Ardian Vehbiu: Vizitë në varreza


Një artikull që po lexoja për rrëgjimin e filologjisë si disiplinë të dijes në Perëndim, më bëri të mendoj – pa shumë lidhje – se tek ne filologjia është gjallë e shëndoshë, madje si emër i një fakulteti të Universitetit të Tiranës; edhe pse figura profesionale përkatëse, ose ajo e filologut, nuk ekziston (më).
Kur ishte hera e fundit që u fol gjëkundi për këtë apo atë filolog në Shqipëri? Mbase edhe ka ndodhur, por më ka shpëtuar mua – por gjithsesi filologu tek ne është specie e rrallë, në mos e dalë krejt nga qarkullimi; sikurse nuk studiohet më filologjia, si disiplinë e dijes ose e albanologjisë. Përkundrazi, vendin filologëve duket t’ua kenë zënë pa shumë bujë studiuesit, për të mos folur për akademikët dhe publicistët gjithfarësh; me tek-tuk ndonjë historian të letërsisë që nxjerr kryet si ato personazhet e që dalin nga koma pas 20 vjetësh dhe kërkojnë VAPIK.

Dhe që të mos harroj – as studiuesit, as akademikët dhe aq më pak filologët nuk konkurrojnë dot me profesorët dhe doktorët; të cilët e kanë kompletuar tashmë kalimin nga figura profesionale në diçka si gjeneralë të armatave intelektuale; për të mos thënë simbole algjebrike abstrakte, të dikujt që “di të dijë.” Tek e fundit, nëse dikur doktori ishte ai që të shëronte ose të kallte në varr para kohe, sot doktori është ai që edhe kur nuk të merr paratë, të merr vendin e punës; çka lidhet edhe me depërtimin në leksik të fjalëve dhe shprehjeve të tilla si doktorohem, i doktoruar… Së shpejti do të dëgjojmë edhe i profesoruar.
Dukuria nuk prek vetëm sferën albanologjike – ku, meqë ra fjala, albanologët ende i kanë mbajtur kokat mbi ujë; edhe pse parapëlqehen albanologë të huaj; por ku figura më e respektuar mbetet ajo e historianit, tashmë e dashuruar nga mediat dhe politika, si furnizues sistematik argumentesh në tryezat e betejave nacionaliste, për të mos thënë mitike mes fqinjësh; dhe ku vërehet një rritje dhe fuqizim i antropologut, figurë profesionale që i ka kartat në rregull, por që pakkush e di se me çfarë merret pikërisht (por që gjithsesi ia ka zënë vendin etnografit të djeshëm dhe aq më shumë folkloristit); sikurse vërehet një rritje dhe fuqizim edhe i roleve të arkitektit dhe të arkeologut, sidomos si ekspertë (shih më poshtë); përkundrazi, gjeografët nuk besoj se po kanë fat më të mirë se gjeometrat dhe topografët e djeshëm.
Vetëm pak më tutje, shkëlqen me mungesën e saj figura profesionale e filozofit, pa çka se filozofinë e studiojnë të gjithë; dhe bashkë me filozofët, janë zhdukur edhe estetët, të cilët gjithnjë i kemi patur të paktë dhe të saktë, por ama të pranishëm. Dhe kur nuk ka filozofë, aq më pak do të ketë edhe mendimtarë – sepse sot është pak turp të mendosh (që për disa do të thotë të dredhësh zinxhirin); dhe sidomos është turp që të bësh kohë të mendosh; dhe aq më pak do të ketë edhe dijetarë – sepse mendësia e mbiujshme mendimtarët dhe dijetarët i përfytyron si të ishin dekorata që u akordohen dhe u ngulen në gjoks vetëm të vdekurve, mundësisht ende pa u kallur në dhe.
Nga ana tjetër, fuqizimin madhështor të figurës së politikanit (ende jo krejt të profesionalizuar) nuk e ka shoqëruar gjë ndonjë lulëzim i politologëve; të cilët edhe kur e ushtrojnë zanatin e tyre, parapëlqejnë të prezantohen si opinionistë, komentatorë, dhe vëzhgues; dhe as ndonjë lulëzim i ideologëve, të cilët gjithnjë e kanë ekzistencën të garantuar, por me kusht që të mos i heqin maskat.
Shkrimtarët dhe gazetarët, përkundrazi, kanë rezistuar mirë, madje janë gati për t’u shkrirë mes tyre profesionalisht në martesë mistike; por edhe këta po zbythen para autorëve, të cilëve duket se u përket e ardhmja. Në sferën e artit dhe të kulturës, shoh në rrezik edhe piktorët, skulptorët dhe kompozitorët; meqë dy të parët janë zëvendësuar prej artistëve, emërtim sa algjebrik aq edhe demokratik; ndërsa kompozitorët po specializohen në gjithfarë tra-la-lash herë seksituese e herë patriotike-gjimnastikore, të cilat kanë vendin e tyre në kulturë, por që nuk mjaftojnë; sidomos po të kemi parasysh se kompozitor dikur kanë qenë quajtur Bach-u dhe Mozart-i dhe Beethoven-i; ose, për t’iu afruar kulturës sonë, Çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi dhe Aleksandër Peçi. Përkundrazi, fotografi i djeshëm i “shiko te xhaxhi” sot është graduar kolonel i arteve të bukura dhe nuk të flet më me gojë, teksa gatitet të marrë avionin për në bienale. Më në fund, skulptorëve u është hapur një mundësi e papritur mbijetese brenda kitsch-it patriotik – në bashkëpunim me ornitologët, specialistë të anatomisë së shqiponjave. Gjithsesi, të gjithë këta së bashku, po e kanë rritshëm të vështirë që ta quajnë veten krijues, madje edhe kur mëtojnë të përfshihen në listën e rekordeve Guinness, duke ia riderdhur portretin Nënë Terezës me rezerva stilolapsi ose Ismail Qemalit me tapa shishesh birre. Dhe natyrisht, artistët kanë sjellë me vete, simbiotikisht, edhe kuratorët (kur nuk kanë qenë kuratorët që kanë sjellë me vete, simbiotikisht, edhe artistët).
Për kritikun – letrar dhe artistik – le t’u referohemi lemave mik dhe armik në Fjalorët e Shqipes së Djeshme dhe të Sotme.
Duke u zhvendosur pak horizontalisht, vërejmë se industria shqiptare e filmit me metrazh të gjatë ende lulëzon, sidomos duke gjykuar nga pjesëmarrja në festivalet ndërkombëtare të kinemasë; dhe aktorët sikurse regjisorët nuk janë të rrezikuar, dhe aq më pak producentët, të cilët po ofrohen si model edhe në fusha të tjera (së shpejti çdo artist do të ketë producentin e vet, madje duke e anashkaluar figurën e agjentit, që në shqipe vjen me konotacione të forta agjenturore). Përkundrazi, skenaristët tashmë i ka lënë koha mbrapa – meqë skenarët sot i shkruajnë regjisorët dhe aktorët vetë, kur nuk i shkruajnë operatorët ose specialistët e montazhit; dhe ish-skenaristët mund të mbijetojnë dhe të vijojnë të shkruajnë skenarë vetëm duke u shndërruar edhe ata në regjisorë, kameramanë ose, më mirë akoma, në producentë.
Duke kaluar tani nga sfera e kulturës tek ajo e shkencës dhe teknologjisë; do të vërejmë mungesën e matematikanëve – pa çka se profesorët e matematikës nuk janë ende të rrezikuar, sa kohë që nuk e vrasin shumë mendjen për dallimin midis tigrit dhe maces. Njëlloj janë tërhequr edhe fizikanët, biologët dhe gjeologët; përballë ortekut të pakundërshtueshëm të profesorëve dhe doktorëve, të cilët nuk i ushtrojnë aq profesionet e tyre, sa ua mësojnë të tjerëve (por le të mos i quajmë pedagogë dhe as artin e tyre pedagogji); por edhe të akademikëve, të cilët ndonjëherë e kanë bindur veten se të jesh akademik është gjithashtu një farë profesioni; sikurse e kanë bindur veten ambientalistët se janë edhe ata një farë politikani. Më në fund, siç mund të pritej (por jo mirëpritej), shkencëtarët ende mund t’i shohësh tek-tuk, sidomos në konferencat javore; pa çka se këta po specializohen, nga halli, në rolin e kujdestarëve të shkencës, për ta mbrojtur këtë nga jo-shkenca (jo shumë i ndryshëm nga ai i rojeve private të bankave dhe të shesheve të parkimit); njëlloj siç u specializuan dikur murgjit, në Mesjetë, në rolin e kujdestarëve të dijes (lexo: kopistëve).
Dija sot lulëzon dhe riprodhohet veçanërisht në kontekstin e produksionit televiziv – ku specialistët dhe profesionistët e të gjitha llojeve dhe ngjyrave përfshihen në cilësinë e ekspertëve, ose u kërkohet të flasin për fushat e tyre (kjo i dallon nga intelektualët, të cilët flasin si rregull për fushat e të tjerëve). Në emisionet televizive, sidomos në të kudo-gjendurat talk-shows, ekspertët nuk sekretojnë gjë dije, por vetëm sa ushtrojnë autoritetin e tyre, që ua jep titulli dhe reputacioni, me shpresë se kështu do t’u japin zgjidhje debateve – çka edhe mund të ndodhte, sikur të mos kishin mosmarrëveshje mes tyre. Dhe këtu nuk duhet kurrsesi të ngatërrojmë autoritetin me autorin.
Shoqëria shqiptare sot është e obsesionuar me tituj dhe ofiqe, dhe nuk do t’ia dijë shumë për profesionet. Po të hapësh gazetën a të dëgjosh lajmet a të lexosh sajtet informative, lexon për kryetarë, shefa, drejtorë, rektorë, dekanë, përgjegjës që emërohen dhe çemërohen, zgjidhen dhe çzgjidhen, ngarkohen dhe shkarkohen; të gjithë të përfshirë në një konvejer marramendës titujsh, që në fakt s’kanë të bëjnë as me kulturën as me dijen. Edhe kërkimi shkencor është katandisur në një pjesë të gjakimit individual për karrierë dhe dukje, ose për të fituar titullin e doktorit a ndonjë titull tjetër të ngjashëm; dhe rrallë (këtë e them për të qenë brenda) qëllon të dëgjosh për një kërkim shkencor të ndërmarrë në emër të së vërtetës ose (mosozot) të kuriozitetit. Pa folur pastaj që, në ato fusha të dijes që lidhen me identitetin kombëtar, çdo përpjekje vetvetiu do të inkuadrohet në kombëtarizëm dhe do të gjykohet sipas vlerës që ka dhe peshës që ngre në konfirmimin dhe kremtimin e themeleve të shqiptarisë.
Por e nesërmja pa dyshim ua ruan vendet e nderit atyre që do të përvetësojnë, të parët, artin e vështirë të aplikimit për grante dhe të sigurimit të tyre – që ka lidhje me arte të tjera obskure si ai i plotësimit të formularëve, përftimit të bullshit-it në disa regjistra njëherësh dhe talenti për t’u hedhur lirisht degë më degë, që e kemi trashëguar prej majmunit.
Gjithsesi, dhe pa pretenduar që ta kemi shteruar argumentin, do të propozonim këtu ngritjen e një akademie muzeale të profesioneve të zhdukura – ku publiku të kish mundësi të admironte të gjitha ato figura profesionale që kanë dalë nga qarkullimi; madje edhe të ndërvepronte me ta dhe kushedi, në ndonjë rrethanë fatlume, edhe të mësonte prej tyre. Me kusht që të gjendet sponsori përkatës, natyrisht.

No comments: