ERMIR NIKA: Modernizmi si dukuri historike, kulturore dhe letrare

Para se të nisim shtjellimin e temës sonë, është e domosdoshme të trajtojmë në vija të përgjithshme mendimin shkencor të gjithëpranuar mbi dukurinë e moderninetit në art e në letërsi. Vetëkuptohet që këto faqe s’janë tjetër veçse një përpjekje për të sjellë thelbin e kësaj dukurie, zbuluar e përgjithësuar prej kaq e kaq studiuesish të huaj.
Me qëllimin e përvijimit të një ideje më konkrete se ç’nënkupton në vetvete modernizmi si koncept dhe çfarë përfaqëson si lëvizje në mendësinë botërore, në kulturë, teknologji dhe në psikologjinë e përgjithshme shoqërore, duhet të rikthehemi në kohë, për të këqyrur gjenezën dhe faktorët përbërës nga të cilët u formua kjo lëvizje. Modernizmi lindi si një term me anë të cilit fillimisht tregohej prodhimi arkitektonik. Më tej ky term do të fitonte terren në shumë fusha të rëndësishme të veprimtarisë njerëzore; me modernizëm do të cilësohej edhe arti i ri figurativ që u zhvillua në Spanjë, veçanërisht në Katalonjë me përfaqësuesit e tij Gaudi, Puig Cadafalch.  “Gjatë njëqind e pesëdhjetë vjetëve të fundit, terma të tillë si “ modern”, “modernitet” dhe së fundit “modernizëm”, si dhe një numër nocionesh që lidhen me to, janë përdorur në kontekste artistike apo letrare për të përcjellë kuptimin gjithnjë e më të mprehtë të relativizmit historik, i cili në vetvete është një formë e kritikës së traditës ”[1].

Fjalën “modernitet” e ndeshim për herë të parë, tek Shatobriandi më 1849, por nuk mund të lihet pa u përmendur fakti se këtë term e hasim edhe në një diskutim të Bodlerit mbi artin bashkëkohor. Në Gjermani, në fillim të vitit 1887, termi modernitet bëhet një parullë e shkrimtarëve, që sot klasifikohen si natyralistë. Gjithmonë ka qëne e vështirë të datohet me përpikmëri shfaqja e një koncepti, aq më tepër kur koncepti në shqyrtim ka qenë gjatë gjithë historisë së tij kaq i ndërlikuar dhe kaq i aftë për të mbjellë mospajtime sa koncepti i “modernitetit”. Megjithatë dihet se ideja e modernitetit mund të konceptohet vetëm e brendashkruar në kornizën e një vetëdije të caktuar për kohën, pra, të kohës historike, lineare dhe të pakthyeshme, që rrjedh pandalshëm përpara. Moderniteti si nocion do të qe ndoshta krejt i pakuptimtë për një shoqëri, e cila nuk pranon konceptin kohor – të rrjedhës së njëtrajtshme e të përshkallëzuara të historisë, ku bashkërendohen kategoritë e kohës bazuar në një model mitik dhe gjithpërtëritës. “Megjithëse ideja e modernitetit është e lidhur pothuaj vetvetiu me shekullarizmin, elementi përbërës kryesor i saj është ndjenja e kohës së pakthyeshme, dhe ky element nuk do të thotë  se nuk përputhet me nocionin Ëeltanschauung, qoftë edhe kur lidhet me pikëpamjen eskatologjike judeo – kristiane të historisë”[2]. Në këtë mënyrë shpjegohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë hipoteza në të cilën, debatet rrahin rreth mendimit se edhe pse nuk ishte aspak e pranishme në botën e lashtësisë pagane, koncepti mbi modernitetin lindi gjatë Mesjetës së krishterë. Pikërisht gjatë Mesjetës fjala modernus, si ndajfolje dhe emër, u formua prej ndajfoljes modo që do të thotë “ e kohëve të fundit, pikërisht tani”. Në pikëpamjen e studiuesit britanik Anthony Giddens mbi këtë dukuri, me anë të së cilës shenjohet bashkohësia, shpaloset ideja se përpos kësaj “moderniteti drejtohet thelbësisht kah e ardhmja, në mënyrë të tillë që e ardhmja gëzon gjendjen e modelimit kundërshtues”[3].
Në letërsi nëpërmjet këtij termi letrar do të përfaqësohej përvoja letrare e poetëve dhe prozatorëve të gjuhës spanjolle dhe portugeze  e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Studiuesit e modernizmit, pas realizimit të një sërë studimesh dhe debatesh të shumta mbi formën e lindjes dhe përhapjes së kësaj rryme në mbarë botën, kanë arritur në përfundimin se babai i modernizimit mendohet të jetë R. Dario, që, veç të tjerash, solli edhe risi leksikore dhe sintaksore në gjuhën dhe letërsinë spanjolle. Esteti i njohur  Th. Ë. Adorno, i përmbahej mendimit se modernizmi para së gjithash është emancipimi historik i harmonisë si një ideal. Këtë qëndrim të tij për modernizmin, Adorno e mbështeste në tre koncepte bazë të cilat kanë të bëjnë me:

  1. Abstraksionin
  2. Disonancën
  3. Të renë (në art dhe kulturë) 
Në bazë të kësaj teorie, arti modern jo vetëm duhet të riprodhojë karakterin abstrakt të jetës shoqërore, por edhe duhet ta shprehë atë si një realitet të jetësuar. Pikërisht në këtë moment zhvillohet disonanca. Në një trajtë tjetër modernizmi shfaqet gjithashtu edhe me dialektikën e së resë, ku edhe kjo është e destinuar të këtë një pikëtakim direkt  me parimin e disonancës. Vetë Teodor Adorno e cilëson estetikën moderne, si estetikë të disonancës.

(Vijon në Revistë)


[1] Matei Calinescu: Pesë fytyrat e modernitetit, studim Sh. B. Dituria, Tiranë 2012, f. 15.
[2] Matei Calinescu: Pesë fytyrat e modernitetit, studim, Sh. B. Dituria, Tiranë 2012, f. 25.
[3]Anthony Giddens: Pasojat e modernitetit, studim, Sh. B. Uetpress, Tiranë 2013  f. 178.

No comments: