Hierarkia e meritës dhe e punës

(Tabletë)

Ashtu si trupi i njeriut, edhe ai i mbarë shoqërisë shëndoshet e gjallërohet vetëm përmes punës. Kur kjo e fundit shpërfillet apo, ca më keq, del nga skena, pasojat negative shumohen.
Për aq kohë sa ishte e qarkuar nga fshatra, të populluara prej njerëzish të zellshëm, baza e Romës ishte e gjerë dhe ushqehej nga toka.
Kur Lacioja dhe Italia u shkretuan për shkak se pjesa dërrmuese e popullsisë parapëlqeu politikën dhe po kërkonte “panem et circenses” nga qeveria, ushqime e veshmbathje nga të ardhurat publike, baza e piramidës u kthye përmbys, me majën poshtë. Të gjithë donin të sundonin dhe të mos punonin. Kësissoj Perandoria u gjunjëzua para disa popujve vërtet barbarë, por të organizuar shumë më mirë se sa romakët në rënie.

Meqë, siç e kam përmendur në një shkrim të mëparshëm, duhet të marrim gjithçka të mirë e pozitive nga bota dhe të mos i pranojmë të këqiat, le të përmendim shtetin e Egjiptit, i cili u shpërbë pas një jete prej shtatë mijë vjetësh. Brendapërbrenda antikitetit, Egjipti ishte një antikitet më vete dhe Homeri fliste për të ashtu siç flasim ne sot për Homerin. Egjiptasit ishin populli më konservator i lashtësisë dhe donin ta përjetësonin për brezat pasardhës të fshehtën e jetëgjatësisë së tyre mbi tokë në një “ikonë” të gurtë - piramidat. Jeta e shteteve të tjera, e krahasuar me atë të Egjiptit të lashtë, i ngjan një mize përballë njeriut, apo një bime zvarranike ndaj lisit. Shteti egjiptian ishte hierarkik. Kastat ia zinin vendin njëra-tjetrës vetëm në bazë të meritës e të punës.
Shtetet demagogike që nuk mbajnë parasysh hierarkinë e natyrshme dhe, përkundrazi, përdorin mjete e metoda për të privilegjuar mosvlerat e shterpësinë e njerëzve dinakë e të pandershëm, janë të paracaktuar të zhbëhen.
Nëse sekreti për jetëgjatësinë e një njeriu qëndron në mbrojtjen e shëndetit përmes ushtrimeve fizike, në radhë të punës, sekreti i jetëgjatësisë së një shteti garantohet përmes ruajtjes së hierarkisë së meritës. Si rrjedhojë, numuri i atyre që punojnë dhe prodhojnë të mira materiale, duhet të jetë, - për të mirën e tyre dhe të mbarë shoqërisë, - shumë herë më i madh se sa numuri i “tregtuesve” të fjalëve dhe të mallrave, sepse vetëm prodhimi i mirëfilltë mbron “shëndetin” dhe fuqinë e shoqërisë.
Tek ne, për fat të keq, haset dendur një dukuri e çuditshme: përdorim të hollat që janë fituar, - me djersë ose me veprime të pandershme, - nga bashkëkombësit tanë mërgimtarë jashtë shtetit: unë pi kafe në lokalin tënd, ti vjen për të blerë ushqime apo perime në dyqanin tim. Kështu edhe me investimet në ndërtime banesash apo në hapjen e bizneseve të ndryshme. Tingëllon imperative domosdoshmëria e krijimit të të mirave materiale në radhë të parë brenda kufijve të Shqipërisë, me djersë e mund.
Puna e ndershme, që zakonisht mbart edhe meritat përkatëse, është e kundërta e shfrytëzimit të djersës së të tjerëve përmes spekulimit apo sharlatanizmit politik. Këto të fundit e shndrrojnë shtetin në një objekt zhvatjeje të vazhdueshme; dëmtojnë dhe pengojnë ecurinë normale të shoqërisë.
Mësimet e lartpërmendura duket se janë përvetësuar prej atyre që kanë në duar frenat e shtetit tonë, çka dëshmohet nga një numur veprimesh të mençura e të guximshme.
Por ka vend për më shumë. 

Kopi Kyçyku

No comments: