MERITA TOÇILA: Lidhja e Artit me veshjen

Veshja e realizuar në sajë të teknikës dhe stilit, demostrohet si art tridimensional në lëvizje. Mbi trupin projektohet modeli sipas një ideje të caktuar dhe nga përzgjedhja e materialit vendoset si do të mbetet varianti përfundimtar. Falë përvojës së trashëguar, veshja duket diçka e realizueshme shpejt, por për të ardhur deri tek konfeksionimi në atelie dhe sfilimi i manekinit mbi pasarelë, fillimisht skicohet në mendjen e dizenjatorit para se të hidhet në letër e të vizatohet me ngjyrë. Nga artisti kalon tek modelisti, i cili bën zbërthimin e modelit në elementë teknikë dhe së fundmi tek ekzekutori. Ky zinxhir bashkpunëtorësh dikur, shumë kohë më parë, ishte vetëm një grup vashash para një vegje primitive, të cilat tentonin që një pjesë të natyrës dhe jetës së tyre ta përfshinin në pëlhurat që endnin. Aty mund të vendosnin zogjtë që fluturonin në qiell ashtu si i konceptonin, njeriun siç dinin ta vizatonin, shtëpinë, pemët, diellin, detin, hënën si drapër që dukej në netët e qarta, velat e hapura të varkave në det tek ishte në lundrim zoti i zemrës së tyre. A nuk bënte të njëjtën gjë Penelopa tek priste Odiseun të kthehej nga rrugëtim i gjatë?! Këto shenja simbolike materializohen dhe kthehen në mesazhe të një botë të tërë besimi. Nëpërmjet analizës së simboleve dhe propabilitetit të zbërthimit të tyre drejt arritjes së kuptueshmërisë së mesazhit të paraardhësve të lashtë për brezat e sotëm, vendosjes së urave lidhëse artefakt-vëzhgues-interpretues, mund të bindemi që do të kemi filluar të vendosim një komunikim me trashëgiminë tonë. Nëse një stilist i viteve ’60-të do të shprehej se funksionaliteti duhet të jetë shpirti i veshjes, kompozimi - ritmi i brendshëm dhe estetika - mbëshjella e saj,[1] habitemi sa të qartë kanë qenë artizanët tanë dhe sa bukur kanë mbivendosur ngjyrat, me sa zhdërvjelltësi kanë përkthyer në imazhe ngjarje, fenomeme e objekte, sa me mjeshtëri e kanë punuar lëndën e parë tekstile për të dhënë një vepër tërësisht të realizuar.

Ky ishte imazhi ndjesor i sjellë në pëlhurë, i cili krijonte marrëdhënie të drejtpërdrejtë me shikuesin, sepse reflektonte historinë e jetës së tij endur me ngjyrë, cilësuar ndryshe si ndërveprimi fillestar art-veshje. Kjo duket një lidhje fort e ndërsjelltë, pasi që nga lashtësia këto dy fysha ushqejnë njera-tjetrën. Arti shihte te veshja zgjidhjet dekorative, strukturën, stilin dhe komoditetin mbështetur në origjinalitet. Artistët kanë filtruar dhe zhvilluar idenë e bukurisë fizike mbështjellë me pëlhurë. Ideja se njeriu duhet të shfaqet bukur skicohet dhe skalitet në të gjitha qëndrimet, rrudh ose shtendos veshjen e tij, rrumbullakos apo zgjat linjën e gjestit.[2] Ky impenjim i vazhdueshëm artistik ka bërë që të kemi një trashëgimi të konsiderueshme nëpërmjet së cilës të kuptojmë shpirtin artistik, kohën dhe ndërveprimin artist-veshje, që krijon një marrëdhënie pasuese shikues-vepër. Kjo marrëdhënie e dytë që lidhet me jetën e veprës pas ekspozimit mbetet gjithmonë e ndryshueshme me evoluimin e kohës dhe brezave sjellë në interpretime dhe këndvështrime të reja, gjë që e bën veprën artistike të duket përherë e re, befasuese dhe e panjohur deri në fund. Vepra artistike, pas ekspozimit, shkakton refleksionin mbi të kaluarën dhe të tashmen dhe ngacmon individë të pajisur me dhunti artistike të realizojnë veshje të stilizuara në bazë të artefakteve nga trashëgimia. Kësisoj mjeshtrat e daltës dhe të penelit, u vijnë në ndihmë artistëve të fushave të ndryshme: teatrit, kinemasë, operas, pikturës, fotografisë, performancës, në paraqitjet e shfaqjeve me temë historike duke sjellë idealet e bashkohores mbështetur tek e kaluara.

(Vijon në Revistë)


[1] Sipas Andre Courreges 1967 tek Icons of fashion (Gerda Buxbaum), f. 89, edit. Prestel, New York, 1999
[2] Referuar Charles Baudelaire tek Le Peintre de la Vie moderne, f.11, Paris, 1863