Ornela Domi: Figura e Prometeut në dramaturgjinë e I. Kadaresë

Abstract

The reconsidering of the Prometheus myth by Ismail Kadare writer in “Boring season in Olympus”has passed through the umnythification process and according to my opinion it has a cantemporean and modern addaption with the totilarist system of the Albanin reality. The author writes a drama with a proffesional level, as a specific genre on the reoutlineing of the ancient myth.This drama emphasises, Prometheus history reoccured in different time, different areas in Balkan in the neighbouring Albania too, even in all the countries living under totalitarist system, but the human revolution even though under the wildest dictatorship, always triumphs. The human civilisation finds the way to ilumination, knowledges, development, democracy and freedom of speaking. In this study, it is attempted to be shown not just the difficult way and the history of Prometheus god but even the softening of the relationship between the representatives (or people’ advocate) and his dictator leader. There are included sarcastic marks, irony, black humor, grotesque and stigmatization through tragedical reality. According to my opinion Hypnos, the God of sleep who reads the people dreams from the relationship with the truth is also the alterego of the writer.

Keywords
Unmythification, remythification, revolution, genre, time, „coup d ‘etate”.


Hyrje

Në këtë studim nuk do të flitet për mitin e Prometeut, si histori e njohur tanimë, pothuaj po aq e vjetër sa vetë njerëzimi, sesa për mënyrën se si është ngjizur dhe inskenuar drama e Kadaresë me tharmin e këtij miti, duke filluar që nga procesi i demitizimit. Dhe për t'u bazuar me procesin tjetër të „mishtimit” apo „rimitizimit”, siç e kam quajtur, apo shtimit të situatave të reja në histori, për të bërë një mit modern, të ri, i cili ka një imazh tjetër në ditët dhe në shekullin XX, kur ka shkruar autori. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë fenomen, do ta shpjegoja, që të kuptojmë konvencionalitetin tekstor: „rimishtim”: nëse në një plan biologjik, marrim një fosil, apo një ADN, (në kuptimin metaforik këtu) dhe e mishtojmë atë me një fytyrë të re të Prometeut, si kryeshenjë në vepër, (sëbashku me Zeusin, kryeshenjë e dytë), ky do të ishte imazhi që ndërtohet mbi historinë e vjetër, „kolonat” mitologjike greke të lashta, në sensin e mbështetjes, të cilat janë rimarrë nga mitologjia greke, burim lënde e preferuar e shkrimtarit. Kadareja ka zbatuar në këtë rimarrje të mitit, jo si kanë qenë të krijuara në kohën e Eskilit e të grekërve të lashtë, por si duhej të ishin në kohët moderne dhe si do të metamorfozohej miti në kushte bashkëkohore, një Promete, Zeus e Olimp modern. Ai do të ishte i ngjashëm me një udhëheqje Kryeministri, kabinet ministrash, dinasti, oborr mbretëror, sistem diktatorial, despoti. Autori u ka qëndruar besnik arketipit mitik, historive të lashtësisë, mitologjisë, miteve, arketipeve, modeleve, heronjve, dhe rrethanat në thelb nuk ndryshojnë, janë po ato që përsëriten në epoka e në kohë dhe do të përsëriten edhe në të ardhmen. Shqipëria, vend fqinj me Greqinë, ka përjetuar po të njëjtat drama dhe tragjedi, dhimbje, vuajtje, histori individuale dhe të një kombi të tërë, identike si ato të Greqisë, dhe ato luhaten në shtratin mitik, i cili është i njëjtë. Do synohet të shpjegohet një analizë e psikologjisë së tiranëve dhe regjimeve në një plan politik në kuptimin e parë të fjalës, politika në letërsi, si nocion aq shumë i diskutuar që nga filozofët e lashtë, derivante nga etimiologjia e saj: polis, (qytet). Prometeu si figurë, personazh, në veprën e Kadaresë, e ka fillimin në (tregimin) historinë e autorit me po të njëjtin emër (dhe titull) „Prometeu”, si tharm, e shkruar në vitin 1967, ashtu si pjesa më e madhe e veprave të tij, që esencën e kanë gjithnjë më herët, e nga ajo u zhvillua drama. „Viti 1967, ishte vigjilja e protestave masive në mjaft vende perëndimore.”[1]

Miti dhe arketipi

„Stinë e mërzitshme në Olimp“, është një dramë interesante, e thurur me parimin e veprimit me një forcë dhe dendësi intrige, mashtrimit, spiunimit, prapaskenave, dhunë verbale dhe fizike, diktat, pushtet i ushtruar në mënyrë të indoktrinuar. Herë-herë të jep përshtypjen e një drame ku janë implikuar, përveç shtetit-Olimp, edhe hallka të tjera, si Sigurimi i shtetit, agjentët e tij, instancat e policisë, madje dhe vetë populli është aktor. Aktorët janë perëndi, zota, të cilët përfaqësojnë mitiken, dhe roli i tyre thelbësor, thuajse është i ngjashëm me ato arketipikë, siç janë në mitologjinë greke. Pra, kemi të bëjmë me një projektim të mitit të Prometeut dhe ngjarjes, historisë së tij, ndër të tjera në një realitet ballkanas në Dukjet e para (Dukje është fjala e përdorur për akt), ku arkitekti është vetë autori dhe drita e zgjedhur nga lart, projektuese si në një skenë, ku do të zhvillohet një spektakël, vjen metaforikisht për të riskicuar fatin e heroit të Prometeut. Si një skenarist i mirë, autori e „monitoron” dritën e projeksionit të mitit edhe në një realitet shqiptar. Ka gjithashtu një dramë, një lidhje analogjie, të tipit metonimi situate midis ngjarjeve që ndodhin në Shqipëri dhe historisë së Trojës, miti i Kalit të drunjtë i Trojës, i cili duket se përdoret në funksion të aktualizimit të ideve të rrëzimit, shkatërrimit, që vjen nga tradhëtia e brendshme. Dihet se mitet janë lënda e pëlqyeshme e shkrimtarit, pothuajse në të gjithë sistemin artistik të shfrytëzimit të burimit të materialit të veprës së tij. Eric Faye për trajtimin e miteve nga Kadareja ka thënë: „Ja pse u drejtohet miteve, që marrin vlerat e një udhëzuesi për të kuptuar funksionimin e qytetërimeve.”[2] Të shumtët e personazheve përfaqësojnë një hyjni, një mit, një domethënie kuptimore, një simbolikë të fshehur me anë të imazhit bartës dhe energjisë që gjeneron ose një grup domethëniesh tek ajo çka personifikojnë, përfaqësimi i tyre dhe rimarrja e mitit jepen që në fillim të dramës. Qysh në Dukjen e parë, autori ka respektuar atë çka miti përfaqëson, pra, arketipet; hyjnitë rimerren, pa ndryshuar rolin dhe kuptimin simbolik thelbësor. Por autori luan dhe krijon situata, intriga të vetat të reja, origjinale, të mbishtuara e të „mishtuara” përkatësisht sipas qëllimit ideoartistik; kjo përbën mënyrën kompozicionale që ndjek ai. Është një histori për Prometeun, por e theksoj se do të fokusohem në Dukjet, kur bëhet çmitizimi, dhe rimishtimi, fabul e ndërtuar sipas një realiteti dramatiko-tragjik, ku ironia, sarkazma therëse, humori i zi, si gjithmonë nota mbizotëruese në tonet kadareane, e bëjnë dramën të ngjitet në nivele të mirëfillta dramaturgjie. Në fakt, fati simbolik i Prometeut, (sipas variantit kadarean) është një „histori” tragjike që përsëritet në kohë, një evolucion fatsjellës për njerëzit, por jo për sakrifikuesin, i cili përsëritet qysh nga fillesat e njerëzimit, pra, që nga bota e miteve pagane, politeiste, një domethënie historike dhe marrëdhënie popull-qeverisje e lashtë e fenomenit të „Grushtit të shtetit”. Thelbi i pushteteve, sidomos ato totalitariste është se vjen një moment piku e natyrisht fillon lëkundja e fronit mbretëror, e udhëheqjeve anarkike, revolucionet e mëdha, demitizimi i diktaturave. Çdo diktature, sado e sertë të jetë, do t’i vijë ora e mbarimit, e shkatërrimir dhe kjo është perspektiva e lirisë dhe demosit, (popullit, greqisht). Kohët, për fat të mirë, po shkojnë drejt luftimit të sistemeve e regjimeve absolute, siç ka dëshmuar ta tregojë dhe Kadareja në filozofinë e marrëdhënies së Zeusit me Prometeun, duke shkuar përtej Eskilit. Konflikti fillon e zbutet, ndryshojnë goditjet e mjeteve ndëshkuese të Zeusit, ato hiqen nga përdorimi (analogjikisht dhe simbolikisht siç është hequr në përgjithësi dhe dënimi me vdekje në historinë e njerëzimit), si „rrufeja” dhe sqepi vrasës alegorik i famshëm i „shkabës”, këta janë elementët risi, ndër shumë të tjerë që përmban historia e dramatizuar. Ligjet e famshme të Drakonit të Athinës për dënimet me vdekje, në parim zbuten, këtë kumt të rëndësishëm revolucionar e përcjell vepra e Kadaresë, ndërsa në rastin e Prometeut, kuptohet se vdekje fizike për të s'mund të kishte përsa kohë ishte perëndi, edhe pse ndëshkimi ishte edhe më makabër: vuajtje të përhershme me qindra vjet nga ana e Zeusit, qoftë me „rrufenë”, qoftë me „shkabën” gjithçka shkon si simbolikë dhe metaforë e revolucionit njerëzor, i cili, në mos sot a nesër, do të ndodhë. Shaban Sinani, duke parë vendin që Ismail Kadare i kushtoi Eskilit të madh, e ka perceptuar si mësim prej tragjedisë: “Të mësosh prej tmerrit” ishte një nga parimet e artit grek. Tragjeditë e Eskilit e synonin katharsisin pikërisht nga madhështia e së keqes, nga frika prej ndëshkimit të gjallë.”[3] Në mesazhet e fshehura, të tërthorta, të brendshme të aktorëve të dramës, të dhëna me figurat letrare tipike për maskimet dhe fshehjet, pra tekst implicit, si metafora, metonimia, ironia, simboli, kuptojmë se, po t'i zbërthejmë: sado e gjatë të jetë një diktaturë, do vijë një ditë që do rrëzohet dhe kjo gjithmonë ka kurbanin (flijimin) e vet gjakësor. Në këtë rast sprovimi është guximi i çartur, kurajo gati e një të „çmenduri”, dhe sakrifica e një individi, Prometeut në këtë rast, i cili arriti të thyente rregullat. Kadareja vazhdon me pasardhësin e flijimit dhe historia vijon me gozhdimin e të njëjtin fat pothuaj, me Krishtin, duke kuptuar se demokracia është një nga betejat që ndoshta edhe sot, pas mijëravjeçarësh, mbetet sfidë për popuj të shumtë në botë. Egërsia dhe makabritetet e formave regjimore të nazizmit, fashizmit, komunizmit apo diktaturave më të egra që ka njohur bota, jepen në dramë të mishëruar nga qëndrimi dhe modelet e sjelljes së zotave, pasi këto sisteme e kanë preardhjen nga lashtësia. Në këtë rast shprehet qëndrimi i udhëheqjes, për të cilën autori ka dëshirë të flasë nëpërmjet fshehjes së zotave. Ja ç'thuhet në Olimp për turmën e njerëzve:

Hypnosi:
Zakonisht flitet me përbuzje për ta. Quhen kandrra, thnegla, flutura jetshkurtra. Ky, si të thuash, është qëndrimi zyrtar i Olimpit për racën e njerëzve.[4]
Drama përshkruhet me tone filozofike për nocionet bazë: rregullat, ligjet e pushtetit, normat, jeta, vdekja, vuajtja, udhëheqja, turma, modelet e sjelljes që në antikitet, por dhe atyre modernë. Arketipia mitologjike në këtë rast është përdorur si procede ideoartistike për të dhënë të tashmen, duke e marrë spunton nga e kaluara, por padyshim është mesazh për të ardhmen, se situatat janë gjithnjë në thelb të njëjtat, dhe historia përsëritet në kohë dhe në kombe, si në Greqi, Shqipëri, apo në vende të tjera ku kanë ekzistuar sisteme të tilla udhëheqjeje. Kurse Kadareja procesin e rikrijimit të situatave të reja e realizon me rimarrjen e po të njëjtave mite edhe demitizimin si linjë që e ndjek duke i dhënë mitit rolin e përcaktuar që ai e dëshiron në funksion të ngjarjeve reale bashkëkohore. Tefik Çaushi, teksa shpjegon demitizimin tek Kadareja, ka thënë se, edhe kur çmitizohet, hidhet dritë mbi atë çka fshihet mbrapa tyre. Pushtetin, apo pavdekësinë, as vetë perënditë nuk e mbajnë për diçka që është për t'u pasur zili, dhe pikërisht këtë do të transmetojë autori, se ka ardhur koha e rënies dhe e demitizimeve të miteve, edhe pse pushteti, për fat të keq, kur kalon dekada të tëra, kthehet në mit. (...) 



[1]ÇAUSHI, Tefik, „Universi letrar i Kadaresë”, Evropa, Tiranë 1996, fq. 126
[2]FAYE, Eric, „ Le ouvre”, Parathënia, Fayard, Paris 1999, fq. 50
[3]SINANI, Shaban, „Pengu i moskuptimit”, Extra, Tiranë 1997, fq. 7
[4] KADARE, Ismail, „Stinë e mërzitshme në Olimp”, Onufri, Tiranë 2002, fq.29

No comments: