Arsenie Boca: Filxhani i çajit (Ceașca de ceai)

Parabola e Arsen Bokës: Rrëfenja më e njohur e priftit Arsen Boka synon t’ua zbutë dhembjet atyre që vuajnë. Shembulli i filxhanit të çajit, treguar prej atit të shenjtë nga Prislopi, i mëson njerëzit çfarë mund të bëjnë “në rast se jeta u duket e rëndë dhe goditen, rrihen e shtyhen pothuajse pa mëshirë; kur bota duket sikur rrotullohet pa kontroll dhe kur e ndjejnë se gjenden në një vuajtje të tmerrshme”. Ati Arsen Boka (1910-1989) është cilësuar si një nga priftërinjtë më të mëdhenj të rumunëve. Ai ka lënë një trashëgim shpirtëror mbresëlënës. Një nga rrëfenjat më të bukura shpirtërore, që ka lënë ish prifti i përndjekur nga regjimi komunist, është ajo e filxhanit të çajit, një shembull që synon t’ua lehtësojë dhembjet fatkeqëve. Ja si e ka treguar vetë ati Arsen Boka:


“Një familje shkoi në eskursion në Angli për të blerë diçka të bukur në një shitore sendesh antike, me rastin e kremtimit të 25-vjetorit të martesës. Si burrit, ashtu edhe gruas së tij u pëlqenin objektet prej argjili, prej qeramike dhe në veçanti filxhanët e çajit. Sytë u vajtën në një filxhan të pazakontë dhe pyetën: “A mund ta shohim atë filxhan? Nuk kemi parë asnjëherë gjë kaq të bukur!”. Teksa një zonjë po ua jepte atë që kërkuan, filxhani i çajit zuri të fliste: - Ju nuk mund të më kuptoni. Në fillim nuk kam qenë filxhan çaji. Dikur kam qenë thjesht një topth argjili të kuq.Imzot më mori dhe më rrotulloi, më rrahu fort, më tundi disa herë rresht, ndërsa unë bërtita: “Mos bëj kështu! Nuk më pëlqen! Më ler të qetë!”, por Ai vuri buzën në gaz dhe tha butësisht: “Prit edhe pak!”. Sakaq, ah! Më vuri mbi një rrotë dhe më vërtiti, më vërtiti, më vërtiti. “Ndal! Po më merren mendtë! Do të ndjehem keq!” klitha. Por Imzot vetëm tundi kokën dhe foli i qetë: “Prit edhe pak!””. Më rrotulloi, më lëklundi dhe më modeloi derisa mora trajtën që dëshironte dhe fil paskëtaj më futi në kuptor. Kurrë nuk kam ndjerë aq shumë nxehtësi! Bërtita, trokita dhe u përplasa pas derës... “Ndihmë! Nxirrmë që këtu!”. Pata mundësi Ta shihja përmes një vrime dhe T’ia lexoja buzët teksa tundte kokën sa majtas-djathtas: “Prit dhe pak!”. Kur pandeha që nuk do të duroja dot më as edhe një minutë, dera u hap. Me kujdes më nxori jashtë dhe më vuri në raft... fillova të freskohem. Oh, po ndjehesha aq mirë! “Ja, kështu është shumë më mirë” mendova. Por, pasi u freskova, më mori, më fshiu dhe më ngjyrosi krejt... erërat ishin të tmerrshme. Kujtova se po mbytesha. “Oh, të lutem, jepi fund!” klitha. Ai tundi sërish kryet dhe tha: “Prit edhe pak!”. Fill paskëtaj më futi edhe një herë në kuptor. Por tani aty nuk ishte si herën e parë. Nxehtësia ishte e dyfishtë dhe ndjeva se vërtet po më zihej fryma. Iu përgjërova. Këmbëngula. Ulëriva. Qava... m’u mbush mendja se s’kisha më shpëtim! Isha gati të dorëzohesha. Pikërisht atëhere dera u çel, Ai më nxori jashtë dhe përsëri më vuri në raft, ku u ftoha dhe prita e prita duke u vetëpyetur: “Çfarë ka ndërmend të bëjë më tej?”. Pas një ore më zgjati një pasqyrë e më foli: “Tani shikoje veten!” Bëra si më tha. „Ky nuk jam unë: nuk mund të jem... Është i bukur. Qenkam i bukur”! Ai më foli me ëmbëlsi: “Dua të mos harrosh se e di që të dhembi kur të vërtita, të tunda, të godita, të rrotullova, por, nëqoftëse do të mbeteshe fillikat, do të thaheshe. E di që t’u morën mendtë kur të vërtita në rrotë, por, po të ndalesha, do të bëheshe copa-copa, do të thërrmoheshe. E di që të dhembi, ndjeve nxehtësi tepër të madhe dhe të papëlqyeshme në kuptor, por duhej të të vendosja atje, se ndryshe do të plasariteshe. E di që erërat nuk të bënë mirë kur të fshiva dhe të ngjyrosa krejt, por, nëqëftëse nuk do të veproja kështu, nuk do të kaliteshe kurrë me të vërtetë. Nuk do të ndriçoje në jetë. Po të mos të futja për të dytën herë në kuptor, nuk do të mbijetoje për një kohë të gjatë, se përforcimi nuk do të mbante. Tani je një produkt i përfunduar. Je ai që kam pasur në mendje qysh kur fillova të punoj me ty”. Morali i rrëfenjës është ky, na mëson prifti Arsen Boka: „Perëndia di ç’bën me secilin nga ne. AI është Shtëmbari, ndërsa ne jemi argjili i Tij. Ai do të na modelojë, do të na ngjizë dhe do të na verë përballë trysnive të nevojshme, që të jenë punë të përkryera, të cilat të përmbushin vullnetin e Tij të mirë, të pëlqyeshëm dhe të shenjtë. Nëqoftëse jeta duket e vështirë dhe goditesh, rrihesh e shtyhesh pothujase pa mëshirë; kur bota të duket sikur rrotullohet pa kontroll; kur ndjen se po përjeton një vuajtje të tmerrshme; kur jeta të duket e padurueshme, bëj një çaj dhe pije me filxhanin më të hijshëm, ulu dhe mendo për ato që lexove këtu, pastaj kuvendo pak me Shtëmbarin”.

No comments: