Paul Goma – në 80-vjetorin e lindjes / la 80 de ani


Për botën shqipfolëse shkrimtari i shquar rumun, disidenti i mirëfilltë Paul Goma, - vlera e veprës së të cilit nuk është varur asnjëherë nga vuajtjet e autorit, - mbetet ende pothuajse i panjohur.
Lindur më 2 tetor të vitit 1935 në Basarabi, Goma u shpërngul bashkë me prindërit në Rumani pasi vendlindja e tij u përfshi brenda kufijve të BRSS-së. U përjashtua nga gjimnazi ''Georghe Lazar'' i Sibiut, sepse mbështeti hapur të pafajshmit që hetoheshin si antikomunistë. Në vitin 1954 nisi studimet në Institutin e Letërsisë dhe të Kritikës Letrare "Mihai Eminesku" të Bukureshtit, ku edhe u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg ngaqë u solidarizua me ngjarjet e Hungarisë (nëntor 1956) dhe protestoi kundër vendosjes së rusishtes si gjuhë e detyrueshme në shkolla. U lirua në vitin 1958 dhe u internua në Baragan, ku qëndroi deri në vitin 1962. Gjatë kësaj periudhe jetoi si punëtor krahu, fotograf, trompetist, teknik, ndërsa në vitin 1965 rifilloi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Bukureshtit. Braktisi studimet dhe, i befasuar për mirë nga politika e Rumanisë ndaj pushtimit të Çekosllovakisë, u bë anëtar i Partisë Komuniste Rumune (PCR). U përjashtua nga radhët e saj në vitin 1971, pas botimit në RFGj (Suhrkamp) e në Francë (Gallimard) të romanit të tij ''Ostinato'', dërguar fshehurazi në Perëndim dhe që në Rumani ishte cenzuruar.


Në pranverën e vitit 1977, përmes një letre të hapur, që u lexua në radion Evropa e Lirë, Paul Goma iu bashkua lëvizjes ''Charta 77'' të intelektualëve çekë. Më 1 prill 1977 u padit për tradhti të lartë dhe u arrestua sërish, por, pas protestash ndërkombëtare, u lirua. Ndërkaq u përjashtua edhe nga Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë (USR), anëtar i të cilit ishte qysh në vitin 1968.
Në nëntorin e 1977-ës Paul Gomës iu hoq shtetësia rumune dhe u detyrua të ikte në Francë, ku edhe u vendos përfundimisht bashkë me familjen. Qysh atëhere jeton në Paris, pa kërkuar shtetësinë franceze.
Pas shndërrimeve të 1989-ës në Rumani, Gomës nisën t’i botoheshin librat edhe në atdhe. Autor i mbi 40 vëllimeve (romane, kujtime, dëshmi, ditare, biseda, ese[1]), i quajtur nga Euxhen Jonesku ”Sollzhenicin i Rumanisë”, ”një Xhojs i universit totalitarist” (kritika franceze), apo ”një luftëtar rumun kundër Frikës Universale” (Radu Jörgensen), Goma është i pranishëm jo vetëm në vëmendjen letrare evropiane e më gjerë, por edhe në shtyp, si mishërim i kujtesës, i vuajtjeve, dhe i mjeshtërisë plot flijime që kërkon arti i jokompromisit.
Njëheresh me urimet për shëndet e frymëzim të pashtershëm, Haemus-i riboton këtu disa copëza nga krijimtaria e Paul Gomës, të mjaftueshme për të nuhatur mençurinë dhe guximin e këtij shkrimtari.


No comments: