Blerina Shalari: Shkolla muzikore shqiptare nën ndikimin e realizmit socialist

Abstract: Epoka e njohur si e realizmit socialist sjell me vete një sërë atmosferash artistike e ideologjike, të imponuara ose jo, të diktuara nga kushtet apo njerëzit, si dhe të veshura me një mbingarkesë sociale. Kjo mbingarkesë nuk ishte gjithmonë negative, sepse shumë prej prurjeve muzikore ishin origjinale, identike, dhe kjo kushtëzohej rrethanat përkatëse, si dhe nga mungesa e informacionit, e lirisë krijuese, gjë që solli shumë forma shtrënguese politike, duke bërë që të kishte vepra të mbetura bocet. Në këto rrethana kemi edhe zhvillime kryesisht pozitive, siç janë: vendosja e institucioneve muzikore, duke përfshirë gjithë sistemin e shkollëformimit; formacionimi i shumë degëve të artit në grupe artistike, shoqëri kulturore, festivale, dekada, anketa etj; u hodhën disa baza shkencore në drejtim të metodologjive të kërkimit shkencor, mësimdhënies, kualifikimit, kritikës, gazetarisë kulturore, teksteve mësimore etj.
Pavarësisht se shumë prej tyre i përkasin një teknike adaptive të formulimit si: përkthimet, përshtatjet, huazimet, mund të themi se këto përvoja të cilat vinin nga jashtë sillnin teknika të domosdoshme për thellimin drejt artit profesionist.

Fjalë-kyçe: realizmi socialist, muzika shqiptare, studim, histori, vepra, analiza



Realizmi socialist nga këndvështrimi historik e artistik

Sigurisht që kjo epokë, siç priret të jetë e tillë për shumë prej vendeve që përfshiu, për vetë faktin se zgjati tepër, por edhe për mënyrën se si u zhvilluan ngjarjet, sjell me vete një sërë atmosferash artistike e ideologjike, të imponuara ose jo, të diktuara nga kushtet apo njerëzit, si dhe të veshura me një mbingarkesë sociale. Kjo mbingarkesë nuk ishte gjithmonë negative, sepse shumë prej prurjeve muzikore ishin origjinale, identike, dhe kjo kushtëzohej, siç e thamë, nga këto rrethana. Kushtëzohej, gjithashtu, nga mungesa e informacionit, lirisë krijuese, gjë që solli shumë forma shtrënguese politike, duke bërë që të kishte vepra të mbetura bocet.
Në këto rrethana kemi edhe zhvillime kryesisht pozitive, siç janë:
Së pari, vendosja e institucioneve muzikore, duke përfshirë gjithë sistemin e shkollëformimit.
Së dyti, formacionimi i shumë degëve të artit në grupe artistike, shoqëri kulturore, festivale, dekada, anketa etj.
Së treti, u hodhën disa baza shkencore në drejtim të metodologjive të kërkimit shkencor, mësimdhënies, kualifikimit, kritikës, gazetarisë kulturore, teksteve mësimore etj.
Pavarësisht se shumë prej tyre i përkasin një teknike adaptive të formulimit, si: përkthimet, përshtatjet, huazimet, mund të themi se këto përvoja, të cilat vinin nga jashtë, sillnin teknika të domosdoshme për thellimin drejt artit profesionist.
Kuptohet që këtu nuk mund të flitet për novacione të tipit të shkollave gjermane, italiane, vjeneze, por nga kualifikimet e artistëve tanë në këto vende, mbërriti një lloj disipline e punës për profesionimin e mëtejshëm dhe jo vetëm të muzikës. Kujtojmë artistët Lola Gjoka, Tefta Tashko, por edhe kompozitorët Kristo Kono, Kostandin Trako e shumë të tjerë, që ishin të parët që e futën zhvillimin muzikor në drejtimit profesional.
Por edhe pse shfaqeshin shumë idealistë që donin ta përfshinin artin tonë në një rrjedhë të cilën ta diktonte frymëzimi, aty-këtu shfaqeshin barriera të cilat vinin nga shumë shkaqe e rrethana. Kushtet shoqërore në të cilat lindi ky art i mbiquajtur i “realizmit socialist” i përshkruan muzikologu Spiro Kalemi në librin e tij “Historia e muzikës Shqiptare”. Në kapitullin ku flet për këtë epokë, ai, midis të tjerave shkruan: “... Muzika shqiptare e realizmit socialist lindi dhe u zhvillua në kushte të caktuara historike. Këto kushte ishin të reja dhe thellësisht të ndryshme në krahasim me ato që përcaktuan krijimtarinë e paktë muzikore, që zu fill para vitit 1944, si dhe lëvizjen artistike muzikore të kufizuar që e pasqyroi atë....”[1].

Vitet ’30, si periudhë ku përfshihen përgjithësisht hapat e parë të asaj krijimtarie, paraqesin në mënyrë të dukshme vështirësitë dhe kushtet e papërshtatshme mes të cilave nisi rrugën muzika e kultivuar shqiptare. Në këtë panoramë që u bëhet kushteve historike, jepet e plotë edhe tabloja krijuese dhe artistike.
Pikërisht në këto kohë dolën në dritë edhe një sërë krijimesh muzikore të mirëfillta, që përfaqësuan përpjekjet e muzikantëve patriotë shqiptarë në lëvrimin e gjinive dhe llojeve të muzikës së kultivuar. Në to bënin pjesë këngë, romanca, suita, rapsodi për orkestër e bandë, skerco vokale etj, një pjesë e mirë e të cilave mbështeteshin drejtpërdrejt në melodi e në motive këngësh e vallesh popullore shqiptare. Megjithëse këto vepra të pakta, fryt i punës së disa muzikantëve me prirje e ideale demokratike, nuk trajtonin tema e subjekte revolucionare dhe nuk shquheshin për ndonjë qëndrim ose për ndonjë tendenciozitet, ashtu si disa prej shkrimeve letrare e politike të kohës, ato përbënin, - krahas me krijimtarinë popullore të këngëve, valleve e muzikës instrumentore, - traditën e vogël që parapriu zhvillimin e gjerë të artit tonë muzikor, pavarësisht nga pengesat që vinin nga ideologjia dhe vetë metoda e ralizmit socialist”[2].
Është bërë mjaft i diskutuar problemi i fillimit në atë kohë të institucionalizimit të muzikës shqiptare, hamendësohet që kemi një kohështrirje të saj qysh në Iliri, më tej hidhen hipoteza për operën apo simfoninë e parë, megjithatë disa piketa të rëndësishme janë vendosur jo thjesht nga disa faqe historie, por nga fakte konkrete, të cilat do t’i shpjegojmë më tej.

Në këto vite, kur kishin kaluar dy dekada nga vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, për shkaqe propagandistike, por edhe për shkaqe të tjera, ndodhën një sërë dukurish artistike, të cilat edhe sot mbahen si pika referimi për studime, për libra të ndryshëm, referime direkte, ose duke sjellë në skenë vepra të asaj kohe me përmbajtjen e frymës politike ose jo, me përmbajtje të lartë artistike ose jo etj.
Një ndër zhvillimet më të rëndësishme ishin edhe institucionet e mesme arsimore dhe akademike. U krijua Liceu Artistik i Tiranës dhe Shkodrës, Instituti i Lartë i Arteve, si dhe një sërë shkollash të nivelit fillestar. Gjithashtu, u krijuan një sërë formacionesh orkestrore, banda, si dhe nisën së pari aktivitete, festivale, shfaqje madhore, si opera, balete, si dhe një festival kombëtar folklorik i zhvilluar në Gjirokastër.
Këto veprimtari nuk mund të mos ngjallnin diskutime, kritika, debate, deri edhe burgosje për shkaqet të cilat i nxiste liria krijuese ose nevoja për ta pasur atë.
Por edhe përplasja direkte me artin evropian jepte efektet e veta jo vetëm tek artistët, por edhe tek regjimi, të cilat ai i konsideronte të papranueshme (të ashtuquajturat shfaqje të huaja).
Ndërsa në Europë dhe në botë pakicat kishin institucionalizuar revoltat e tyre ndaj shumë gjërave frenuese e penguese, në Shqipëri nuk ligjërohej kursesi protesta, edhe pse kuptohet fare mirë se arti bën një protestë të gjithëkohëshme.
Kështu, për shembull, në Amerikë shfaqeshin gjithmonë e më tepër hipitë apo rrokerët e veshur me xhins, apo qoftë edhe xhazi që kishte gjeneruar shumë fansa në gjithë botën.
Ndërsa në Europë, edhe pse arti kishte ngritur bazën e tij të përhershme, atmosfera kishte marrë ngjyrime politike, sigurisht që këtu flasim për të ashtuquajturën Lufta e Ftohtë.
Histeria e kishte kapluar sidomos Europën juglindore, të cilën e kishin zotëruar gjithashtu ethet e ndikimit ose trazimit të saj nga cilido shtet tjetër që e lëkundte atë. Si pasojë arti u bë edhe më i vështirë sidomos në këto vende. Dhe ja cila ishte atmosfera. Në librin “Historia e Europës”, në kapitullin që trajton historinë e kontinentit e veçanërisht Luftën e Ftohtë shkruhet: ”... Lufta e Ftohtë u zhvillua ngaqë dallimet rreth formës së botës së pasluftës ngjallën dyshime dhe mosbesim ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik. E ndërsa koha ziente me qerthuj politikë, këtë ngacmim të brendshëm dhe të jashtëm e përkufizoi Çërçilli kur citonte se ‘që nga Stetini në Balltik, deri në Trieste në Adriatik përgjatë kontinentit është krijuar një perde e hekurt’"[3].
Në Shqipëri ndihej edhe më tepër censura ndaj të gjitha veprimtarive me pikëpamje promovuese dhe artistike. Pika kulmore u arrit me daljen e Festivalit të 11-të të Këngës, ku muzika shqiptare u përpoq që të bënte një hap cilësor drejt modernizimit të vet. Fillimisht festivali u quajt i suksesshëm, por më pas u anatemua si i huaj, u interpretua si protestë, dekadent dhe kundër moralit socialist.
Megjithatë në këtë kohë u shkruan shumë vepra serioze edhe në muzikë, u kompozua opera “Mrika”, “Simfonia e parë shqiptare” e Çesk Zadesë, koncerte, muzikë filmash etj.
Por, për të mos e kufizuar fushëpamjen e studimit vetëm tek arti muzikor i kësaj kohe, një opinion të artistëve të artit figurativ e gjejmë të shprehur në faqen e internetit “Propaganda Poster Albania” të datës 7 maj 2008 në artikullin “Mbi realizmin socialist”, ku flitet kryesisht për prurjet sidomos të doktrinës komuniste, ndër të tjera shkruhet: “... Fillimet nisen me romantikën dhe ëndrrat për një botë më të drejtë e më të barabartë. Shumë personalitete artistike të kohës përkrahën parimet dhe utopinë komuniste. Porse ato ç'ka predikonte kjo ideologji, dëshira dhe krijimi i një bote të bazuar mbi verdiktin e shumicës ndaj pakicës, mbi dominimin e padiskutueshëm të diktaturës së proletariatit, do të ishte edhe grushti përfundimtar që ky sistem do t'u jepte vlerave të vërteta artistike, në atë ç'ka më vonë u quajt arti i realizmit socialist...”.
Pikërisht nevoja për ilustrim politik, që partitë komuniste të kohës dëshironin të përcillnin tek masat e gjera të njerëzve, trysnia propagandistike, por edhe sociale, e klasës pushtetare komuniste, lufta deri në skaj ndaj çdo personaliteti artistik, që devijonte nga vija e kuqe marksiste-leniniste, si dhe diktatura e shabllonizmit ideologjik mbi kërkesat dhe vlerat e mirëfillta filozofike, estetike e artistike, bënë që divorci i artit me utopinë komuniste të bëhej qysh herët i dukshëm dhe i qartë.

Dihet tashmë se arti e ka të pamundur të kornizohet sipas doktrinash apo ideologjish, ndonëse nuk e kishte të lehtë të mos ndikohej prej tyre.
Po të flitet për veprat muzikore, veçanërisht për ato me tekst, kemi një ngarkesë me ideologji, të detyruar nga forcat shtrënguese të dukshme dhe të padukshme, të ushtruara nga njerëz kryesisht jokompetentë. Në fakt, teksti ishte pjesa e zbuluar, ose ajo që dallohej lehtë nga shtrënguesit, por sa vështirë e kishin ata të depërtonin në humbimat e muzikës?!
Kështu fillimisht kemi krijime të cilat i përkasin luftës dhe, sa më shumë i largoheshim asaj periudhe, aq më shumë shtohej prania ideologjike, apo propagandistike. Piktori i njohur Abdurrahim Buza, i revoltuar shprehet se ”... Nuk mund të pjellë art një shoqëri tek e cila mungon liria e ndijimeve apo mendimeve. Nuk mund të bëhet art kur dëshira për eksplorim (në trajtë apo edhe ide) shfaroset. Nuk bëhet art në momentin kur internon risitë dhe nevojën për to. Si pasojë e një konservimi në mendim dhe formë i atyre që artisti duhej të trajtonte, u kthye në filozofi udhëheqëse të doktrinës së realizmit socialist…”[4].

Më sipër trajtuam një sërë elementësh historikë të zhvillimit të periudhës së realizmit socialist, rrymë e cila nuk u shmang dot nga të krijuarit art, edhe pse kjo fushë e ka si moto të sajën tejkalimin e epokës dhe kushtet përcaktuese. Kjo epokë, pra, realizmi socialist, sidomos në Shqipëri luajti një rol themelor në formëzimin e shumë strukturave akademike, institucionale, distributive, ku, për fat të mirë, nga njëra anë prodhohej art, kurse nga ana tjetër kostoja e prodhimit të tij ishte më e lartë nga ajo që mund të përballohej. Sigurisht që ky prodhim nxiti edhe cilësinë, por edhe e rrezikoi atë në shumë raste.
Pavarësisht kësaj, pati edhe forma cilësore artistike, të cilat kanë jetuar edhe pas kalimit në pluralizëm. Nuk besoj se ka nevojë të përmenden arsyet, se përse shumë vepra të mirëfillta të asaj kohe interpretohen dhe duken edhe sot bashkëkohore. Ndërkohë që sot shkruhen vepra krejtësisht në kushte të tjera, ku disa prej tyre kanë përmbajtje të zbehtë, ose që kanë tingëllime fare sipërfaqësore në tema e lajtmotive. Kjo krijimtari “pluraliste” jeton shumë pak ose aspak, mbase nën kushtet e një represioni të ri, i cili banalizohet tek pamundësitë ekonomike që e pengojnë krijimin, shfaqjen dhe botimin etj.
Sot kanë dalë në sipërfaqe probleme si: Mungesat financiare, menaxhimi, e drejta e autorit, masivizimi i artit pa firmën e tij, e drejta televizive etj. Ndërsa dje: censura, ideologjia, morali, propaganda, si dhe demaskimi e autokritika, sillnin çarje edhe të pandreqshme në fushën delikate të artit muzikor, por edhe në artet e tjera. Nga këto trysnira nuk shpëtoi asnjë lloj arti, madje ai figurativi ishte edhe më i ekspozuar, kjo edhe për vetë natyrën e tij si art.
Po në artikullin e botuar në faqen on line “Propaganda Postare Albania”, të datës 7 maj 2008, me titull “Mbi realizmin socialist”, piktori Shaban Hysa shprehet për muzikën dhe artet në përgjithësi: ”Nga ana konceptuale hapësirat vizuale u mbushën me shpata e pushkë, kazma e lopata, ushtarë e militarë, fshatarë e punëtorë. Këndvështrimi filozofik i veprave nuk mund të pranonte asgjë që s'përmbante "fillin e kuq komunist", dhe parimet marksiste-leniniste qoftë në pikturë, qoftë në skulpturë, por sigurisht edhe në muzikë, letërsi apo kinematografi. Kryesisht kishte tema militare, punëtorë dhe fshatarë, në të cilat dominonte gjithnjë "njeriu i ri" i Partisë...[5].

Kjo ishte pakashumë sinteza që i bëhet idesë kreative, por edhe përmbajtjes së diskutueshme të artit në atë kohë. Por pavarësisht kësaj, nuk mund të themi se s’kishte krijimtari të begatë edhe nën trysninë e përgjithshme që ekzistonte. Prurjet ishin të shumta dhe të gjithanshme. Kjo shpjegohet edhe nga fakti që deri atëherë jemi ndeshur me një zbrazëti edhe të diktuar nga kushtet, por edhe për shkak të mungesës së institucioneve zyrtare që propagandojnë dhe shpërndajnë artin në mënyrat që njihen edhe në botë.
Për analogji, në artet e tjera, si në letërsi, pikturë, skulpturë, etnografi etj, pati më shumë prurje që vinin përpara luftës, me sa duket zhvillimi i artit muzikor ishte më kompleks, kërkonte më shumë ambjent për t’u rritur e zhvilluar, i nevojiteshin mjete shkencore e investime me instrumente, me pedagogë të formuar, etj. Por kjo nuk do të thotë se arti muzikor mbeti pa një zhvillim të prirur dhe të ideuar kryesisht nga muzikantë profesionistë dhe falë cilësive të tyre, të cilat i kishin fituar jashtë vendit me studimet që kryenin. Me largpamësi, ata do t’i shpërndanin dijet që posedonin në një mjedis jo fort miqësor ndaj artit, por edhe në një atmosferë të kufizuar për të krijuar.
Në periudhën e realizmit socialist muzika, por edhe gjithë fushat e jetës fituan një prirje institucionale. Ky art u masivizua edhe më tej dhe u konservua nëpër shkolla, veprimtari artistike, si për shembull: dekadat e majit, anketa muzikore në radio, festivalet e këngës së lehtë apo edhe të asaj popullore etj. Edhe krijimi i formacioneve të ndryshme, si popullore, ashtu edhe profesioniste, ngjalli ide për krijimin e veprave dhe mundësive të reja për artin tonë. Në fushën profesioniste udhën e hapi krijimi i Filarmonisë së Shtetit, krijimi i Teatrit të Operas e Baletit, si dhe shumë institucione dytësore nëpër rrethe. Në aspektin popullor u krijua Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve, Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, si dhe institucionet mbështetëse kulturore e shkencore, që e ndihmuan këtë art të promovohej jo vetëm brenda, por edhe nëpër botë, duke fituar popullaritet gjithnjë e më të madh. Ky institucionalizim i artit përfshiu edhe procese akademike, të cilat u thelluan me krijimin e librave, metodave shkencore, studimeve etj.
E njëjtën gjë mund të thuhet edhe për kahjen popullore të muzikës. Duke qenë se folklori zhvillohet më tepër jashtë institucioneve dhe kornizave të tyre, lindi nevoja e institucionalizimit edhe të këtij zhanri të muzikës. Instituti i Kulturës Popullore në atë kohë luajti një rol specifik në kërkimin, mbledhjen dhe grumbullimin e artit folklorik në të gjitha format e tij, dhe e bëri atë një gjymtyrë kryesore përbërse të librave, duke e konkretizuar më tej këtë veprimtari më lëndën e folklorit nëpër shkolla. Edhe aspekti kritik po fitonte cilësi të reja për kohën. Shtypi kryesisht, por edhe ndonjë botim apo emision radio-televiziv përçuan tek publiku anën kritike të gjërave. Kemi disa rubrika, si për shembull rubrika artistike tek revista “Skena dhe ekrani”, “Të huajt për muzikën tonë”, apo gazeta “Drita”, e cila kritikën e kishte në qendër të vëmendjes, duke u bërë ndonjëherë problematike për kushtet e regjimit të atëhershëm.
Nga pikpamja krijuese u vendosën disa gurë të rëndë themeli, si Simfonia e Parë e Çesk Zadesë, opera e parë “Mrika” e Prenk Jakovës, koncerti instrumentor dhe gjini të tjera si muzika e filmit etj[6].


Në kapitujt më sipër kemi folur për udhën nëpër të cilën ka kaluar arti ynë muzikor, si dhe për rrethanat historike. Tani do të pasqyrojmë disa aspekte të veprave më të rëndësishme, dhe se si u gjend krijimtaria nën ndikimin e realizmit socialist.
Kënga patriotike dhe ajo e thirrjes së bashkimit kombëtar ishte thelbësore, po të marrim për bazë raportin mes saj dhe veprave më serioze, të cilat ishin thjesht një sfond që dallohej lehtë.
Këngët ishin, si të thuash, pjesa më e shquar e shfaqeve artistike të pakta, por edhe që kuptoheshin shpejt nga dëgjuesi, prirje e cila ekziston edhe sot.
Në vendin tonë, qysh në fillesë të krijimeve serioze muzikore, vërehen forma veprash që afrohen dhe përmbushin detyrime të cilat i bëjnë ato të denja për t’u emërtuar si pjesë, indicie për opera, simfoni, prelud, sonatë, skerco, miniaturë, duo, meshë, rapsodi, kantatë poemë simfonike etj.
Autorë si Lec Kurti, M. Gjoka, F. Noli, P. Jakova etj, krijuan gjini që u bënë pjesë e shkollës së muzikës sonë dhe e aktiviteteve artistike.
Përmendim këtu miniatura, skerco për piano, si dhe indicie simfonike prej dy kohësh të L. Kurtit, gjithashtu edhe një indicie opere prej disa fashikujsh nga akti i parë i operas “Juda Makabe”. Albumi me prelude për organium nga M. Gjoka. Më tej në këtë muzikë që u krijua, por që pati domethënie të madhe për kohën, erdhën edhe vepra të tjera, si 3 melodrama, si dhe pjesë për kor, që u shkruan nga kardinal Mikel Koliqi aty rreth viteve ‘30.
Pas viteve ’30, mjaft muzikantë, sidomos ata me prirje fetare, studiuan kryesisht në Itali, por edhe në vendet e tjera, si Austri, Rumani, Gjermani etj. Këta ishin kryesisht këngëtarë, por kemi edhe kompozitorë, si pater Martin Gjoka e, më vonë, Prenk Jakova, të cilët sollën prurjet e tyre nga këto vende.

Rreth viteve ‘36-‘37 F. S. Noli krijoi vepra me rëndësi për kohën, si “Uvertura Bizantine”, poemi simfonik “Skëndërbeu”, si dhe “Gaspari i varfër”, poemë, dhe sonata për violinë e piano me theks klasiko-romantik.
Edhe pse Noli ishte një kompozitor i cili u bë i tillë rishtaz, veprat e krijuara prej tij ishin tregues i mirëfilltë i njohjeve të tij të thella në disiplinat muzikore, madje në këto krijime u personifikua më së miri subjekti programatik, i shfaqur me bulëza në faqet e siparit të krijimtarisë muzikore shqiptare.

Rreth viteve ‘45 filluan të shtohen institucionet, periudhë që e përfshiu artin muzikor në një sistem të rregullt e të pandalshëm. Rregullatori sigurisht që ishin institucionet arsimore muzikore, institucionet e zhvillimit të aktiviteteve muzikore, medias etj. Ngritja e tyre solli frymë të re dhe ofroi mundësi të reja për krijime të mirëfillta muzikore. Në këtë periudhë, në krijime kemi ende jehonën e luftës, e cila do të endet edhe për shumë kohë ndër veprat e profesionistëve. Kështu, për shembull, Kristo Kono shkroi dhe vuri në skenë rapsodinë nr.1, me titull “Rapsodia Shqiptare”, më tej renditen tre poema simfonike, valle, fantazi, si dhe vlen të përmendet opera e tij e suksesshme “Lulja e kujtimit” si dhe opereta e parë shqiptare “Agimi”. Këto vepra Kono i shkroi në periudhën 1945-1962. Kristo Kono shkroi edhe vepra të cilat u futën si padashur nën frymën e realizmit socialist, siç ishin operetat “Jeta është e bukur”, shkruar më 1957, dhe “Brigadierja”, 11 vjet më vonë.
Sot ka shumë kritikë dhe paragjykues në lidhje me frymën e përshkuar nga veprat e diktuara nga soc-realizmi, por megjithatë, shumë prej tyre kanë tharm të plotë artistik, përjashto këtu ideologjizmin.
Më tej rendisim sipas kronologjisë veprat operistike të P. Jakovës, të cilat ishin opera e parë shqiptare “Mrika”, e cila vuante fatkeqësinë ideologjike, dhe opera epiko-historike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e cila paraqitej më solide edhe falë përvojës së fituar ndërkaq nga kompozitori.
Tonet kombëtare nuk mungonin në këto dy opera, sepse edhe subjektet i afronin më tepër me këtë kah. Personazhet ishin qartësisht të dukshëm, por edhe tablotë muzikore plotësonin një kuadër të zbrazët që ishte trashëguar. Në planin kritik ka vend për rrahje mendimesh mbi mënyrat e konceptimit të çdo tabloje, përfshirja në to e kulturës tradicionale, si dhe ruajtja e barazpeshave edhe me klasiken e romantiken; tone që ndihen dhe gjenden lehtë në këto opera janë fenomene që nxisin debat.
Diskutimi vlen për faktin se, duhet dalluar ku fillon krijimtaria vetjake e ku ndahet me traditën e me të renë, dhe këtë e zgjidh një kritikë thellësisht e kujdesshme.
Ka mjaft diskutime për operën e parë shqiptare, por ajo që vlen është se “Mrika”, mbetet të jetë e tillë në mungesë të plotësimit historik me dokumente, por edhe sepse asnjë vepër pak e ngjashme e mëparshme nuk plotëson kuadrin e saj.

Kompozitori Çesk Zadeja, promotori kryesor i shkollë-formimit tonë, ishte nga ata profesionistë të cilin e shquanin disa cilësi. Ai ishte i formuar në pothuajse të gjitha disiplinat muzikore, duke i zotëruar ato dhe duke i përcjellë shumë mirë tek nxënësit e tij, të cilët më vonë u bënë edhe ata profesorë. Kompozitori Zadeja ka një sërë fushash në të cilat ka pasur prodhimtari, si fusha e teorive, fusha e kompozimit, në të cilën solli vepra nga më të rëndësishmet, si dhe fusha pedagogjike. Ndër veprat e tij, përmendim në rradhë të parë Simfoninë nr. 1, e cila ishte e para që me formën e vet të konsoliduar, me shfaqjen e vet të plotë për një simfoni ndihmoi të krijoheshin edhe vepra të tjera të kësaj gjinie komplekse. Koncerti për piano e orkestër, i cili edhe pse nën frymëzimin e Koncertit nr. 2 të Çajkovskit gjeti edhe ai rrugëne e vet të krijimit, ku dyndeshin me rradhë motivet burimore shqiptare (theksoj faktin që këto motive ishin kombëtare). Zadeja shkroi edhe rapsodi, pjesë për kor, këngë, baletin “Delina”, si dhe një Sonatë për violinë e piano, kompozuar nën frymëzimin e Çezar Frankut. Zadeja nuk ishte skllav i imitimeve apo i plagjateve pa fre, sepse ai ishte thellësisht i ndërgjegjshëm për atë që krijonte, dhe kishte një shkallë të lartë profesionalizmi, aqsa shkroi edhe librin e tij “Vetëparja e procesit”, ku do të dëshmonte të gjitha aftësitë e tij në këtë drejtim.

Tonin Harapi ishte ndër ata autorë që mund t’i cilësojmë si klasikët tipikë. Kjo pasi vorbulla e krijimit e vërtit autorin në një tablo sa klasike, aq edhe shqiptare, sa popullore, aq dhe kombëtare e universale. Kjo është dinamika që përshkon veprën e tij, duke filluar që nga miniaturat për piano, këngët, romancat, kuartetet, Koncerti i tij për piano e orkestër, romanca për piano, temë me variacione etj. Romantiku i pianos, siç cilësohet Harapi, i dha një ton thellësisht lirik muzikës sonë, si dhe një frymëzim të thellë dhe ndjenjë shpirtërore po aq të thellë. Forma në veprën e tij ka po atë pamje që gjejmë në veprat e modës, pra, nuk mund të flasim për ndonjë novatorizëm tipik, siç bëjmë me krijimet e Zadesë. Vlera e artit të Harapit qëndron tek personifikimi i veprave të tij përmes këngëve. Tematizmi lirik ishte thelbi përmbajtësor i krijimeve të autorit[7].

Halili e Hajria” ishte baleti i parë shqiptar që kishte sfond epiko-historik. Subjekti i romanit të Kolë Jakovës e ndihmoi kompozitorin Tish Daija, - i cili pruri përvojën e tij nga shkolla e Moskës, - duke na dhënë një balet i cili është nga veprat me shfaqjen më të madhe në skenën tonë dhe jashtë vendit. Koreografi i saj ishte Panajot Kanaçi, i cili edhe ai solli përvojën e koreografisë ruse të njohur botërisht. Këto dy eksperienca u sintetizuan në një vepër si baleti në fjalë, i cili vazhdon të shfaqet me po atë tablo koreografike dhe me po atë muzikë. Edhe pse disa pjesë të tij u qëndronin skemave të soc-realizmit, si dhe shumë gjëra të tjera të cilat një kritik i kujdesshëm vlen ti shqyrtojë, ky balet ka vlerën e fillimit të shkollës sonë të baletit klasik, si dhe hapi udhën e kompozimit të baleteve të tjera si “Delina” i Zadesë, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” i Feim Ibrahimit etj. Nuk mund të themi se “Halili e Hajria” ishte një prurje thellësisht novatore në kërkimtarinë muzikore, apo edhe në orkestracion, ku vlen diskutimi kritik, por megjithatë në të gjen edhe tablo lirike, të frymëzuara, me një karakter jo sektar, por kombëtar. Instrumenta si flauti, daullja, lodra etj, luajtën një rol përafrues me tonet kombëtare, por edhe folklorike. Kemi në të edhe elementë të valles popullore gërshetuar me koreografinë klasike. Tre aktet e tij përbëjnë formën klasike të baletit, ndërthurur me veshjen popullore.

Prurje kemi edhe në format e përziera, siç janë poemat simfonike të Kujtim Laros, uverturat e disa filmave, forma të ndryshme suitash, përfshirë edhe ato korale, shkruar nga Kozma Lara, tema me variacione nga T. Harapi, trio e kuartete nga L. Dizdari, Sh. Kushta, rapsodi nga A. Peçi, F. Ibrahimi etj.
Po të bëjmë një paralelizëm, rapsoditë e Peçit frymëzohen disi nga ato të Listit, po kështu edhe koncertet për piano të F. Ibrahimit janë të frymëzuara nga ato të klasikëve rusë; vallet simfonike të Th. Gaqit mund të qëndrojnë krahas atyre të Bramsit e Bartokut etj.
Në veprat e muzikës së dhomës, shkruar nga Sh. Kushta, gjejmë edhe toneve muzikore të Ravelit apo nga fryma muzikore e Enio Morikones, që ndihet në muzikën e filmave të K. Laros, A. Lalos, A. Peçit etj. Në fakt, kritika muzikore duhet të vendoste barazpeshimin e këtyre krijimeve, ç’ka ndoshta do të sillte një rifreskim të tyre, ndoshta ndonjë ripunim apo diçka më shumë.
Disa aspekte mund ti përmendim edhe këtu, si për shembull: citimet nga folklori në disa prej këtyre veprave janë motive të plota, pa ndonjë rivlerësim kompozicional, siç kemi kohën e tretë të Koncertit për violinë të Pjetër Gacit, apo Vallja me dajre e Thoma Gaqit. Këto gjykime mund të shtrihen deri edhe tek miniaturat. Më të diskutueshmet janë ato të T. Harapit. Në valsin me temë popullore në si minor, për shembull, nuk e gjejmë të pasqyruar tonin origjinal popullor as në melos e as në harmoni, ndryshe nga çfarë dikton programi i veprës në titull.

Veprat serioze shqiptare përfshijnë të gjitha fushat e jetës brenda trajtimit të tyre. Ato kanë qenë shumë të ndjeshme sidomos në pasqyrimin e ngjarjeve më të rëndësishme historike. Pjesë e tyre madje kanë qenë edhe legjendat e mitet, me të cilat muzika jonë folklorike është mjaft e ngarkuar dhe e pasur. Kërkimtaria në këtë fushë ka qenë e theksuar më tepër pas viteve ‘90.

Gjini të tjera më të rralla kanë qenë të pranishme në krijimtarinë e kompozitorëve tanë, si Dubëlkoncerti i Thoma Gaqit, Dubëlkoncerti i Shpëtim Kushtës, Koncertrapsodi nga Th. Gaqi, Poema simfonike nga P. Vorpsi etj.
Pas viteve ‘90 u eksperimentua me forma abstrakte duke i brendësuar ato në gjinitë klasike. Kujtojmë operën “Oirat” e A. Peçit, operën “Dhoma” nga E. Dergjini, “Intenebris” nga Sh. Kushta, si dhe operën “Idomeneu” nga V. Tole me subjekte mitike.
Kjo ishte fryma që sollën veprat e paskomunizmit. Ato u shquan për një formë të lirë, të re e të panjohur më parë. Edhe pse këto zhvillime ishin pozitive për nga kërkimi, arritjet janë të tilla që nuk prekin gjithë sferën artistike. Pra, kemi një tronditje në themel të sferës tematike, kemi lëkundje gjithashtu në përmbajtjen narative të të gjithë veprës, ç’ka paraqitet problematike disa herë, kjo sepse kërkimi, apo qasja me të renë u bë disi qëllim në vetvete, diktuar edhe nga kushtet e mëparshme të lirive të kufizuara.


Bibliografi e përzgjedhur

1. Kalemi, Spiro, Çefa Sandër, “Historia e muzikës shqiptare vol 1. Kap. “Shkolla muzikore nën ndikimin e realizmit socialist”.
2. Historia e Europës”, Kap. “Lufta e ftohtë
3. Hysa, Shaban, artikulli “Mbi realizmin socialist”, Propaganda postale, maj 2008.



[1] Kalemi, Spiro, Çefa, Sandër, “Historia e Muzikës” Vol. I, SH.B.L.SH., f.7.
[2] Kalemi, Spiro, Çefa, Sandër, libri “Analiza e veprave vol. 1, kap. ”Muzika nën realizmin socialist”, SH.B.LSh.
[3] Libri “Historia e Europës”, Kap.3 “Mbi luftën e ftohtë”, vb. 2011 sh. b. ”Mediaprint”, f. 200
[4] Buza, Abdurrahim, Artikulli “Arti i realizmit socialist” site-i Propaganda postale.
[5] Hysa, Shaban, Artikulli “Mbi realizmim socialist”, 7 Maj 2008.
[6] Aspekte të tjera të rëndësishme i gjejmë tek shtojca e studimit, ku flitet për studimet mbi muzikën tonë, si dhe tek kapitulli i fundit, ku dalin në pah cilësi të përveçme të tyre. 
[7] Më tej në studim gjejmë edhe analiza të detajuara të disave nga veprat.

No comments: