Anton Çefa: “Vetëtimë. E zbret fulikare fjala që vret mu në shpirt”

Rreth përmbledhjes poetike të Zef Zorbës “Buzë të ngrira në gaz”, 
Shtëpia botuese “Dituria”, Tiranë, 1994

Përmbledhja poetike e Zef Zorbës1) “Buzë të ngrira në gaz”,e shkruar brenda skajeve të një jete të tërë, nga viti 1945 deri në vitin 1980, u botua një vit mbas vdekjes së poetit, nën kujdesin e Stefan Çapalikut. Më pas u botuan edhe disa poezi të tjera në revistat “Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”; çka la të kuptohet se nuk qe përfshirë në vëllim e gjithë krijimtaria poetike e tij. 2).
“Buzë të ngrira në gaz” është shqiptim poetik i lartë, fryt i asaj kohe absurde që ngriu në buzë fjalën e pathënë, po aq edhe ironinë tragjike për bëmat e çoroditura të një shteti të çmendur, të një shoqërie të ndaluar në vend, dhe të një populli të shkëputur nga bota.
Fillimisht, kritika letrare, me dashje a padashje, a sepse, si duket, nuk qe e përgatitur për ta bluar artin e tij, nuk iu afrua poezisë së Zorbës.
Befasues qe një vlerësim i lartë nga jashtë. Në vitin 1996, një komision sui generis, i përbërë nga albanologu Hans Joachim Lanksch, prof. dr. Walter Breu (Universiteti i Kostancës), prof. dr. Elvira Glaser (Universiteti i Zurihut), dhe prof. dr. Wilfrich Fiedler (Universiteti i Munihut), i dha Zorbës çmimin “Martin Camaj”. Në arsyetimin e jurisë thuhet “Zorba i takon një qarku të vogël shkrimtarësh në Shqipni që, artistikisht dhe moralisht, e rimerrshin fillin e këputun të vazhdimësisë së letërsisë shqiptare dhe e rimkambëshin lidhjen me rangun e saj të naltë që kishte fitue me autorë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi.” Dhe më poshtë: “Vjershat e Zorbës janë art autonom i fjalës, art që ushqehet nga substanca fizike e shpirtërore e fjalës” dhe “Zorba asht modernisti i parë genuin dhe njiherit hermetiku i parë i poezisë së re shqiptare, me sa asht fjala për atë të shkrueme në Shqipni”3).
Falë buzëve të ngrira në gaz, këtij njëmendësimi psikologjik dhe filozofik, poezia e Zorbës sot është një realitet poetik gjithëkohor i letërsisë shqipe; realitet poetik buzësh “të ngrira në gaz”, një gaz që shkëlqen ndër ngrica të akullta ironie.
Në “Pasthënien”, me të cilën poeti ka dhënë sqarime për poezinë e tij, thuhet: “Ku më pak e ku më shumë këto punime janë mbarsur nga ironia, madje edhe nga autoironia, por që mjerisht, pa dëshirën time, ka shkarë ndonjëhërë në sarkazëm. S’kam pasë fare të bëj: ashtu ka ardhë. Por dua që këto tipare të mos interpretohen si pesimizëm: nëse duken sit ë tilla fajin e ka aftësia ime e kufizuar e jo vetëdija”4). Ashtu është. Ai e ka ditur e njohur veten dhe botën, jetën dhe artin, dhe i ka dashur:

“O jetë!
Edhe në zgrip,
Shtegëtarët e tu,
Gjithnjë të dashurojnë.”


Që në moshë fare të re, ai krijoi për vete një realitet të dytë që nuk kishte të bëjë me përditshmërinë. Dhe që është: “më i bukur se jeta vetë”. Çfarë joshjeje mund të kishte jeta e asaj kohe të vrazhdë, kur poetin e yshtnin horizonte të kaltra poezie, muzike, filozofie, estetike! Përmes këtyre filtrave kalonte në shpirtin e tij zymtia e ditëve, që u pasqyrua aq bukur ndër vargje.
Në nëntitullin e poezisë “Qokthi”, poeti ka vënë dy vargje të Salvatore Quasimodo-s: “. . . il mio cuore, / sospeso nel buio, una voce” (“. . . zemra ime, / e varur në errësirë, një zë”), që ngërthejnë kuptimin e jetës së tij në terrin e diktaturës, kuptim që ai e sheh tek zëri, fjala, poezia, me të cilën ai ka përjetuar dhëmbjen dhe ka krijuar e shijuar bukurinë; bukurinë e jetës dhe bukurinë e fjalës, që sendërton jetën dhe është më e bukur se ajo:

“Fjala

Vetëtimë.
E zbret fulikare
Fjala që vret mu në shpirt.
Më e bukur se jeta vetë
Oh…”

Zorba ka një vlerësim të veçantë për poezinë. Ajo ka origjinë hyjnore: është vetëtimë që zbret shumë shpejt (fulikare) në shpirtin e poetit dhe vrujon dhimbje. Të njëtën konsideratë e gjejmë të De Rada, Fishta dhe poetë dhe estetë të tjerë të traditës. Lasgushi e ka pohuar me gojë:
“Poezia është divine (hyjnore). Prandaj, kur shkruan poezi, duhet ta kesh shpirtin të shenjtëruar. Çdo poezi duhet të jetë një xhevahir dhe xhevahir duhet të jetë çdo varg i saj dhe çdo fjalë e saj duhet të jetë xhevahir.” 5)
dhe e ka poetizuar:

“Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime,
Posi flakë e posi hije,
Ajo ryn në zemër time.

E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale-nga-dale,
E si fjalës së palosur
M’i hap kindin e një pale . . .
(“Ri mbështetur mbi tryezë”)
               
 * * *

“Buzë të ngrira në gaz” përbëhet nga pesë tubëza lirike, të titulluara: “Elemente”, “Blerime tjera e zalle”, “Pasqyra të cfilitura”, “Fugat e fundit”, “Në zgrip” dhe poemën “Mbresat e rrugëve”.
Në ciklet poetike mbizotërojnë vëzhgimet meditative për jetën, vdekjen, fatin e njeriut, gjendjen nën diktaturë, por nuk mungojnë edhe ato të thjeshta. Në një pjesë të mirë të poezive janë trajtuar tablo nga jeta e përditshme. Ndonjëherë, shqiptimet mishërojnë një theks të dukshëm ironik. Një jeh të veçantë kanë mesazhet nga bota metafizike. Zorba cilësohet me një forcë poetike të veçantë; ai e gjen frymëzimin kudo, në objekte a situata, ku nuk të shkon mendja se lind frymmëzimi, atje, ai krijon një perlë.
Si poet hermetik, Zorba ka dalloja të theksuara, kemi të bëjmë me një intelektual që gjithë jetën e ka kaluar jo vetëm me hermetikët e mëdhenj italianë, por edhe me poetët e mëdhenj modernë europianë dhe amerikanë. Ai ishte tejet i familjarizuar me filozofinë dhe estetikën moderne dhe, sidomos, kishte një kulturë të gjerë muzikore, faktorë që kanë ndikuar në veçoritë e hermetizmit të tij. Mungesa e njohjes në nivelin e duhur të këtyre përbërësve, që përcaktojnë në një masë të madhe poezinë e tij, nuk mund të lidhet vetëm në një gremç të vetmuar hermetizmi, por për t’u interpretuar kërkojnë një formim të ngritur.
Jeta e rëndomtë, ai realitet i zymtë që poeti e ka soditur gjithnjë me dhimbje të thellë, herë-herë me mospërfillje dhe ironi, lexohet pa ndonjë vështirësi në pjesën më të madhe të vargjeve. Ky realitet jo vetëm që ka qenë i pranishëm, po edhe i ka ndihmuar poetit të krijojë një vizion jete përtej tij; jo të bazuar në filozofinë e prioritetit të materies, por mbi bazën e filozofisë së ndërgjegjes përcaktuese, “të koshientit e të subkoshientit”, po të shprehemi me fjalët e tij. Ky avantazh filozofik i ka dhënë frymën motiveve, tablove, figuracionit, stilit, çdo elementi të poezisë, dhe kryekrejet mesazheve. Përtej errësirës, absurditetit të pafund, kohës së ndalur, poeti në dritën e këtij vizioni i sheh qartë tri dimensionet e kohës, të djeshmin, të tashmin dhe të nesërmin.
Një nga simbolet që paraqet zymtinë e rëndë, errësirën, mjerimin e jetës nën diktaturë, peshën e zezë të politikës është shiu. Shiu është kryefjala e fjalëve më kyçe të poezisë. Gati-gati, pjesa më e madhe e vargjeve janë të lagura, bile të qullura.
Edhe një xhevahir poetik ku himnizohet madhështia e njeriut që, edhe pse në kushte të vështitra jetese, në rrethana të papërshtatshme, ka synuar të dritshmën, të mirën, të bukurën, i ka endërruar dhe është përpjekur për t’i realizuar ato, dhe me mund, sakrifica, flijime, e ka lënë botën më të mirë se e ka gjetur, titullohet “Natën, kur bie shi . . .”. Përvijohen këtu, në strofë të veçanta: Njeriu i Nedertalit, Diogjeni, Kolombi, Betoveni, Ainshtajni, dhe në strofën e fundit poetët Ungareti, Kuazimodo dhe Montale. Çdo strofë fillon dhe mbaron me dy vargjet që simbolizojnë vështirësitë e jetës. Ja strofa e parë:

“Natën,
Kur bie shi me rrëshekë
E n’ errësirë
Radioja transmeton
-ritmuar me shkreptëtira-
Mazurkat e Shopenit,
Kujto trogloditin:
Njeriu i Nedertalit,
Me trurin plot përbindësha viganë
E zvaranikë tinzarë e të neveritshëm,
Në skutën me qullë të shpellës
- I ngrysur, i uritur -
Mendime yjesh përçapë,
Botën e ndritur me flakë,
Që akujt e kobit, shtijakë
T’mos e shporojnë.
Rëndomët një gazmend e vokë,
Në sfera përmbi sfera
E flakëron i lehtë,
Në ëndrrën që nis e bëhet jetë . . .
Natën,
Kur bie shi me rrëshekë.”

Shiun, element atmosferik i zakonshëm për Shkodrën, e gjejmë si fjalë kyçe edhe te Frederik Reshpja, por me një ndryshim të padiskutueshëm me Zorbën. Ndërsa, tek i pari ai reflekton një jeh krejt personal, tek Zorba ai është i mbushur me musht universal. Universalizmi, më së tepërmi, e karakterizon poezinë e Zorbës për të plazmuar vizione meditative, kryesisht, metafizike.
Pasiguria e jetës, e papritura e çastit, që mund të përmbyste çdo gjë, e kanë shoqëruar poetin gjatë atyre viteve, kur jeta e çdo njërit, mund të shkatërrohej për një çast. Në shtigjet e errëta, poetit i duhet drita. Po ku ta gjejë? Një botë e pasur shpirtërore nuk stepet. Te një njeri i dashur, më së tepërmi, te e dashura e zemrës, Tereza, që qe jo vetëm shoqe e jetës, po edhe e idealit, për të cilin vuajti burgun edhe ajo si ai; te dashuria si ndjenja më humane e njerëzimit; te një ide a një doktrinë filozofike; tek një pentagram simfonik; apo tek poezia që i përfshin të gjitha këto elemente që burojnë dritë:

Pa titull

“Asht terr ky shteg. Unë s’mundem
Rrugën m’e gjetë pa dritën
Tande që më mungon.

Në breg të greminës,
që m’joshë e m’largon,
a shef si po lkundem?” 6).

Zorba është poeti që ka shkrirë në një poezinë me muzikën dhe i ka veshur motivet me petka melodie. Këtë mund ta bënte vetëm një njohës i mirë i këtij arti. Dhe ai qe i tillë. Janë të njohur për një muzikalitet të theksuar poetik Fishta, Poradeci, Noli, dhe plot të tjerë, por për ta, muzikaliteti i fjalës dhe i vargut është thjesht një element i formës, që arrihet me përdorimin e qëllimtë të kadencave ritmike, me përzgjedhjen e tingujve, rimave, etj. Ndërsa tek Zorba, muzikaliteti poetik nuk është thjesht formë, ai është edhe përmbajtje. “Për unjisimin muzikal është kërkuar jo vetëm ritmi i qenësishëm në fjalët dhe në vargjet, por edhe tentativa e riprodhimit të formave muzikore: fugat, fugatot, sonata me tempot, kadencat, etj.”, ka shkruar ai në “Pasthënie”.
Të kësaj natyre janë cikli poetik: “Fugat e fundit” dhe poemi “Mbresat e rrugëve”.
Në “Fugat e fundit”, kemi të bëjmë me pesë poezi, të titulluara me terma të formave muzikore, dy prej të cilave kanë edhe nga një nëntitull: “Allegro”, “Andante mosso”, “Lento (për çdo 10 qershor)”, “Largo”, dhe “Allegro furioso (canzonetta)”.E përsëris, këto tituj nuk kanë kuptimin a kuptimet leksikore të fjalëve të zakonshme, por janë emërtime të formave të veçanta muzikore.
Në rrafsh gjuhësor, fjala fugë ka kuptimin e ikjes, arratisjes, veprimin e të ikurit nga një vend, largimit nga rrethana të ndryshme, etj., ndërsa në teorinë e praktikën muzikore, fuga është forma më komplekse e kompozimeve muzikore, që zhvillon disa tema, në funksion të një teme gjeneruese. I tillë është ky cikël poetik. Rreth një teme qëndrore, që është amullia e hirtë e përditshmërisë, në “Fugat e fundit” zbulohet një tematikë e larmishme, ka aty meditacione filozofike mbi peisazhe të natyrës, pakënaqësinë e njeriut dhe mëdyshjet e tij për rezultatet e njohjes shkencore, kur ato janë përdorur në dëm të tij, dhe prandaj nuk e kënaqin as shkencat ekzakte e as artet; dhe ai, mbetet si “i jeremisur” “në mes të askurgjësë e të pambarimit”; por ka edhe “disa tharme / të mënjanuara / (që) me ngjyrë të re përftojnë një dritë / e jehe:

Dhe është ajo këngë e lashtë e fisit,
Që në mërgim përkundi shumë do burra,
Të djegur mallesh
E sypërlotur.

Cikli “Fugat . . . mbyllet me poezinë “Allegro furioso”, ku hamendësohet një hare e furishme me përshkrimin e një tabloje liqeni tejet të trazuar. Por ndodh e kundërta. Poezia e haresë së furishme dhe krejt “Fugat . . . ” priten si me spatë në vargun e fundit: “por shi vazhdoi me ra”. Kështu, në “Fugat e fundit”, poezia e muzika janë motra binjake, i ndihmojnë njëra-tjetrës dhe ndërthuren me mesazhe ngjyrash të ndryshme për jetën, njeriun, atdheun; ndërsa “shi vazhdon me ra”, d.m. th., monotonia, errësira, zymtira e së përditshmes mbetën.
Me terminologjinë e artit të melodisë shtjellohet edhe poemi “Mbresat e rrugëve”, në formën e koncertit për violë, fagot, ksilofon–kumbonë dhe instrumenta perkusioni. Poemi përbëhet prej 12 pjesësh, të titulluara me terminologji muzikore, shoqëruar me nëntituj: “Introduksion (Kthehen kujtime)”, “Tema e fagotit (Koha rend)”, “Tema e ksilofon-kumbonëve (Kur binte muzgu)”, “Tema e instrumentave me perkusion (Përshkimi i një komete)”, “Tema e violës (Ne djemtë e vajzat, e një maturant)”, “Parte concertante (Përzemërsi, lodra e dituri . . .)”, “Kadenca e ksilofon-kumbonëve (Pranverë)”, “Kadenca e fagotit-Ballatetta-(Verë)”, “Kadenca e violës (Vjeshtë)”, “Kadenca e instrumentave me perkusion (Dimër)”, “Ripresa (Ndarjet)”, “Stretta finale (Sikur . . .?)”. Edhe këtu kemi një larmi tematike, por me shtjellime më konkrete, aty këtu me gërshetime liriko-epike, që trajtojnë motive erotike, përshkrime stinësh me përsiatje meditative rreth tyre, tablo varfërie të skajshme, zymtie jetësore, por me mesazhin e shenjtë e optimist të dashurisë për jetën dhe njeriun.
Të nxitura nga jeta, frymëzimet e poetit janë jehonë “emergjencash shpirtërore”, siç i ka quajtur Pipa poezitë. Një emergjencë e tillë blatohet në pjesën “Kadenca e fagotit”, në të cilën:

“Në jerevinë
E ngarravaçuar të druvarit
Kandili i gjorë
S’e ka pikën e vajgurit:
Ndaj nën fanar, te dera,
I biri, maturant,
Me Kantin jep e merr
E me errësirën”.

Po ashtu në “Kadenca e violës - vjeshtë”, “Motet stërkeqeshin me mënjanime / por sidoqoftë mjerimi ish enerci, / akull polar, e vdekja / çasej në gjumë . . .”.
“Buzë të ngrira në gaz” mbyllen me ciklin poetik “Në zgrip”, leksemë, në të cilën akustika tingullore i rri aq përshtat kuptimit të fjalës. Edhe pse nuk është përdorur aq dendur në frymëzimet e Zorbës, ajo ka vlerën e fjalës kyçe. Tematika motivore e “zgripit”, përkap kohën e jetës në pragun e rrënimit, kohës së shtangur në një vend (“Një gozhdë”); zhgënjimin e poetit për varfërimin shpirtëror të njeriut (“Hënë të reja”); pakënaqësinë e tij që jetës i ka humbur shija e së bukures (“Raki e lirika–balladë”); ëndërrimet me ngjyrime romantike për një jëtë më të mirë, dhe dëshira: “gjersa jeta qenka / kaq e çatrafiluar, së paku sendet / me njëra-tjetrën të përkojnë, si ngjyrat / në kuadrot e Monesë” (“A s’ ma ndërtoni një shtëpi”); mjerimi i një jete që rrokulliset teposhtë e më teposhtë, dhe një mesazh i fuqishëm (te “Rrokollja na flakë- kushtuar bashkatdhetarëve”) për njerëzit që:

“Na i harruan kushtrimet:
Lëmuç mbi njëri-tjetrin
S’u ndiekan për së gjalli;
Të mos ketë mbetur frymë
Që rishtas t’i buçasë? ”

* * *

Zorbën e dallon një ind tekstor vetanak, që e veçon atë prej të gjithë poetëve tanë të traditës dhe të kohës sonë. Ai ka një fjalor të pasur, që ushqehet me përdorimin e fjalëve të rralla dhe arkaike, sidomos të atyre që emërtojnë ose cilësojnë a tregojnë tipare të veprimit a të gjendjes, rrethana e mënyrë veprimi gjërash të zakonshme. Edhe në rrethin më të ngushtë të leksemave që përdor më shpesh, ai nuk i shmanget kësaj rruge. Të tilla janë: rrokoll-e, zhig, zalle, qull-e, qyqe, qyqar, lëmuç, etj.Për të shprehur përvoja të brendshme ndjenjësore dhe përfytyrime vetjake, poeti gjen vlera estetike tek disonancat, veçori e simbolistëve, po edhe e Montales. Këtë efekt, ai e krijon duke bubërruar e qëmtuar fjalë të popullit, pothuajse të harruara, në të cilat përsëriten tinguj të njëjtë që në pozicionet përkatëse shqiptohen me vështirësi: “Në jerevinë e ngarravaçuar të druvarit”, “Janë po ato rremnime shpirti, të rrokuara në zgrip”, “E mbetën ashtu lmuç të laskaruar”, “E nyjça krahë të lacaruar”.
Në një shkrim timin të mëparshëm 7), kam vënë në dukje që Zorba, si edhe disidentët e tjerë të heshtur shkodranë, ka shkruar në dialektin gegë.Por kur u përgatitën për botim pësuan metamorfozë dhe u botuan në standardin gjuhësor të njësuar. Një lajthitje e tillë e dëmtoi së tepërmi poezinë e tij, sidomos në rrafshin akustik të saj; çka për Zorbën, që bëri përpjekje për të lidhur poezinë me muzikën, krijoi një minus të dyfishtë. Këtë na e dëshmojnë qartë edhe poezitë që u botuan më vonë në revistat “Phoenix” dhe “Hylli i Dritës”.

* * *

Nuk mund të bëhet një koment i plotë për Zorbën pa vështruar përkimet e poezisë së tij me tre poetët e mëdhenj hermetikë italianë: Montale-n, Quasimodo-n dhe Ungaretti-n, të tre të nderuar me Çmimin Nobel. Zorba i përmend me admirim këta tre poetë në poezinë e tij; dhe veç kësaj, ai na ka lënë në dorëshkrim antologjinë poetike “Omne trinum est perfectum” 8), në të cilën ka përfshirë përkthimin e poezive më të arritura të këtij treshi poetik të madh. Botimi i saj do të na tregojë se cilat vepra të tyre ka njohur poeti ynë; mbasi vëllimet poetike të botuara, nga viti 1945 dhe këndej vështirë t’i kenë rënë në dorë. Përkimet e treshes hermetike italiane me poetin tonë i hasim në kuptimin e qenies dhe qenësisë së poezisë, në përcaktimin dhe qasjen e objektit poetik, në shtjellimin tekstor të motiveve; në njëfarrë drejtimi, edhe në preferencat leksikore, etj.
Në të kuptuarit dhe në vështrimin e poezisë, Zorba afrohet me hermetikët italianë, për të cilët poezia e pastër është imazh që evokon objektin, më tepër se ta emërtojë a ta përshkruajë atë.
Për ta rritur sa më shumë forcën evokative, ndjellëse, dhe sugjestionuese të poezisë, për të dhënë më të qenësishmen e imazhit poetik (“esencialitetin”, siç e përcakton ai vetë në Pasthënie), ata përdorin, çka është synimi i tyre kryesor, një ligjërim intensiv, skajshmërisht sintetik, eliptik, gjë që shpesh e bën atë të errët, hermetik. Një ligjërim që rreh të ndriçojë elementet afektive, ndjenjësore, imagjinative, duke zbehur ato racionale. Dihet përkufizimi lapidar, substancial, i përqenësishëm i Quasimodo-s për poezinë: “Kur poezia fillon të thotë, pushon së qeni”.
Intensiteti skajor i kumtimit të idesë në tekstin poetik i ka çuar hermetikët italianë shpesh në poezi me dy a tri vargje me nëntekste shumë të pasura, si në rastin e poezisë “Ed è subito sera” (“Dhe shpejt vjen mbrëmja”) të Quasimodo-s, për analizën e së cilës janë thurur disa ese nga kritikë të ndryshëm.

“Ognuno sta solo sul cuor della terra
Trafitto da un raggio di sole:
Ed è subito sera”.

(“Secili rri vetëm në zemër të tokës / I goditur nga një rreze dielli: / Dhe shpejt vjen mbrëmja”). Ose me poezinë e Ungaretti-t, “Mattina” (“Mëngjes”), një poezi e zhveshur deri në palc të ashtit: “M’ illumino/d’immenso” (“Përshëndritëm / Pafundësisht”) 9).
Të kësaj natyre janë shumë poezi të Zorbës, si përshkrimet me nëntekste të pasura kuptimore: “Pjergulla”, “Zalli i Kirit”, “Prap me furi”, “Rrenime”, “Rrugët në vjeshtë,”, “Malle”, Fli”, etj., ose meditacionet filozofike si “Përtej…” (që të kujton poezinë që çekëm më lart të Quasimodo-s), “Pa element”, “Fjala”, “Kujtime”, “Robër”, (e shkruar në burg, në vjeshtë të vitit 1948, ku aludohet për “armiqtë e popullit” që punonin në kampet e punës dhe të “riedukimit”, dhe që na kujton poezinë “Vëllezër” të Ungaretti-t, kushtuar ushtarëve në llogore gjatë Luftës së Parë Botërore.).
Me gjithë admirimin për hermetikët, Zorba ka ndjekur vetveten në dhënien e emocioneve dhe të përfytyrimeve vetiake. “Pasimi i rrugëve emocionale të tyre do të kishte qenë një vazhdim i mjerë e i pafrut”, ka shkruar ai.Origjinalitetin e tij, “shpetimin prej grackës së hermetikëve”, siç e quan ai, e ka arritur nga “analiza kritike e botës individuale, e rrethanave, e kushteve të ekzistencës, e aspiratave dhe idealeve e sidomos kundërshtimet e botëkuptimet personale, që edhe mund të paraqesin afri sensitive me këdo tjetër, por jo unjisim filozofik e ideor”. Një burim tjetër shpëtimi nga ajo grackë është jetësuar në rrafshin leksikor: “shpuplimi dhe ushqimi i vazhdueshëm me leksikun dhe idiomat tona (të traditës dhe ato që bota krijon çdo ditë)”, ka shkruar ai po aty. Megjithse, sikurse kam sqaruar më lart, nuk mund të pajtohem plotësisht për këtë çështje.
Një ndikim të dukshëm të poezisë hermetike e hasim në dy ciklet që përmendëm më lart; “Fugat e fundit” dhe “Mbresat e rrugëve”, që përfshijnë provat e tij në lidhjet poezi–muzikë. Zorba eci në rrugën e hapur prej Montales, siç kishte ecur ky pas gjurmëve të muzikantit francez Debussy, që pati kompozuar poezi të Bodlerit dhe një poem të Malarmès. Montale, në ciklin poetik “Movimenti” të përmbledhjes poetike “Ossi di seppia” (“Eshtrat e sepies” 10), ka botuar eksperimentet e tij në këtë fushë të pazakontë të relacioneve të poezisë me muzikën: “Corno Inglese”, “Falsetto”, “Minnistrels” da C. Debussy; “Quasi una fanfasia”; veç poezive më të hershme të kësaj natyre: “Musica silenziosa”, “Suonatina di pianoforte”, suitën “Accordi” 11).
Më vjen mbarë të theksoj këtu që poezia hermetike në rrafsh kuptimor nuk është e hapur, pra bart mesazhe që poeti ua transmeton lexuesve nga thellësia, sado të errët që janë nga shkaku i intensitetit maksimal që cilëson tekstin, të cilat lexuesi duhet t’i zbërthejë. Zorba është ushqyer gjithë jetën sa me hermetikët italianë, aq edhe me modernistët europianë si Bodlerin, Tomas Eliotin, etj. Zorba kërkon një komunikim të plotë me lexuesin “komunikim që s’i drejtohet një leçitësi të plogtë, pasiv e indiferent, që pret çfarë i sjell poeti-dallëndyshe për ta përtypur pa mundim, pa pjesëmarrje. Jo. Lexuesit të sotëm i kërkohet përgatitje shpirtërore, kulturore e artistike për ta bërë veten bashkautor me artistin, jo vetëm për të interpretuar atë që i komunikohet, por për ta ndjerë e për ta vuajtur bashkë me poetin, duke kërkuar në vepër përfytyrimin vetjak, qoftë në formë krejt individuale e ndoshta edhe botëkuptimore tjetër.”.

Referenca dhe shënime

1). Kam pasë fatin ta njoh. Pavarësisht që mosha dhe sidomos rrethanat nuk na e mundësuan lidhjen e miqësisë, aq të dishëruar prej meje. Një fytyrë e fisme, gjithnjë e hijesuar nga mendimi, që i ndriste sytë dhe krejt fytyrën. E vija re kur ecte rrugës. Një hijeshi personaliteti në të ecur më ngjallte gjithnjë admirim. Me hapa të sigurt, thua se po ecte i vetëm. Mbasi kishte kryer llogaritë në ndërmarrjet ku punonte, që në momentet kur shkëputej nga puna dhe merrte rrugën e kthimit në shtëpi, për të fillonte jeta e dytë, ajo e vërteta. Tashmë, ai e kishte kaluar pragun e asaj jete të rëndomtë të ditës dhe ishte futur në hapësirat e artit. Të krijohej përshtypja që, gjatë rrugës, krijonte poezi. Ja njëra prej tyre:

Si zogj dallëndysheje,
Fëmi të lagjes
Më shkasin anash
Plot shend e verë.”

Më pati treguar Ernest Perdoda, një poet tjetër i heshtjes shkodrane, shok e mik i përbashkët, që Zefi shkruante poezi dhe përkthente hermetikët. Një herë, më pati lexuar një poezi të përkthyer të Ungarett-it.
2). Shih “Phoenix”, nr. 1, korrik-gusht 1997, f. 52-57; dhe “Hylli i Dritës”, nr. 1, v. 2010, f. 186-203.
3). Hans-Joachim Lanksch “Arti autonom i fjalës”, “Phoenix”, nr. i mësipërm, f. 49-51.
4). Të gjitha citimet nga Zorba që pasojnë janë marrë nga kjo “Pasthënie”.
5). Shih, Petraq Kolevica, “Lasgushi më ka thënë… Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin”. Botim i dytë i plotësuar, “Toena”, Tiranë, 1999, f. 89. Cituar simbas Anton Nikë Berisha, “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë – Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës”, “Shpresa & Faik Konica”,Prishtinë, 2003, f. 109.
6). Ky variant është marrë nga “Hylli i Dritës”.
7). “Disidencë fisnike dhe politizim çoroditës në letërsinë tonë”, “Dielli”, nr. 1 dhe 2, viti 2004.
8). Stefan Çapaliku, “Edhe pse kohë mbeti pak . . . ”, gazeta “Shkodra”, 14 janar, 1993.
9). Të dhënat për Quasimodo-n dhe Ungaretti-n i kam prej shënimeve të mia të dikurshme.
10). Sepie, emër i një molusku.

11). “Eugenio Montale, Collected Poems 1920-1954”. Translated by Jonathan Galassi. 

No comments: