Serenadë cigane

Novruz Xh. SHEHU


Prolog

Nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë:
Bota do të jetë vërtet e lumtur,
kur të arrijë tek ciganët...

do
Me veturë presidenti
kalin s’e këmbej,

Për një shishe verë,
Për një dopio “grapë”
Raketa të kem,
Pa ngurim i jap,

Nëse m’i sjellin,
Me rrëmbim ua kthej prapë,

Për një shishe verë,
Për një dopio “grapë”.

re
Puth njëqind vajza,
Betohem:s’jam kurvar!

Po bëra të qajë
qoftë njërën prej tyre,
Me rreze të Hënës
veten e var...

Betohem,
Nuk bëj të qaj asnjë,
Në sininë e hënës,
Kokën për garanci
         shpejt e vë.

mi
Të vdektë burri!
Mos më bëj të vuaj,
siç luan ai me gajden nëpër natë,
me gjirin tënd do luaj.


Lëre fëmijën diku ,
Fëmijtë në botë rriten vet,

Të vdektë ai qafir, e c’të duhet,
Kur s’të puth si unë m’u në buzë,
C’e do kur endet me shporta,
E për dashuri i bën rrugët tërkuzë.

Por tërkuza,moj të hëngërsha syrin,
 të kap, të mos ecësh aspak,
Të vdektë burri,mos më bëj të vuaj,
Një natë me ty e kam hak.

Lëre fëmijën diku dhe hajde,
Fëmijët në botë rriten vet,
Hajde , mos u trëmb kotsëkoti,
 Burri nuk të vdes me të vërtet,

Fa
Në lëkurë defi
shtrihen ciganët:

lumenjtë thurin shportat,
shportat thurin lumenjtë,

Gratë shtrihen si detet,
Burrat hidhen si përrenjtë.

*

Peshqit gëlltisin yje,
nxitojnë të fshihen
në flokët e shelgjeve,

Duel i kërkojnë troftës,
të bindur se ua ka fyer
nimfën e një nate vere,

Mbi lëkurë defi
shtrihen ciganët...

Sol
Flokët mi kreh vogëlushja
përmbi mjegull,
tek dy këmbkat e saj,
u bëra hark porsi pjegull,

Fytyrën e vendosa aty,
Thashë se vdiqa, por s’ish e vërtetë,
Vogëlushja s’ish më vogëlushe,
As unë nuk ishja djalli vet.

Për një natë më bëri të ri,
për një natë e bëra të rritur,
i thotë jetës: “Eja!...”
i them vdekjes: “Pirdhu!...”,

Më rreh me grushte
më kreh me qerpikë:

“Maskara i mirë,
tani ik...!”

Dhe ikim, ku të na cojë rruga e hapur,
Mes shkurresh,mes pemësh gjithcfar,

Askush asaj si thotë “Zuskë!”
Kuptohet, as mua “Zuzar!”

La
Ç’na duhen llafet ,
grindja, mëria,
kur fund, or mik, na paska jeta?!

Presidentët stërfshihen
Të bëjnë dashuri,
Se fund na paska botë e ngratë,

Ata që s'e kuptojnë
i vraftë Zoti:
Në botë,letra janë paratë...

Si
Biblën e ke në vijat e dorës
shpirti im, zemra ime,ëndrra ime,
Aty janë udhët, shkronjat,
kodet dhe era...

Eja të t’i them, syri im,
mos i trego gruas, mos u thuaj shokëve,
atje, tek lumi, magji do të bëjmë

I kam të shkruara tek vija e dorës
Si do përmbysen, një nga një , qeverritë,
Eja të të tregoj sesa fati është pranë,

Eja,asgjë s’të mbaj fshehur,
Biblën e shkrova unë e para
Eja të ta them zemra ime
Dhe bota rregullohet patjetër.

Do
Kronikë dixhitale:
Janë ngritur cadrat e ciganëve,në një cep të Tiranës,
Me copa drurësh,kartonash,llamarinash
Të hedhura poshtë nga pronarët e gratacielave,

“S’dihet pse i duan pallatet kaq të lartë e të ngrefosur
Si kallamboq i araxhiut,
që s’ka të dytë në këtë rrëmujë të dorës sonë...

Ua kam dhjerë gratacielat.Pikërisht sot japin televizionet
Se, në një kat të atij pallati, një 84 vjecar,
vrau të dashurën nga xhelozia...”

Flet një grua,
Që përthith cigaren
Në buzët e saj, që i bën bori

“Njerëz të marrë,mburravec e trapa të lindur,
Që nuk dinë se c’është Jeta,pa le më Dashuria.
Dhe një qëni ja jap,
            por jo të bardhëve mburravec”

Ciganja, shkruan një shkronjë arabe
Me fjollën e tymit të cigares,mandej e lë të tretet
me një kujtim të largët,
Atje ku tretet tërë jeta,
kjo frymë, që hyn e del tek trupi i njeriut.

Sol
Erdhi sot një i bardhë tek ciganët,
Do bëhem si ju,u tha,por askush nuk kuptoi
Pse sytë me lotë iu mbushën...

U shtangën ciganët, si vatha me yje
Në Kashtën e Kumtrit,dhe
                          “Ua!!!”
                           thirrën njëherësh.

Më i moshuari ,kryecigani shekull,
Ja mori qafën nën sqetull,
Jashtroi flokët dhe
“S’ka kohë për lotë”i mërmëriti,

Menjëherë urdhëroi:merrni sazet!
Të dalin të tërë arixhinjtë,
Ata që s’dalin i vraftë ZOTI,
 i bëj harram,nga kjo ditë!.

 Kur të cahen lëkurët e defave,
Grushtat seicili ti përplas mbi ball,
 Me gjokse t’i mbushin klarinat,
 hidhni copa mishi mbi mangall,

Sillni rakinë,hani mirë e pini,
Kërceni dhe me këngë i thirrni tokës,
Se Jeta është e paktë,shumë e paktë ,
Sa një pikë raki në fund të gotës.

*

Një baticë me këngë u vërsul njëherësh,,
Përpara mori c’gjeti,tufani i tingujve,
Gjithcka në rrokopujë e shndërroi.

Me grushta ballet,i bën gjak,
Qielli ra tek gota e u thye si qelq,
Vallja vendosi të ndreq botën.

*

Dhe lotët e të bardhit ikën papritur,
Si të mos të kishin qënë në sytë e tij,
Diku tjetër u mbytën.

Fjetën të tërë të shtrirë mbi tokë,
Yjet mbi sy e shelgjet nën kokë,
Dhe djali i bardh në ëndërr shikoi

Pa diku se si i thirrën Armik,
se i ati ballist i kishte qënë,
Për ty, i thanë, Dielli nuk është Diell,
Dhe vajzën e komunistit s’do ta marrësh...

Vendosi të arratisej, nga të bardhët,
Të ecte pa shtëpi nëpër shtigje,
të fshijë me tinguj lotët...
  
Epilog:

Bota s’do të jetë ndryshe
edhe po të arrijë tek ciganët.
Dëshmon filxhani Hënës,
             shpirt i vogël,

Por, fatin se lëmë pa lexuar,
Në dorë, në buzë,në vithe,në shtat,
Eh ta dinin njerzit, se me dashuri
bota ecën më shumë se me shpatë...
2008-2011