Pesë shkronjat (B-C-D-Gj-M)

Gjergj FILIPAJ


Akrepat e ores gati janë vu një përmbi një tek numri 23. Sipas ores t’stilit vintage t’varun në murin me tulla të bardha, ato n’fakt janë të kuqe por t’lyeme me të bardh me u dûk si ato të ndërtesave t’vjetra, duhen edhe disa minuta për me hi n’orën e fundit të ditës. Ashtu si papritë dëgjohet melodia enterainer, e krijuar nga kompozitori afro-amerikan Scott Joplin diku në fillim të shekullit XX, por tashmë ajo po del nga një mjet i krijuar në fund të shekullit XX- telefonit celular.
Numrin e njohu ashtu përnjëherë- edhepse emrin e thirrësit se kishte të shënuar në adresarin e celularit- ah ai dreq celulari nuk mban shumë numra se ka një memorie modeste karshi Gallaxy S2’it apo iPHONE’it.
“Dil n’dritare” – i tha shkurt një zë mashkulli duke e ftuar që të përvjedh kokën drejt ajrit të ftohtë të natës. Nga një largësi e sheh një dorë duke e përshëndetur. “Ueh ku paskan dal sonte”, thoshte me vete ay teksa i afrohej karriges ku e kishte varur jaknen e bleme para 3 vitesh në Springfield. Në vend se të drejtohet nga dera këmbet e çojnë para frigoriferit ku merr një rryp suxhuk derri t’tymosur diku në bjeshkët e Cetinës. Gruaja me shikim e pyet se ku po shkon e ai po me një shikim i thotë se po del t’takoj ca komshinj që kishin gjetur një menyrë interesante me e shtye orën e fundit të ditës.
Për të mbërritur te vendndodhja e katër komshinjve i duhej përdorur 2 lifta, një për ulje dhe një tjetër për ngritje, të shkel mbi një shesh t’mbuluar me tulla ngjyrë tulle nga Katalonia, të kapërcejë mbi një llucë me ujë t’baltëzuar për të kaluar nëpër ca pllaka t’zeza që gjithnjë rrijnë t’kafta.
Duke prekur numrin 7 në interface’n e liftit ai thjesht mundohet të paramendojë se pse katër burra të rritur po kalojnë kohën e tyre të lirë në shkallët mes katit të 6 dhe atij të 7’të në objektin e parë. Imagjinata s’ka kufij por kësaj rradhe ma shumë se t’ia qëllonte ai ishte i interesuar të befasohej nga ajo se çfarë ata bënin aty.
“He erdhe aaa, a t’la gruaja me ardhë”, iu drejtua atij Zotní M’ja që kishte veshur jaknën e të birit diku 19-20 vjeçar. T’katërtit banonin aty derisa i pesti ishte i vetmi “jabanxhi”. Biseda/situata dukej e qetë dhe shumë qejf oriented.
Duke tymosur Marlboro Lights dhe Lucky Strike t’kaltër pesë komshinjtë ia krisën llafeve duke komentuar çdo gjë për të cilën mund të flitej në këtë kohë t’vonë.
Duke folur për raki t’shpisë, Zotní C’ja vrap shkoi në apartamentin e tij dhe solli një domixhan 5 litërsh me raki t’shpisë – dhuratë nga ambasadori nji kolumnisti kosovar. Si duket kolumnisti edhepse dashamirës i rakisë së mirë, nuk e kishte marrë dhuratën. Rakia e ftohtë e ambasadorit në atë natë të ftohtë përveթ djegies së fytit shërbeu edhe si instant ngrohës. Zotní C’ja i cili mbushte gotat e rakisë për veti nuk pinte, atij i mjaftonte aroma e avujve t’rakisë qe të kuptonte se ajo ishte e shkëlqyer.
Në këmbim t’rakisë Zotní Gj’ja ia dha Zotní C’së një rryp t’vogël të suxukut t’derrit.
“E qet këtë n’groshë dhe ajo fiton nji dimezion të ri”, i tha jabanxhiu Zotní C’së duke e ngacmuar se ca mish i derrit nuk do ia prish fenë. Zotní C’ja pa nji pa dy i merr erë dhe qesh duke shtuar se ka me hangër pak nga pak.
Zotní B’ja nga ana tjetër e shkallëve po bisedonte me Zotní D’në a.k.a Doku – tema e bisedës së tyre prekte mjetet e telekomunikimit – në fakt ata shtyheshin se cili është më i mirë iPhone apo Galaxy S2’shi. Zotní D’ja që i posedonte të dy llojet thoshte se “s’ka si galaxy por edhe iPhone nuk asht për tu hedh poshtë”.
Biseda devijonte çdo katër pesë minuta nga komentimi i disa rasteve të trajtimit të pacientëve në QKUK, politikave globale, veriut të Kosovës, tregtisë me Serbinë dhe cilësisë së rakisë së ambasadorit.
Ora në modelin Nokia 1101 shënonte 23:45, edhe pak dhe data do të ndërrohet duke shënuar ditën e re në pikun e natës së mëparshme. Me të pirë gllënjkën e fundit të rakisë erdhi edhe dakiku i kthimit të pesë komshinjve në apartamentet e tyre. Derisa katërshes gazmore iu deshen disa çaste për t’u kthyer në banesa t’pestit jabanxhiut – kjo i mori ca minuta më shumë.
Ora vintage në murin me tulla t’bardha shënon 00:02 duke sinjalizua fundin e një dite dhe njëkohësisht duke paralajmëruar ditën e re e sigurisht edhe vazhdimin e takimit në vende të pazakonta të pesë komshinjve.