Bogdan-Alexandru Stănescu: Poezi/i

Poet, eseist, studjues i letërsisë dhe botues rumun,
lindur në vitin 1979, autor i disa librave poetikë dhe studimorë.



Shtëpia e dhimbjes
(Casa durerii)

Mirseardhët në shtëpinë e dhimbjes!
Këtu strukemi pranë mureve
Dhëmbët ngulen në murin prej gëlqereje
shtesa e kalçiumit – e paçmueshme
Këtu nuk prekim, gjithçka bëhet me pëshpëritje, rëniet tona
janë të ëmbla porsi
Lartimi në qiej
Nderohemi, ashtu siç luani nderon drekën
duhemi, ashtu si bubuzhelët duan acidin borik
Mir-se-erdhët! Kemi nevojë për shikues
përndryshe ç’duhen kaq fjalë të zgjedhura?



Heraklitiane
(Heraclitiană)

Nën një grusht yjesh dimërorë
me një grusht algash në xhep
duke dëgjuar fitoren e gjelit, mbase i pari
e dita, pa dyshim, se fëshfërima monotone
pllakë e vjetër
nuk është gjë tjetër veç
rrjedhja e një kohe plakë
në govatën e gjumit.


Harmoni në të kaltër dhe argjend
(Armonie în albastru şi argintiu)

Bota u mbyll
rretheqark hijet përmbahen në lëndën e tyre
Një anatomi e vetmisë po lindet
në fillin e tregtisë së hollë
Mes dy kandarëve...
atje ku rëra lan kurmin e gurtë të detit
Një fllad i lehtë bëhet kutullaç
gjarpër shtëpie
mes këmbëve të të huajit.


Mjalti i hijeve
(Mierea umbrelor)

Ah! Mjalti i hijeve, si ngjyen ai muret
Si përvidhet në pasqyrat
në ligësitë, furtunat
E shpirtit


Këngë lufte
(Cîntece de luptă)

E tani një e kuqe e re, më e fuqishme
më vështirë për t’u fshirë, duart
plasaritur mbi dorezën e nxehur të shpatës
Ti kthen shpinën
mbështjellë me çarçafin e nxehur të natës
Vere lehtë ballin e ngarkuar mbi gjunjë
shkulu nga konteksti i mishit
vështro drejt horizontit
shih si retë groposin
Diskun, heliosi, karrocieri i dritës
Hap gojën
Shpëlan qiellin e gojës me shkulmin prej ajri të detit
lëshon një himn
Mundohet të prekë kupën me syrin e shuplakës
Ndjek trajtën e gjakut të derdhur mureve

Këndo, bir, këndo!


Nga vëllimi "pastaj, pas betejës, mblodhëm shpirtin"
Sh. B. Cartea Românească (Libri Rumun), 2012
/ Din volumul ”apoi, după bătălie, ne-am tras sufletul”, 
Ed. Cartea Românească, 2012

Paraqitje dhe shqipërim: A.-Ch. Kyçyku

No comments: