Agim Baçi*: Dashuri përmes ironisë (Mbi tiparet poetike të Marin Soreskut)

Përmes ironisë a mund të falësh dashuri? Ironia është një fjalë që vjen nga greqishtja, nga eironeia, fjalë që nënkupton shtirje ose tallje të fshehur, ku kuptimi i vërtetë është i kundërti i asaj që kumtohet. Si e tillë, parë nga burimi, ironia rrallëherë lë shtigje për të dashuruar. Por jo në rastin e Marin Soreskut. Në rastin e poezive të tij, rregullat thyhen, ashtu siç edhe bota vjen “në një rrotullim tjetër”, duke sjellë përmes ironisë gjithë dashurinë për veten dhe për botën.
“Ironia është një parim njohës që del përmes një paradoksi, në parimin e përgjithshëm të metaforës”, shprehet studiuesi amerikan V.K Vimsart[1]. Dhe paradoksi vjen. Duke marrë në analizë katër poezi, “Shekpiri”, “Shah”, “Sëmundja” dhe “Ti më njeh”, do të vërejmë se Soresku e ka rrëzuar edhe burimin e ironisë, duke dhënë përmes kumteve ironike një dashuri, e cila rrëzon kontekstin e talljes. Kjo edhe për faktin se ironia në rastin e Soreskut, duke kaluar përmes vetironisë, shëron gjithë ndjesitë negative që bart ironia në aspektin fillestar, dhe lë aty veçse dashuri.

Në vargjet e Soreskut nuk ka kurrë satirë të qëllimshme ndaj dikujt. Aty tallja është me atë që vjen nga historia dhe që njeriut mund t’i ketë ngritur pikëpyetje nëse duhet të vijojë të besojë apo jo. Ai është në rrugëtimin e ironisë me moskuptimin, me pafuqinë për të përballur botën e sidomos me ata që nuk e kuptuan kurrë fuqinë e buzëqeshjes.
Në poezinë “Shah”, aty ku beteja është mes jetës e vdekjes, vijmë përballë një pyetje: Me çfarë mund ta zëvendësojmë Optimizmin? Dhe përgjigja ironike është: Vetëm me Optimizëm? Në një farë mënyrë, një thirrje që veten duhet ta shërojmë nga vetja. Një kërkesë që ka ngjarë ironike, por që në thelbin e vet, ekziston si thirrje që kur në portat e Elfit shkrhej “Njih vetveten!”. Kështu, vargjet e Soreskut janë thirrje për të lexuar gjithçka që do të të bëjë të mundur ringritjen pas rrëzimit, për të bërë lëvizjen e duhur atëherë kur e gjithë bota dhe fati duken kundër.

Shah

Unë lëviz një ditë të bardhë,
Ai lëviz një ditë të zezë.
Unë avancoj me një ëndërr,
Ai ma merr me luftë.
Ai më sulmon në mushkëritë,
Unë rri menduar një vit në spital,
Sajoj një kombinim të mrekullueshëm
Dhe i fitoj një ditë të zezë.
Ai lëviz një fatkeqësi
Dhe më kërcënon me kancerin
(I cili tashpërtash çapitet në trajtë kryqi).
Por unë i ve përpara një libër
Dhe e detyroj të tërhiqet.
I fitoj edhe ca gurë,
Por, shih, gjysma e jetës sime
Del buzë honit.
Do të të jap një shah që ta humbësh optimizmin,
Më thotë ai.
S'prish punë, bëj shaka unë,
Do të bëj rokadën e ndjenjave.
Prapa meje ime shoqe dhe fëmijët,
Dielli, hëna dhe miq të tjerë
Dridhen sa herë bëj ndonjë lëvizje.
Unë ndez një cigare
Dhe vazhdoj ndeshjen.

Sipas Milan Kunderës, “Ironi do të thotë: asnjëri prej pohimeve nuk mund të merret i vetmuar, secili gjendet në përballje të koklavitur dhe kontradiktore me pohime të tjera. Vetëm një lexim i ngadaltë, i përsëritur dy herë apo shumë herë, do të bëjë të shpërfaqen të gjithë raportet ironike, pa të cilët artin do të mbetej i pakuptuar[2].

E në fakt, Soresku lexohet dhe rilexohet duke zbuluar shkallëshkallshëm hapat e Njeriut. Nuk ndalesh dot kurrë pas lëçitjes së vargjeve për të parën herë. Ka zbulim në përsëritje. Në një kohë të mëpasshme ndjen se ke lënë ende diçka pa marrë. Një “diçka” që mbetet gjithnjë për t’u plotësuar në leximin e mëpastajmë, pasi ironikisht ai është aty, pas gëzimit dhe trishtimit, duke u përpjekur të jetë krah teje, duke u vetëtallur me përditshmërinë, botën përreth, gjërat që njeh, dashuritë e tij, të afërmit e tij, e sidomos dashurinë e tij për fjalën. Mbetet thuajse një himn për rëndësinë e artit poezia “Shekspiri”, si një përpjekje për ta bërë botën përmes asaj që arti ka bërë thirrje: për të njohur njeriun. i jep atributin e krijuesit teksa ndjek ritmet e krijimeve, por më pas zbret nga froni përmes kapriços, duke e bërë njerëzor, si në rastin e kritikëve ashtu edhe në të dielën e pushim-vdekjes. Te “Shekspiri” nuk është veçse himni për artin, për fuqinë e fjalës në përshkrimin e njeriut, për kontributin e letërsisë në ndërtimin e një idetikiti shpirtëror të cilin duhet ta kërkojmë të gjithë me fytyrën përfundimtare sipas së brendshmes sonë.

Shekspiri

Shekspiri e krijoi botën në shtatë ditë.
Ditën e parë bëri qiellin, malet dhe humnerat shpirtërore.
Ditën e dytë bëri lumenjtë, detet, oqeanet
Dhe ndjenjat e tjera -
E ia dha Hamletit, Julius Qezarit, Antonit, Kleopatrës dhe Ofelisë,
Otellos dhe të tjerëve
T'i zotërojnë, ata dhe pasardhësit e tyre,
Në jetë të jetëve.
Ditën e tretë i mblodhi të gjithë njerëzit
Dhe u mësoi shijet:
Shijen e lumturisë, të dashurisë, të dëshpërimit,
Shijen e xhelozisë, të lavdisë e kështu me radhë,
Gjersa u mbaruan të gjitha shijet.
(Shkëputur nga poezia “Shekspiri”)

Sipas studiuesit tjetër amerikan, Bruks, “ironia është termi më i përgjithshëm që kemi për llojin e kualifikimit të cilin elementet e ndryshëm, e marrin nga konteksti[3].
Thuajse të gjitha vargjet e lidhin njeriun me tërësinë e gjërave, edhe me atë që mund të duket fare larg tij, por që vendos shumë në përditshmërinë e tij, Soresku e merr nga konteksti i marrëdhënieve të përditshmërisë, që vetëm nga fuqia jonë e brendshme mund të ndryshojnë. Dhe ilaçi është ironia, si një mjet që shkakton jo shpërfilljen, por mosdorëzimin:

Sëmundja

Doktor, ndjej diçka vdekëse
Brenda qenies sime.
Më dhembin gjithë organet,
Ditën më dhemb dielli,
Ndërsa natën hëna dhe yjet.
Më ka dalë një xhungë në renë e qiellit
Që deri qëparë nuk e kisha vënë re
Dhe çdo mëngjes
Më duket se ka ardhur dimri.

Më kot u mbyta me ilaçe,
Kam urryer dhe kam dashuruar, kam mësuar të lexoj
Madje dhe kam lëçitur disa libra,
Kam folur me njerëzit dhe jam menduar,
Kam qenë i mirë dhe i bukur...

Të gjitha këto nuk kanë pasur asnjë efekt, doktor.
Dhe kam harxhuar një lumë me vite.
Besoj se jam sëmurur për vdekje
Atë ditë që u linda.

Soresku është një poet kundër vetmisë, kundër mendimit se njeriu mund të jetojë i vetëm, se mund t’ia dalë i vetëm në këtë botë. Por ama, tek thuajse çdo varg gjithnjë ndeshesh me mendimin se njeriu duhet t’ia dalë me vetveten, duke llogaritur vetveten njeriun më të afërt, nga ku burojnë aftësitë për të kuptuar, e sidomos, për të dashur dikë tjetër. Me lëvizjen si një akuarel, ai ndërton njeriun kudo, të aftë për të jetuar, njohur, dashuruar, e duke besuar se ajo që na ndan nuk është veçse një pengesë brenda nesh, por jo në pamundësinë. Lehtësisht jep tablonë e asaj që mundemi, edhe pse mes dy njerëzve mund të jetë një botë e tërë në mes:

Ne njihemi.
Jemi takuar një ditë
Mbi këtë tokë,
Unë ecja nga njëra anë e saj
dhe ti nga tjetra…

Ti dhe matanë kësisoj ishe,
oh ishe si gjithë gratë,
ja ku ta kam fiksuar
fytyrën…
U trondita,
Dhe të thashë diçka me dorë në zemër,
Por ti s’kishe si të më dëgjoje.
Sepse, në mes nesh kalonin njëra pas tjetrës makinat,
dhe ujërat dhe sidomos malet,
Dhe krejt globi.
Më vështrove në sy,
Por ç’të shihje?
Në hemisferën time,
menjëherë u bë natë.
Zgjate dorën: ndeshe në një re,
Unë rroka për supesh një gjethe…

Duke iu rikthyer edhe një herë katër poezive tek të cilat ndalëm arsyetimin tonë, mund të themi se, rreziku që ironia të marrë trajtë sarkazme apo të pamëshirshme te Soresku zhduket. Kjo jo vetëm për shkak të imagjinatës së pafundme, thuajse të papërsëritshme në poezinë e vjetër apo atë moderne, por për shkak se loja me njeriun anon nga dashuria edhe kur fjalët kalojnë në fillin e hollë të një gjykimi të ashpër. Ironia në rastin e Soreskut nuk fle as vetëm në shtratin e vetironisë, por në atë të një përpjekjeje për të mundur botën përmes “syve të dashurisë”. Rrugëtimi i përshkruar nga Soresku në këtë rast është i kundërt nga ajo që poezia thur shpesh si dashuri për veten dhe për botën. Ai e përshkruan dashurinë duke ardhur nga e pamundura, për t’i krijuar hapësirën së mundurës. E nis me debatin me vdekjen, si për të na kujtuar se liria e njeriut nis pikërisht nga pranimi i së pashmangmes. Ky kufi poetik e vendos njeriun përballë alternativës së dashurisë pa harruar asgjë nga ajo që mundemi ta përballim me atë që nga çasti në çast mund të na përballë me një të panjohur larg fuqisë sonë. “Shah” është nga ata poezi që të shtang në lehtësinë e pohimit të asaj që zakonisht nuk ja gjejmë fjalën. Dhe ai e zgjidh me të vetmen lojë që nuk ka të bëjë me fatin, por me mendjen, me aftësinë për të menduar. Në poezinë “Sëmundja” ai vetironizon shikimin, të parrokshmen, si një mungesë e qartësisë së njeriut që në edukimin e tij, që në lindje. E pikërisht, palotësia e tij është njëkohësisht edhe mrekullia e tij. Ka dashuri për gjithë botën tek poezia “Ne njihemi”, duke e kërkuar njeriun përherë dhe kudo, si të vetmin kërkim me kuptim, edhe ku male e dete vendosin largësi. E më pas me “Shekpirin”, ku himni për fjalën vjen me fuqinë e rikrijimit, duke besuar dhe pohuar se, pas librave të shenjtë, ajo që do të vijojë të mbijetojë, ashtu siç ka mbijetuar, do të jetë arti.
Pra, nëse i rikthehemi pyetjes fillestare, nëse mund të falim dashuri përmes ironisë, besojmë se Soresku ja ka dalë. Përmes autoironisë dhe vendosjes së artit në qendër të kërkimit të njeriut, madje të rikrijimit të tij shpirtëror, Soresku ka shtruar në rrugëtimin e vargjeve një rrugë të tijën, krejt origjinale, duke e kërkuar dashurinë nëpër rrugën që zakonisht e ka stepur në jetë njeriun kur është përdorur ndaj tij - përmes Ironisë!

* Autori është Doktorant pranë Qendrës së Studimeve Albanalogjike, Tiranë

(Shënim: Poezitë “Shekspiri”, “Shah” dhe “Sëmundja” janë përkthyer në shqip nga rumanishtja nga Kopi Kyçyku. Poezia “Ne njihemi” është përkthyer nga Aurel Plasari).






[1] Jefferson, Ann & Robey, David. Teoria letrare moderne, f. 127.
[2] Kundera, Milan. Testamente të tradhtuara, Tiranë, 2011, f. 215.
[3] Jefferson, Ann & Robey, David. Teoria letrare moderne, f. 127.

No comments: