PÄR LAGERKVIST: Të përndershmet eshtra

[Prozator suedez (1891-1974), autor i disa kryeveprave, si ‚Barabbas’ (1950), ‚Xhuxhi’ (Dvärgen, 1944), ‚Xhelati’ (Bödeln, 1933), laureat i Çmimit Nobel në letërsi („për fuqinë artistike dhe origjinalitetin e thellë, me të cilat kërkoi në krjimtarinë e tij përgjigjen ndaj pyetjeve të përjetshme të njerëzimit” – Juria Nobel, 1951). „Virtyti i tij më i dukshëm, - shkroi studjuesja Irene Scobbie, - është aftësia për t’i trupëzuar idetë e veta në diçka të prekshme, në fytyra gati të gdhendura, që na mbeten në mendje dhe na bëjnë t’i rikthehemi shpesh çështjes së të mirës dhe së keqes, jetës dhe vdekjes, botës lëndore dhe asaj shpirtërore”.]

Dy popuj patën çuar një luftë të ashpër kundër njëri-tjetrit, dhe të dy ishin tepër krenarë për këtë. Ishin ende të lidhur me atë luftë, me një përkushtim të madh jetik, para të cilit preokupimet e vockëla njerëzore nuk përfaqësonin asgjë.
Ata që kishin mbetur gjallë, iu kushtuan çështjes së luftës me një zjarrmi fanatike. Nga të dyja anët e kufirit, - se betejat qenë zhvilluar edhe në një krah, edhe në tjetrin, ndërsa luftëtarët qenë masakruar tmerrësisht, - secili popull pat ngritur nga një monument madhështor, në nderim të atyre që ishin flijuar për atdheun, dhe tani preheshin nën tokën e tij. Popujt vinin në pelegrinazh, secili tek të vetët; u mbaheshin turmave fjalime të përflakur për heronjtë , eshtrat e të cilëve preheshin nën dhé, të flijuar me një vdekjeje heroike, mbuluar me lavdi në jetë të jetëve.
Befas u përhap në të dy popujt një thashethem i çuditshëm lidhur me diçka që ndodhkej netëve në fushën e dikurshme të luftës. Lugetërit, të vdekurit, u ngritkëshin nga varret, kapërcenin kufirin, dhe kërkonin shoshoqin sikur të qënkëshin pajtuar.

U revoltuan të gjithë të gjallët, kur dëgjuan gjëra të tilla. Heronjtë, ngritur në qiell nga i tërë populli, kërkokan armiqtë dhe rënkan në ujdi me ta! Llahtarë!
Të dy popujt dërguan nga një komision që të shqyrtojë çështjen. Të dërguarit zunë pritë rrëzë ca trungjesh të tharë, - që ende kishin mbetur më këmbë, - dhe pritën mesnatën.
Tmerr, ishte e vërtetë! Mbi fushën e shkretë ngriheshin trajta shajnitëse, të cilat kaptonin kufirin, duke krijuar përshtypjen se bartin diçka. Të dërguarit u sulën mbi hijet shumë të fyer.
- Si kështu; ju, që jeni flijuar për atdheun tonë, ju, që ju adhurojmë mbi gjithçka, ju, ku vijmë në pelegrinazh për t’ju kujtuar e nderuar, ju, vendin e të cilëve e kemi të shenjtë, ju po u vllazërokeni me armikun?! Bini në ujdi me të?!
Heronjtë i vështruan me habi.

- Sigurisht që jo. E urrejmë njëri-tjetrin më shumë se kurrë. Bëjmë vetëm këmbim eshtrash mesveti, se s’ka pikë rregulli këtu!