Blerina Goce: "petku i dimrit bëhet flutur / haina iernii devine fluture"

1.
Mbete kujtim i papërtypur
E djeshme
Dhe unë hije e dhimbjeve të mia.
Orët e padjegura u bënë ditë e netë.
Dhe gotat mëkate të holla.
Të dridhura nga të mospirët
E gjatë.
Nën strehëz të një qershie të motshme,
Varur kanë mbetur litarët e akullit,
Që dimrit qeshnin e kafshonin.
Ndërsa pranvera fshihej për të ardhur me petale.
Mbetën të djeshme…
Ti – i ikuri im, që ende s’të kam lëshuar.
Unë tek ti, më e parëndësishme se një orë.
Endem gjumëhumbur,
me hapa prej ere
Motet si motet, ikin e ikin
kujtim i papërtypur i kohëve të djeshme


2.
Tek ti harrova pantoflën e dëshirës.
Kemi kohë që nuk flasim,
E ndien zërin në erë?
Bulëzojmë në vrimëza marrie
dhe heshtim.
Mbi ty tund pantoflën e dëshirës,
rrobat e natës përpëliten.
Tek ti derdha lotët e të vetmes,
Të bukurës,
- puhizës sime.
Tek ti u fsheha me pantoflën e dëshirës,
Kryqëzuam gishtat,
Për pak vetëtimë…
A e ndien shiun e parakohshëm,
Dhëmbët e mollës në puthjen e mirë?
Tek ti u zvarrita me pantoflën e dëshirës,
Rrugët, zhveshur do të kruhen në baltë.
shko, vrapo e ngroh këmbët,
Dëshira rrëmohet në natë.
Në flokët e mi valëviten pantofla,
Eshtra në ajër, që bëhen floknajë,
A e di sa më dhimbsesh, i dashur?
Ne të dy të njëjtët,
si dy pika uji,
akuj me gjuhë flakësh në gji,
ne të dy, të lashtët,
shenjuar me dashuri.

3.
Në anën tjetër të hënës,
Ketrat lahen me dritë.
Të arta janë pemët dhe bari,
Retë treten ndër kësula yjesh
Dhe Zanat janë çupëlina pa çorape.
Në anën tjetër të hënës…
Puthjet i kanë buzët blu,
Dhe ëndrrat, dehje pa shkak.
Akrepat nuk kanë pse takohen,
Në anën tjetër të hënës.
Breroresh përkunden yjet
Dhe të qelqta janë horizontet.
Në anën tjetër të hënës…
Në anën tjetër të hënës,
Hapen dhe të tjera kuti.
Petku i dimrit bëhet flutur në të tjera kohë.
Në të tjera stinë….
… Në anën tjetër të hënës.
Prapësitë janë të bukura, prej shtrige.
Thonjtë janë prej mishi në ajër,
Këmbët prej flatrash zambaku,
Lulet si kaprollë prej bore,
Në anën tjetër të hënës…
Në anën tjetër të hënës,
Ketrat hanë karamele,
Të bëra nga bliri i natës.
Në anën tjetë të hënës,
Tret pafajësinë.

4.
Kodra të bardha nën rrjetë acari,
I grisur është bari mbi akull e brymë.
Eja mbështillemi dashur, me frymë
Me diell të ngjyrosemi ne.
Në shtratin e ftohtë të krehim brengat,
Të lagështa të errëta si re,
Të athta në erën e pusit të vjetër,
Eja, të zhytemi dritash.
Ndërsa errësira na prek kraharorët,
Të këndojmë psalmin e shpëtimit,
Të gjallë prej mishi e zemre.
Pa zë të lutim dashurinë,
Si murgj të një dimri.
Eja mbështjellim frymët, i dashur,
Në ëndërr të dridhur thellë vetes.
Në një.
Sytë të lundrojmë mbi fusha gruri,
Borxhe plot ndaj jetës.
Kallinjtë tek përtyp era,
Ngulçeve pa zë.

5.
Flokë drite

Abazhuri i dasmës
Më pëshpërit në njolla pluhuri.
Ende qeshem me fotografinë në mur.
Më the se në shtratin e vjetër
Ka mbetur si njollë era e mollëve
Symbyllur duart t’i puth
dhe ëndëra thurr

Abazhuri i dasmës është kurorë prej ere.
Kallkan si kolonë në amëshim.
Më pëshpërit pa fund me gjuhë prej Hëne
Fllad i një stine pa kthim.
Qiej larg të ndarë me heshtje,
Më kumbon diku brenda në përgjumje a zgjim.
Abazhuri me flutura po krihet,
Brinjëve të akullta, lagur floku im.

No comments: