theatrum

Ragip SYLAJ

Dëbimi nga Parajsa

(Tragjikomedi në dy pjesë, përkatësisht në dhjetë pamje, me prolog e epilog)

Motto: Unë mendoj se familja është institucioni më misterioz në botë, më paradoksal në botë, më i çuditshmi në botë, më ekzotiku në botë, dhe më interesanti në botë.
Amos Oz

Personat:

ADAMI, në moshë relativisht të re
EVA, në të njëjtën moshë me Adamin,
VITA (gruaja, 35 vjeçare)
MORTI (i shoqi, 40 vjeç)
KLARA (gruaja tjetër e Mortit, 40 vjeçare)
DRENI (i vëlla i Vitës, 30 vjeçar)
VAJZA (e bija e Vitës dhe e Mortit, 15 vjeçare)
RRËFIMTARI


Ngjarja e pjesës së parë ndodh në një vend imagjinar të botës – në Lindje, ndërsa ajo e pjesës së dytë ndodh në një vend të mërgatës shqiptare - në Perëndim. Aktori që interpreton rolin e Adamit mund ta interpretojë edhe rolin e Mortit si edhe aktorja që luan rolin e Evës mund ta luajë edhe atë të Vitës.
Veshja e personazheve: Veshja e Adamit dhe e Evës mund të jenë të llojit siç përshkruhet në bibël, duke mbuluar vetëm pjesët intime me gjethe fiku. Por, është e mundur që ato të përshtaten në raport me specifikat kombëtare të aktorëve që interpretojnë. Ndërkaq, veshjet e personazheve të tjera mund të jenë veshje të kohës së ngjarjeve, që përkojnë me bashkëkohësinë.
Çdo ngjashmëri me personat e kësaj drame është e rastësishme.

NË VEND TË PROLOGUT: MEMENTO

Ti nuk e ke kryer asnjë shkollë të pikëllimit
Ke banuar vetëm në çerdhe të vuajtjes
Andaj nuk ia di kuptimin gëzimit
As kuptimin e të jetuarit
Ti nuk e ke mësuar gjuhën e bishave
Andaj kërkon ndërmjetësues për shkëmbimin e dhembjeve
Por ndërmjet mishit e thoit nuk hyhet
Hyhet vetëm kur s’hyhet

A thua nga unë kërkon syza për të verbër
Apo nuk e gjen derën që e ka çdo shtëpi
Dielli nuk është i verbër pse ne s’kemi sy
As pse verbohemi ne dielli s’është i zi

Edhe po të biesh në shtrat me djallin
Mos ia mëso vetes gjuhën e urrejtjes
Edhe pse t’është djegur shtëpia e dashurisë

Por dije mbretëria e qiellit është brenda nesh
Andaj thuaj vetëm memento memento memento
Për djallin e dashurisë sate të engjëlltë
Dhe për gjuhën e pamësuar të jetës
Jeta është shkollë e rëndë për të cilën nuk jepen diploma
Të gjithë e shqiptojmë gabimisht këtë gjuhë të huaj

Nëse m’akuzon s’e s’bëra asgjë
Fajtor edhe ashtu ndihem për Ty
Dije se ajo që zihet n’kozmos (s’)varet prej meje

Unë mund të lutem për ty dhe t’i mëshiroj
Hajnat e lumturisë
Sepse butësia është më e fortë se fortësia
Uji është më i fortë se shkëmbi
Dashuria – më e fortë se dhuna*

*Tre rreshtat e fundit janë mendime të shkrimtarit gjerman Hermann Hesse

Pjesa e parë (në fillim të fillimit): Kopshti i Edenit
(Katër pamje surrealiste)

I. (PRANVERA E DASHURISË)

ADAMI, EVA

Pamje kopshti në mëngjes, ashtu siç ekziston në përfytyrimin biblik për Kopshtin e Edenit. Vërehet një harlisje pranverore. Për të mos e ngarkuar skenën apo për lehtësi praktike një pamje e tillë mund të jepet në sfond nëpërmjet kinoprojektorit (videobimit).

EVA
Çka po sillesh si pordha në tirqi?

ADAMI
Pse, çka po ta zë rrugën ty nëse sillem ashtu?

EVA
Bëj diçka përderisa nuk bën asgjë!

ADAMI
Pse, asgjë të duket ekzistenca ime, asgjë të duket puna ime e përditshme?

EVA
Shih mendo diçka edhe për mua derisa lodhesh e humb kohë për të tjerat.

ADAMI
Ku ka femra të tjera në Eden, oj e marrë?

EVA
Atëherë eja e t’i numëroj brinjët se ty nuk të zihet besë!

ADAMI
Kujt nuk i zihet besë? Ti që e shtie djallin në shishe më thua se nuk më zihet besë?

EVA
Pse ti mendon se je një engjëll, oj krijesë balte?

ADAMI
Jo vetëm nga balta, por edhe nga fryma, oj mosmirënjohëse.

EVA
E di, e di çfarë malli je, prandaj nuk ke arsye të krekosesh.

ADAMI
Fundja i njëjti mall jemi nëse të kujtohet. Mbase më keqkuptove kur të quajta mish i mishit tim dhe asht i eshtrave të mi.

EVA
U mësova tashmë me këtë demagogji tënden, me këtë shovinizëm mashkullor.

ADAMI
(I afrohet t’ia marrë belin, t’ia marrë gjinjtë në duar)
Eja oj bukuri e bukurive, oj dashuri e dashurive! Eja se m’u bë zemra prush, se u dogja i tëri!

EVA
Mos ke pirë viagër rastësisht, o horr i horrave? Ti deri tash ishe krejt indiferent ndaj meje. Nuk doje të dije për bukurinë e as për dashurinë time. Çka u bë tash? Çka të gjeti?

ADAMI
Ah, moj e pacipë, ti sikur nuk e di që viagra do të zbulohet tepër vonë nga Ferid Murati, kur të zërë e të plaket njerëzimi.

EVA
Atëherë pse je i shqetësuar, çka po i çon duart aty ku s’duhet?

ADAMI
Prej se e kafshova frytin e asaj peme që ma dhe, nuk po më zihet vendi vend.

EVA
Po mendon prej se i shijove cicat e mia?...

ADAMI
Njëjtë: molla ato, molla ato... Kryesorja më yshte në mëkat.

EVA
Vetë u joshe, o idiot! Vetëm sa nuk qave pas krejt atyre përgjërimeve.

ADAMI
Kryesorja e hëngra...

EVA
Jo, për ta ngrënë, e hëngra unë...

ADAMI
Kot kërkon të shfajësohesh. Hyji, në ndërhyrjen e tij, urdhëroi që të mbetesh nën këmbët e mia, e ti gjithmonë më rri mbi krye.

EVA
Po, por po të mos jem unë, ty nuk do të hanin as qentë, o i marrë; po të mos jem unë, ti do të vdisje në gjumë, dhe po të mos jem unë pastaj do të droja se nuk do të isha as unë.

ADAMI
Pse, ti a je për mua a për vetveten?

EVA
Si mendon, ti?

ADAMI
Paj, ti që çove krye ndaj Hyjit nuk është çudi që as mua të mos ma marrësh në dorë.

EVA
Ti ose shtiresh a bëhesh me qëllim i marrë, ndonëse shumë mirë e di se si në këtë punë na e drodhi djalli.

ADAMI
Prandaj do të vijë koha të kryqëzohet Jezui, prandaj njerëzit nuk do të gjejnë paqe, prandaj një ditë do t’ua mësyjnë faltoreve: kishave, sinagogave, xhamive...

EVA
Ah kur profetizon edhe një budalla se ti, merre me mend çdo të trashëgojë njerëzimi i gjorë.

ADAMI
(Me ironi)
Ti si quhesh me shëndet? Po shëndetësinë mentale a e ke marrë me vete, a e ke mirë?

EVA
Po ma çon mallin e atyre poetëve të së ardhmes që iu ka ikur truri.

ADAMI
Kur edhe gruaja flet për trutë, merre me mend ç’mrekulli pritet t’i ndodhin kësaj bote!

EVA
Po, a më thoshe vetë, o filozofi im injorant se, ne jemi dy gjysmat e një tërësie?

ADAMI
Po, por varet se a je pjesa e ndritshme apo e errët e imja.

EVA
Mbase ai që na krijoi, nuk na krijoi që të jemi a që të bëhemi armiq të njëri-tjetrit.

ADAMI
Por, dyshoj se na krijoi që të jemi edhe miq ndërmjet veti.

EVA
Ti gjithmonë ke qenë pesimist. Prandaj, unë po vuajë shkaku yt, shkaku i ngathtësisë sate. Shkaku yt, kam shumë droje se, do të vuajnë edhe fëmijët tanë.

ADAMI
Nuk ke arsye të flasësh ashtu. Nëse thua a mendon me tru, para se të flasësh duhet të mendosh pak më tepër. Fundja, Zoti a nuk na krijoi në trajtën e vet?

EVA
Ti gjithmonë ke qenë mjeshtër për kopalla... Por, më mirë është të nisesh nga gjendja jote faktike. Shihe si je katandisur!

ADAMI
E di, e di se ku e ke hallin. Femra është e pangopshme në urinë dhe etjen e vet.

EVA
Për jetë...

ADAMI
Që kur lindim, jetën dhe vdekjen i kemi secili brenda vetes. Urrejtja e dashuria si dy luaj grinden pandërprerë brenda nesh. Dhe, luftën e fiton ai, të cilin e ushqejmë më tepër.

EVA
Të thashë de, se nëse jam e pangopshme, e pangopshme jam për jetë.

ADAMI
(Me ironi)
Jo, po për Hyjin.

EVA
Jeta është Hyji dhe Hyji është vetë jeta, drita dhe e vërteta.

ADAMI
E di unë diplomacinë tënde. E di unë Hyjin tënd, ti që u joshe aq lehtë nga djalli.

EVA
Mos i shumëzo pa nevojë mëkatet tua, Adam!

ADAMI
Ah e dashur, ti shumë mirë e di se si i zvogëloj mëkatet e mia, madje edhe tuat: duke e futur djallin në ferr.

EVA
Thuaj çka të duash, por vërtet ferr e bëre jetën time.

ADAMI
E vërtetë, e dashur. Kot të krijoi Ai mes luleve. Kot deshi të të bëj kryelule, por ti duke dashur diçka më tepër, e humbe edhe atë që e pate.

EVA
Askush nuk të amniston nga faji yt, o kodosh! A e di sa premtimet m’i bëje para se të bëheshim burrë e grua? Dhe, mua të gjorës m’i piu sorra mendtë e të besova.

ADAMI
Ti, mendon se është lehtë të jesh qeliza e shoqërisë.

EVA
E si mendon se do ta popullosh këtë tokë të shkretë? Kam droje se edhe ata që vijnë pas nesh do të jenë të ankthshëm si ti, frikacakë e egoistë – njësoj si ti.

ADAMI
Lakmitarë, nepsqarë e të pangopshëm njësoj si ti.

EVA
E kam nga brenga se assesi nuk kanë si të bëhen më të mirë se ti.

ADAMI
Ti nuk i beson Hyjit, andaj brengosesh kaq shumë.

EVA
Duke e parë çfarë malli je ti, po e marr me mend se edhe njerëzimi nuk do të jetë aspak më i mirë.

ADAMI
Ah moj hidër uji, e di se ç’mendon ti.

EVA
Po, por dije se nuk qitet laknor me pordhë.

ADAMI
Ti sikur nuk e di si në fillim të fillimit ishte Fjala... Ti sikur nuk e di apo me qëllim bëhesh budallaqe se, ne jemi krijim i imagjinatës.

EVA
Pse, ti budallai imi dashur po mendon se po luajmë teatër, po mendon se po luajmë komedi?!...


ADAMI
Jo, oj e marrë dhe e bukur, ne vetëm po i luajmë rolet tona: unë timin dhe ti – tëndin.

EVA
Cili autor na krijoi kaq të plogësht e të zbrazët, atëherë?

ADAMI
Kujdes me fjalët, oj heretike, dhe mos e pandeh Zotin për shkrimtar. Fundja atë e ke brenda vetes dhe fatin tënd e farkon vetë, nëse nuk e ke ditur.

EVA
Më mirë të isha personazh i ndonjë libri tjetër, i ndonjë autori tjetër...

ADAMI
E di, e di, do të doje të ishe ndonjë mbretëreshë, ndonjë mbretëreshë si Kleopatra për shkak të së cilës do të bëhen luftëra, ndonjë femër si Helena e Trojës që e ka brenda ngasjen e rrëmbimit apo si Teuta ilire a ndonjë tjetër...

EVA
Ti me gjasë ke luajtur mendsh ose po flet përçartë, ose edhe po trillon si shkrimtar. Për hir të Hyjit shih punën tënde dhe mos u merr me andralla.

ADAMI
Ç’andrralla?! Ah e gjora ime që nuk kam me kë flas. Më mirë do të ishte ta tregoja monologun e vetvetes. Isha duke vështruar perspektivën tënde, perspektivën tonë, oj e gjorë.

EVA
Ti nuk je në gjendje të shohësh para hundësh e po vrojton në një perspektivë aq të largët, e pabesueshme dhe e pamundur...

ADAMI
Hyji na i dha disa mundësi që t’i vëmë në funksion, jo vetëm të pjellim fëmijë.

EVA
Kajden e ke edhe pak të dalësh në kozmos. Mund të mendosh se edhe kozmosi është misioni yt.

ADAMI
Pse , a nuk e sheh sa ngushtë e kemi këtu në Eden?

EVA
Jo, Adam, ti po flet si i dehur. Edeni i takon vetëm të kaluarës. Zemërimi i Hyjit na përzuri nga amshimi dhe na përplasi në truallin e pikëllimit tonë.

ADAMI
Ah ke të drejtë, krijesë me kokë gruaje. U ngatërrova për shkak të meditimeve të thella. Ti e di se ky vend është i stërmbushur me zbrazëti dhe mërzi.

EVA
Se na qenkësha faji i Hyjit që nuk të bëri më të shkathët e më të mençur.

ADAMI
Ah moj grua që nuk jetohet as me ty e as pa ty! Do të bëje mirë që së paku të mos më dehje me shqetësime të reja.

EVA
Ah Adam, i gjori Adam! Po flet si të ishe poet, e deri tash asnjë këngë nuk e qite për mua.

ADAMI
Ah, Evë e dashur, këngët e mia janë mallkimi im. Ato më krijojnë dhembje, edhe kur i ndryj përbrenda, edhe kur i nxjerr nga shpirti.

EVA
Po, kush iu beson këngëve tua, o kokëshkreti im? Ti mendon se duke kënduar do ta shërosh sëmundjen e vetmisë. Ti je kthyer në anën e kundërt të vetvetes. Madje pavetëdijshëm po ma kthen shpinën edhe mua.

ADAMI
Si mos me ta kthyer shpinën kur po m’vjen ngushtë brenda vetvetes. Po m’tepron vetvetja. Shtegtimi im mbërrin vetëm deri te ti...

EVA
Jo, Adam, shtegtimi yt mbërrin deri te trëndafili im mistik. Mos e rrej askënd e as vetveten.

ADAMI
Aty është qendra e kozmosit tënd. Aty fillon e panjohura. Aty fillon kërkimi i misterit. Aty fillon lufta për jetë e vdekje...

EVA
Ti sikur ia ke harruar erën trëndafilit. Trëndafili që nuk ujitet, venitet, Adam-o!

(Adami niset ta ndjekë Evën nëpër kopsht. Evës sikur i pëlqen të ikën. Më në fund, Adami e kap Evën për beli, pastaj për cica. I pëshpëritin diçka njëri-tjetrit me zë të ulët. Më në fund e pushtojnë njëri-tjetrin. Pas pak dëgjohen ofshama e klithma orgazmash. Në qiell, Hëna përderisa lundron mbi re, sikur kundron e turpëruar, me kënaqësi e xhelozi njëherësh derisa fshihet mbas një reje dhe skena errësohet.)

II. (VERA E ETJES)

ADAMI, EVA

Pamje kopshti apo një pamje e tillë në shkërbim Kopshtin e Edenit, por tashmë me një përdiellzim vere në mesditë. Edhe kjo pamje mund të jepet në prapavijë nëpërmjet kinoprojektorit (videobimit).

ADAMI
Ti je jeta ime, Evë?

EVA
Aq sa të jesh jeta e jetës sime, Adamë!

ADAMI
Ti je drita e zemrës sime?

EVA
Në je ti ngrohtësia e eshtrave të mia!

ADAMI
Mjaft më, mos rrej!

EVA
Zoti nuk rrehet, por dije në do ta dish se pa ty, unë nuk jam unë.

ADAMI
Mjaft se po na dëgjon ndokush!

EVA
S’ka kush të na përgjojë. Veç në na përgjofshin fëmijët tanë të pa lindur.

ADAMI
Ti harron se duhet të bëjmë kujdes për hir të Krijuesit.

EVA
Mos moralizo tepër!

ADAMI
Po nuk bëmë kujdes do të degjenerohen fëmijët tanë, pastaj mund t’i kaplojë mallkimi i Hyjit. Dhe mëkatin do ta paguajnë me vdekje.

EVA
Mos ndill zi, Adam. Vetëm një prind i marrë si ti, ua ndjell të keqen pasardhësve të vet.

ADAMI
Pangopësia jote do t’i yshtë gjithmonë në mëkat. E mëkat pas mëkati – në luftëra e në... ferr.

EVA
Mos grij shumë, Adam!...

ADAMI
Oh, ty... Më mirë është të të braktis, por s’kam ku n’hamam të të çoj.

EVA
Ç’do të bëje pa grua? A do të mund të gjalloje pa të? Ç’do t’i bëje afshit pa mua?

ADAMI
(Qesh me ironi)
Do t’i mëshoja me dorë.

EVA
E fëmijët?...

ADAMI
Ah, më ndiej, harrova. S’paskam mundësi të mbetem shtatzënë me vetveten. Më paske mbetur në derë, por së paku rrudhe pak!

EVA
As mos ta ha mendoja se do ta rrudhi. A mos mendove ti se unë jam vetëm për t’i çuar këmbët?

ADAMI
(Me ironi)
Jo, ti je për të filozofuar... Ti je për të qenë ti, e unë për të qenë unë.

EVA
Por, mjeshtëria jote është të më mundësojë që të jem aq sa duhet unë. Dhe sa më tepër që të jem unë – unë, edhe ty do të të jepet mundësia që sa më tepër ti të jesh ti.

ADAMI
Por, zemra ime për sa të jem më tepër unë e aq sa më tepër ti të jesh ti, ti sikur ndihesh e frikësuar.

EVA
Njeriu nganjëherë del nga vetja, Adam. Nganjëherë njeriu nuk është i kënaqur me veten. Mbase e teproj, por nganjëherë më duket pak të jem vetëm grua.

ADAMI
Mos u mundo ta luash rolin e huaj se pastaj të ngatërrohet teksti. Dhe mos më detyro të bëhem ai që s’jam... Por, një gjë duhet ta dish dhe duhet të bindesh: unë – burrë e ti – grua!

EVA
Po, o i gjorë, por kur po të shoh se ti nuk po luan vendit, unë sikur po stërkeqem.

ADAMI
Kjo i bie me thënë që unë të bëhem Evë e ti të mbetesh Adam. E jo, kurrën e kurrës! Kurrë nuk do ta shohësh atë film! Kjo i bie me thënë që nesër-pasnesër stërnipërit tanë të bëhen pedera, pastaj të përhapet SIDA, larg qoftë!

EVA
Le t’i farojë SIDA në mos e përdorshin kondomin!

ADAMI
Mos ha shumë! Ku e di ti çka është kondomi, e pafytyrë? Ty me gjasë të ka hyrë mendja e djallit. Përndryshe, nuk do të dije të pëshpëritje marrëzira. Për Hyjin vetëm nuk kam grua tjetër se, nuk e kisha lënë pa të braktisur.

EVA
E pse, demek?

ADAMI
Sepse, s’ke së paku pak namuz.

EVA
E për çfarë namuzi po flet, pashë Zotin? Mos e ke fjalën për namuzin e atyre grave që shkojnë të mbuluara?

ADAMI
Ti je çmendur, Evë! Për çfarë gjërash më flet këtu? Mos je shprishur dhe je bërë lesbike? Nga t’u shpif ky afsh për gra në një vend ku mbretëron vetëm ti? Mos të ka hyrë mendja e keqe se do të vijë nëpër mal një grua tjetër të ta marr kurorën?

EVA
O, i marrë, ti ke mbetur jashtë kohës. A je vërtet i marrë apo vetëm po shtiresh i tillë, se koha është e Zotit dhe e jona? Ti, a nuk je në gjendje të parandiesh a të nuhasësh se ç’do të ndodhë në kohën e njeriut?

ADAMI
Ti ke rrjedhur fare ose po flet në halucinacione. I lutem Hyjit të të shpëtojë nga përfytyrimet e marra!

EVA
E çfarë profeti më qenke zotërote që nuk iu beson profecive të gruas sate? Nuk ke faj ti. Faj kam unë që e lodh veten me profecira dhe ngase t’i kryen dada punët e tua, e ti vetëm gërhet dhe ia trus gjumë.

ADAMI
(I hapet goja përderisa merr frymë e përderisa përgatitet të ndërlidhet në dialog)
Pse, demek, çdo të duhej të bëja?

EVA
Pse, a bëmë seks pak më parë? A e di se me urdhrin e Hyjit duhet të bëjmë fëmijë? A e di se mund të presim të na lindin habila e kabila e ende një banesë tonën s’e kemi?...

ADAMI
Shih, grua, Kabil nuk pillet, përveçse nëse ke fjetur në shtrat me djallin. Ose nëse, në kohën kur të pushtoja unë, ti i mbaje mendtë te qoftëlargu. Unë e marr me mend se i biri i Mefistofelit është më i bukur se unë dhe ka mundur të ta tundoj ligësinë tënde.

EVA
Dhe, sipas teje, do ta ndalje...

ADAMI
Ah, më mirë ta përdorja kondomin në një situatë të tillë se sa ta ngjizja vëllavrasësin!

EVA
Por, është e shkruar, o hajvan, ndërsa kondomat do të prodhohen me urdhrin e një mbreti që nuk ngopet së flertuari me femra.

ADAMI
Pse, deri në këtë derexhe po shkuaka soji ynë? A është e mundur që ligësia të shitet për virtyt dhe virtyti të konsiderohet si ligësi?

EVA
Njeriu do të ikën nga natyra dhe nga natyrorja, ashtu siç do ikën nga barku i nënës. Ndërkaq, më vonë do të ikën edhe nga vetvetja.

ADAMI
Evë, a je në vete? Ç’është ky tregim fantastik? Në ëndërr po të më dëftohet kjo mund të çmendem e lëre më në realitet.

EVA
Rruga e jetës ka plot të përpjeta e tatëpjeta, madje plot zik-zake.

ADAMI
Dhe m’u bëre edhe filozofe... Një filozofi që t’i luan mendtë, një profetizim përrallor, një antipërrallë, një përrallë kokëposhtë apo me krye në ujë...

EVA
Në m..., deshe të thuash.

ADAMI
Thuaj si të duash, njësoj është.

EVA
Edhe ashtu, frikën e kemi të vetmen rrobë që e veshim. E do të duhej të visheshim vetëm me petka të virtytit.

ADAMI
Kësaj i thonë, prit gomar sa të dalë bar, kur edhe ti u bëre t’i japësh mend dikujt.

EVA
Por, ti o i gjorë nuk e di ç’përgjegjësi të ka rënë në kokë. Ti, sikur nuk e di se ç’obligime ke marrë nga Hyji ditën që u krijove.

ADAMI
Çka i bie kjo?

EVA
Kjo i bie me thënë, që nëse nuk i ke mendtë në krye, pasardhësit tanë do të mund të na mallkojnë.

ADAMI
Pse, ti mendove se unë do t’u jap mend atyre?

