Mariklena Niço: Diafragma e heshtjes (Diafragma tăcerii)

Mariklena Niҫo u lind në Korҫë më 24 korrik 1978. E kaloi fëmijërinë në një kohë të ҫuditshme, kur asgjë nuk thirrej me emrin e vet dhe gjërat më të rëndësishme thuheshin me sy, buzëkafshuar. (Një tipar që ende ruhet nga gratë në këtë zonë për të thënë të pathënat). Adoleshenca përkoi me vitet kur në Shqipëri të gjithë e zgjidhën gjuhën e lidhur prej dekadash dhe sikur u zbrazën prej Kutisë së Pandorës historitë më të pabesueshme. Shkrimi i poezisë përkon me këtë periudhë. Në vitin 2000 përfundoi studimet universitare në degën gjuhë-letërsi pranë Fakultetit Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës. Botoi përmbledhjen e parë poetike, “Pylli i Muzave”, në vitin 2007 (Ombra GVG). Ka botuar disa cikle poetike në revistat letrare: “Mehr Licht”, „MM„, „Haemus” etj. Pjesë nga krijimtaria e saj janë përfshirë në Antologjinë me poetë dhe mendimtarë ballkanas, “My last million”, botuar në gjuhën rumune, 2014. Është e pranishme, gjithashtu, në Antologjinë e poezisë dhe prozës së re shqiptare, botuar në gjuhën kroate nga libraria Booksa në Zagreb, 2014. Ka në sirtar një përmbledhje poetike ende të pabotuar. Aktualisht jeton dhe shkruan në Prishtinë. 

***

Disa vende në kujtesë
i shuan fryma.
Triumf i erës
mbi myshkun e shkëmbin.


Në britmë t’heshtjes

Kredhur n’ ajër t’brymtë.
Disa rrugë dergjen t’ panisura si i lë pas krahësh.
Disa dhimbje rrinë supit si shpatë pendimi
për gjallimin lidhur n’ fyt të një fati t’pazë.

Pranomë dritë, pranomë!
Ia behin lutjet përdëllyese.
Rrëkëllemi netët mbi krye një nga një,
m’i ndiz do thëngjij të shuar – ëndjet!
Dridhem dritë, dridhem, si prush pa vatër.


Qenie e ngathët, sëmurë nga përkryerja,
koha mbjell n’hulli të brinjëve spirale pikëllimesh
mbarimet e gjejnë një vend ku rrethsillen pa u kryer
eshtrat i fryn si fyej një rapsod absurdi.
Kapërcehu!
Në tehun e thikës tënde luaj!

Mprihu,
më pri!
Mes për mes mushkërisë së mbytur në pluhur
në fillin e tejpashëm mes aktit e ngulfatjes
në thelb të syrit, në britmë t’ heshtjes.
  
Njerëz udhëkryer

Humnera bie
e thyen ata që ngrenë kokën për qiell
të tjerët i mbështjell
si borë e trashë.

Arkitekte e qyteteve të saj
ngre ura
për të lidhur hije
më shumë sesa njerëz.

Me zë të patingullt
u prin udhëtarëve
të parët, përherë të verbër.

Në ditë të kremte
sheh njerëz në udhë
më shumë sesa hije

njerëz udhëkryer.
  
drit’errur

mblidhet jeta në dy tri bërthama fjalësh
në zemër tjerr heshtje e thurr një pëlhurë
për me e ndehë
mbi humnerë

po duart kanë ngut
duart si përherë
thyejnë e mbërthejnë
mbërthejnë e thyejnë
pragje në prurje të ҫdo dite

jashtë
zhurmat
fjalë pa bërthama pështyhen e ngjiten
pështyhen e ngjiten
paralajmërime
reklama
dritë që s’rresht së hedhuri terr


Pak kohë

Nise me ecë vijave të mia
n’pëllëmbë
E hapa dorën krejt
i ndeha, gishta dhe hije
të hapnin udhë
ty
të merrnim kohë
dy
n’heshtjen e pacak
të shenjave
të jetës
  
ditë fluturimshkurtër

pikturon me thua
të ngjyer në hije
fytyrën tënde
në pëllëmbë gjethesh
fustanin prej letre
kanelle dhe ajri
lulet e përmbysura të fjalëve
zemrën
brenda në gjoksin prej resh.

e patë atë grua
tek ngjitej në qiell
me një ҫadër gjithë vrima?

ndodhi një ditë
fluturimshkurtër
  

Përkohësisht, edhe në gjëra të përjetshme


Ndonjeherë ti je një grua
që jetoi të gjithë shekujt e mëparshëm
e s’pushoi së qeni.
Sot ushqen në mitër
të gjitha gratë e ardhme.
Asnjë teshë s’të ngroh
si kurmi s’del për shpirtin.
Po pritet teje
xhonglimi i përditshëm i gjërave
në teatër më perde të mbyllura.
Pastro, vendos rregull
përkohësisht edhe në gjëra të përjetshme!
Në një nga sirtarët e kuzhinës
mban një thikë të hollë për veten
e nxjerr, pasqyrohesh në të, e ve në vend
Je nënë
njëra dorë mbron e tjetra ndeh
njëri gji mëkon e tjetri dhimbet në faj
  

Ajo që me hënën gatuante brumë


Ai që plugonte natën
i mbolli farat në barkun e saj

Ajo që me hënën gatuante brumë
i mbolli fjalët në kokën e tij

Dikur mëkoheshin n’kurm të njëri-tjetrit
Ajo kish dashur të bëhej ai, Ai – ajo

Koha i gremisi zjarret n’pus
e zemrat i la të kullohen n’ujëra

Kurm nën kurm, ujëra nën ujëra
ҫdonjëri u gjend n’shpirt të tjetrit

No comments: