Grigor Vieru: I egri (Sălbaticul) / Poezi


Edhe ai nga një nënë është lindur
Çudi
Në fillim edhe ai ka qarë
Çudi
Edhe ai këndonte nganjëherë
Çudi
Thithte aromën e luleve
Çudi
Çudira edhe ai sillte ndërmend
Çudi
Për një vogëlush me kurm prej bore
Çudi
Këqyrte dhe qiellin me yje
Çudi
Çudi që nuk më shqeu

Çudi


Një shekull i ngutur
(Un secol grăbit)

Miq, habituni me ngut
Për aq sa dëbora është ende e bardhë.
Mirçea Dinesku

Bie shi,
Dhe çadra ime
Është në tjetër troleibuz.
Njëri harron çadrën,
Tjetri dorashkat. Një tjetër
Derën të çelur. Një tjetër
Erën të hapur.
Njërit, nga kati i sipërm
I rrjedh uji mbi kokë.
Tjetrit papastërtia.
Në shitoren e mallrave
Një zonjushe harron fatin
Mbështjellë në letër të kallaisur.
Një kirurg harron gërshërët
Në barkun tim.
Disa ndërtues
E harrojnë udhën të papërfunduar.
Një shitës
Harron të na kthejë kusurin.
Jehona harron si të përgjigjet,
Thotë: hau-hau! Në vend të hej-hej!
Një gënjeshtër harron se nga vjen
Dhe thotë se vjen nga parajsa,
Gjëagjëza harron përgjigjjen,
I marri çfarë pyeti.
Njëri harron kafshatën në gojë,
Tjetri gojën në kafshatë.
Dikush ka shkollë
Dhe harron se ka pjesë,
Një xhelat harron të vdesë.

Bie shi,
Dhe çadra ime është në tjetër troleibuz,
Një zemër e re harron të rrahë,
Një këpucë me qafë
Harron të heqë gozhdët
Nga pëllëmba e gjethes së rënë.
Njëri bie të flerë me gjoks të shkretuar,
Duke e harruar qiellin jashtë,
Tjetri kap shpatën me dorë,
Pjesën e mprehtë të saj,
Duke harruar që është e zbrazët.
Njëri harron fillimin e këngës.
Tjetri disa fjalë.
Tjetri
Harron nënën.

Bie shi,
Dhe çadra ime
Është në tjetër troleibuz.
Njëri harron sytë tek një tjetër.
Tjetri – veshin në derë.
Njëri harron se ku po shkon. Tjetri
Nga po vjen.
Goja harron zemrën.
Ideja – atë që e lindi.
Njëri harron në zemrën e Hiroshimës
Një bombë atomike,
Tjetri harron të dalë nga shpella.
Harrohet një premtim,
Një betim.
Disa lule
Harrojnë të çelin,
Ca burime harrojnë të rrjedhin,
Për ku kështu, o glob,
Kaq me ngut,
Për ku kaq i hutuar?!


Poetët
(Poeţii)

Poetët janë fëmijët e natyrës.
Asgjë më e trishtë,
Asgjë më e dhembshme
Se poeti
I mbetur jetim pa nënë.
Në vend të vargut që s’ka ardhur,
Vjen e dashura – ajo
Edhe më e bukur se vargu.
Në vend të
Vëllait që e ka tradhtuar
Vjen një vëlla tjetër.
Por kush,
Kush në vend të nënës
Mund të vijë?!
“Në mungesë të fjalës
Poeti
Le kokën mbi sup”.
Në mungesë të atdheut.

Nga vëllimi “Biblioteka e vesës, shqipëroi Kopi Kyçyku

No comments: