ALEXANDER ZINOVIEV: Teatri dhe tregjet / Teatrul și târgurile

Situata është e koklavitur, sepse, nga njëra anë ka ekzistuar ideologjia marksist-leniniste në nivel teorik, ta quajmë, kurse nga ana tjetër, ideologjia praktike, ta quajmë, e cila s’ka fare të bëjë me këtë marksizëm-leninizëm. Në nivelin praktik njerëzit donin të bënin karierë, të fitonin TË HOLLA, të punonin sa më pak dhe të përfitonin sa më shumë që të ishte e mundur. Ky nivel është kapur me detaje në të gjithë librat e mi. Ka qënë një kontradiktë brenda ideologjisë marksiste. Ndërsa brenda ideologjisë kapitaliste nuk ka kontradikta mes dy shtresave (niveleve). Të gjithë lëvizin në të njëjtin drejtim: pronë, të mira materiale, liri. Në nivelin praktik të ideologjisë mund të shohësh shkrimtarë të famshëm, filozofë, psikologë. Qeveria sovjetike, sistemi politik, ideologjia zyrtare donin që njeriu të punonte pa marrë kurrgjë si shpërblim, dhe vlerat shpirtërore trymbetoheshin si më të rëndësishme nga ato materiale. Jam njeri tipik nga kjo pikëpamje. Niveli im i jetesës ishte më i ulët se sa i fshesaxhiut që bënte pastrim në zyrën time. Nuk kisha asgjë. Për mua ishte shumë më e rëndësishme ta kaloja kohën me miqtë e mi, të lexoja, të shkruaja. Majakovski thoshte se një këmishë e pastër i mjaftonte. Edhe mua. Udhëheqësit komunistë do të kishin dashur që të gjithë njerëzit të ishin të tillë. Mirpo, teksa unë dhe disa miq mund të ishim të tillë, nuk mund t’u kërkoje të njëjtën gjë 250 milion shtetasve sovjetikë. Shumica e tyre ishin krejt shpërfillës ndaj nivelit teorik të ideologjisë. Ata donin të hanin, të pinin, të edukonin fëmijët. Dhe propaganda perëndimore ishte tejet efikase në Bashkimin Sovjetik, që të mund të përputhej me ideologjinë praktike të popullit sovjetik. Propaganda sovjetike dhe ajo perëndimore zgjatën me dhjetra vjet, por s’patën aspak të bënin me ide abstrakte, me koncepte. Perëndimi kritikoi mënyrën e jetesës në Bashkimin Sovjetik. Propaganda perëndimore tërhoqi vëmendjen drejt pikave të dobëta të jetës sonë dhe ua paraqiti lindorëve Perëndimin sikur ky të ishte vetë parajsa. Shumë njerëz nga Bashkimi Sovjetik vizituan Perëndimin. Dhe ç’bënë kur mbërritën? Rendën nëpër dyqane që të blinin gjëra. Askush mes qindra vetëve që erdhën këtu në Mynih, ku ne jemi prej pesëmbëdhjetë vjetësh, nuk shkoi në muzeum, apo në teatër. As edhe një i vetëm. Akademikë, shkrimtarë, piktorë, të gjithë u sulën menjëherë të bënin tregti.


[Kultura e ideve, bisedë e Aleksandër Zinovjevit me Crisula Stefanescu-n, Nr. 299 / 11 nëntor 2010]

No comments: