Daniel Turcea: ”... varrosini të vdekurit si farat”

Njohje

të njohësh
qiellin, do të thotë
të jesh qielli

dhe
ai ti
që flladit

është ujë dhe frymë
ai vend i rrallë
      për të cilin ju fal
atë që ka për të ardhur
na e sjell ndërmend
      megjithse trupi ndofta nuk është
veçse një kolibe në shkretëtirë

varrosini të vdekurit si farat

zërat
si një qytet prej qelqi 


Për sublimen

Dituraku
u avit
dhe duke sunduar vetveten, i foli:
 - falmë, kjo dhunti
për të cilën në të vërtetë i denjë s'jam
në vend të vajtimit e të ankimit, vjen
të më bëjë pluhur e hi çdo mendim urrejtjeje, i pastër
vështroj atë që do të më vriste
por ende nuk kam në vete mirësi
as dashuri nuk ka filluar të jetë
për këtë dhunti i / e padenjë qënkam
për ta shprehur,
trupin e kam
të huaj, kundërshtar, dhe rob dhe vëlla
dhe nuk i jap gjumë
dhe nuk i fal ledha
thuamë
kam etje
dhe nuk kam shijuar, si shkëmbi
bëhet mishi dhe vazhdimisht lutem
që vetëm dashuri të jem, përgjigjmu
si të jetoj, tani dhe çfarë të bëj?
ajo e paktë
që kisha për të kryer, i padenjë
e përmbusha aq sa pata mundësi
ç' më mbetet më për të bërë
si të sillem?
thuamë

pra
duke u çuar
plaku i shtriu
drejt qiellit
mishi filloi t'i digjet
dhe gjaku dhe mishi po i digjeshin
dhjetë pishtarë të zjarrtë i flakëronin në pëllëmbë

i pagojë
e këqyrnja si digjej

Eshtë më i gjallë!

dhe ndjeu
se si duke qënë turrë fliste për paqen e thellë
ave, plaku
- i tërë si zjarri qofsh
afrohu

ndize


Shqipëroi Kopi Kyçyku


No comments: