ALISA VELAJ: Metamorfozat e pafundme të qenësisë

Rrugëtim nëpër “Pasqyrat e Narcisit” të Ernest Koliqit

Vepra “Pasqyrat e Narcisit”, pranuar nga kritika si maja më e lartë në olimpin koliqian, ka qenë përherë edhe një objekt i vazhdueshëm diskutimesh, përsa i takon përkatësisë zhanrore. Nga gjithë përcaktimet e bëra prej studiuesve të ndryshëm, do të veçonim arsyetimin e studiuesit Tonin Çobani, anipse, jo vetëm i përshtatet më së miri objektit të këtij punimi, por mbështet njëfarësoj edhe etiketimin “tregime” që vetë autori u ka vendosur copëzave mrekullore, të cilat përbëjnë këtë vepër.
Sipas Tonin Çobanit, për nga përkatësia, kemi të bëjmë me prozë të shkurtër pa subjekt, kurse për nga konceptimi, ato janë poezi lirike. [1] Kufijtë mes prozës dhe poezisë janë tepër të tejdukshme në këtë vepër. Prozat e shkurtra marrin jetë përmes poezisë flladitëse të unit lirik, ashtu sikurse shpirti i këtij të fundit “strehohet” brenda kontureve të prozës si në shtëpinë e vet. Kjo mënyrë vetëzbulimi e shpirtit lirik nëpërmjet prozës, ku poezia mbetet vetëm dhe vetëm poezi në mënyrën e përjetimit prej recepientit, dhe ku proza mbetet vetëm dhe vetëm prozë në këndvështrimin e dhënies së informacionit për transformimet që pëson ky shpirt lirik përgjatë metamorfozës së tij. Është një lloj metamorfoze që shkon paralel me zbulimet që i bëhen botës së ngjizur dhe të vetëngjizur, karakteristikë rrëfimtare tepër e rrallë në letërsinë shqipe, por jo në letërsinë europiane të mbarë shekullit të njëzetë. Koliqi vjen herë si një Fransua Moriak në këngëzimin e tij brenda kufijve të prozës, apo në mënyrën se si i vesh disi me mjegull përjetimet e subjektit lirik, e herë si një Artur Rembo, në mënyrën se si përpiqet të zbërthejë deri në detaje anët e ndritura e të errëta të unit poetik. Këto proza, të mbështjella disi me mug, gjë krejt normale përderisa brenda tyre frymon poezia meditative e një erudicioni të rrallë, e rendisin Koliqin ndër autorët më modernë të arealit shqiptar.

Thamë se, përmes prozës, subjekti lirik jep informacion për recepientët e tekstit, ndërsa përmes poezisë ai zbulon vetveten. Por si zbulohet kjo vetvetje, ose si përkapet njëra vetje, kur tjetra sapo ka përhumbur në poezinë e një çasti, i cili, përveçse i tillë, shpesh shtrihet deri në kufijtë e një pambarimi fatlum? Ernest Koliqi vjen si një njohës i thellë i regëtimave më të padukshme të shpirtit njerëzor. Është pikërisht “kjo farfuri ngjyrash e tingujsh”, siç shkruan Martin Camaj, e cila përkapet prej tij që në gjenezë, e mandej shtrihet deri në kufijtë e pambarimit, aty ku shpirti poetik gostitet me mjaltin dhe ambrozin e tij të rinisë së përjetshme. Koliqi është zot absolut i krijesës së tij. Nga njëra anë ai zbulon atë që është dhuruar (shpirtin), nga ana tjetër heton me vështrim psikologu proceset që kanë shpënë drejt ngjizjes së këtij të fundit.
Pasqyrat e Narcisit janë shtatë, domethënë se i tërë ky akt ngjizjeje përmban në vetvete po atë rend shifror, që iu desh Zotit, sipas Librit të Zanafillës, për të krijuar jetën. Këtu jeta është e krijuar, por shpirti poetik zbulon vetveten në shtatë pasqyra të ndryshme. Një farfuri ngjyrash e tingujsh, që shfaqet zbehtshëm e me melodi të sapokrijuara, deri në skajet më të pafundme të lirisë, ku pamjet të lëbyrin sytë dhe simfonia është vetë jeta. Në zanafillën e ditëve të tij, uni lirik gjeneron në qenien e Narcisit dhe përpiqet të përcaktojë atdheun e zërave që regëtijnë thellë tij, duke harruar se është pikërisht ai vetë atdheu i tyre. Është ai njëkoshëm burimi dhe udhëtari, fryma dhe qëllimi, krijuesi dhe krijesa. Me të vetmin areal, tokën shqiptare.
“Nuk zbriste ai za prej rrathëve të qiellit ku Byku i Kumbarës shkëlqente bardhëlues në gjasë të një udhe misterioze shtrue me pluhun margaritarësh. Prej kah vinte atëherë? Sigurisht nga një largësi e madhe apo noshta edhe prej ndonjë vendi të afërm fort: prej thellësisë së shpirtit tim. Mu duk se njofta në atë za shushurimën e ujrave që përshkojnë kryq e tërthor tokën shqiptare”[2].
Qenia ndjen praninë e shpirtit në ditët e fëmijërisë dhe rinisë së tij të parë, por nuk është ende në gjendje të përcaktojë hapësirat nëpër të cilat frymon ky shpirt. Pra është ende një shpirt në padije. Nuk di ende të përcaktojë koordinatat nga zëri vjen, prej një largësie të madhe, apo nga një vend fort i afërm. Është shpirt në fëmijërinë e tij.

(Vijon në Revistë)



[1] Tonin Çobani, Parathënie në Pasqyrat e Narcisit, Camaj-Pipa, Shkodër 2001, f. 8.
[2] Ernest Koliqi, Pasqyrat e Narcisit, Camaj-Pipa, Shkodër 2001, f. 10.