EVA
Nëse nuk ke tru për vete normalisht s’ke si t’iu japësh as atyre.

ADAMI
Po m’duket se e ke harruar rolin tënd dhe gjithmonë po t’ngatërrohet teksti.

EVA
Gabimisht po ma atribuon mua atë rol, Adam. Ti nuk po e vëren se nga dita në ditë po t’mjegullohet rruga e jetës. Ndoshta nuk ke pirë ndonjë pije dehëse. Ose, siç më thua mua, djalli të ka pëshpëritur diçka në vesh.

ADAMI
Gruas nuk i kanë hije fjalët e mëdha, sidomos kur ato shqiptohen me zë të lartë.

EVA
Po të ishte ashtu si thua ti, Hyji do të dinte të më krijonte të pagojë... Por, ti Adam si gjithmonë je cinik.

ADAMI
(Me kërcënim)
Për çfarë cinizmi më flet?

EVA
Sepse sojin e ke të tillë. Gjithmonë të pengon e vërteta, gjithmonë e kam vërejtur se i bishtnon asaj.

ADAMI
Herët ia ke nisur ta shfaqësh pakënaqësinë tënde. Kjo pakënaqësi është shenjë revolte dhe kjo revoltë do ta zemëronte çdo burrë... Madje mund ta zemërojë edhe vetë qiellin.

EVA
Ku po sheh burra ti, o i verbër?!... Në këtë botë ka vetëm gra. Madje gra të tilla që duan të sundojnë, të sundojnë madje edhe kur nuk shihen në skenë.

ADAMI
Po, po, e di. Shkaku juaj do të ndizen mëritë. Shkaku juaj do të ndizen luftëra.

EVA
Jo shkaku jonë, por shkaku i lakmive tuaja të sëmura.

ADAMI
Ti ia nise e para, që kur e hëngre atë fryt të ndaluar. Ti ia nise e para dhe m’i le mua këmbët e arushës në duar.

EVA
Doja të t’i hapja sytë, o i verbër! Doja të të nxirrja në dritë, o i panafakë!

ADAMI
Në dritën e djallit më nxore...

EVA
Ah, mosmirënjohës! Edhe sytë të t’i nxjerr, ti nuk ma di për nder. E mjera unë me kë më ra hise ta mplak këtë jetë! E mjera unë, e mjera, me kë më ra hise ta populloj këtë tokë!

ADAMI
Mbylle po t’them se është urdhër i Hyjit dhe mos të ta dëgjoj zërin. Ty të bie në vete vetëm ai që ka dalë nga xheneti.
(I sulet ta godas, por s’e nxë dot)
Çdo fjalë që e flet ma lëndon shpirtin. Përtype pak të shkretën që kur ta nxjerrësh të zërë vend sado pak.

EVA
(Duke u çjerrë)
S’ke vesh ti për fjalët e mia. Përditë i kulloj nëpër tru, por ty nuk të hyjnë vesh. Ndërsa kur rastësisht të hyjnë nëpër njërin vesh menjëherë të dalin nëpër atë tjetrin.

ADAMI
Mjaft! Mjaft! U lodha duke e dëgjuar këtë melodi monotone. Nuk dite asnjëherë ta ndërrosh këtë pllakë...

EVA
Jo CD, deshe të thuash. Më dërgove me një të ndjekur në epokën e digjitalizimit!

ADAMI
Mjaft më, grua e pacipë! Çiftja jote mund të ta denatyralizojë çdo gjë që ka krijuar Hyji, e mallkuar!

(Adami e nxë Evën. Ia dredh krahun. Do t’ia kapë gjinjtë. Ajo reziston. Këlthet, duke kërkuar ta lirojë. Kacafyten nëpër tokë. Eva kërkon ta mëshirojë, pastaj shpërthen në lot. Adami ndien keqardhje dhe ashtu siç janë ratë, e përqafon. Pastaj nisin e puthen. Fillon një (para)lojë e zjarrtë. Nga kjo ngrohtësi fillojnë të piqen frutat në degë dhe të fryjë një erë e lehtë... dhe gradualisht skena errësohet).
(vijon)