
Si s'e kuptoke që po bën krim,
Jepi, pra, fund, dhe pa vones'!

Ndërgjegjja jote do të t'kafshojë,
Që ke shkrumbuar krejt një njeri,
Por veshi im gjë s'do dëgjojë,
Uroj të ndodhem në dhé të zi!

Tingujt e dëborës
(Kujtim i trishtë)

Në parvaz të dritares
dhe në pragun e jetës,
tingujt e dëborës
këtu, në vendlindje
më jehojnë në vesh
prej shumë vitesh.
Hije të shtënash pushke,
të mbetura diku,
si era e ngrirë
në degët e janarit -
akull në vena.
Në zemrën e ëndrrës së bardhë
një tingull prej vitesh nxihet.

Lutje për egërsirat...

Po numuroja ngadalë, me nge,
(Nuk di në ishte natë apo ditë)
Të gjithë ata, që s'di përse
Më kanë ngritur shpesh kurth e pritë.

Bobo, pohova, qënkan kaq shumë!
Pyeta sakaq si u ka shkuar:
Të gjithë në hon apo në lumë
Njëri pas tjetrit paskan mbaruar.

Ndonjë prej tyre më pat sulmuar,
Aq barbarisht dhe me aq vrer,
Sa për një çast pata tentuar
Të vrisja veten me revolver.

Por ndrrova mendje, më ndihu Zoti,
Se, po të vdisja, fill paskëtaj,
Do uturonin, siç gjëmon moti:
"I dha fund jetës, se ish me faj".

O ju shpirtshtazë, o besëprerë,
Që as urrejtjen s'e meritoni,
Lus Perëndinë mbi ju mos bjerë
Ndëshkimi i epërm që meritoni. 
(E gjithëkohëshme)

Nepërka

Sot një nepërkë udhën ma preu,
Doli nga ferrat, shkonte në breg;
Më pa dhe vrik m'u hodh, kërceu,
Të më helmonte në timin breg.

Me shkop e vrava sa hap-mbyll sy,
Shpirti i pashpirt me zor i doli,
Të gjith' pushuesit që qenë aty,
Më admiruan, asnjëri s'foli.

U them të liqve që më jan' hedhur,
Shpesh, si nepërka, të më bëjn' çikë:
Në grushtin tim lotët kam mbledhur,
Më mos guxojnë, të kenë frikë!

Vdekja
Skicë-portret

Mos e vraj mendjen, jam gjah i lehtë,
Pra, mos rrih gjoksin, mos u mburr kaq!
Kosën e zezë, draprin e mprehtë,
Ngulma pa zor, haj, ngulma paq!
Veç mos u mburr, se krejt meritën
E ka rivalja e jote - jeta,
A di pse sytë tash m'u venitën?
Ajo më lodhi, hallet e shkreta.
Taksën përditë ta kam paguar,
Me disa orë gjumë të thellë,
Por s'ngopesh kurrë, moj e paftuar,
Mbyllmi pafund sytë në shpellë.

Vraga njerke

Kur shkonte në gjol për t'u larë,
Të shkundte tallashin e punës,
Në shpinë vazhdimisht ia kam parë,
Dy gjurmë të vrazhda të dhunës.

Dy vraga të mashës së nxehtë,
Në dorë të njerkës tirane;
Fytyrën e njomë e të zbehtë,
Ia rrihte me shkop e nallane.

Dekadat në të kohës terr
U tretën dhe njerka mjerane
Do shihte me tmerr përmbi tmerr
Kortezhe të zymtë, vargane;

Që mbartnin në sup për varreza,
Qivuret e djemve të vet,
Të nipërve; u nxi në të zeza,
Veç llullës kurrgjë më s'i mbet.

Jetimi u plak dhe ai,
Një sharje s'i nxori ajo gojë!
Përlotur e me plot mirësi,
S'harroi që ta ngushëllojë.

Zanafilla e fjalës

Qysh në të hershmen fëmijëri,
Fillin e fjalës pata gjurmuar,
Ku i ka rrënjët desha të di,
Ky vendburim duhej zbuluar.

Dhe vura re - tej bukurisë,
Shpaloset qielli pa fund, pa anë,
U binda shpejt - tej dashurisë,
Qënka veç nëna - yll, diell, zanë.

Atmëmëdheu - përtej flijimit,
Malli për njerëzit - tej bujarisë,
Biri dhe bija - përtej gëzimit,
Në majë - ndjenja e thjeshtësisë.

Mjaft më...

Netë edhe ditë, dhe ditë prapë,
Me ty t'kaloja, pa ngopje kurrë,
Të vrazhdit dimër, a kur bën vapë,
Prej epshit ndezur, si asnjë burrë.

Por, ah, sa larg, sa larg që je...
Me sy të shoh rrallë, sa rrallë!
Veç syri i shpirtit rri zgjuar, s'fle,
Më jep kurajo e më mban gjallë.

Më the: "SIKUR të jem aty!" -
Pesë gërma sa pesë kontinente,
Aq tej më mbart kjo fjalë nga ty,
Si nga e hëna gjer në të premte!

Kam ndrydhur ndjenjat që xhelozia,
Të mos të hajë si bish' të gjallë,
Por s'po më shqitet as marrëzia,
Më sjell tek ti, s'i bëj dot ballë.

Mjaft më me ndrojtjet, si burracaku,
Në gjinë e ndezur do të pushtoj,
S'e fsheh më tej: zemrën fort laku
Ma ka mbërthyer, dot s'i shpëtoj!

O nëna ime!...

U bë një gjysëmshekull që ike si puhizë,
Pa zhurmë, që mos zgjoje asnjërin në shtëpi,
Nuk deshe që as gjethja e brishtë të lëvizë,
As kokërrza e rrushit të tharë në hardhi.

Na vjen me mall në ëndërr, e qeshur, faqezbehtë,
Në maja gishtërinjsh, njëlloj siç ishe gjallë,
Na prek në qafë e faqe dhe prapë me të shpejtë,
Largohesh se mos gjumi s'na rri më në qëpallë.

U trete, moj shënjtore, por mbeti i paprekur,
Kujdesi yt mahnitës për ç'mbajte në atë gji,
S't'u mpak ty dhembshuria, të mbeti i pamekur
I brendshmi zë i shpirtit, ta ndjej njëlloj tani. 


Në shi fjalësh...

O perëndim i përgjakur diellor,
Të lutem varrosmë me afshin zjarror,
Mes qiellit dhe erës të sertë e të fortë,
Të qaj sa të nginjem me sytë mbi tokë.
Me fyellin e ëmbël, që zemrat i vel,
Një mall dua sot ta zbut, përkëdhel.
Ta zbut sadopak me duart e ashpruara,
Në shpirtrat e vuajtur, në zemrat e coptuara;
Të ndizem, të digjem në detin vajtim,
Nën shira prej fjalësh që s'njohin kursim;
Nën shira të lindur tamam në dru-arrë,
Q'ësht' djep që përkund heronj, luftëtarë. 


Si çilimi...

Si çilimi,
në breg të gjolit luaj i përhumbur.

Mbi guriçkat e njomura hedh shur bardhosh,
si mbi themelet e një kështjelle.
Mjaft e paskam një guriçkë
të lëmuar nga valët e gjolit,
apo një guaskë pa shpirt.

Jo rrallë,
kaq iu dashka njeriut:
një lojë në breg të vetvetes,
i përhumbur,
kur larg e ka shpirtin,
kur larg e ka zemrën,
kur larg ka gjithçka.
9 korrik 2011, pra 18.42




A ndoshta ngaqë smira, si bisha s'më është ndarë
dhe shpesh më ka plaguar, por dot nuk më ka vrarë;
a ndoshta ngaqë nëna m'u tret qysh në të ri,
dhe motra pas e ndoqi, në ankth e tragjedi;
pa dashkam të më falin një çikë mall më shumë,
paçka se zemra e shkretë dhe bën, por dhe s'bën gjumë.
A ndoshta se lakmia në shpirt më paska hyrë
e rrudhat çnuk po bën t'm'i fshijë në fytyrë,
pa dashkam tej së drejtës, me afsh, por dhe me duf,
një yll nga më të rrallët? I gjori plak matuf!



Në dritë

Më kish zënë malli shumë,
Syt' s'u çlodhën javë e muaj,
E harrova fjalën gjumë,
Shpejt m'u zvordh, si gjë e huaj.

Rruga ku e ke shtëpinë,
M'u largua, iku tutje,
Mbajta mike veç vetminë,
Bukë pak dhe shumë lutje.

Lutjet për Të Madhin Zot,
S'i ndërpreva asnjë ditë,
Edhe ja, më në fund sot,
U tret terri, jam në dritë.

O Zot, vetëm Ti...

O Zot I Madh, I Madh! Veç Ti,
Nga buzëvdekja e kthen njerinë,
I fal dhurata, që "Mrekulli"
emrin e kanë; dritë e bën zinë.

Nuk kam të drejtë të Të kërkoj,
I Gjithëfuqishëm, asnjë shpjegim,
Vetëm në gjunjë tash po qëndroj,
Qaj edhe qesh në ngazëllim.

O Zot I Madh, I Madh! Veç Ti,
Përmbysje bën, që s'i kuptojmë,
Na i qan hallet me ngrohtësi,
Na bën që jetën ndryshe ta çmojmë.

O ZOT I MADH, I MADH!...

ora 9.50