Blerina Shalari: Studimet e ndryshme mbi muzikën shqiptare

Abstrakt

‘Studimet e ndryshme mbi muzikën Shqiptare’ flet për studimet e ndryshme që i janë kushtuar muzikës shqiptare, si asaj profesioniste, ashtu edhe asaj popullore. Në trajtesë këqyren aspektet më të veçanta të tyre, lidhur edhe me kohën kur janë botuar, si dhe varur nga kushtet të cilat diktonin zhvillimin e studimeve të thelluara për muzikën, gjykuar më së shumti nga pozitat e realizmit socialist. Në studim përmenden çështje që kanë të bëjnë me thelbet e muzikës profesioniste e popullore. Gjithashtu, studimi përmban një sërë përgjithësimesh në lidhje me ndihmesën që kanë sjellë këto studime, artikuj, monografi etj, për fushën e kërkimit shkencor në artin muzikor.
Në këtë trajtesë janë përfshirë pikëpamjet e mjaft autorëve të njohur, si Ramazan Bogdani për fushën e folklorit, Fan Noli për kritikën, Ramadan Sokoli për muzikologjinë etj. Ky studim nxjerr në pah ato që janë prurjet më të rëndësishme për fushën e kërkimit, si shenjimin e momenteve kyçe të historisë së muzikës, dokumentimi i koncerteve, veprimtarive masive si dhe kritikës.
Në studim gjejmë edhe disa vlerësime të muzikologëve mbi momentet kyçe të historisë së muzikës në Shqipëri, dhe se si ajo ka depërtuar në botë me elitizmin e saj.

Fjalë kyçe:
Studim, autor, muzikë, kërkim, histori, muzikologji.


Muzika Shqiptare radhit një shumicë kërkimesh, të cilat janë munduar të zbardhin kohërat e largëta, prej nga mori udhën arti ynë dhe se si pastaj u shkencëzua duke mbledhur edhe përvoja nga jashtë.
Diskutimi për këto studime është i gjerë. Ai fillon me historiografinë, e duke u endur pastaj nëpër caqet e përshkrimit e të dokumentarizimit, dhe duke vazhduar më tej me erërat e kritikës, analizave strukturore, e duke përfunduar tek shtypi dhe kronikat e tij, të cilat, në më të shumtën e rasteve, janë shkruar nga njerëz pa ndonjë lidhje profesionale me muzikën. Prijësit e mendimit studimor si R. Sokoli, kanë vënë bazat e një traktati të muzikës popullore. Janë klasifikuar brenda librave të tij fusha si:

Organologjia. Prejardhja e muzikës, disa studime krahasimore edhe me muzikën e Ballkanit, edhe me qarqet perëndimore të saj etj. Më tej fusha e studimtarisë u shtri edhe në qarqet parauniversitare, dhe në universitet. Njëheresh me ngritjen e Liceut Artistik të Tiranës u bë e mundur pajisja e studentëve me lëndë të muzikologjisë dhe të teorisë muzikore. Tashmë në Universitetin e Arteve janë përfshirë edhe disa lëndë të thelluara të historisë muzikore bashkëkohore, dhe të historisë e të mendimit teorik. Kërkimtaria mbi muzikën tonë ka qenë pjesë edhe e diplomantëve po në këtë fushë, pasi është gjykuar me një rëndësi jetike nga profesorë të fushës për të zgjeruar këto hapësira e për të trashëguar tek studiuesit e ardhshëm njohuri mbi këtë art e, pse jo, për të zbuluar vlera të tjera që fshihen kohërave.

Në këto studime është pasqyruar jeta artistike sipas periudhave, aktivitetet koncertore të çdo fushe, festivalet, intervista me protagonistë, jetëshkrime, bibliografi të përgjithësuara, monografi për interpretë e kompozitorë, si dhe ndonjë tekst historie i muzikës sonë, i cili, për hir të së vërtetës, duhet thënë se luhatet mes pasaktësirave e mes aludimeve për të përcaktuar etapa të krijimit e të zhvillimit më tej. Për t’u vlerësuar janë edhe shumë qëndrime të muzikologëve tanë mbi fenomenet artistike të artit në Europë, përshtypje të tyre për mendimin artistiko-estetik, artikuj, kumtesa referate etj. Pjesë e studimtarisë muzikore kanë qenë edhe kompozitorët. Edhe ndër ta është zgjuar interesi për të përshkruar fenomene të caktuara, prirje dhe drejtimet e tyre, hapësirat e folklorit, kritika etj.

Këtu kujtojmë Prof. Çesk Zadenë, Prof. Sokol Shupon, Prof. Vaso Tolen, të cilët, pavarsisht se janë kompozitorë, kanë gjetur veten në një kuptim të caktuar tek rrjedhat e muzikës kombëtare. Ata janë tunduar tepër edhe nga hulumtimet në folklor, duke studiuar e interpretuar dukuri të ndryshme, e duke i klasifikuar më pas, të ndihmuar edhe nga përvojat e tyre krijuese.

Kyçe është edhe ngritja dhe evoluimi i shtypit periodik mbi muzikën, ku përmendim Revistën Kultura Popullore, gazetën “Drita”, revistën “Skena dhe ekrani”, si dhe një sërë emisionesh e dokumentarësh e filma artistikë të dedikuar muzikës sonë.

Rëndësi të veçantë paraqesin edhe dhënjet e gradave shkencore sidomos mbi muzikën tonë popullore dhe profesioniste. Çështje të caktuara të shkencës sonë muzikore janë bërë tema shkencore të diplomantëve të sotëm.
Për ta ilustruar këtë, përmendim referatin e së nënshkruarës me titull ”Deformimet e shijeve të publikut”, kumtesë e mbajtur në qershor 2013 në Qendrën e Studimeve Albanologjike, “Kënga historike dhe balada”, kumtesë e mbajtur në Konferencën Shkencore Tradita etno-kulturore dhe bashkëkohësia, 2012, si dhe një botim në Revistën Haemus, në Bukuresht, me temë pavarësia e Shqipërisë në folklorin muzikor.

Në studimin e tanishëm kemi marrë nën shqyrtim kërkimet që janë bërë kryesisht mbi muzikën profesioniste, dhe se si ka ndikuar në të folklori dhe tradita popullore. Le të sjellim tani disa pjesë nga këto kërkime, si dhe disa përshtypje e konkluzione mbi to.

1. Studimet mbi muzikën popullore

Në këtë fushë kemi një kolorit studimesh të grupuara ndër libra të ndryshëm. Prof. Ramadan Sokoli rendit 17 studime librore mbi muzikën popullore. Kujtoj:
Les dances populaires et et les instruments musicaux du peuple Albanais”, Tiranë 1958, “Albanskie narodnie peznie”, Tiranë 1965, “Folklori muzikor Shqiptar”, “Morfologjia”, Tiranë 1965 etj.
Më tej përmendim “Çështje të folklorit” me bashkautor, vëllimet 1, 2, 3, 4, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më tej: “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë jugore”, me autor Benjamin Krutën, botim i Institutit të Kulturës Popullore, “Polifonia labe”, autor Spiro Shituni, “Folklori muzikor” i Sokol Shupos, apo “Muzika me saze” e Vasil Toles, janë një orientim i mirë shkencor edhe për studime të tjera, sepse shumicës prej tyre u jam referuar edhe unë në këtë punim.

Me mjaft rëndësi paraqitet kolana me 18 vëllime “Arti koreografik kombëtar”, hartuar nga Prof. Ramazan Bogdani. Ky studiues i pazëvendësueshëm i kulturës sonë ka botuar një kolanë me 18 vëllime, ku 12 mijë faqe i kushtohen tërësisht artit etno-koreografik kombëtar, dhe të cilat datojnë qysh nga viti 1955 e deri në vitin 2002.
Për këtë na vjen në ndihmë një artikull i posaçëm që merr në analizë gjithë këtë kolanë të Prof. R. Bogdanit. Ky vëzhgim shpjegon disa fakte substanciale të kësaj vepre madhore në seri. Në shkrimin me titull “Ramazan Bogdani – 12 mijë faqe etnokoreografi në 18 vëllime”, shkruar nga Halil Rama, botuar në gazetën “Telegraf” të datës 15 maj 2012, autori shprehet se: ”Duke u përqëndruar te Etnokoreografi VI, lënda objekt e vëllimit, ashtu si pararendësit, vjen nga fusha e koreografisë popullore, kombëtare e ndërkombëtare, dhe fizionomia si gjithmonë dimensionohet sipas rendit kronologjik”.
Vëllimi Etnokoreografi VI përfshin lëndë të pasqyruar në një hapësirë tetëvjeçare (2005-2012). Në të shqyrtohen 32 artikuj të mëvetësishëm, si edhe një shtojcë veprimtarish folklorike të autorit (për periudhën objekt). Duhet pohuar se Prof. R. Bogdani është një rast tipik i studiuesit të mirëfilltë, dhe që ka qenë pazgjidhshmërisht i lidhur sidomos me vallet shqiptare dhe studimin e prejardhjen e tyre, duke na dhënë një kontribut të paçmuar për to. Në një artikull tjetër na vjen një pohim për studimet e të huajve mbi artin tonë. Autori Emil Lafe, në këtë artikull me titull Folklori muzikor shqiptar, një thesar i kulturës sonë kombëtare”, na sjell disa studime me interes të kryera nga kërkues të huaj sidomos mbi folklorin tonë, por edhe në fushën eksploruese të terenit me ekspedita. Qysh në krye të shkrimit vjen studimi i kryer nga një kërkues i huaj. Citoj: ”Vëllimi me këngë çame është edhe puna e parë intensive në fushën e Albanologjisë e Prof. Dr. Wilfried Fiedlerit”. Ky studiues ka mbajtur edhe disa konferenca në Tiranë për folklorin.

Në këtë grupim librash e kërkimesh, kam zgjedhur të pasqyroj edhe studimet që janë bërë sidomos për të përcaktuar kufirin midis muzikës profesioniste dhe asaj popullore. Për këtë rast kemi një sërë syresh të gjendura nëpër organet e periodikut, si dhe në shumë arkiva. Ja disa prej tyre:

Studime rreth dy fushave të muzikës

Së pari, kemi disa referime marrë nga bibliografia e autorit Vasil Tole, të cilat i përmbahen periodikut të viteve 1988-1990, në të cilat gjejmë artikuj për Ansamblin Shtetëror të Këngëve e Valleve, artikuj për zhvillimin e mësimdhënies dhe të shkollave të muzikës, artikuj mbi probleme të artit muzikor të kohës, të pasqyruara jo vetëm nga muzikologë e kompozitorë, por edhe nga gazetarë jo të fushës, por që kanë shfaqur interes ndaj artit aq masiv në atë kohë.
Më poshtë po radhis një sërë titujsh:
Tre gazeta kryesore të asaj kohe kanë njoftuar koncertet e ansamblit popullor të dhëna kryesisht jashtë vendit. Kujtoj:
Ansambli i këngëve dhe valleve popullore jep koncert në Ankara, gazetat: “Zëri i popullit”, “Zëri i rinisë”, “Bashkimi”, botuar më 7 maj 1982.

Po në atë vit, Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore përfundoi me sukses turneun e dytë në Turqi, botuar në gazetat: “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Luftëtari”, botuar më 16 maj 1986.
Më poshtë kemi edhe një sërë koncertesh të tjera dhënë nga ansambli ynë në Turqi, Greqi, të pasqyruara gjerësisht në gazetat më të njohura të kohës. Më tej kemi artikuj të shkruar nga interpretë, dhe nga gazetarë jo të fushës. Citoj: Antoniu Gjergj: “Të përcjellësh notat nga partiturat tek zemrat”, intervistë me artistin e merituar Gjergj Antoniu, revista “Skena dhe ekrani”, 1986, nr’4, f.34, 35.

Në këtë përmbledhje interesante kemi edhe të huaj, muzikantë, shkrimtarë, të cilët kanë biseduar me gazetarët tanë për vlerat e artit tonë muzikor e letrar. Po aty lexojmë: “Ata janë shumë”, bisedë me violinistin e shquar Francez Zherar Pule, Gazeta “Drita”, botuar më 2 mars 1986, f.16.
Më tej gjejmë artikuj të cilët flasin drejtpërdrejt mbi burimësinë popullore dhe se si ndikon ajo në muzikën me autor. Në f. 2 të bibliografisë citoj: Tish Daija, “Muzikë që buron nga jeta e popullit”, sipas kujtimeve të artistit të popullit Tish Daija, shkruar për një nga pionierët e parë të muzikës së re Shqiptare, Muharrem Xhediku, gazeta “Zëri i popullit”, botuar më 12 gusht 1986.
Po aty, Spiro Kalemi: “Interpretimi i këngës popullore nga Marie Kraja”, revista “Kultura popullore”, botuar më 1986, nr. 2, f. 107, 117 etj.
Kemi nëpër gazeta një rubrikë interesante që titullohej “Të huajt mbi muzikën tonë”, ku ndeshim një dyzinë muzikantësh, interpretësh, kompozitorësh, të cilët flasin me nota pozitive për këtë zhanër.
Ja dhe disa tituj që tregojnë kufijtë e artit popullor dhe atij të kultivuar: Kujtim Shkreli: “Zhvillime dhe prirje të muzikës Shqiptare”, “Skena dhe ekrani”, 1988, nr. 2, f. 28, 33. Më tej: Kujtim Shkreli: “Ekzekutimi i muzikës të së kaluarës është edhe aktualizim i saj”, Tiranë, 1988, 26 maj. 

Apo: Çesk Zadeja, Pandi Bello dhe Ibrahim Madhi: “Vetëm brenda origjinalitetit kombëtar mund të krijohet”. Mishërimi i origjinalitetit kombëtar në muzikë, Skena dhe ekrani, 1988, nr.4, f.8-9.
Trajtime të endjes artistike mes dy kufijve të artit, pjesë integrale e këtij punimi përmendim: Ibrahimi, Feim: “Aspekte të shfrytëzimit të muzikës popullore polifonike në veprat e kompozitorëve bashkëkohorë shqiptarë”, Kultura popullore, 1990, nr.1, f.55-58.

Në studimtarinë tonë një vend të posaçëm zë edhe mendimi muzikologjik për muzikën e huaj, në përgjithësi për muzikën e të mëdhenjve, apo disa pikëpamje të muziktarëve tanë mbi teori të caktuara të strukturës, si: Histori muzike, Polifoni, Harmoni në disa stile, Orkestracion, dhe teori forme nga disa autorë.

Kemi një studim nga më të arrirët e fushës së muzikologjisë sonë, “Bethoveni dhe revolucioni borgjez Francez” shkruar nga Fan S, Noli, një vepër e gjithëvlerësuar edhe nga studiues të huaj. Në këtë vepër, ndryshe nga faktika e cila na njeh me analiza të zakonshme, me gjykime kritike apo me ndonjë qasje me letërsinë apo estetikën, na paraqitet vepra e Nolit, e cila priret drejt gjykimit të jetës së përditshme të Beethovenit, duke e zbritur atë nga piedestali dhe jo duke shfaqur thjesht pamjen e tij si një pinjoll autentik i Revolucionit Frëng. Janë bërë shumë reçenca e diskutime mbi këtë vepër, por ajo qëndron si një nga shembujt më të mirë të krijimit muzikologjik. Ajo është e para vepër që gradon me doktoraturë F. S. Nolin, i cili kishte njohuri të shumta nga muzika dhe artet e tjera. Ai ka kompozuar disa vepra, të cilat flasin qartë për këto njohje. Kujtojmë “Uverturën bizantine”, Poemin simfonik “Skënderbeu”, “Gaspari i varfër”, gjithashtu poem simfonik, si dhe një Sonatë për Violinë e Piano. Çuditërisht, Noli i shkroi ato si një shpalosje e traditës Europiane, duke e vënë kombëtaritetin në një plan të dytë, por jo fare të pacituar në krijimet e tij të pakta.
Sipas mendimit tim, Noli kishte një stil tranzitiv, i cili shfaqej herë me nuanca të shekullit XX, e herë me ato të Haiden e Mozart, tek Sonata për Violinë e Piano. Këto vepra patën rëndësi historike për kohën, sepse u shndërruan në një shtrat të mirë për krijime të reja.
Shumë akademi përkujtimore shkencore janë mbajtur andej dhe këtej kufirit shqiptar si një shenjë e kujtesës, e cila thërret vazhdimisht në zbërthimin dhe përcjelljen e kësaj figure tek pasardhësit.
Në fakt, kombëtariteti i Nolit nuk qe i shprehur aq tek muzika që krijoi, se sa tek meshimi i tij në gjuhën amë në Boston, e në vatrat ku kishte Shqiptarë. Por sigurisht që vepra më e rëndësishme muzikologjike ishte ajo për Bethovenin. Ja si shprehet shkrimtari i shquar, nobelisti Xhorxh Bernard Show: "Kjo është një vepër e një kritiku dhe biografi të dorës së parë. E lexova të tërë që nga fillimi e deri në fund me kënaqësinë më të madhe, meqë jam edhe vetë një njohës i muzikës, kritik dhe artist-filozof me profesion[1].

Pas Nolit, do t’u referohemi botimeve si dhe debatit mbi zhvillimet e historisë së muzikës sonë, duke sjellë këtu disa artikuj dhe disa gjykime mbi to.
Para se t’i shfaqim këto forma kërkimi, do të japim disa opinione të vetë studiuesve mbi to.
Prof. dr. Zana Shuteriqi, në një artikull të botuar në gazetën “Agon” më 16 shtator 2010 me titull “U nda nga jeta Gjergj Antoniu, gjeniu i interpretimit”, shpreh një vlerësim për botimet shqiptare të kësaj fushe. Ajo thotë, mes të tjerash: “Është bërë pothuajse e zakonshme që, midis rretheve artistike, botimet e reja shqiptare mbi muzikën të përshëndeten si ngjarje të rëndësishme. Në më të shumtën e rasteve, vlerësimi mban parasysh numrin e pakët të botimeve dhe jo vlerën e vërtetë të tyre[2].
Pra, studiuesja kërkon me ngulm largimin nga konformiteti i kërkimeve, si dhe këmbëngul gjithashtu tek të qënit objektivë ndaj veprës apo personazheve të saj, edhe pse në vorbullat historike të vendit ka shumë artistë të cilët janë denjësuar me veprën e tyre, ashtu si Gjergj Antoniu, një zë i përveçëm i violonçelit si profesionist dhe si pedagog.

Kemi edhe disa studiues të tjerë, të cilët kërkojnë të jenë më hulumtues në përcaktimin e disa shënimeve jo të sakta sa i takon zhvillimeve të historisë së muzikës sonë. Për shembull, studiuesi dhe kompozitori Sokol Shupo jep një version të vetin, sigurisht edhe të bazuar, i cili flet mbi meritën e Lec Kurtit që shënoi fillesat e gjinisë së operas ndryshe nga ç’na e paraqet historia e muzikës. Shupo, në një artikull të publikuar në internet, shkruan: Çuditërisht, shumë vepra që ne i quajmë si të parat në gjininë që i përkasin, nuk janë të tilla”. Studiuesi bën një krahasim, prej të cilit del se pikërisht veprat që për dekada i kemi konsideruar të parat, janë shkruar shumë më vonë se veprat e harruara të Lec Kurtit. Nëse deri më sot kemi besuar se opera "Mrika" (1959) e Prenk Jakovës është e para në llojin e vet në Shqipëri, na del se, në të vërtetë, e para është "Arbëresha" e Kurtit (1915), nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë, për të vijuar me sonata, muzikë dhome, kuartete harqesh, romanca dramatike, trio pianistike, prelude, muzikë korale e koncerte, të cilat janë shkruar nga 20 deri në 60 vjet më vonë nga autorë si Fan Noli, Çesk Zadeja, Tonin Guraziu, Tish Daija, Limos Dizdari, etj. Kjo do të thotë se historia e muzikës shqiptare ka se ç'të korrigjojë”[3].

Por kemi edhe ndonjë studiues tjetër, i cili hedh dyshime, ose nuk është i njëmendshëm kur thotë se ende nuk kemi një libër të përgjithshëm të historisë së muzikës sonë, me sa duket librat e shfaqur tashmë ai i konsideron si një marrëveshje të heshtur mes autorëve, të cilët janë munduar të shënojnë analitikisht, por edhe historikisht periudhat ku duhet ndalur për të ravijëzuar udhën e artit muzikor shqiptar. Po i referohemi studiuesit Akil Mark Koci nga Kosova, i cili hap debatin mbi këtë temë.
Në artikullin botuar më datë 22 mars 2012 në “Prishtina Press”, Akil Koci thekson: “Dua të flas për probleme të zhvillimit historik të muzikës shqiptare, për të cilin deri më tashti asnjëherë nuk është bërë fjalë[4].
Në fakt, mendojmë se libra ka pasur, por se sa i kanë arritur ata qëllimet e tyre për të krijuar historizmin muzikor e për të renditur kalendarin e saj, apo për të shenjuar kritikën më të mprehtë, si dhe për të trajtuar probleme të estetikës, kjo është diçka tjetër; ndërsa autori i këtij shkrimi e gjerëson çështjen duke kërkuar me të drejtë një libër unik mes Shqipërisë e Kosovës, për të gjetur kështu edhe aspektet më të përgjithësuara artistike ndër shqiptarët.
Por për Prof. Vaso Tolen historia e muzikës merr një tjetër ton kur në të përfshihen edhe muziktarët popullorë, siç i quan ai. Në artikullin “Roli i muziktarëve popullorë në fillimet e muzikës profesioniste”, botuar në revistën “Perla”, botim i Fondacionit Kulturor “Sadi Shirazi” Viti XI, 2006, Nr. 3 (42) fq. 142-152 na jep disa mendime jo thjesht në lidhje me fillesat e muzikës sonë paraprofesioniste, por edhe duke e gjykuar këtë, “ngjizësen e profesionizmit të vërtetë më vonë”, pra autori kërkon ta shtrijë më në kohë trokitjen e fillesës, madje këtë e ka bërë edhe me një vepër tjetër, ku shpjegon lidhjet e muzikës me letërsinë.
Të ndalemi tek artikulli dhe të shohim refleksionin e Prof. V. Toles për sa thamë më lart: “Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, krahas lëvizjes përparimtare shqiptare për liri dhe zhvillim shoqëror, në fushën e muzikës u vu re prirja për të evidentuar nga trashëgimia muzikore popullore të gjitha ato vlera që deri më atëherë, për arsye nga më të ndryshmet, ishin penguar, ose lënë jashtë qarkullimit artistik muzikor. Një ndër këto ishte edhe lëvizja për çlirimin e repertorit muzikor popullor qytetar prej të gjitha atyre ndikimeve muzikore çnatyruese që gjendeshin në të. Në këtë vazhdë do të renditim Përpjekjet e atyre autorëve...[5]. Ato përfshijnë emërtime shkallësh muzikore, pjesësh të ahengut qytetar, si dhe emërtime të veglave muzikore.
Prof. Vasil Tole i konsideron këto lëvizje si të prirura drejt profesionit, pasi, siç e shpjegon ai më poshtë, ndihej nevoja e katarsisit në modën e huazuar deridiku të ahengut, duke shënuar historikisht edhe një lëvizje për këtë huazim. Ja si e referon Prof. V. Tole këtë zhvillim: “Si kulm i kësaj lëvizjeje mund të konsiderohet ngritja në Shkodër, diku aty nga mesi i shek. XIX, i shoqërisë për një purifikim të ahengut[6].
Vetëkuptohet se purifikimi do të largonte të gjitha sforcimet e detyruara orientale, por vështirë se do të kryhej një e ashtuquajtur reformë për këtë.
Sidoqoftë, këto lëvizje duheshin bërë, siç e shpjegon edhe artikulli. Citoj: “Ky orientim për nga kjo pjesë e kulturës muzikore qytetare shqiptare ishte një përpjekje për kthim në origjinën e vjetër të këngës qytetare shqiptare, në atë muzikë e cila ndërtohej mbi diatonikën e pastër dhe jo mbi kromatikën, që është mbizotëruese në ahengun qytetar me vegla. Kështu flasim për një fillesë edhe të kultivimit të ngadalshëm që do të fillonte të ndihej në tonet e muzikës Shqiptare, e cila u ndihmua nga zhvillimet e saj të këngës popullore qytetare”.

Prof. V. Tole na njeh edhe me një studim të rëndësishëm, i cili vjen përmes transkriptimit popullor, duke shenjuar një pjesë historie të këngës qytetare: “Si një etapë të natyrshme në këtë lëvizje, e cila synonte ridimensionimin e ahengut qytetar, do të përmendim edhe të gjitha ato përpjekje, të cilat synonin fiksimin në nota të tij, siç është rasti i Pjetër Dungut, i cili botoi në vitin 1940 librin me transkriptime muzikore “Lyra shqiptare”.[7]

Studime interes-plotë janë edhe ato të kryera sëfundi nga hulumtuesit e rinj, të cilët synojnë të ndriçojnë dorëshkrime, dokumenta, arkiva, deri edhe libra liturgjikë. Një studim të tillë na sjell Dr. Holta Sina, e cila ka hulumtuar mbi Kodikun 2 të Beratit. Në fakt, ky studim vjen pas atij të kryer nga Prof. Sokol Shupo gjithashtu për Kodikun 2 të Beratit, shek. IV.
Tema e Dr. Holta Sinës me titull Dorëshkrimet muzikologjike në Shqipëri: Pikëtakime të ndërsjellta mes muzikës bizantine dhe traditës muzikore vendase”, ka në fokus dorëshkrimet e lashta muzikologjike të liturgjisë së krishterë të Fondit 488 të AQSH, për të cilat nga studiuesit shqiptarë është shkruar shumë pak. Rëndësia e studimit të këtyre dorëshkrimeve qëndron në faktin e vlerës së tyre të padiskutueshme historike, dokumentare, por dhe kulturore e artistike, duke dëshmuar në këtë kontekst lashtësinë e shkrimit dhe këndimit të kësaj muzike në vendin tonë. Ky studim bart vlera historike, por edhe antropologjike, për faktin se hulumton mbi shenjimet muzikore të purpurantes ruajtur në pergamenë në formë unikale edhe në botë.

Në përfundim themi se ky kapitull synoi të jepte një pasqyrë mbi disa nga studimet e fushës së muzikës, dhe të trajtonte, gjithashtu, ndihmesën e tyre mbi të kultivuarën artistike dhe populloren e bërë art rishtaz, si dhe pikëtakimet mes tyre.

Bibliografia

1. Rama, Halil, Bogdani, Ramazan, “12 mijë faqe etnokoreografi në 18 vëllime”, gazeta “Telegraf”, 15 maj 2012.
2. Lafe, Emil, “Folklori muzikor shqiptar, një thesar i kulturës sonë kombëtare”, 2012.
3. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore jep koncert në Ankara, gazetat: “Zëri i popullit”, “Zëri i rinisë”, “Bashkimi”, botuar më 7 maj 1982.
4.  Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore përfundoi me sukses turneun e dytë në Turqi, gazetat: “Zëri i popullit”, “Bashkimi”, “Luftëtari”, 16 maj 1986.
5. Antoniu, Gjergj, “Të përcjellësh notat nga partiturat tek zemrat”, intervistë me artistin e merituar Gjergj Antoniu, revista “Skena dhe ekrani”, 1986, nr’4, f.34, 35.
6. Ata janë shumë”, bisedë me violinistin e shquar Francez Zherar Pule, Gazeta “Drita”, botuar më 2 mars 1986, f.16.
7. Daija, Tish, “Muzikë që buron nga jeta e popullit”, sipas kujtimeve të artistit të popullit Tish Daija, Gaz. “Zëri i popullit, 12 gusht 1986.
8. Kalemi, Spiro, “Interpretimi i këngës popullore nga Marie Kraja”, revista “Kultura popullore”, 1986, nr2, f.107, 117.
9. Shkreli, Kujtim, “Zhvillime dhe prirje të muzikës Shqiptare”, “Skena dhe ekrani”, 1988, nr.2, f.28, 33.
10. Shkreli, Kujtim,Ekzekutimi i muzikës të së kaluarës është edhe aktualizim i saj”, Tirana, 1988, 26 maj.
11. Çesk Zadeja, Pandi Bello dhe Ibrahim Madhi, “Vetëm brenda origjinalitetit kombëtar mund të krijohet”. Mishërimi i origjinalitetit kombëtar në muzikë, Skena dhe ekrani, 1988, nr. 4, f. 8-9.
12. Ibrahimi, Feim.Aspekte të shfrytëzimit të muzikës popullore polifonike në veprat e kompozitorëve bashkëkohorë shqiptarë”, Kultura popullore, 1990, nr. 1, f. 55-58.
13.  Shuteriqi, Zana, “U nda nga jeta Gjergj Antoniu, gjeniu i interpretimit”, gazeta “Agon”, 16 shtator 2010.
14. Koci, Akil, “Përse nuk ka histori të muzikës shqiptare?”, “prishtina press”, 22 mars 2012.
15. Tole, Vasil, ”Roli i muziktarëve popullorë në fillimet e muzikës profesioniste”, revista “Perla”, botim i fondacionit kulturor “Sadi Shirazi”, Viti XI 2006 Nr. 3 (42) fq. 142-152.
16. Sina, Holta, Dorëshkrimet muzikologjike në Shqipëri: Pikëtakime të ndërsjellta mes muzikës bizantine dhe traditës muzikore vendase, tezë për gradën Doktor.






[1] Show, Bernard, artikulli “Noli muzikolog”,
[2] Shuteriqi, Zana, artikulli “U nda nga jeta Gjergj Antoniu, gjeniu i interpretimit”, gazeta “Agon”, dt. 16 shtator vb. 2010.
[3] Shupo, Sokol, Opinion mbi Lec Kurtin, Publikuar: 19.08.2012.
[4] Koci, Akil, artikulli “Pse nuk kemi një libër të historisë së muzikës shqiptare”, gazeta “Prishtina press”, dt. 22 mars vb2012. 
[6] Tole, Vasil, artikulli “Roli i muziktarëve popullorë në fillmimet e muzikës profesioniste”, revista “Perla”, vb. 2006 Nr. 3 (42) fq. 142-152”.
[7] Tole, Vasil, artikulli “Roli i muziktarëve popullorë në fillmimet e muzikës profesioniste”, revista “Perla” vb. 2006, dt. 22 mars.

No comments: