Muri i Katërt… - Bisedë me artistët Albert Dedja dhe Dardana Bërdyna -


Në vend të Curriculum Vitae…

ALBERT DEDJA & DARDANA BËRDYNA – Fëmijëria jonë ishte vrapim i gëzueshem dhe lojra pa fund në hapësirat e një natyre të mrekullueshme, me tokë të ngrohtë, në mes lumit Erzen dhe detit Adriatik, mes qytetit të Shijakut dhe Durrësit. Nuk mund të rritesh indiferent nga ajo bukuri e pejasazhit gjithë dritë, fllade të ngrohta dhe dimra me stuhi shirash, mes njerëzish të lidhur me tokën dhe detin. Pasioni dhe kontakti me artin lindi pikërisht brenda këtyre përvojave vizive, njerëzore dhe ndjesish të magjishme.

ALBERT DEDJA- Në moshën gjashtë vjaçare, fillova rrethin e pikturës për fëmijë me mësuesen e vizatimit Shpresa Beqiri. Ajo me shumë pasjon na mësoi të vizatonim dhe të dashuroheshim me artin, na mësoi disiplinën e përkushtimit, na nguliti në kokë idenë e kërkimit të së bukurës, si të ngazëlleheshim pas saj. Nga ajo kohë magjike nuk u ktheva më mbrapa për të kërkuar psenë, por vazhdova duke kaluar të gjitha fazat e formimit: Liceun Artistik në Shkodër, Akademinë e Arteve në Tiranë, punën si piktor në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, si skenograf në Teatrin «Aleksandër Moisiu» të Durrësit, kalimin në anën tjetër të detit, dhe jetën artistike në të gjitha dimensionet e saj. Kjo e fundit, për fat të mirë, është akoma në njëfarë mënyre në formim aktiv, ose në shndërrim, një domosdoshmëri e imja për të vazhduar rritjen.


DARDANA BËRDYNA- Pasioni im për letërsinë dhe artin më është edukuar qysh në fëmijëri prej prindërvë te mi. Ata nuk kanë qenë artistë në profesion, por kanë kultivuar te ne, pesë motrat, dëshirën dhe pasionin për artet e bukura, muzikë, balet, teatër, ndoshta si vazhdim i një ëndërre të tyre të fshehur, apo të ndërprerë. Para se të ndiqja studimet e larta, aktiviteti im artistik përmblidhet në një pjesëmarrje të vazhdueshme në programet artistike të shkollave, në shtëpinë e pionierit të qytetit të Durrësit, konkurse të ndryshme të recitimit edhe në nivel kombëtar, e në një serial televiziv për fëmijë. Në Akademinë e Arteve kam pasur fatin e mirë të punoj me aktorët e regjizorët më në zë të kohës. Nuk mund të mos përmend Agim Qiriaqin. Sa herë që ngjitem në skenë, edhe sot, pas shumë vitesh, provoj një ndjenjë mes mirënjohjes dhe falenderimit për atë që ka përcjellë tek unë si pedagog dhe si artist. Rikthimi në Teatrin «A. Moisiu» të Durrësit si aktore profesioniste ishte hapi i parë drejt një karriere profesionale që e ëndërroja prej kohesh. Por rrethanat në ato vite nuk ishin të volitshme për ne, dhe jo vetëm për ne. Në Itali askujt nuk i interesonte cilët ishim. Na u dha rasti të fillonim një jetë nga e para. Ështe fat edhe ky, jo të gjithëve mund t’u rastisë të rifillojnë nga zeroja. Kështu duket nga ana e sipërfaqshme. Megjithatë ne rifillonim mbi formimin tonë, mbi përvojat tona të mëparshme njerëzore dhe artistike, e mbi të gjitha rifillonim me një qëllim të caktuar, arritjen e një objektivi, që dukej shumë i largët për rrethanat në të cilat gjendëm. Përballë një situate të re jo përherë të favorshme, ne kishim epërsinë e energjisë së moshës, të vullnetit dhe këmbënguljes, të pasionit, përfaqësonim një mision fisnik si artistë dhe si qytetarë të vendit tonë «të përkëmbur». Kemi bashkëpunuar me kompani të ndryshme teatrale. Veprimtaria artistike nisi të marre një fizionomi më të përcaktuar njëheresh me krijimin e Kompanisë sonë teatrale «La Quarta Parete», repertori i së cilës pasurohet çdo vit me një shfaqje të re dhe me një publik të pranishëm në rritje.

Haemus: Të dashur Berti dhe Dana! Krijimtaria juaj po bëhet gjithnjë e më e njohur për botën shqiptare pas mbi njëzet vjetësh jashtë kufijve dhe pasi njihet e vlerësohet lart në Itali e gjetiu. Çfarë përfaqëson kjo për ju? Është një vonesë? E dëmshme?

DARDANA BËRDYNA - Ju falenderojmë për interesin dhe stimën që shprehni ndaj nesh dhe punës sonë. Është e vërtetë që jemi «shkulur prej tokës, ose, më saktë, toka është shkulur prej nesh[1]», Qysh në vitet e para, me të gjitha vështirësitë që kemi ndeshur rrugës, ashtu si edhe shumë të tjerë si ne, që zgjodhën largimin e kushtëzuar prej vendit ku u lindëm e u rritëm, jemi përpjekur të mos i largohemi profesionit tonë, të cilit i kushtuam me pasion vite studimi dhe pune. Fillimi është i vështirë në çdo lloj rrethane, aq më tepër një fillim i tillë, kur, në ballafaqim me të tjerët, historia personale nuk ekziston, por njësohet me momentin e dhimbshëm të popullit tënd, dhe për më tepër me gjithçka jo pozitive që shoqëron fenomenin e emigracionit. Natyrisht, në njëfarë mënyre, kjo situate ka frenuar aktivitetin tonë artistik, mirëpo, nga ana tjetër, kjo përvojë është rritje dhe formim, nje bagazh i pasur për ne nga ana njerëzore dhe artistike.
Nuk do ta quaja të dëmshme, as fat e as meritë, natyrisht. Është historia jonë, një «zgjedhje» të cilën e kemi përvetësuar tashmë dhe me të cilën përballemi duke realizuar qëllimet tona.

ALBERT DEDJA – Këta njëzetetre vite kanë qenë punë e parreshtur “transformimi” dhe shpesh vetmohuese, e kam fjalën për sakrificat dhe përqëndrimin – dhe vazhdon të jetë kështu edhe tani. Ata që njohin rrugëtimin tonë artistik e dijnë se sa pasion dhe energji përqëndrojmë në atë që bëjmë. Përsa i përket vonesës, e mendoj shpesh këtë boshllëk, nuk mund të them që nuk na vjen keq, por nuk mund të bëjmë asgjë më shumë për të ndryshuar rrjedhën e historisë sonë vetjake, që ka lënë gjurmën e saj, në të mirë e në të keq. Mendoj se mënyra më e mirë është vazhdimi pa u ndalur, thjesht sepse vonohesh akoma më shumë, dhe kjo s’është gjë e mirë as për ne “të vonuarit”, as për ato që na presin. Jemi të gjithë dakort me shprehjen pothuajse ndërkombetare, “më mirë vonë se kurrë”.

Jeni formuar në shkollën shqiptare. Çfarë përshtypjesh keni nga ajo periudhë?

ALBERT DEDJA - Kthehemi perseri tek koncepti i formimit. Të them të drejtën, nuk arrij të jem «politikisht korrekt», kur flitet për «formimin» që na kanë dhënë shkollat e periudhës komuniste. Më shumë se formim, do ta quaja baza të mira për mësimin e zanatit, të teknikës. Të flasësh për një shkollë që të formon është sa komplekse, po aq dhe e thjeshtë. Kur pyesin artistët shqiptarë për nivelin e shkollave të artit, shpesh përgjigjet janë shabllone. Flitet me superlativa për të përballluar krahasimet me realitete të ndryshme artistike nëpër botë, të strukturuara mbi një raport tjetër. Të pushtuar edhe nga malli për ato vite, kemi përzjerë shumë gjëra që e dijmë mirë se nuk mund të rrijnë bashkë. Personalisht, duke falenderuar pedagogët tanë për atë që kanë mundur të na japin, e ndjej të nevojshme të analizoj me një sens realiteti dhe jo poezie. Duke e parë formimin si diçka komplekse dhe plot përgjegjësi për ata që e kishin marrë përsipër, nuk mund t’i shoh si «formuese» shkollat tona thjesht për faktin se ishin të programuara nga një politikë që bazohej në një «rregull» absurd dhe paradoksal, që nuk ndërtonte mbi njeriun si individ, por e asgjësonte brenda një grupi që ishte i detyruar të ndiqte si metodë orientimi një ideologji të diskutueshme, utopike, përgjithësuese. Nuk mund të «formonin» shkollat tona që bazoheshin tek lufta kundër lirisë, me kuptimin e plotë të saj, kundër çdo opinioni dhe të menduari individual, ndryshe nga klisheja politike (nuk arrij ta ndaj formimin e mjeshtërisë teknike nga ai intelektual në të gjitha gradat që ekzalton liria). Përkundrazi, shkolla të dënonte për këtë. Si rrjedhim, edhe ata pak artistë me vlera profesionale interesante që kishim, disa ishin profesorët tanë në shkollat e artit që frekuentuam, nuk ishin të lejuar të na «formonin» si individë, të analizonin karakteristikat deri dhe komplekset tona, aq të rëndësishme për të «formuar» bazat e para të origjinalitetit në aktin krijues. Kështu që edhe kërkimet e vlerave artistike bëheshin në një pyll parametrash të gabuar. Ne të gjithe silleshim rrotull në atë lëmë klaustrofobik. Pasi mbaruam studimet, kuptuam që të gjitha pyetjet brenda nesh nuk mund të gjenin përgjigje vetëm tek mjeshtëria teknike, për të cilën aq shumë ndiheshim krenarë… Megjithë pamundësitë për të pasur kontakt direkt me artin bashkëkohor nëpër botë, herë pas here na binin në duar fshehurazi katalogë, ose libra arti, «të ndaluar» me shumë se Bibla e Kurani në atë kohë, dhe filluam të kishim ndonjë informacion përtej mureve, të dhëna që shuanin sadopak kurreshtjen dhe ndiznin dëshirën për t’iu bashkangjitur atij grupi. Ndaj asaj periudhe provoj një ndjesi të trishtuar humbjeje, që edhe sot e kësaj dite une dhe brezi im nuk kemi arritur akoma ta superojmë. Kur kaluam në anën tjetër të detit, e ndjemë akoma më shumë këtë mangësi.

DARDANA BËRDYNA - Jemi diplomuar të dy në Istitutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Akademia e Arteve të Bukura) nga fundi i viteve ’80. Periudha ndoshta më e bukur për të qenë student i asaj shkolle. Vite gjatë të cilëve shkolla ruante ende disiplinën e rreptë, por, në të njëjtën kohë, ndjeheshin spiralet e para të një ere të re tolerance dhe hapjeje drejt një liberalizmi, deri në atë kohë i pakonceptueshëm për ne. Hapat e para drejt eksperimentimit të një arti të ri, ndoshta jo krejt i panjohur, por që filloi të depërtonte edhe tek studentët, nga fondet e rezervuara të bibliotekave dhe videotekave, nga përkthimet akoma në dorëshkrime të fshehura, nga poret që zgjeroheshin dita-ditës, të atij filtri politik në shthurrje. Brezi ynë ishte i pari që po provonte kapërcimin nga një epokë në tjetrën jo thjesht si aventurë e një individi, por si një nevojë rritjeje e trasformimi shoqeror universal. Dëshira për të prekur e provuar atë çka kishte qenë e pamundur deri në atë kohë, e bënte edhe me të çmuar e entuziast pasionin tonë në një shkollë prestigjoze arti siç ishte ILA, e vetmja atëhere në Shqipëri, që përgatiste artistë të kualifikuar. Eksperiencat e reja artistike në Itali për ne kanë qenë të vleresuara, për punën e parreshtur dhe për formimin e mirë në shkollat tona, prej të cilave kemi përfituar disiplinën e fortë dhe pasionin këmbëngulës.

Si ishte largimi juaj nga Shqipëria?

DARDANA BËRDYNA - Largimi im nga Shqipëria ka qenë i dhimbshëm. Tani përpiqem të heq nostalgjine dhe të shikoj në sy realitetin si qytetare e lirë dhe e paanëshme. Jo gjithmonë arrij të zhvishem nga malli për të kaluarën.

ALBERT DEDJA - U larguam në një moment kur Shqipëria po futej në dhjetëvjeçarin e errët të viteve nëntëdhjet. Unë dhe bashkëshortja ime Dardana punonim në Teatrin «Aleksander Moisiu» të Durrësit. Sapo kishim mbaruar akademinë, ndjeheshim në fluturim, ishim plot ëndrra dhe projekte, edhe pse realiteti dhe çdo gjë po shkonin drejt degradimit dhe punonte kundër entuziazmit tonë. Në atë periudhë filloi lëvizja demokratike. Ndjemë se kishte ardhur momenti dhe nuk mund rrinim indifferentë. Punuam në mënyrë aktive në organizimin e opozitës dhe të manifestimeve në rradhët e Partisë Demokratike, edhe brenda në teatrin e Durrësit. Për disa muaj ishim të marrë nga dallga e ethshme e ndryshimeve. Më vonë, pasi kaosi përfshiu Shqipërinë, vendosëm të largoheshim për në Itali. Ëndrrat tona për të vazhduar artin në Perendim ishte një objektiv që e mendonim prej kohësh.

Ç’ishte dikur mërgimi dhe si paraqitet ai tani?

ALBERT DEDJA - Vitet e parë ishin të vështirë. Askush nuk na priti me tufa me lule dhe me listën e gjërave që ëndërronim të bënim në Perëndim. Ju përveshëm punës, duke mos harruar asnjëherë se cilët jemi dhe cili ishte drejtimi nga na pëlqente të udhëtonim. Pas shumë vitesh, themi se nuk e kemi përdorur keq kohën. Peshën e mërgimit, ose më mirë të distancës që vazhdon të rritet, me një pjesë të rëndësishme të jetës sonë, nuk e lehtësojmë dhe as mbushim dot. Është akoma më e vështirë edhe kur përdor akrobacira intelektuale. Arti të ndihmon të krijosh iluzionin e një hapësire të madhe, ku mund të shëtisësh sipas nevojave, por, për ta bërë këtë, duhet pothuajse gjithmonë të kthehesh tek e kaluara, për të përpunuar raportin me të, kështu që gjendemi gjithmonë brenda një rrethi vicioz nga ku e kemi kuptuar se nuk mund të dalim më. Jemi përshtatur në mënyrë kostruktive me këtë dimension.

DARDANA BËRDYNA – Në familjen time malli e largimi nga vendlindja ka qenë një këngë e dëgjuar prej gjyshit, me mandolinë nga babi dhe në skenë nga unë. Është një histori brezash, një notë e trishtë, melankolike, plot poezi kënga e tyre. Sot bota duket se është bërë më e vogël. Varet nga pika e vështrimit. Në rastin tim është një sfidë që të ofron mundësi të reja.

Ç’kujtime ruani nga fillesat tuaj në hapësirën e huaj?

ALBERT DEDJA - Mbaj mend se, fillimisht, nevoja për të rigjetur veten ishte gjëja më e rëndësishme. Kontakti i parë me një realitet të ri, të panjohur për ne, atë me Italinë, nxori në pah shumë mangësi dhe anë pozitive tonat, duke filluar nga gjuha, e deri tek përgjegjësia për t’u paraqitur si pjesa më dinjitoze e vendit tonë. Nuk ishte e lehtë ta dëshmoje këtë të fundit mbas një prezantimi aq të bujshem nëpër portet e tyre.
Kujtoj telajot e mia të para, që ekspozoja në ambjentet e Universitetit të Lecce-s, ishin me temën e legjendave tona dhe u bënë i pari letërnjoftimi i imi në anën tjetër të detit. Dana, gjithashtu, rifilloi studimet në degën e historisë së teatrit, dhe shpesh recitonte dhe lexonte për kurreshtjen e studentëve dhe docentëve poezi dhe tekste shqip, që kishim marrë me vete dhe kishim punuar para se të largoheshim nga teatri i Durrësit.
Të tillë ishin fillimet, pjesa tjetër është jetë, me uljengritjet e saj, me vështirësitë, sakrificat dhe punën e parreshtur, pa harruar për asnjë çast se në vendin që lamë kishim akoma familjet, të cilat kishin akoma nevojë për ne.

A është për ju mërgimi një burim frymëzimi? Po malli për vendlindjen?

ALBERT DEDJA - Po sigurisht. Por më shumë se burim frymëzimi do ta quaja burim reflektimi. Ne i kthehemi historisë së mërgimit për të rigjeneruar plagët. Nuk ka asnjë moment të kësaj periudhe, edhe ata më të sukseseshmit, që të mos jenë të lidhur me ndjesinë e humbjes. Malli vetë është i lidhur me ndjesinë e humbjes.

DARDANA BËRDYNA – Një pjesë e mirë e spektakleve që vemë në skenë prekin drejtperdrejt, ose tërthorazi, temën e çrrënjosjes; fizike, mendore, materiale, apo shpirtërore, duke kaluar nga ato më të afërtat autobiografike e deri tek ato historikisht apo gjeografikisht larg nesh.

Na flisni për veprimtarinë tuaj gjatë këtyre vjetëve…

ALBERT DEDJA – Banojmë dhe punojmë në qytetin e Trentos, në Itali, unë bashkë me bashkëshorten time Dardanën dhe Jakin, djalin tonë. Unë prej njezët vjetësh kam një veprimtari artistike të vazhdueshme, që shtrihet nga puna ime si artist, në veprimtarinë pedagogjike me shkollën pikturës që kam hapur gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, në qytetin e Trentos dhe qytete të tjera në provincën e Trentos, si dhe atë teatrale bashkë me Dardanën, me kompaninë teatrale që kemi formuar këtu, Compagnia «La Quarta Parete» (Muri i Katert ). Me këtë kompani e filluam jetën artistike më intensive në vitin 2008, pas bashkëpunimesh me kompani të tjera. Lindi si nevojë e jona për të hapur një kontakt direkt me njerëzit, për të vënë në provë idete tona artistike dhe intelektuale. Emërtimi i kompanisë, «Muri katërt», ka pikërisht këtë domethënie: në fjalorin teatral është perdja virtuale, ose «muri», që ndan publikun nga hapësira e lojës teatrale. Ne e «thyejmë» artisikisht dhe konceptualisht këtë «mur», për të përçuar artin tonë, duke e «prekur» fizikisht publikun. Ishte nevoja jonë për të treguar historitë dhe reflektimet tona nëpërmjet gjuhës teatrale, ose gjinive të përzjera artistike, për të rindërtuar mbi një ëndërr që filloi nga fëmijëria dhe u ndërpre aksidentalisht në teatrin e Durrësit me largimin nga Shqipëria.

Çfarë ndikon më shumë në zgjedhjen e temave, autorëve, teksteve?

DARDANA BËRDYNA - Të zgjedhësh materialet, temat, autorët për një pjesë teatrale është të humbesh në një botë të mrekullueshme, prej së cilës vështirë të gjesh rrugëdalje. Teatri të ofron mundësinë të përzgjedhësh vepra nga më klasiket dhe t’i interpretosh në forma të reja, të eksperimentosh mes zhanreve të ndryshëm të artit skenik, të përdoresh teknologjinë, duke rivizituar, apo mohuar, teorinë e skenës. Në mënyrën tonë të interpretimit të një teksti për t’u vënë në skenë, autori nuk është i vetmi krijues. Kur zgjedhim një autor, pikat mbi të cilat ushtrojmë vëmendjen tonë janë disa, jo një e vetme. Ai që na udheheq pikësëpari është mesazhi që percjell teksti, ajo ide që edhe ne duam ta shprehim, që materializohet në një shkrim, apo në një autor. Mendimi dhe koncepti që kemi për artin e skenës në përgjithësi, sidomos mbi teatrin, është në zhvillim të vazhdueshëm. Sapo beson në një konsolidim të metodës së punës, aty nis edhe dekostruktimi i saj drejt hapësirave të reja për t’u lëvruar, për të mos rënë në atë që është e parashikueshme. Ndër autoret më të rëndësishëm që kemi vënë në skenë janë M. M. Bouschard, O. Vorpsi, S. Mrozek, S. Benni, Paolo Rumiz, si dhe shumë të tjerë në përmasa më të vogla.

Çfarë të reje sjell në teatër gërshetimi që ju bëni mes pamjes, muzikës, metaforave skenografike dhe vallzimit?

DARDANA BËRDYNA - Veprimtara jonë është e gërshetuar dhe e konsoliduar, pa kufij të përcaktuar. Berti është një vullkan idesh, të cilat hapin horizonte të reja për mua, të paeksploruar më parë. Një vepër teatrale sot është komplekse, ndërthurrja e zhanreve të ndryshëm krijon baraspesha të reja, ku përherë e më shumë zenë vend artet performative. Pikërisht këtu po zhvillohet edhe kërkimi ynë, i një regjie më të pasur, e cila shndërrohet jo vetëm në ansamblimin e gjinive të skenës, por në një krijimtari të mirëfilltë, që nis njëherazi me hartimin dramaturgjik, deri në studimin e detajeve më të vogla. Ështe njohje e studim i vazhdueshëm dhe i ndërsjellë i mënyrave të ndryshme të konceptimit mbi artin skenik. Realizimi i pjesëve teatrale që kemi vënë në skenë ka nxjerrë në pah pozitivisht ndërhyrjet e pasura artistike, intuitën regjizoriale të Bertit, dhe gjetjet nëpërmjet artit viziv dhe skenografik.

ALBERT DEDJA – Përzjerja e gjinive të ndryshme në menyrë të baraspeshuar, harmonike, estetike dhe ne një trajtë provokuese, bën që publiku të bjerë në «grackën» gati të përkryer, sepse ftohet në një pjesëmarrje më të plotë. Mesazhet i kalohen në disa filtra dhe kjo bën që ai të përpunojë në mënyrë më të pasur ndërthurrjen e ngjarjeve.

Dhatë një ndihmesë të vyer në Galën e Albanian Excellence. Si e gjetët vendin dhe mjedisin ku mungonit kaherë? Çfarë ndjetë se i duhet dhuruar më tej publikut shqiptar?

DARDANA BËRDYNA – E kemi çmuar idene e organizatorëve për këtë aktivitet dhe ka qenë nder e kënaqësi /per ne që ishim të ftuar. Berti ishte një nga të ftuarit në grupin e njëqind personazheve shqiptarë që shquhen për veprimtaritë e tyre nëpër botë. Sëbashku ishim ftuar për të bashkëpunuar edhe në realizimin e regjisë skenike të spektaklit të mbrëmjes galà. Gjë që e pranuam me entuziazmin e atëhershëm, të viteve para largimit, duke investuar pjekurinë tonë artistike. Është një kujtim i bukur mes miqsh e kolegësh artistë. Çdo kthim në atdhe është një ngarkese/ e madhe, komplekse, frymëzuese, emocionuese, vëzhguese. Monologu që une interpretova, «Buzëqeshja që s’do kalojë» mbyllej paka shume me këto fjalë ; «… ne jemi të tute, sido që të jetë… ne jemi të tutë… ». Në këtë kontekst i drejtohej asaj skene, atij publiku, atij vendi. Një krijues, për mendimin tim, duhet të kapërceje përkatesinë identitare dhe t’i paraprijë të nesërmes, pavarësisht shijeve aktuale të publikut. Publiku nuk është asnjeherë i yti, fitohet.

ALBERT DEDJA – Përvojë shumë emocionuese.

Si i mbani lidhjet me të afërmit, por edhe me miq e kolegë shqipfolës?

ALBERT DEDJA - Jemi në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit tanë, me miq «të vjetër» dhe të «rinj», artistë ose jo. Histori që ruhen dhe rinohen. Disa bazohen tek marrëdhëniet e ndërtuara në t ë kaluaren; të tjera – në të përditeshmen.

DARDANA BËRDYNA - Familjet dhe të afërmit janë shumë të pranishëm në jetën tonë. Edhe pse të shpërndara nëpër botë, me motrat e mia mblidhemi për çdo vit në shtëpinë e babit në Kosovë. Është një rit i domosdoshëm, ripërtëritës, nevojë shpirtërore dhe mendore. Me miqtë ruajmë një marrëdhënie të ngushtë komunikimi dhe shpesh kërkohemi e gjehemi, ndonëse mund të jemi larg. Janë një pikë e forte referimi, mbështetjeje dhe frymëzimi.

Çfarë të përbashkëta gjeni e ndjeni mes kulturave shqiptare e italiane?

DARDANA BËRDYNA - Italia është vendi i artit dhe i kulturës, «il bel paese» jo vetëm për natyrën e mrekullueshme, për kuzhinën e pasur, stilin, modën, elegancën, po mbi të gjitha për ate që i ka falur botës shekuj me rradhë, në art, muzikë, pikturë, letërsi, arkitekturë. Kultura dhe arti shqiptar zenë një vend modest në panoramaën ndërkombëtare. Natyra dhe karakteri mesdhetar i popujve tanë, të ngjashëm në temperament, në zakone, afërsia, janë pika takimi që ndikojnë tek njëra-tjetra.

ALBERT DEDJA – Gjejmë shumë gjëra të përbashkëta që lehtësojnë komunikimin, sigurisht. Largësia nga vendi ynë nuk është aq e madhe gjeografikisht, kështu që zakonet dhe mënyrat e të shprehurit, të llogjikuarit, të menduarit takohen në shumë forma dhe pika vështrimi. Një fakt tjetër është takimi i vazhdueshëm në distancë kohore e historive të të dy vendeve. Një miku ynë intelektual italian shpreh këtë bashkim të destinacionit të dy popujve, me ironi dashamirëse : «Deti Adriatik tashmë është lumi që ndan Shqipërinë në mes».

«La Quarta Parete»… Dimë se është e vetmja (e para) kompani teatrore shqiptarësh në Itali. Cila do të kish qenë me pak fjalë historia e kompanisë suaj?

ALBERT DEDJA - Sipas një shkrimi që na kushtoi gazeta italiane «Repubblica» në vitin 2009, jemi e para kompani teatrale shqiptare në Itali. Po, është i vërtetë ky fakt. Ndonëse kjo na intereson relativisht pak, na vjen mirë që kemi hapur rrugën.

DARDANA BËRDYNA - «La Quarta Parete» është krijesa jonë që na kujton se jemi ata që jemi në të vërtetë. Ideja, nisma dhe këmbëngulja për të konkretizuar atë çka është profesioni ynë i vërtetë, kanë qenë të Bertit. Si çdo krijesë që, po nuk qe e vogël, nuk mund të bëhet e madhe, i jemi dedikuar të dy, për ta paraqitur në mënyrë sa më dinjitoze, qysh në provat dhe sprovat e para. Tashmë ajo ka marrë një fizionomi më të plotë dhe prezantohemi në panoramën artistike këtu ku banojmë, por edhe jashtë vendit, duke u matur me parametra cilësorë të lartë. Kërkesat tona janë në rritje. Jemi kritikët më të rreptë të asaj që bëjmë.

Një pjesë e krijimeve tuaja teatrore janë në gjuhën italiane. Si reagon publiku i atjeshëm ndaj temave thellësisht shqiptare e ballkanike?

DARDANA BËRDYNA - Teatri ynë flet italisht përsa i takon fjalës. Por spektaklet kanë një gjuhë universale që tejkalon fjalën. Kemi realizuar spektakle në të cilët janë përdorur gjuhë të ndryshme, sipas temës dhe mesazhit të zgjedhur, siç është «Il viaggio di Ulisse e le sue identità», ku interpretohej në gjashtë gjuhë njëheresh: në shqip, italisht, anglisht, spanjisht, gjermanisht dhe tikrino (gjuhe afrikane, eritrea). Të bësh për vete një publik «të huaj» nëpërmjet një arti ku mjeti shprehës është fjala, ajo që na bën të «ndryshëm», nuk është e lehtë. Të bësh për vete publikun, duke i vënë në provë mendimin dhe ndjenjën, është e arritshme, befasuese, e paçmueshme.

Cilët artistë shqiptarë nga fusha juaj do të donit t’i njihte më mirë Shqipëria?

ALBERT DEDJA – DARDANA BËRDYNA – Dëshira jonë është të çojmë sa më shpejt një nga pjesët tona në teatrot e Shqipërisë dhe, natyrisht, të rikthehem me një ekspozitë timen, pas kaq vitesh. Ka disa artistë që njohim këtu në zonën tonë, në Itali dhe në Evropë, në fushen e artit viziv, që meritojnë vëmendjen e publikut shqiptar. Në teatër nuk njohim shumë realite të tjera shqiptare interesante, përveç atyre që janë prezantuar tashmë në Shqipëri.

Si rrjedh një ditë e zakonshme e juaja?

DARDANA BËRDYNA - Çdo ditë, edhe më e zakonshmja, ka të veçantën e vet, mjaft të dish ta shohësh. Ajo që e bën të ngjashme një ditë me një tjetër është ritmi i kontrollueshëm qe ti arrin të imponosh, duke i marrë rezultatin e dëshiruar. Darka ka aromën e çajit të malit, ngrohtësinë e fjalës, peshën e ëmbël të ëndërrës.

ALBERT DEDJA – Ditët tona janë të pasura me aktivitetet që zhvillojmë. Si në çdo aspekt tjetër, ecin me ulje-ngritjet e veta. Mëngjeset fillojnë me përgatitjen e djalit për shkollë, duke i kushtuar gjithë kohën dhe kujdesin. Vijon me organizimin e programit të dites, që varet nga gjërat që kemi nëpër duar, takimet me bashkëpuntorë, miq artistë, me kontakte për punën dhe gjëra të tjera që mbushin momentet e ditës. Kur kemi ekspozita, mësim pikture, ose prova teatri në të njëjtën kohë, ndajmë detyrat e secilit. Bëjmë takime, provime ose prova me aktorë, bashkëpunojmë me teknikë; për muzikën, ndriçimin, skenën, me të cilët duhet të kemi kontakt të vazhdueshëm për zhvillimet që merr puna. Një nga gjërat me rëndësi absolute është mbarëvajtja e ditës së djalit tonë Jakit. Qysh nga momenti kur mbaron shkollën e deri tek shoqërimi në kurse të ndryshëm, mes atyre artistike dhe sportit që ka zgjedhur, mundohemi t’ia programojmë sa më mirë kohën e lirë.
Nga ora shtate e darkës fillon puna ime me studentët e pikturës, që zgjat deri në mesnatë. Ështe pak e vështirë të përshkruash ditët tona duke përgjithësuar; janë të ndryshme të gjitha sipas aktiviteteve dhe karakteristikave të tyre.

Po një ditë e pazakontë?

DARDANA BËRDYNA - Preferoj ta quaj një dite e jashtëzakonshme. Janë ditet që të dhurojnë momentet e veçanta, që prishin rregullin e «zakonshëm». Motivet mund të jenë nga më të ndryshmet, nga më të thjeshtat në dukje, siç mund të jetë një gjetje e një vargu poezie që të mundon për ditë të tëra, ashtu si edhe një ngjarje e fuqishme që mund të koklavisë apo mrekullojë gjithë ekzistencën tënde. Asgjë nuk është e rastësishme, ka nje lidhje të padukshme mes nesh dhe asaj që ndodh rreth nesh. E pazakonshmja ka një eliksir rigjenerues që i kalon përmasat e një dite.

ALBERT DEDJA - Jam dakort, heraherës ndodh që të mos gjejmë sintoni në gjërat që bëjmë, ose më saktë : që «kaosi» të çorientojë rregullin; kjo ndikon edhe në ditët që kalojmë, i bën ndryshe, jo të zakonshme.

Si e shihni teatrin dhe dramaturgjinë shqipe tani? Po në të ardhmen?

DARDANA BËRDYNA – Dëshira ime do të ishte të shikoja teatrin e dramaturgjinë shqipe në kolonën e artit evropian, ashtu si po shikojmë përherë e më shpesh artistë shqiptarë që, si individë, po përcjellin me dinjitet artin shqiptar nëpër botë. Është një fenomen jo i rastësishëm që e ka zanafillën në talentin dhe kulturën ende jo të vlerësuar sa duhet të popullit tonë.

A mendoni se teatri i sotëm evropian e më gjerë ka fuqi e magji ta tërheqë publikun e zgjedhur?

DARDANA BËRDYNA - Teatri është ndër artet më të vjetër. Ka mbijetuar në periudhat më të vështira të njerëzimit. Ashtu si edhe poezia, është etaloni matës i zhvillimit të shoqërisë, të ndërgjegjes shoqërore. Për këtë rol të rëndësishëm ka qenë dhe do të jetë tregues i kulturës së një populli. Teatri ka një magji katarktike. Është nevojë e vetë njeriut që të vihet përballë sikurit, «një pasqyrë» që deformon, informon, koncentron, edukon, parashtron një ide mbi të ardhmen, në formen më artificiale, ofron një alternativë. Është i paracaktuar të ecë një hap përpara për t’i hapur rrugën asaj që do të quhet më vonë kujtesa kolektive.

Djali juaj ka dhunti muzikore, kurse Dana perveç regjise dhe aktrimit shkruan poezi. Berti vazhdon krijimtarine artistike ne pikture dhe skenografi, dhe njekohesisht meson artin e piktures. Si janë këto kohëra ndaj kaq arti?

DARDANA BËRDYNA - Jaki, djali ynë jeton normalitetin e moshës si çdo bashkëmoshatar i veti. Urojmë qe t’i kthehet e dobishme kjo atmosferë arti, nëse një ditë do të zgjedhë të jetë artist. Nuk është thjesht profesion, është stil i të jetuarit, ku bëhen flijime, dorëheqje në emër të pasionit, është një mision, nëpërmjet të cilit duhet të jetosh, e nëpërmjet të cilit arritja dhe suksesi jo gjithmonë janë në përpjestim të drejtë me përfitimin material.

ALBERT DEDJA – Unë, siç tregova edhe më sipër, vazhdoj krijimtarinë në artin viziv, ku përfshihen piktura, videoarti, instalacioni, skenografia dhe regjia teatrale. Ky takim teknikash dhe gjinish ka ardhur në mënyrë të natyrshme nga bashkimi i të gjitha eksperiencave të mia krijuese, dhe sigurisht nga kurioziteti dhe interesi im për t’i vënë përballë njëra-tjetrës. Një anë tjetër e rëndësishme e impenjimit tim është edhe puna që bëj me të apasionuarit që vijnë të mësojnë teknikat e vizatimit dhe të pikturës në shkollën time. Më pëlqen t’u mësoj atyre si ta përdorin artin e pikturës për t’u shprehur, për të komunikuar dhe, mbi të gjitha, për të krijuar. I ndihmoj të krijojnë një dimension të ri, brenda të cilit të ndërtojnë një botë të pasur, ku të reflektojnë idetë dhe konceptet e tyre.
Tashmë shkolla ime është e njohur për këto karakteristika dhe kjo më jep shumë kënaqësi.

DARDANA BËRDYNA - Krijimtaria poetike është një akt personal, pothuajse intim, i një artisti. Poezitë e para kanë data shumë të hershme që nisin nga fëmijëria. Poezinë e vërtetë e kultivoj me pasion në vitet e fundit. Them poezinë e vërtetë për faktin se kapërcen atë çka është vetëm e jotja, nuk është vetëm një moment emocional i përkthyer në vargje, por bëhet më e ndërgjegjshme, më e rafinuar, më e thellë në mesazhet që përcjell, duke i kushtuar vëmendje edhe formës, stilit, gjuhës, kohës. Së shpejti do të botohet në italisht vëllimi me poezi «Oki» dhe është përzgjedhur përmbledhja poetike «Empatia», për antologjinë Poeti contemporanei a confronto.

Germoglio carminio

Esistevo quando nessuno credeva
del mio essere della mia presenza
Fuggii quando le certezze cedevano
alla superba insolenza
Resistevo sotto la mia pelle
gravida di interrogativi
di facile lettura apparente
gestazione turbolenta in apnea
in campi magnetici nomadi.
Gli occhi la voce
rimasero fuori
zingari non identificabili, scorporati
Tuberose radici, invisibili, simultanei, aeree
abbozzavano schizzi utopistici
aspirando risposte multiforme
sottomesse al tempo.
Germoglio carminio
fischiettando lusinghiero
gli accordi del vincolo amoroso
Inestinguibile.
Ci sono finché ci sei
ancora
nonostante imperturbabilità circostante.
Ancora
germoglio carminio…
germoglio carminio…
germoglio carminio…

Çfarë do t’u dhuroni shikuesve në të ardhmen e afërt?

Po përgatisim një pjesë të re, titulluar «Homo Homini Lupus», me tekst të hartuar nga ne, frymëzuar nga libri «Le cotogne di Istanbul» të shkrimtarit dhe gazetarit bashkëkohor italian Paolo Rumiz. Prezantimi i parë është parashikuar në fillim të prillit të vitit të ardhshëm. Merr shkas nga lufta e viteve nëntëdhjet në ish-Jugosllavi, më saktësisht në rrethimin e Sarajevës. Nisemi nga kjo luftë e kohës moderne, që ndodhi dy hapa nga vendet e zhvilluara, për të analizuar dhe reflektuar mbi shoqërinë, luftën, njeriun. Ideja, regjia, skenografia dhe ndërhyrjet me video art janë të Albert Dedjes. Dardana do të jetë në rolin kryesor dhe do të drejtojë një grup që parashikohet të ketë mbi pesëmbëdhjetë aktorë. Është një ndër projektet më ambiciozë të kompanisë sonë deri tani.


[1] Buzëqeshja që s’do kalojë, A.-Ch. Kyçyku, nata pas vitit zero, Sh. B. Dukagjini, Prishtinë, 1998.

No comments: