Kopi Kyçyku: Vargje

Mbi supe


Mbi supe mbart një zog, që flatrat rreh,
Nga fjalët më jan' bërë buzët gjak,
Si vdekja, dashuria kosën mpreh
Mbi ndjenjat që i vret, ose merr hak.


Vdekje e përkryer...


Edhe në qofsh prej guri, granit apo beton,
Kalon koha ngadalë, shkujdesur, me durim,
Me dhëmbët aq të mprehtë sikur të ledhaton,
Gjersa të shndrron në rërë prej plazhi plot shkëlqim.
Të vraka edhe drita, të vraka edhe terri,
Të vraka helmi, gazi, trishtimi dhe mërzia,
Të vraka thjesht vështrimi, dhe puthja erë ferri,
Por vdekja e përkryer vjen veç nga dashuria.


Si nuk e shihja, vallë?


Çuditem me vetveten: si nuk e shihja, vallë,
Si dimri vjen rënduar, me hënë të venitur,
Njëlloj si ai plaku me dhembje në dhëmballë,
Dentistin me rënkime te pragu duke pritur?

Habitem me vetveten: si nuk e kisha parë
Si dimri vjen mendueshëm, me pamjen e trishtuar
Të djalit çehrezbehur, përlotur, zemërvrarë
Nga ndjenja e kulluar, e thellë, por e dështuar?

Po grindem me vetveten: si nuk e kisha parë,
Si dimri vjen në pyje, me gjethe kalbur bore,
Që një drenushë e ndrojtur, në ar e argjend larë,
U merr erë tek dridhet si vetë gjethet prore?


Në sqep i mbiu...

(Në frymë popullore)


Kur u kthye me ushqim për të vegjlit zogu - at, i ziu,
Folenë e gjeti bosh, pa zogj, të shkretë, pa jetë,
Kërkoi por nuk i gjeti, iu thinjën pendët krejt,
Dhe fara, më në fund, në sqep atij i mbiu.


Tingujt e dëborës

(Kujtim i trishtë)

Në parvaz të dritares
dhe në pragun e jetës,
tingujt e dëborës
këtu, në vendlindje
më jehojnë në vesh
prej shumë vitesh.
Hije të shtënash pushke,
të mbetura diku,
si era e ngrirë
në degët e janarit -
akull në vena.
Në zemrën e ëndrrës së bardhë
një tingull prej vitesh nxihet.

No comments: