Vetmia vjen mes Facebook-ut / Singurătatea vine pe Facebook

Dan Mircea CIPARIU

Shkrimtar e gazetar rumun lindur më 7 shtator 1972 në Bukuresht, anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë. Ka mbaruar Shkollën e Lartë të Gayetarisë dhe Shkencave të Komunikimit. Në shtyp botoi së pari në vitin 1988, kurse me vëllim në vitin 1999: „Eja të takohemi në site të shtunën mbrëma” (Hai să ne-ntâlnim pe site sâmbătă seara). Është kryetar i seksionit të Poezisë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Bukureshtit. Në vitin 2007, vëllimi I tij me poema „Cunami” (Tsunami) fitoi Çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Bukureshtit. Është drejtues i Agjencisë së Librit dhe botuesi i portalit  www.agentiadecarte.ro.

Shpëto e dil!
(Salvează şi ieşi!)

kam gjithnjë e më shumë miq e admirues
në facebook
që s’i kam parë kurrë
sy-ndër-sy
qerpik-më-qerpik
a thua se fytyrat e tyre s’janë prej mishi e gjaku
po vetëm e etëm prej elektriciteti e piklash

s’kam trokitur me ta asnjë gotë vere të kuqe
nuk kam bërë mundje dore
s’kam luajtur poker a tuist
nuk ia kemi shkelur syrin këndshëm shoshoqit
s’kemi qenë kurrë bashkë në kishë për Kungimin e Shenjtë

jemi gjithnjë e më shumë e më të vetmuar
duke shijuar shkatërrimet rreth nesh
a thua se ata s’mund të na prekin
a thua se
ne
miqtë e facebook-ut
jemi një çetë që do t’i mbijetojë
Fundit

„shpëto e dil!” – më shkruan në këtë varg ëngjëlli

Drita si një e fshehtë pa kohë pa hapësirë
më pret të dal

facebook, mon amour
                                Dorina Ciopleas

nuk të shoh prej kaq kohësh në sy
të dërgoj veç mesazhe disa herë në ditë
ndonëse di që gjuan gjithë ç’lidhet me mua
ndonëse e shijon heshtjen time si të qe një konjak i vjetër frëng

rrimë në pritë e presin
reagime shkundulluese
teknika për mposhtjen e ndruajtjes
mjete që do na shpëtojnë nga cunami dhe dështimi

ti je një dashuri prej rërash lëvizëse
ti je macja që e fotografon në fshehtësi
Rabini
Patriarku
Imami

ti je programi më i mirë për të shkruar e jetuar Poezinë
më e reja gjuhë për lumturinë e premtuar
të harxhoj me të gjitha tastet
me të gjitha faturat e pagesës
me të gjitha vrimat e zeza të trurit

„Çfarë po mendon?” – vjen tundimi me pafjetje e turbullim

kërkoj vështrimin tënd pas ekranit
qielli është një libër me shtatë shandanë të ndezur
pritja ime nga lart e nga poshtë
shkruan me një mijë fytyra:
îţi caut privirea de după monitor

„joshje dhe jetë!”

„vetmi më kredi e korube!”

enter
                artistit Mihai Zgondoiu

shtypa:
„në një marrëdhënie me POEZINË”

tërë dynjaja bëri like
tërë dynjaja komentoi pro e kundra
tërë dynjaja çoi lajmin më tej

pastaj ekranin e dyndën dhjetra mijëra
zemra
në tesha vetmie
në tesha të pastra e të ngushta

„jep gjithë ç’ke më të mirë!”
„ndalu larg muzgut dhe yjeve!”
„mos na lerë këtu në harrim!”
- më shkruan shpirtrat

rri mbi male e ujra vetmie
„në një marrëdhënie me POEZINË”
e ardhmja shkëlqen si një yll i këputur
pret vetëm një
enter

shpejt-përpara
(repede-înainte)

në gazeta shkruhet
se do vdesim nga etja vapa uria

në gazeta
askush s’i kërkon falje askujt

në gazeta
tregtia me gëzhoja lulëzon

lumturia rri e ligur urie mbi dysheme
shkelur nga ideologë e kardinalë

ç’ka mbetur në raftin e fundit:
një mbi dozë pritjeje!

33 shkallë
(33 de trepte)

kur mbaron anatomia
shkoj në shtëpi
përgatis banjën dhe briskun
                librin e lutjeve
                                kurorën me lule fushe

jam gati për pastrim
nga ecja më këmbë
në rrugët me pasqyra e kambana të thyera

Fundi më tregon një dritare të hapur
pas së cilës – thuhet –
do marrin dritë
profanët

Fundi më jep të ha
sillet gjithnjë e më mirë
me mua
me ty

user’s life

zgjedh heshtjen
dhe kodrat e pafundme të luleve perandorake
lule të Zotit që ia dhuroj vetes në muzg
pasi ka lënë
shpirtin
mes librash
dhe mjetesh shkrimi

miqtë e rrjetit më japin like
më pickojnë
më shkruajnë parreshtur për
pasqyrat e tyre gënjeshtare
për luftën e tyre kapitëse me të tashmen

komentoj tërmetet e brendshme dhe shkulmin e lajmeve apokaliptike
jam edhe unë një user
që u pëgjigjet tmerreve me tmerre

solaris

„lindja është vetëm për të dashuruarit” – të them duke të kaluar kujtimet mes flokësh
Mes lëkurës sate prej ulliri elektrik

më shtatë të mëngjesit shkruajmë nga një dhomë e zemrës në tjetrën
jemi veç ne dhe filmat pa zë në të cilët s’themi „jo”

guackat dhe gurët e rrallë të detit na njoftojnë
për popujt e pagjumë
që kanë kaluar pranë nesh
me tmerre
me ndërkryerje
me gota e pasqyra të thyera

drita na ledhaton në sy
na gërisht hemisferën femërore dhe atë mashkullore:
dashuria jonë rritet gjithnjë e më shumë
dhe shplekset si një pambuk sheqeri në qiell

No comments: