Arqile V. Gjata: "kur ajri nuk ka emër / când aerul n-are nume"

         Miq me ajrin

Kur linda...
u bëra mik me ajrin.
Çdo mëngjes etshëm me të puthem
është drithërues,
rreth tij
zgjasim duartë për ta prekur.
Tek ajri janë gjithë gërmat e shpirtit
ato, si gjethet e pemëve luajnë mrekulli.
Me mendje zhveshur
a me xhaketë pranvere
shkojnë pas frymës së ajrit
dhe retë që shkojnë i gjen të shpërndara
mes ajrit.
Është fjala që vuan për pak ajër,
mes nesh zvogëlohet koha
kur ajri nuk ka emër!



Hija ime


... Hija ime nuk ka zhurmë
ndoshta, nga që është e lumtur.
Çdo ditë ngjitur pas shpine
më duket e papërcaktuar,
si mjerim i moshës
Më ngatërohet nëpër këmbë
gjithmonë veshur hollë,
nuk jeton dot pa mua
ka shtatin tim.
Dhe kur ditët shkurtohen
me mua kërkon të ngjajë
të më bëjë si vetja
“krahë kënge”,
prej saj...
të jetoj dhimbjen
në kotësinë e kësaj jete.

Ndezur i Tëri, si Qiri


Tungjatjeta Atdheu im…
Atdhe!
E shoh,
askush nuk t’i qep plagët
dhe syt’ të zbet i ke.

S’paske më gjak,
njerëz që dhimbjet t’i lexojnë s’ka më,
renkimet të mbyten në det.

Ke kohë që humbur je,
ndonëse ditëve dhe netëve
të gjithë bartin sëmundjen tënde në krahë.

Je ligështuar si në kohën e gurit.
Në çdo stinë vetëm tretesh
dhe frymë mezi merr.
Prej teje,
një dorë jetë kërkojnë,

Askush s’mendon se do t’jetë keq,
kur ti do jesh zi e më zi,
Ndaj që mos vijë ajo ditë,
Atdhe, lutem ndezur i tëri, si qiri.


Ne nuk ikëm...

“Poezia lind nga dashuria për të rijetuar në vargje”
Octavio Paz

Ne, nuk ikëm...
ishte mjegull, dremiste moti
unë qeshja me thashethemet e mjegullës,
ndërsa ti meditoje me kohën duke vështruar retë
si treteshin mbi kokat tona.

Ne,
përsëri nuk ikëm
dhe kur qielli u bë mermer.

Si dy banorë të pa strehë
ngroheshim nga fryma jonë,
bëheshim këngë...


Hija e Tij


Ai
e këqyrte hijen e tij
nëpërmjet skeletit
derdhur mbi rrasën e gurtë
i zhveshur nga argëtimet
për shkak të gjelbërimit.

Skeleti shkëlqente si foto nudo.
Në perëndim të Diellit
ai përqafonte hijen të lënë diku më tej.
Hija lëkundesh sikur vallëzonte
me skeletin dritëtretur.

E mjeruar nga frika e skeletit
hija hesht…
Qetësohet në copëra jete,

që akoma ecin si më parë. 

No comments: