MIHAI EMINESCU: Drita nuk ndizet veçse për ata që shohin... / Lumina nu se aprinde decât pentru cei care văd...

Ai vend që, përmes veprimtarisë së institucioneve të tij, inkurajon padijën, mungesën e vendimmarrjes, të karakterit, madje i dekoron, dëshmon se është në shpërbërje të plotë.

E keqja kryesore që kërcënon vitalitetin e popullit tonë ëstë demagogjia.

Ligjet e një populli, të drejtat e tij, nuk rrjedhin veçse nga ai vetë.

Natyra e popullit, instinktet dhe prirjet e trashëguara, gjenia e tij, që shpesh, e panjohur, ndjek një ide teksa tjerr në veglën e kohës – këto duhet të jenë vendimtare në jetën e një shteti, jo majmunllëku ndaj ligjeve dhe zakoneve të huaja.

Zakonet pa ligje mund të bëjnë gjithçka; ligji pa zakonet – gati asgjë. Atdhedashuria nuk është vetëm dashuri ndaj tokës që të ka lindur, por sidomos ndaj së shkuarës, pa të cilën nuk ekziston dashuri ndaj atdheut.

E fshehta e jetëgjatësisë së një shteti është ruajtja e hierarkisë së meritave.

Bashkëkohësit janë historianët më të këqinj.

Barazia nuk ekziston përveçse në matematikë.


Puna e një njeriu mund të paguhet. Karakteri, kultura e tij – kurrë.

I varfër është ai që ndihet i varfër dhe të cilit i duhet medoemos më tepër nga sa ka.

Shkolla ka për të qënë shkollë kur njeriu të jetë njeri dhe shteti – shtet. Edukimi është kultura e karakterit; kultura është edukimi i mendjes.

E vetmja pasojë e mbushjes së kujtesës me gjëra që s’mund t’i tretë
është neveria e nxënësit ndaj librit. Këtu kanë sosur gati të gjitha shkollat tona. Sheh të rinj që kanë mësuar latinisht, greqisht, histori botërore, logjikë dhe psikologji, shkenca natyrore, gjeografi, drejtësi administrative, ekonomi politike, kanë marrë maturën... e megjithatë nuk dinë të shkruajnë një fjali të saktë, kurse një ditë pas mbarimit të shkollës kanë harruar gjithçka...

Drita nuk ndizet veçse për ata që shohin, jo për të verbërit.

Nuk jemi ne sundimtarët e gjuhës, po është gjuha sundimtarja jonë.

Të detyrosh një popull të mësojë një gjuhë tjetër nënkupton ta budallallepsësh, ta bësh intelektualisht të mangët, por edhe ekonomikisht e politikisht.

Fatkeqësia është mësuesi më i mirë; ka metodën e vet, po kurrë nuk gabon.


Ngadhnjimtari i përkohshëm nuk është gjithmonë edhe i mbrami.
[Nga Vepra]