Dr.proc. Diana Mone, Dr. Alisa Velaj: Burgologjia në romanin “Rrugët e Ferrit” të Visar Zhitit

ABSTRAKT

“Rrugët e Ferrit” me nënshkrimin “Burgologji” trajton individin në aspektin social dhe zbulon labirintet më të thella të një shpirti të ngujuar. Aspekti social, diktatura komuniste, e shenjuar kjo e fundit që në nëntitull, parathotë me detaje fatin e individëve, apo të shpirtrav të trazuar që lundrojnë të pafuqishëm dhe të denatyruar nëpër udhët e një ferri, ku janë të detyruar të gjallojnë pa kurrfarë mëkati. Qenia në këtë roman fillon rikrijon realitetin e vet që e ka pasur edhe më parë në shpirtin e tij të lirë, por që “s’e ka vënë re më parë”, pasi ky realitet ka qenë për të, në kushte lirie, një fakt po aq normal sa ajri dhe ekzistenca. Shkulja nga jeta përfaqëson një individ që lirinë e vet nuk e shet për asgjë, pasi e di se çdo gjë tjetër që do t’i afrohet në këmbim të saj do të jetë jo-liri. Limitet e gjithçkaje që duket dhe gjithçkaje që fshihet nuk e intrigojnë aspak këtë adhurues të qiejve. Ato thjesht e bëjnë më të kthjellët në soditjen e realiteteve të fshehura në mënyrë të përsosur pas tejdukshmërisë.  
        
Burgologjia si koncept i sociologjisë së letërsisë është një aspekt i trajtuar tepër pak në studimet letrare shqiptare dhe thuajse aspak, në punimet që trajton një fushë si sociologjia e letërsisë. Liria e mohuar e individit përgjatë diktaturës komuniste është një teme e trajtuar gjerësisht në romanet e Visar Zhitit. Romani “Rrugët e Ferrit” me nënshkrimin “Burgologji” trajton individin në aspektin social dhe zbulon labirintet më të thella të një shpirti të ngujuar. Aspekti social, diktatura komuniste, e shenjuar kjo e fundit që në nëntitull, parathotë me detaje fatin e individëve, apo të shpirtrav të trazuar që lundrojnë të pafuqishëm dhe të denatyruar nëpër udhët e një ferri, ku janë të detyruar të gjallojnë pa kurrfarë mëkati. Dyzimi, si pjesë e çdo qenieje humane, është gjendja emocionale, psikologjike dhe sociale në të cilën ndodhet protagonisti që prej momentit që i mohoet liria e der në fund, por pa mësuar denatyrim shpirtëror. Denatyrimi është vetëm fizik dhe kohor.

“- Do punojmë bashkë – më kërcënoi qetë Kryehetuesi pas tymit që e përmbyti shpejt dhomën e vogël ku kishim rënë. Nuk pyeta se çfarë quante punë ai. Që ta shkulje tjetrin nga jeta e vet dh eta mbyllje mes këtyre katër mureve nënë dhe?”[1]

Pasazhi i mësipërm mbart krejt filozofinë denatyruese të individit në pushtet për të futur në grackën e tij individin qytetar të lirë, e për të nisur më pas odisenë e shpitrave të mallkuar pa kurrfarë shkaku. Tragjedia nis me aktin e saj të parë pikërisht këtu dhe, duke perifrazuar Fridrih Niçen do të thoshim: “Arti më i lartë në pohimin e jetës, tragjedia, do të rilindë atëherë kur njerëzimi do të lërë pas vetes ndërgjegjen e luftërave më të ashpra, por të nevojshme, pa i vuajtur ato[2]. Personazhi duket se nuk vuan aspak në këto fjalë. Kjo mosvuajtje vjen prej faktit se ai e ka rrokur thelbin e diktaturës, apo e ka nuhatur atë që në frymëmarrjen e tij të parë në qeli. Individi artist, ose njeriu me shpirt të lirë vjen para lexuesit në mosmohimin e jetës, apo në pohimin e asaj që vendos së brendshmi se do të vazhdojë, pavarësisht se përshkrimi “mashtron” një ngjizje vuajtje, e cila në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse ngjizja lufte ndaj një realiteti që individit nuk i vjen aspak për shtat. Ky lloj personazhi e lë mënjanë me ndërgjegjje të plotë frikën e luftrave të ashpra që do i shpallen tah “prej së lartmi” (lufta e pushtetit komunist ndaj individit) dhe zgjedh luftën me rrethanat ndaj te cilave duhet të dalë patjetër një i mbijetuar. Thënë ndryshe, ngjiz dashurinë për jetën, apo luftës së nevojshmë për ajër lirie.
Shkulja nga jeta përfaqëson një individ që lirinë e vet nuk e shet për asgjë, pasi e di se çdo gjë tjetër që do t’i afrohet në këmbim të saj do të jetë jo-liri. Limitet e gjithçkaje që duket dhe gjithçkaje që fshihet nuk e intrigojnë aspak këtë adhurues të qiejve. Ato thjesht e bëjnë më të kthjellët në soditjen e realiteteve të fshehura në mënyrë të përsosur pas tejdukshmërisë. Të qenit vegël e pushtetit do të thotë largim nga vetvetja. E kundërta provokon dashurinë për një robëri të keqperceptuar në liri. Qenia në këtë roman fillon rikrijon realitetin e vet që e ka pasur edhe më parë në shpirtin e tij të lirë, por që “s’e ka vënë re më parë”, pasi ky realitet ka qenë për të, në kushte lirie, një fakt po aq normal sa ajri dhe ekzistenca. Kur ekzistenca vihet në diskutim apo ka ngasje për t’u drejtuar nga dirigjues që s’kanë kurrfarë dashurie ndaj performancës, ky individ rilind me një etje feniksiane. Binomi poezi/polici, si zbulimi më tronditës në kushtet e robërimit të qiellit, e shndërron lirinë në një kryq të mbartur mbi shpinë dhe individin në një Mesia që më shumë se vuajtjes së një çasti të vetëm, i dhemb vuajtja e mbarë njerëzimit. Ky “mbarë njerëzim” në këtë roman është shoqëria shqiptare përgjatë një përiudhe nga më të errëtat, sepse është konfiguruar nga kreu në fund prej bijve të të njëjtës etni.
Sipas Henri Bergsonit: “Ekziston të paktën një realitet të cilin e zotërojmë nga brenda me intuitë dhe jo nëpërmjet analizës së thjeshtë. Kjo është vetja jonë me kalimin e kohës, vetja që nuk ndryshon. […] Një gjë është e sigurt: ne pranojmë vetëm vetveten[3]. Fjalia e fundit e kësaj aksiome u shkon për shtat, gati-gati si një kostum dasme, projektuesve të ferrit komunist, të cilët pretendojnë se mund të bëjnë e të zhbëjnë sipas dëshirës kohën e qenies dhe pranojnë vetëm logjikën dhe intuitën e tyre, pa arritur të kuptojnë sse të dashuruarit me lirinë kanë një intuitë edhe më të mprehtë se ata, intuitën e heshtjes, ku gjykatëse mbetet koha. Për individët që i kthejnë shpinën tjetërsimit, këta djaj të ferrit kominist, revoltohen edhe për faktin e thjeshtë se përsë ata ekzistojnë, pasi nëish thelbin njerëzor të të parëve ka vdekur gjithçka humane, duke përmbysur çdo lloj ligji metafizik, por ama është e sigurt që pranojnë veç vetvetes edhe ato vetje që janë të ngjashme me ta si dy pika uji! Përsa i përket atyre vetjeve ose invividëve që nuk ndryshojnë me kalimin e kohës (me marrëveshje “i grupojmë” në pjesën e parë të aksiomës bergsoniane), dhe që intuita nuk i gënjen kurrë për ato që do të pësojnë në rast mospajtimi me ata që pranojnë vetëm veten, drama i përplas sa andej këtej nëpër muret e ftohta të qelisë, por asnjëherë nuk i shemb.

Jetonim më shumë me të kaluarën, edhe kur ajo ishte e paqenë. Dhe bisedat tona ngjnin me fillimet e përrallave. Një here unë…apo kur isha unë në… dikur… thuhet se… Na ishte se ç’na ishte… Shqipëria më parë në Mesjetë, ishte bashkohore me Europën…”[4].

Kjo lloj arratisje përveç “shpëtimit” nga ferri ku jetojnë rrok në vetvetë edhe përmasën tjetër, atë më tragjiken, vuajtjen e bijve të një nëne, Shqipërisë, prej bijve kainë të lindur po prej saj. Në mënyrë alegorike autori nis e rrëfen përrallën “Na ishte një herë Shqipëria”. Spektatorët e përrallës janë këta fëmijë të denjë të kombit, që me eshtra të plëvitosura, gdhijnë netët e errëta nëpër kampet e përqëndrimit të Spaçit, Burrelit etj etj. Visar Zhiti e prek skëterrën, ndjen peshën shkatërruese të saj… Në këtë atmosferë ç’njerëzore, të egër të ashpër, ai nuk heq dorë nga dashuria për njeriun, i cili mbetet një ideal i tij[5]. Idealii i poetit për shpritin, i individit përgjegjës deri në skajshmëri për fatin tragjik të një atdheu aq shumë të dashur, por që për të cilin nuk mund të bëjë dot asgjë reale,ngjiz këtë rrëfim testament për brezat e ardhshëm, ku këtyre të fundit u vjen mesazhi të mos mësojnë kurrë të jenë burg i vetes. Shkencëtarët e filozofisë komuniste (nëntitulli “Burgologji” mund të konsiderohet edhe si një ironi tepër e stërholluar) para se të robëronin e shkatërronin popullin shqiptar me kalbejn në burgje dhe luftën e klasave, kishin burgosur më së pari veten e tyre, pasi besonin verbtazi në një liri që nuk ishte liri. Frika e tyre ndaj çdo individi të lirë, artisti, njeriu të ndershëm të sjell ndërmend në çdo moment, fjalët e famshme të Shekspirit pasi Makbethi vrau mbetin Klaud: ”Makbethi vrau gjumin/gjumin e pafajshëm”. Dhe ata që s’kanë ditur të shpëtojnë gjumin e tyre, ngrenë për ne burgje kujtese, më të tmerrshmit prej të cilëve mund të vuajë një popull. Atyre që duhet t’u frikësohemi madje edhe më shumë se qelive reale. Ku një herë në natën e errët me të drejtë mund të të shkasin fjalët:”Na ishte një herë vetja ime”. Fjalë këto jo dhe aq të rënda krahasuar me klishenë: “Na ishte një herë një atdhe…”. 

Bibliografi

Friedrich Nietzche: Ece Homo, Taulant Hatia, Uegen, Tiranë 2005
Luan Topçiu, nga libri “Psalm”. Shkëputur prej thënieve kushtuar librit të Visar Zhitit “Rrugët e Ferrit”
Shtumpf, S. E. ,Filozofia, Historia dhe Problemet, Bergson: Metafizika, Realiteti jetësor përkundrejt atij statik, K. Myftiu, P. Shehu, Toena, Tiranë 2000.
Visar Zhiti, Rrugët e Ferrit, Onufri, Tiranë 2001



[1] Visar Zhiti, Rrugët e Ferrit, Onufri, Tiranë 2001, f.11.
[2] Friedrich Nietzche: Eçe Homo, Taulant Hatia, Uegen, Tiranë 2005, f. 69. 
[3] Shtumpf, S.E., Filozofia, Historia dhe Problemet, Bergson: Metafizika, Realiteti jetësor përkundrejt atij statik, K.Myftiu, P.Shehu, Toena, Tiranë, f. 339.
[4] Visar Zhiti, Rrugët e Ferrit, Onufri, Tiranë 2001, f.70.
[5] Luan Topçiu, nga libri “Psalm”. Shkëputur prej thënieve kushtuar librit të Visar Zhitit “Rrugët e Ferrit”

No comments: