Belfjore Qose: Poezi/i


Studiuese dhe shkrimtare lindur në vitin 1985, lektore pranë Departamentit të Letërsisë, në Universitetin “A. Moisiu”, Durrës dhe në disa universitete të tjera, Belfjore Qose u diplomua në “Gjuhë – Letërsi” në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ku më vonë mbrojti Masterin me Mikrotezën “Shtresa fantastike, imagjinare në romanin “Kënga Shqiptare” të K. Trebeshinës” dhe mori titullin “Doktor i shkencave”. Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, me punime (“Si krijohet realiteti i letërsisë bashkëkohore shqipe nisur nga informimi mediatik”, “Fantastikja si shpëtim nga realiteti dhe kaosi i vlerave në romanin ‘Kënga shqiptare’ të Kasëm Trebeshinës”, “Tregimi bashkëkohor shqiptar”, “Amullia emocionale në tregimin e D. Lawrence ‘Aroma e krizantemave’”, “Tradita dhe etnia si parandalim i tjetërsimit në romanin ‘Rrathë’ të M. Camajt”, “Terminologjia në botimet për esenë”). Shkrime të saj janë botuar në shumë revista të rëndësishme kulturore e shkencore.

Rruaza të zeza në fillin e harresës


Ti e bjerre kohën tonë
Pa fjalë, me heshtje të ftohtë
Ia fale vakumit ditët tona të bardha
Mund të kishim qenë dashuri fëmije
Dritë që mban pezull trupat
Sa fort, më shumë se Zotin
Që shfaqej mes frymimeve tona
Ti deshe hiçin e qetë
Përgjumjen e ndërgjegjes
Kaosin që djeg qindra lule të çelura në ty.


Tani mjalti i ditëve tona është
Letargjia e mëngjeseve
E netët e zbrazëta plot me sy
Që vëshgojnë prej muresh
Si përgjumja e ditëve me kokëdhembje
Ashtu dhe ritmi i felinit të zgjuar natën
Vaktet që ushqejnë ngrehinën e shpirtit të dikurshëm
Zbukurimet e qerpikëve lotues,
E dantellat magjike të dritareve të vjetra
Janë njëlloj energji dhe inerci
Ato nuk pyesin për çastet në të cilat ne vdiqëm
Harruam dritën e aurave tona të bardha
Gishtat tanë të mpleksur, të njëjtë
Me simfoninë e gjetheve
Dhe psalmet që dashuria jonë derdhi në qiell
Sa kohë kanë buzët pa ndjerë ëmbëlsi
Pa prekur bukurinë e hënës së plotë
Universi zgjerohet, gjithçka largohet…
Ne bashkohemi veç në eterin e tingujve
Në mishin e dhembjes së hapur
A e sheh të kuqen që mesnata derdh mbi strehët tona
Engjëjt e rënë që heshtin duke buzëqeshur?

Ti ditët tona i shkove një nga një
Si rruaza të zeza në fillin e harresës
Drerët në pyjet e ëndrrave i mbytëm
Me demonët tanë të dhimbjes
E tani… tani ti je hija e territ
Që dëshira ime fshehtaz qafon çdo mëngjes
Sepse drita ushqehet me qafime të pastra mëngjeseve
Sepse lulet ngjallen prej mallit tënd e erës sime.

 

Para se drita të thyhet


Në largësitë tona prej ditësh që masin rrugët nga lëkura ime
                                                  te lëkura jote
Kanë nxjerrë kryet filiza të brishtë fillimesh
                                                  të reja prej drite
Zgjatja e duarve asgjë nuk sjell veç zhytjes më të thellë
                                                  nën lëkurë
Hapërsira është mbushur me avullin e tingujve
                                                  të ngopur me pasiguri
Me të tashme kapur në gracka prej rrënjëve
                                                  të thella të së shkuarës
Koha jostatike dhe universi flasin për rrotullime,
                                                  pengje e pengesa të pafundme
Po kaq banale dhe të përmbajtura sa fryma ime
                                                  që nuk guxon dot
Të dredhet si llavë prej enës së trupit drejt teje
                                                  me tërë paturpësinë
E një gruajë të papjekur që kërkon nëntë muzat
                                                  në një veshtrim
Ka zambakë të bardhë në ujë dhe dëshpërim
                                                  tretur në tinguj
Shkëlqimin e syrit të Zotit reflekton liqeni
                                                  ku kemi mbytur shpresat
Për vetëm pesë minuta para se drita të thyhet
                                                  prej vendimeve e ndëshkimeve
Një dritë e re shpërfaqet, krejt e njëjtë me modelet
                                                  që krijojmë për t’u ikur
Madje edhe fytyra jote teksa tërë imazhet
                                                  e shpejta zhduken
Madje edhe vija e gjakut që na lidh pavarësisht
                                                  rrebesheve e stuhive detare
Është krejt e njëjtë, si frymëmarrja e lehtë e Zotit
                                                  brenda lëkurëve tona.


Aurat e natës


Ne, me aura të zeza mbi kokë
Krenohemi për boshin dhe pamundësitë.
Nuk kemi fituar as çastin më të mirë
Prej mëkateve të trishta ndaj vetes.
Ti më ftove në acarin e natës pa yje
Për të vetmuar bashkë vetminë.
Jam helmuar gjatë me vetëdije,
Gjatë, prej kohe pa kohë.
E kemi puthur trishtimin mes syve tanë
Që nuk i takuam në dritë të bardhë…
E janë zgjatur hijet e ndërgjegjeve
Për t’u mbytur thellë në lumë,
E janë shtrirë shtrojet e shtrateve
Për të veshur fusha të shkreta shpirti.
E kemi helm në mushkëri,
E kemi pis në rropulli,
Duke pritur dritën prej botëve të tjera.
Na ka mbetur në fyt shpirti i natës
Që do e vjellim profanisht të përbaltur.
Dhe rropatshëm rrokullisen rrëketë
E shiut mbi aurat e zeza të natës…


Engjëll pasditeje


Në tinguj të zvarritur u tret lodhja e syve
Pothuajse e puthur prej trishtimit varem
Në gjethet e gjelbra të oborrit të fqinjëve
Duke tymosur kaltërsinë e fundit të qiellit

Ti je engjëll pasditeje pa fytyrë e tipare
I vjetër sa tërë pasditet që lanë në flori këtë tokë
I lodhur prej ankesave mbi boshin e qiellit
Ndërsa ti me një lëvizje krahu përfshin dritën

Ka grimca vullnetesh mbetur pezull
Që si lule të sapokëputura vdesin në duart e natës
Ka tek të gjithë të gjallët një minutë malli
Për gjithçka që nuk patëm e nuk dimë

I ulur në cep të ndërgjegjes ti rritesh me errësirën
Pasditet bëhen pirg në sytë e tu të kthjellët
Si brigjet që me shkumën e tyrë përkundën
Dashurinë tënde mes ujit dhe tokës

Ti kalëron mbi ëndrrat e pasditeve
Pa zhuritur as cepin e tunikës tënde ngjyrë hëne
Me durimin e urtisë që nuk njeh veten
E përmbushjen e misionit tënd të dyshimtë

Tërë kureshtjet fashiten prej llomotitjes
Trishtimit të derdhur në filaxhanin e çajit
Shenjave që ti lë në cepin e pasdites
Engjëll i heshtur si trëndafil në vazo

Ke në flokë gurë iluzionesh që ndrisin
Si magjepsje magësh në blunë e qiellit
I gjallë pothuaj dukesh, me plagë si ne
Sapo bukuria fillon të tretet mes ajrit të natës.

More in: Revista Haemus


No comments: