Metaforë dhe truall


Ndonëse mund të tingëllojë si hartimet e qëmotit, për një shkrimtar dhe shkencëtar nga Jugu i shqipes, - kujtesa dhe ndjeshmëria e të cilit dyfishohen falë mërgimit, - Malësia është më fort metaforë, se sa truall. Është një mënyrë të jetuari, të kuptuari dhe të vdekuri, sikurse edhe një aftësi për të mos mbetur vdekur në gjallje, por gjallë edhe pas vdekjes. Atje i ka rrënjët eposi, trajta të epërme të shprehjes poetike, - me shkëndija dhe me një përqëndrim figurativ e semiotik që mendoj se mund të përdoren de facto për të shpjeguar ngjarje dhe dukuri përtej kujtesës së dokumentuar, - por edhe Qëndresa. As të parat, as të dytat nuk mund t’i kishin rrënjët tjetërkund. Si metaforë, Malësia është e pranishme në çdo synim dhe / ose arritje të rrafshultave, fushave, gropave, honeve, ashtu siç edhe i përmban këto të fundit, në trajtë poetike e konceptuale, për hir të një baraspeshe që sot duket e pabesueshme (disa e paditin verbtazi si të prapambetur).

Historikisht, Malësia e njeh vetminë, - bashkë me sprovat dhe vegimet që sjell, - si pakkush. Njeh me themel heshtjen ku mbruhen fjalë jo të rëndomta dhe pa krisje për shtrembërime. Ngaqë fjalët janë në shumicën e rasteve me vend e kohë të domosdoshme, Malësia ka një peshë të pangatërrueshme në botën e kumteve, qofshin këta shkencorë, kulturorë, historikë, apo edhe gjeostrategjikë. Jo rastësisht vetë Jezu Krishti shkonte të lutej në mal dhe, kur mori vesh se ata donin ta kapnin e ta bënin mbret, pó në mal u ngjit.
Për Malësinë si metaforë dhe në emër të saj mund të flasin e të shkruajnë shumë vetë, - me në krye ëndërrtarët, - por për Malësinë e dyfishtë fjala e vendësve, si mision dhe e drejtë, ka tjetër besueshmëri.
Jam njohur me faqet e revistës “Malësia” përmes internetit e më kanë bërë përshtypje jo vetëm niveli i punimeve dhe emrat e nderuar të mjaft autorëve, por edhe paanshmëria (alias pavarësia) me të cilën e drejton zoti Nikë Gashaj, themelues dhe kryeredaktor i saj. Ata që hartojnë e botojnë revista në ditët e sotme e dinë çfarë vështirësish të shumëfishta nxjerr një punë e tillë. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm harmoninë prodhimtare që duhet rrënjosur e mbajtur mes autorëve (të cilët, siç e thotë një fjalë e urtë, shpesh u ngjajnë brirëve në një thes), por edhe sitjen e pluhurit që mbështjell e jo rrallë ende vetëshpallet florí, në sajesa të ashtuquajtura shkencore.
Në vetëm dhjetë vjet, „Malësia” ia ka dalë mbanë të pasqyrojë baraspeshën e Malësisë (pa thonjëza) dhe të ketë zërin e vet të domosdoshëm në periodikun shqip. Veç njohjes së shkallëzuar ndër fqinjë e të huaj, kjo revistë ndihmon mirëfilli në njohjen më të plotë dhe pa paragjykime të autorëve nga hapësira të ndryshme shqipfolëse, ndarë nga kufij të jashtëm e të brendshëm.
Me të drejtë është thënë se një nga dramat më të mëdha të njerëzimit, - njëherazi shkak e pasojë e luftrave, krizave etj të shekullit XX, - nisi kur ‘piramidat u shndërruan në rrjete’ dhe kur çdo njeri që dinte shkrim e këndim u bind se është autor, duke ngatërruar të drejtat e lindura me të drejtat e dhuntive, apo të përvojës. Lëvizja e kundërt, shëruese, që synon të rikthejë baraspeshimin, është shndërrimi i disa prej rrjeteve në piramida. Pavarësisht se arritjet e shkencës mund të jenë për të gjithë, vetë shkenca nuk mund të bëhet nga gjithkush dhe nuk ka si të jetë për gjithkënd. Duke ruajtur kultin e së vërtetës historike dhe të asaj kulturore, besoj se „Malësia” i ka të gjitha mundësitë të bëhet një forum (‘piramidë’) jo vetëm në mendësinë shqiptare, por edhe më gjerë.
Për shumë vjet Gëzuar!

Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Evropiane Haemus
Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave e Arteve
«Gheorghe Cristea», në Bukuresht
President Ekzekutiv i European Academy of Performing Arts
Bukuresht, RUMANI


No comments: